Drejtësia e Kosovës nën Sulmin e Propagandës Mediatike
Dëshmi të vjedhura dhe dëshmitarë të trilluar: si një makineri e koordinuar dezinformimi po punon për të penguar ndjekjet penale për krime lufte në gjykatën e Kosovës me seli në Hagë.
Në betejën e ashpër për t’i mbrojtur institucionet e brishta të drejtësisë së Kosovës, është hapur një front i ri: përdorimi i mashtrimeve mediatike si armë. Në qendër të kësaj fushate të po shfaqet një figurë relativisht e panjohur, por gjithnjë e më e rrezikshme, një njeri, emri i të cilit mund të mos tingëllojë i njohur jashtë qarqeve të rrjeteve sociale, por veprimet e tij pasqyrojnë një përpjekje më të gjerë dhe të mirëmenduar për të shtrembëruar realitetin dhe për të dobësuar përgjegjshmërinë për krimet e luftës dhe vrasjet politike në Kosovë.
Emri i tij është Fitim Çeku.
Zoti Çeku paraqitet si gazetar, si transmetues i të ashtuquajturave ‘ekskluzive’ në platformat sociale, por një vështrim më i thelluar zbulon një portret shqetësues të një manipuluesi, gënjeshtari dhe një hajduti. Akti i tij më i fundit, një përpjekje e hapur për t’i paraqitur si të tijat gjetjet origjinale investigative të The Gunpowder Chronicles, shënon një pikë të re të ulët në këtë luftë të vazhdueshme të informacionit.
Më 29 maj 2025, zoti Çeku publikoi një të ashtuquajtur “ekskluzive” në faqen e tij në Facebook1, ku paraqiste imazhe nga një takim i fshehtë në vitin 2020 në Cyrih, mes operativit të diskredituar Halit Sahitaj dhe operatorit rus Igor Vladislavovich. Ajo që publikut të tij nuk iu tha, është se këto imazhe, së bashku me kontekstin e detajuar që i shoqëron, ishin mbledhur dhe verifikuar me kujdes dhe ishin publikuar javë më parë nga The Gunpowder Chronicles2, si pjesë e një hulumtimi shumëmujor mbi një komplot të gjerë transnacional për të sabotuar Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Çeku i kishte marrë fotografitë nga raporti ynë i prillit 20253, të zhveshura nga çdo referencë e burimit origjinal, të riformuluara me shtrembërime dhe të përdorura për të mjegulluar kuptimin e tregimit hulumtues lidhur me Halit Sahitajn dhe Milaim Zekën.
Materiali i Keqpërdorur, nga Fitim Çeku, Pamjet më poshtë


Ky akt i vjedhjes intelektuale nuk është thjesht joetik; është i rrezikshëm. Ai përbën pjesë të një strategjie të mirëllogaritur nga një rrjet dezinformimi që synon të minojë besimin e publikut te gazetaria investigative dhe, rrjedhimisht, të zbehë përpjekjet e vazhdueshme për t’i përballur me drejtësinë ish-krerët politik të luftës në Kosovë dhe bashkëpunëtorët e tyre për dyshime se kanë kryer krime të luftës dhe vrasje politike gjatë dhe pas luftës.
The Gunpowder Chronicles e ka dokumentuar gjerësisht këtë rrjet, i cili rrotullohet rreth Milaim Zekës, një manipulator mediatik me përvojë, me lidhje të thella si me qarqe kriminale, ashtu edhe me figura të lidhura me inteligjencën ruse. Vetë Zeka ka qenë cak i shumë raportimeve zbuluese, që e nxjerrin atë si i përfshirë në fabrikimin e provave, skema shantazhi dhe madje edhe në shitjen e pamjeve të kohës së luftës për mediat shtetërore serbe, me qëllim ushqimin e propagandës serbe që e akuzon UÇK-në për trafikim organesh, akuza që tashmë janë hedhur poshtë si të pabazuara4. Megjithatë, Zeka ka pohuar rrejshëm se vetë gjykata që ai sulmon është themeluar nga Serbia, kur në të vërtetë ajo është krijuar nga Kuvendi i Kosovës në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, me qëllim që të sjellë drejtësi për viktimat e krimeve të luftës dhe vrasjeve politike të kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Deri më sot, Zeka mbetet arkitekti kryesor i fushatës aktuale të dezinformimit që ka në shënjestër Dhomat e Specializuara.

