Demokracia e grushtit: Zemaj dhe LDK, simbol i dhunës shtetërore
Në sheshin e Prishtinës, një fjalë e thjeshtë “rrenacakë” u kthye në grusht. Armend Zemaj reagoi si pushtetar i zhveshur nga dinjiteti, jo si deputet republikan.
Ngjarja e 24 tetorit në sheshin “Ibrahim Rugova” të Prishtinës është tashmë një pasqyrë e deformuar e marrëdhënies mes pushtetit dhe qytetarit në Kosovë. Pamjet e kapura nga “Gazeta Blic1” treguan deputetin Armend Zemaj, anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), teksa po jepte një intervistë, kur një qytetar që kalonte aty pranë, e ndërpreu me fjalët:
“Qe qyre këta rrencat, se veç rrejnë këta.” — kalimtari i rastit.
Fjalë të thjeshta, të ngarkuara me zemërim qytetar, por asgjë më shumë se një shprehje e lirë e pakënaqësisë ndaj një politikani. Reagimi i Zemajt, megjithatë, qe i shpejtë e brutal:
“T’rren gruja jote edhe nana jote t’rren,” i tha me një ton që nuk mbante më as etikë publike, as përmbajtje njerëzore.
Në çast, përpara kamerës që nuk fal, ai e sulmoi fizikisht qytetarin, duke e goditur me grusht dhe duke e shoqëruar me kërcënime:
“Kujt pi thu rrenc? Une t’qi nanën, t’mys.” — Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.
Pamja u ndërpre aty, por çasti ishte mjaftueshëm i gjatë për të treguar gjithë rrënimin e një klase politike që nuk njeh kufi midis pushtetit dhe dhunës.
Në një demokraci, qytetari ka të drejtë të flasë. Ai ka të drejtë të thotë “ti po rren”, të akuzojë, të dyshojë. Kjo është fryma e parë e lirisë politike, themeli mbi të cilin lind debati publik. Ta godasësh qytetarin për një fjalë, është ta godasësh vetë republikën. Në këtë rast, Armend Zemaj nuk reagoi si një përfaqësues publik, por si një njeri që e sheh fjalën e lirë si kërcënim dhe qytetarin si armik. Falja e tij e mëvonshme, e shkruar me gjuhë burokratike në Facebook2, ishte një përpjekje për të shuar zjarrin me benzinë, fjali të matura, që nuk pranonin përgjegjësi, por e fshehnin pastrimin e dhunës si “reaksion në afekt”. Në një vend që ka ndërtuar shtet mbi kujtesën e dhunës, ky arsyetim është turpërues.


Por më tronditëse se vetë veprimi i Zemajt, ishte kori i zërave që e duartrokitën. Në ekrane të njohura, sikur të ishin gjykatës moralë të kombit, disa figura u radhitën përkrah agresorit.
Lirim Mehmetaj deklaroi me krenari3: “Armend Zemaj nuk paska sulmu, qenka vetëmbrojtje… Respekt maksimal zotëri Zemaj për mbrojtjen e dinjitetit personal.”
Gazetari që dikur pretendonte se mbronte publikun, papritur u kthye në zëdhënës të brutalitetit, duke e quajtur dhunën “dinjitet”. Po cili dinjitet qëndron në grusht? Dhe cila vetëmbrojtje ekziston përballë një fjale?
Berat Buzhala, i cili për vite ka uzurpuar hapësirat televizive, e përshkroi incidentin me ironi të poshtër, duke thënë se4 “shumica prej atyne që sot po e dënojnë dhunën e kanë votu këtë hajvanin për kryeministër.”
Ironia e tij është helm politik: ta ulë qytetarin që flet dhe ta ngrejë politikanin që rreh.
Ai e përforcoi talljen me tjetër status:
“Me thënë ‘o rrenc’ në komente dhe me thënë ‘o rrenc’ në shesh paska dallim... Naten ❤️.” — Berat Buzhala.
Një zemër në fund, për ta veshur vulgaritetin me cinizëm.
Ilir Mirena, nga ana tjetër, u shfaq si mburojë e pushtetit, duke shkruar5:
“Pasi e pashë videon qysh e ofendon dhe i merr turr ai i diasporës deputetit Armend Zemaj, respekt për Zemajn… Fort mirë ia paska ba.”
