Debati në Londër: A po e rrezikon Evropa Kosovën me politikë lehtësuese ndaj Serbisë?
Në Londër u debatua për sulmin serb në Banjë: Serbia kërcënim, sovraniteti i Kosovës provë, dhe paralajmërimi se politikat lehtësuese evropiane rrezikojnë përshkallëzim lufte.
Mbrëmë, më 24 shtator, në përvjetorin e dytë të sulmit terrorist në Banjë, Kosova u ngrit si temë në qendër të Londrës. Jo më si çështje periferike, por si pyetje e hapur për sigurinë dhe demokracinë e gjithë Evropës. Në sallën e ngushtë të një pub-i londinez, “The Situation Room” hapi debatin e tij të parë publik: “Kosova, Serbia dhe Perëndimi: A është pajtimi evropian me Beogradin një rrezik për sigurinë dhe demokracinë?”
Kryesuar nga Michael Sheppard, redaktor i The Gunpowder Chronicles, paneli përfshinte tre zëra me peshë të ndryshme por me tension të njëjtë: Dr. Aidan Hehir, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare; Ian Cameron Cliff, ish-ambasador britanik në Kosovë; dhe Vudi Xhymshiti, gazetar dhe themelues i Kronikave të Barutit në Londër

Akademiku: Pajtimi që kthehet në sëmundje
Dr. Hehir foli me një ton të ngjeshur e të prerë. Për të, historia e fundit e Evropës në Ballkan është një manual i dështimit përballë Beogradit.
“Serbia,” tha ai, “prej më shumë se një dekade po e gërryen sovranitetin e Kosovës. Jo vetëm me fushata lobimi kundër anëtarismit në UNESCO apo Interpol, por duke e kontrolluar politikisht veriun përmes Listës Serbe. Dhe Perëndimi e ka lejuar këtë.”
Për Hehirin, sulmi i 24 shtatorit 2023 në Banjë nuk ishte as surprizë, as incident i izoluar:
“Sulmi nuk është një rastësi. Është produkti natyral i një politike të gabuar, ku durimi dhe pritja janë kthyer në psikozë. Politikanët evropianë janë bërë të paaftë ta kuptojnë se vetë qasja e tyre po e përkeqëson sjelljen e Serbisë.”
Ai solli shembullin e Milan Radoiçiqit, i cili, megjithë rolin e tij në sulmin ndaj policisë së Kosovës, “ecën i lirë në Beograd sikur s’ka ndodhur asgjë.” Publiku murmuriti i trazuar. “Çfarë mesazhi jep kjo?” u pyet Hehir. “Që kushdo që nesër planifikon një akt të ri dhune, s’ka pse të frikësohet,” tha ai.
Diplomati: Sovraniteti ka edhe koreografi
Ndryshe nga Hehir, Ian Cliff nuk e mohoi as përgjegjësinë e Beogradit dhe as seriozitetin e sulmit në Banjë.
“Ky është incidenti më i rëndë që nga viti 1999,” pranoi ai. Dhe shtoi me maturi se: “Është e vështirë të besohet se presidenti Vuçiq nuk e dinte se çfarë po përgatitej.”
Por mesazhi i tij ishte shumëngjyrësh: në një shoqëri të ndarë, mënyra se si e ushtron ligjin është po aq e rëndësishme sa fakti që e ushtron.
“Po, zgjedhjet lokale të vitit 2023 ishin ligjore,” tha Cliff. “Por kur 98 përqind e një komuniteti refuzon të marrë pjesë, atëherë legjitimiteti vihet në pikëpyetje. Kurti kishte të drejtë ligjore të vendoste kryetarët në zyrat e tyre, por mënyra si u bë kjo ishte politikisht e gabuar. Ishte si të valvisje një rrobë të kuqe para një demi.”
Cliff nuk e mohoi të drejtën e Kosovës për të ushtruar sovranitetin, por paralajmëroi:
“Mbani mend: në shoqëri të ndara nuk është vetëm ajo që bën, por mënyra se si e bën atë.”
Gazetari: Banja si jehonë e Krimesë
Tonin më të fortë e mbajti Vudi Xhymshiti. Për të, Banja nuk është një fshat i vogël në kufirin verior të Kosovës, por një shenjë paralajmëruese për të gjithë Evropën.
“Është e qartë kush ishte pas sulmit,” tha ai. “Vuçiq udhëheq një qeveri që e dinte shumë mirë se çfarë po përgatitej. Të pretendosh të kundërtën është të ushqesh një gënjeshtër të rrezikshme.”
Pastaj ai bëri lidhjen që ngriti peshë sallën:
“Ajo që Vuçiq provoi në Banjë është ajo që Putin bëri në Krime më 2014: inskenoi një incident, pretendoi se një minoriteti ishte i rrezikuar, dhe përgatiti terrenin për aneksim. Nëse Perëndimi nuk e ndal tani Serbinë, do ta shohim përsëritjen e vitit 2022 në Ukrainë, por në Kosovë.”
Kur dikush nga publiku pyeti nëse e besonte vërtet se Serbia do të ndërmerrte një pushtim të plotë, Xhymshiti u përgjigj pa lëkundje:
“Po. Nëse lihet pa pengesa, po. Rusia e provoi atë në Gjeorgji më 2008, në Krime më 2014. Dhe çfarë tha Perëndimi? Jo kjo nuk është serioze, jo tani-për-tani. Kjo prëkdhelje ndaj Putinit, e solli atë të guximshmë për ta sulmuar Ukrainë në vitin 2022. Nëse Evropa e përsërit këtë në Kosovë, rezultati do të jetë i njëjtë.”
