Basha Kryeparlamentar, Demokracia Kosovare në Thikë
Kosova zgjodhi kryeparlamentarin pas muajsh bllokade, por opozita e rreshtuar me Listën Serbe rrezikon demokracinë, drejtësinë dhe sovranitetin, duke dorëzuar vendin në Beograd.
Pas muajsh të tërë bllokade, Kuvendi i Kosovës më në fund ka zgjedhur kryetarin e tij. Dimal Basha, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, mori 73 vota dhe i dha fund një paralize institucionale që kishte lënë vendin pa funksionalitet parlamentar që nga shkurti. Në pamje të parë, ky zhvillim mund të shihet si fundi i një prej krizave më të dryshkura institucionale që Kosova ka përjetuar në vitet e fundit. Por zgjedhja e Bashës, në vend se të mbyllë kapitullin e tensioneve, ka nxjerrë në pah rrezikun e madh që po i kanoset vetë themeleve të demokracisë në vend.
Për gati shtatë muaj me radhë, Kuvendi kishte dështuar plot 57 herë në përpjekjet për të zgjedhur një kryeparlamentar. Rezultati ishte një bllokim i plotë i procesit të formimit të qeverisë dhe mbajtja peng e më shumë se 700 milionë eurove nga fondet ndërkombëtare. Abstenimet dhe sabotimet e opozitës u arsyetuan si “procedurale”, por në realitet nuk ishin asgjë tjetër veçse një akt i qëllimshëm bllokues, një reflektim i qartë i gjuhës dhe taktikave që përdor Lista Serbe, zgjatimi i dorës së Beogradit në politikën kosovare.
Partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK, jo vetëm që nuk u rreshtuan përkrah shumicës për të çuar përpara procesin demokratik, por edhe një herë treguan se janë të gatshme të sakrifikojnë sovranitetin e shtetit për interesa afatshkurtra politike. Zgjedhja e Bashës ndodhi vetëm sepse një pjesë e deputetëve të PDK-së dhe AAK-së u shkëputën për ta mbështetur, jo si akt kompromisi për të mirën e republikës, por si mënyrë për të shmangur zgjedhjet e parakohshme që askush prej tyre nuk i dëshironte.
Ky nuk është një episod i izoluar. E njëjta opozitë ishte rreshtuar përkrah Listës Serbe edhe gjatë përpjekjeve të qeverisë Kurti për t’i larguar ata nga kutitë e votimit në zgjedhjet e shkurtit. Tani, para zgjedhjeve të tetorit, të njëjtat forca politike refuzojnë sërish ta përkrahin qasjen e shumicës për t’ia pamundësuar Beogradit kontrollin përmes strukturave paralele. Nuk është rastësi. Është vullnet i qartë politik: t’i japin Beogradit levën e ndikimit mbi sovranitetin e Kosovës.
Ndërkohë, Serbia nën regjimin e Aleksandar Vuqiçit e ka rritur agresivitetin, duke blerë armë nga Rusia, Kina, Irani e Izraeli dhe duke mbrojtur kriminelë të luftës si Milan Radoiqiç, i cili publikisht pranoi organizimin e sulmit terrorist në Banjë1 në vitin 2023, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës. Beogradi përdor Listën Serbe si instrument për destabilizim, duke e trajtuar veriun e Kosovës si valvulë presioni që mund të aktivizohet sa herë Prishtina e forcon ushtrimin e sovranitetit të saj. Dhe opozita në Kosovë e di këtë mirë, sepse e njeh praktikën e gjatë të Beogradit për të minuar institucionet kosovare. Megjithatë, ajo zgjedh të qëndrojë në të njëjtën anë me ta.
Kjo sjellje opozitare nuk është thjesht sabotim politik, është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit dhe legjitimitetit të institucioneve. Çdo abstenim, çdo bojkot, çdo veto kundër procedurave shërben vetëm për t’i treguar botës një imazh të Kosovës si shtet të paralizuar dhe të paqëndrueshëm. Është pikërisht kjo ajo që Beogradi kërkon prej dy dekadash, dhe sot kjo i mundësohet jo vetëm nga politika e jashtme serbe, por edhe nga opozita kosovare brenda vetë Kuvendit.
Në këtë klimë, as drejtësia nuk ka mbetur e paprekur. PDK-ja ka ndërmarrë një fushatë agresive kundër Dhomave të Specializuara në Hagë2, duke e portretizuar gjykimin e ish-udhëheqësve të saj si sulm ndaj luftës çlirimtare. Në të vërtetë, kjo nuk është as mbrojtje e luftës, as mbrojtje e Kosovës, është thjesht mbrojtje e një perandorie politike e financiare të ngritur mbi dy dekada keqpërdorimi e korrupsioni. Media të lidhura me oligarkë të kësaj partie shërbejnë si mekanizëm propagandistik për të mbrojtur elitën nga përgjegjësia, duke përqafuar një narrativë që synon delegjitimimin e drejtësisë.