Në krahasim, zoti Çeku prej kohësh është parë si një lojtar periferik, një oportunist dhe jo një strateg kryesor. Por natyra e hapur dhe sfiduese e sjelljes së tij së fundmi tregon se roli i tij po evoluon. Megjithëse më parë ishte lënë mënjanë nga hulumtuesit tanë si një figurë shumë e vogël për të merituar vëmendje të drejtpërdrejtë, veprimi i tij i fundit, përhapja e materialeve të vjedhura në shërbim të fushatës më të gjerë të orkestruar nga Milaim Zeka dëshmon se ai tashmë po përdoret si një vegël e dobishme në lojën më të madhe të shtrembërimit të së vërtetës.
Rreziku është i madh. Hulumtimi ynë ka zbuluar se rrjeti Zeka-Sahitaj, i mbështetur nga aktorë të huaj të lidhur edhe me inteligjencën ushtarake ruse (GRU), po zhvillon një fushatë të orkestruar për të delegjitimuar gjykatën e Kosovës, për të penguar ndjekjet penale dhe për të rishkruar narrativën historike të luftës. Metodat e tyre janë të ndryshme dhe të sofistikuara: fabrikimi i dëshmitarëve, manipulimi i provave, përhapja e dokumenteve të falsifikuara përfshirë edhe shënjestrimin sistematik të gazetarëve që refuzojnë ta ndjekin narrativën e tyre.
Në këtë kontekst, vjedhja e dëshmive tona fotografike që e dokumentojnë takimin e Sahitajt me shërbimin e fshehtë rus në Cyrih nga ana e Çekut e shoqëruar me pretendime të rreme dhe e zhveshur nga të gjeturat thelbësore të hulumtimit, nuk është thjesht një veprim i pamatur e anësor. Është një akt sabotimi i qëllimshëm, që synon të konfuzojë publikun, të minojë besueshmërinë e gazetarisë legjitime dhe, në fund, të mbrojë figura si Halit Sahitaj nga përgjegjësia që e rrethon atë plotësisht.
Siç kanë dokumentuar në detaje gjetjet hulumtuese të The Gunpowder Chronicles, Halit Sahitaj nuk është një ndërmjetës i pafajshëm. Gjetjet tona, të mbështetura edhe në dokumente zyrtare, pvëzhgime të komunitetit të inteligjencës dhe regjistrime të dorës së parë, ka zbuluar rolin e tij qendror në një rrjet të gjerë kriminal dhe të shërbimit të fshehtë rus, që shtrihet me operacione nga Kosova, në Spanjë, Monako, Zvicër dhe Rusi. Sahitaj është i implikuar në krijimin e kompromateve dhe më pas operacioneve shantazhese, mashtrimeve dhe veprimeve aktive të destinuara për të shtrembëruar proceset në Hagë. Kontaktet e tij të fundit me operativë të lidhur me GRU-në nuk ishin rastësi, por pjesë e një përpjekjeje të mirëmenduar për të koordinuar operacione ndërkombëtare të ndikimit.
Megjithatë, zoti Çeku, duke i paraqitur këto takime në një dritë alternative, të shkëputura nga konteksti investigativ dhe të pastruara nga implikimet e tyre dëmtuese, dhe duke i përshtatur me kundër-narrativat që përhapin Zeka dhe bashkëpunëtorët e tij, po u shërben pikërisht interesave të atyre që kërkojnë ta pastrojnë imazhin e Sahitajt dhe të paralizojnë misionin e gjykatës, me qëllim që të mbulohet lidhja e ngushtë e Milaim Zekës me Sahitajn, një operator kriminal i lidhur me shërbimin e fsheht rus.