Fjalët e tij janë më të frikshme se grushti vetë, sepse i japin dhunës arsyetim moral, e kthejnë agresorin në simbol të rendit publik. Këta janë njerëzit që flasin çdo natë në TV, që kanë fituar statusin e opinionbërësve, dhe sot, me lehtësi, pranojnë dhunën si mjet shtetformues. Ata janë trashëgimia e keqe e një rendi të vjetër, një rend ku shteti dhe dhuna kishin të njëjtën gjuhë, të njëjtën fytyrë, dhe të njëjtat duar që shtrëngonin grushta.




Për më shumë se njëzet vjet, këta njerëz, politikanët e LDK-së dhe zërat e mediave që i ushqejnë, kanë ndërtuar një shtet të frikës dhe korrupsionit, ku qytetari sillet si i nënshtruar para pushtetit. Në lojën e rotacionit të dhunës, ata ishin gjithnjë në qeveri a në hije, duke kontrolluar institucione dhe shpirtra. Prandaj, grushti i Zemajt nuk është një aksident, por simptomë e një kulture të ndërtuar mbi shantazh, mbi përbuzje ndaj varfërisë dhe ndaj zërit qytetar.
Reagimi zyrtar i LDK-së6, i lexuar me gjuhën e ftohtë të njoftimeve për shtyp, ishte kulmi i hipokrizisë:
“Lidhja Demokratike e Kosovës dënon ashpër sulmin… ku deputeti Armend Zemaj jo vetëm që është ofenduar dhe provokuar verbalisht, por edhe është përballur me sulm fizik ndaj tij.” — Lidhja Demokratike e Kosovës.
Fjalët janë një maskë e trashë për ta fshehur dhunën e brendshme. Nuk ka asnjë fjalë ndjese për qytetarin e goditur, as reflektim mbi moralin publik. Përkundrazi, partia e vjetër, që dikur thoshte se solli demokracinë, sot e quan “sulm ndaj institucioneve” një fjali të thënë në rrugë. Ky është arsyetimi i diktaturave, ku çdo kritikë ndaj njeriut në pushtet shihet si kërcënim ndaj vetë shtetit. Historia i njeh këto tone, shkrirjen e individit në simbolin e partisë, përqafimin e kultit të vetes dhe përdorimin e “rendit publik” si arsyetim për grushtin e radhës. Nuk është ndryshe nga mënyra si Milosheviçi ndërtonte besnikëri përmes frikës, apo si regjime tjera në rajon e ngjyen politikën me dhunë.
Në një republikë që ndien ende aromën e pluhurit të pasluftës, kërkohet drejtësi, jo retorikë. Deputeti Armend Zemaj duhet të heqë dorë nga imuniteti dhe të përballet me ligjin, ashtu si çdo qytetar. Sepse demokracia matet në momentin kur i fuqishmi i nënshtrohet rendit të ligjit, e jo kur e përdor atë si armë për ta rrahur të dobëtin.
Sot, problemi nuk është vetëm Zemaj. Problemi është gjithçka që e bëri të mundur Zemajn, korridoret e studios, ekraneve, redaksive që mbajnë anën e pushtetit të dhunës. Këta njerëz, që çdo mbrëmje e ushqejnë opinionin me zhurmë dhe helm, janë krijuesit e atmosferës ku dhuna bëhet normale, dhe qytetari që flet bëhet “provokator”. Nuk duhet të çuditemi pse Zemaj goditi, duart e tij janë gjymtyrët e një sistemi që mediet e kanë ushqyer për vite. Një shoqëri që e sheh dhunën në ekran e e quan “vetëmbrojtje”, është shoqëri që i është dorëzuar barbarisë. Dhe në këtë teatër publik, ku rolet janë tashmë të ndara, qytetari mbetet gjithnjë ai që rrihet e pastaj akuzohet se foli.
Gazeta Blic Facebook Post, 24 Tetor, 2025.
Armend Zemaj, Reagim në Facebook, 24 Tetor, 2025.
Lirim Mehmetaj, Reagim në Facebook, 24 Tetor, 2025.
Berat Buzhala, Reagimi i Parë. Reagimi i dytë në Facebook, 24 Tetor, 2025.
Ilir Mirena, Reagim në Facebook, 24 Tetor, 2025.
Lidhja Demokratike e Kosovës, Reagim në Facebook, 24 Tetor, 2025.