Për Xhymshitin, mesazhi ishte i thjeshtë: Banja është prova se Kosova nuk është thjesht çështje ballkanike, por front i parë i Evropës ndaj Moskës.
Haga dhe kujtesa e luftës
Debati preku edhe Gjykatën Speciale në Hagë1. Hehir vuri pyetjen pse nevojitej një gjykatë e gjashtë, pas ICTY-së, UNMIK-ut, EULEX-it dhe vetë gjykatave të Kosovës. “Duket sikur drejtësi e përsëritur deri sa të dalë verdikti i dëshiruar,” tha ai.
Cliff mbrojti idenë e gjykatës:
“Pa të, rreziku ishte që çështja të kthehej në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku Rusia dhe Kina do të mbanin penën. Gjykata ishte zgjidhja më e pakëndshme, por e domosdoshme.”
Ndërkohë, Xhymshiti e theksoi:
“Mandati i Gjykatës nuk është të kriminalizojë pavarësinë e Kosovës apo UÇK-në si tërësi. Është për të hetuar individë të dyshuar për krime të rënda vrasje politike, zhdukje e abuzime. Është për drejtësinë e viktimave, jo për të delegjitimuar Kosovën.”
Brukseli, Uashingtoni dhe litiumi
Paneli ra dakord vetëm në një pikë: reagimi i Evropës pas Banjës ishte i pamjaftueshëm.
“Duhej të kishte pasur sanksione të menjëhershme,” tha Hehir. “Në vend të kësaj, morëm paqartësi.”
Cliff e mbështeti: “Bashkimi Evropian e trajtoi këtë si një çështje të zakonshme. Nuk ishte.”
Xhymshiti shtoi një akuzë më të fortë:
“Serbia nuk po tolerohet vetëm për rolin e saj rajonal. Ajo po tolerohet sepse ka litium. Perëndimi duket se është i gatshëm t’i mbyllë sytë ndaj agresionit të saj, për sa kohë që Beogradi premton furnizim me litium.”
Çfarë ndryshoi
Në fund të mbrëmjes, Sheppard i pyeti panelistët përfundimisht se çfarë duhet të kuptohet nga Banja. Përgjigjet ishin të ndryshme, por përfundimi i raportit ishte i qartë:
Pajtimi/Lehtësimi ndaj Serbisë humbi terren: Asnjë nga panelistët nuk e mbrojtën politikën lehtësuese ndaj Beogradit.
Sovraniteti fitoi qartësi: Nga targat e makinave deri te uniformat e policisë, u kuptua se ato nuk janë detaje teknike, por prova të ekzistencës së shtetit.
Paralela me Rusinë mbeti e fortë: Banja do të mbahet mend jo si një episod lokal, por si pjesë e skenarit të Moskës, dhe ky është tregues se Kosova është në vijën e parë të frontit kundër zgjerimit rus në Perendim.
Hehir e tha hapur: “Rreziku më i madh për paqen në Ballkan, përveç Rusisë, është nacionalizmi serb.”
Cliff nuk e kundërshtoi.
Xhymshiti e mbylli: “Nëse Perëndimi vazhdon ta lehtësoj Beogradin, Banja nuk do të mbahet mend si një akt i izoluar terrori. Do të mbahet mend si prova e një lufte, ashtu si Krimea për Ukrainën.”
SHËNIM NGA REDAKTORI: The Situation Room2 ka paralajmëruar se së shpejti do të publikohet një version i plotë i këtij debati në video, në mënyrë që edhe publiku më i gjerë të mund ta ndjekë dhe t’i dëgjojë vetë fjalët e panelistëve.
Por ky debat nuk do të ishte i mundur pa ju. Pa mbështetjen financiare të lexuesve tanë, ky zë nuk do të kishte arritur deri në Londër. Ju falënderojmë për kontributin e palëkundur që na dha mundësinë të sjellim temën e sulmit në Banjë në zemër të politikës britanike.
Dhe ne nuk do të ndalemi. Do të vazhdojmë, pa u lodhur, ta mbrojmë të vërtetën dhe ta mbrojmë Kosovën. Sepse Banja nuk është thjesht një fshat i vogël në veri. Është kufiri i Evropës. — Vudi Xhymshiti, Kryeredaktor.
Mbështet gazetarinë e pavarur.
Abonohu te Revistën Spotlight për raportime të guximshme dhe pa kompromis.
☑ Dhuro | ☑ Abonohu | ☑ Ndaj artikullin
Gjykata Speciale ndez polemika në Kosovë: Pranon prova nga Serbia
Pranimi i provave të Serbisë nga Gjykata Speciale në Hagë ndez debat të ashpër në Kosovë, ringjall trauma të luftës, tension politik dhe sfida për drejtësinë tranzicionale. — KB Politikë.
Kosovo, Serbia, and the West: Appeasement on Trial in London
At The SR’s inaugural debate in London, panelists examined Kosovo’s Banjska attack, highlighting appeasement’s failures, sovereignty’s fragility, and warnings of a Crimea-style Balkan crisis. — SR Aftermath.


Respekt per punen e palodhur ne mbrojtje te lajmit real!
Respekt per punen e palodhur qe ben, ne te mirë te drejtsis.