Kjo është një taktikë klasike e dezinformimit: merre të vërtetën, shtrembëroje kuptimin e saj, mbush hapësirën publike me zhurmë dhe rrëno aftësinë e qytetarëve për të dalluar faktin nga trillimi. Nuk është rastësi që pjesa më e madhe e përmbajtjes online të zotit Çeku, veçanërisht muajt e fundit, transmetohet e përhapet me shpejtësi edhe nga vetë aktorët që hulumtimet tona i kanë ekspozuar, në radhë të parë, Milaim Zeka, përpjekjet e të cilit për të diskredituar gjykatën janë mbështetur nga interesa të huaja politike dhe operativë ndërkombëtarë të diskredituar si Richard Grenell.
Modeli është i qartë: aktorët e dezinformimit në Kosovë nuk kënaqen më thjesht me krijimin e të pavërtetave. Gjithnjë e më shumë, ata synojnë të përvetësojnë punën legjitime gazetareske, duke e përdorur raportimin e verifikuar si armë për të shkaktuar konfuzion.
Kjo nuk është gazetari; është sabotim që maskohet si lajm.



Gjatë punës sonë hulumtuese në vëzhgim të Milaim Zekës, ne kemi gjetur dhe raportuar se si Zeka ka kultivuar lidhje me ish-emisarin e diskredituar amerikan Richard Grenell, ka shpërndarë lista të fabrikuara të të ashtuquajturve të pandehur për krime lufte dhe ka organizuar përpjekje për manipulimin e dëshmitarëve me mbështetje nga operatori i shërbimeve ruse Halit Sahitaj. Metodat e tij pasqyrohen tani qartësisht edhe në ndërhyrjet më modeste të zotit Çeku.
Vjedhja e gjetjeve tona nga Cyrihu i përshtatet saktësisht këtij modeli: duke u paraqitur si burim i të ashtuquajturave ‘ekskluzive’, të marra nga një hulumtim që ai nuk e ka kryer, dhe të zhveshura nga përmbajtja kritike, zoti Çeku kontribuon në të njëjtin projekt korruptues: diskreditimin e Dhomave të Specializuara, mbrojtjen e rrjeteve kriminale dhe manipulimin e qëllimshëm të diskursit të brishtë publik në Kosovë.
Fakti që zoti Çeku e bën këtë nën flamurin e rremë të gazetarisë e bën edhe më të rëndë. Nuk ka asnjë regjistrim faktik të verifikueshëm që e dëshmon se zt Çeku është gazetar apo ka punuar ndonjëher si i tillë, me asnjë mbikëqyrje redaksionale të besueshme dhe asnjë respektim të standardeve profesionale për verifikimin e fakteve apo referimin e burimeve. Personaliteti i tij online nuk funksionon si reporter, por si një mjet shtrembërimi, një përhapës i përshtatshëm për narrativat e atyre që më së shumti i tremben përgjegjësisë e të vërtetës.
Koha e ndërhyrjes së tij më të fundit është gjithashtu domethënëse. Rrjeti Zeka-Sahitaj po përballet me ekspozim në rritje. Agjencitë ndërkombëtare të zbatimit të ligjit dhe të inteligjencës janë tashmë më të vetëdijshme se kurrë për shkallën e kësaj makinerie dezinformimi. Dhe The Gunpowder Chronicles ka premtuar të vazhdojë me fazat e ardhshme të nxjerrjes së artikujve me gjetje të pakontestueshme hulumtuese, të cilat do t’i zbulojnë edhe shtresat më të thella të ndërhyrjes së huaj dhe bashkëpunimit vendas.
Varësia e ndërsjellë mes zotit Çeku dhe zotit Zeka nuk është as rastësore, as e padëmshme; ajo përbën një mekanizëm thelbësor të këtij ekosistemi dezinformues. Siç dokumentohet në pamjen e parë, zoti Zeka shpesh i përhap postimet e zotit Çeku, duke ripublikuar narrativat e tij për një audiencë më të gjerë dhe duke u dhënë atyre një fasadë të rreme legjitimiteti. Këtu nuk kemi të bëjmë me një ndërveprim të rastësishëm: është një pastrim i qëllimshëm i dezinformimit përmes kanaleve të shumta, duke krijuar një dhomë jehone që në mënyrë të rreme sugjeron mbështetje dhe verifikim të pavarur.