Kosova gjendet sot në një udhëkryq të rrezikshëm. Në njërën anë ka një lidership që, me gjithë të metat e tij, ka tentuar të forcojë sovranitetin, të ç’montojë strukturat e Beogradit dhe të përballet me korrupsionin. Në anën tjetër, ka një opozitë që zgjedh të bashkohet me Listën Serbe, të mbrojë të paditurit e saj nga drejtësia dhe të mbajë peng institucionet për interesa të ngushta partiake. Ky nuk është vizion për demokraci, është rrugë drejt kapjes dhe shkatërrimit të saj.
E vërteta e hidhur është se kërcënimi më i madh për demokracinë kosovare nuk vjen nga jashtë. Nuk është Beogradi, as Moska, që mund ta shkatërrojnë atë. Është klasa politike e brendshme, veçanërisht opozita, që përzgjedh vetë të mos qëndrojë përballë Serbisë, por t’i japë asaj hapësirë e fuqi për ta përdorur Kosovën si vegël në lojërat e saj të destabilizimit.
Republika e Kosovës është e brishtë, por ka në themel një histori të pavarësisë së fituar me gjak dhe sakrifica. Ajo pavarësi nuk është pikë fundore, është një provë e përditshme, e cila sot po dështon jo për shkak të qytetarëve që kërkojnë drejtësi e qeverisje, por për shkak të udhëheqësve që zgjedhin sabotimin mbi shërbimin, pandëshkueshmërinë mbi përgjegjësinë.
Në fund, pyetja nuk është nëse Beogradi mund ta shkatërrojë demokracinë kosovare. Pyetja është nëse opozita e Kosovës do ta bëjë këtë para tij.
Kush është Dimal Basha?
I lindur në Prishtinë më 1979 dhe i rritur në Ferizaj, Dimal Basha është kryeparlamentari i ri i Kosovës. Ai ka studiuar në “John Jay College of Criminal Justice” në New York, ku është diplomuar me rezultate të larta në drejtimin “E Drejta Penale Ndërkombëtare” dhe më pas ka kryer një master në Marrëdhënie Ndërkombëtare në “The New School University” në New York. Para se të hynte në politikë, Basha ka punuar në zyrën e ish-kongresmenit amerikan Eliot Engel dhe në Gjykatën Federale të SHBA-së si analist i të dhënave. Ka mbajtur gjithashtu pozita menaxheriale në SHBA dhe Britani të Madhe. Në Kosovë, ai ka shërbyer për dy mandate si deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, duke qenë pjesë e komisioneve për Punë të Jashtme, për Legjislacion, për Mbikëqyrjen e AKI-së dhe për Stabilizim-Asociim. Zgjedhja e tij si kryetar i Kuvendit shënon një hap të rëndësishëm për rikthimin e funksionalitetit të legjislativit pas një bllokade të gjatë.
Kosova nuk u bë e pavarur me marrëveshje të buta, as me kompromis të ulët politik. Ajo u lind nga gjaku i mbi 13 mijë të vrarëve, nga dhjetëra mijëra gra të dhunuara sistematikisht, nga më shumë se 800 mijë shqiptarë të dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre, nga varret masive dhe nga fshatrat e djegura për së gjalli. Kjo pavarësi nuk ishte dhuratë, por akt i mbijetesës, i drejtësisë historike dhe i sakrificës kolektive. Dhe pikërisht këtë histori, këtë themel gjaku e dhimbjeje, sot opozita e tradhton me zgjedhjen e vet të vetëdijshme për t’u rreshtuar krah Listës Serbe e për t’i dorëzuar Beogradit levat e destabilizimit. Ata që u thirrën dikur si “udhëheqës” të Kosovës sot sillen si shërbëtorë të interesave të atij shteti që masakroi popullin e vet. Kjo nuk është opozitë demokratike, është shkelje mbi varret e atyre që dhanë jetën për këtë republikë. Në këtë tradhti nuk ka as pragmatizëm, as patriotizëm: ka vetëm zhveshje nga çdo ndjenjë përgjegjësie dhe gatishmëri për ta shitur Kosovën për një karrige më shumë në politikën e brendshme.
Një Vit Pas Banjës: Roli i Perëndimit në Përshkallëzimin Ballkanik të Serbisë
Një vit pas sulmeve në Banjë, agresioni i Serbisë dhe lehtësimet e Perëndimit ndaj saj vazhdojnë të destabilizojnë Kosovën, duke ngritur pyetje për sigurinë rajonale dhe përgjegjësitë ndërkombëtare. — KB.
Në Zemër të Makinerisë së Dezinformimit
Nga Krimi te Operacionet Sekrete: Si Halit Sahitaj dhe Milaim Zeka synojnë Tribunalin e Kosovës në një luftë të rrezikshme dezinformimi. Kush janë në të vërtetë këta? — KB Hulumtime.