Qëllimi është i qartë: të pastrohet figura e zotit Zeka nga zbulimet dëmtuese që The Gunpowder Chronicles i ka gjetur dhe publikuar mbi rolin e tij në fabrikimin e provave, shantazhimin dhe bashkëpunimin me aktorë të shërbimeve armiqësore.
Në pamjen e tretë, ky model konfirmohet më tej: zoti Zeka shihet përsëri duke ripublikuar dezinformimin që fillimisht ishte përhapur nga zoti Çeku, duke nënvizuar natyrën e koordinuar të operacioneve të tyre.
Po aq zbuluese është edhe pamja e dytë, e cila kap një skenë domethënëse: Halit Sahitaj, i treti si nga e majta, ashtu edhe nga e djathta, i ulur rehat në të njëjtën tryezë me zotin Zeka, i cili shfaqet në skajin e djathtë. Kjo pamje, e verifikuar nga burime të pavarura, bie drejtpërdrejt në kundërshtim me narrativën që zoti Çeku tani përpiqet të promovojë: se gjoja Sahitaj dhe Zeka janë figura periferike, të paangazhuara në veprimtaritë e dëmshme të zbuluara nga hulumtimi ynë.
Përkundrazi, postimet e fundit të zotit Çeku synojnë ta pastrojnë këtë lidhje, duke e paraqitur zotin Sahitaj si një ndërmjetës të pafajshëm dhe zotin Zeka si një gazetar që ndjek një mision fisnik.
Por dëshmia fotografike flet ndryshe: ky është një moment i qartë shoqërimit informal midis figurave kyçe të rrjetit që po punon për të destabilizuar procesin e drejtësisë në Kosovë. Është një tjetër shembull i përmbysjes së narrativës: një përpjekje e koordinuar jo vetëm për të turbulluar kuptimin publik të këtyre marrëdhënieve, por edhe për t’i mbrojtur ata që janë më të implikuar nga vëmendja kritike që veprimet e tyre e meritojnë.
Për më tepër, metodat e zotit Çeku tregojnë një strategji të qëllimshme manipulimi. Një kërkim i thjeshtë zbulon se ai operon të paktën katër profile të ndryshme në Facebook, secili i përdorur për të shtyrë variante të të njëjtave tema dezinformuese të cilat kanë për synim Dhomat e Specializuara, që njollosin prokurorët ndërkombëtarë dhe që riciklojnë pretendime konspirative pa asnjë bazë provash. Këto profile të shumta i mundësojnë atij t’i përhap gënjeshtrat në segmente të ndryshme të audiencës, të shmangë përgjegjësinë kur një llogari vihet në pikëpyetje, dhe të krijojë iluzionin e një mbështetjeje më të gjerë për narrativat e tij. Vetë postimet janë të mbushura me pretendime të paverifikueshme rreth hulumtimeve të supozuara amerikane dhe shtrembërime senzacionaliste të punës së Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke dëshmuar një shpërfillje të qëllimshme për të vërtetën. Larg nga veprimtaria me mirëbesim, aktiviteti online i zotit Çeku shërben si një shembull klasik i pastrimit të koordinuar të dezinformimit në sferën publike dixhitale.




Në këtë klimë, aktorë si zoti Çeku përdoren për të krijuar zhurmë, për të ç’orientuar publikun, për të marrë merita të rreme dhe për të shtrembëruar realitetin e asaj që gazetarët investigativë dhe prokurorët e ndershëm po zbulojnë. Është një taktikë e dëshpëruar. Por, nëse lihet pa u sfiduar, rrezikon të helmojë hapësirën publike, të inkurajojë kriminelët dhe të gërryejë besimin tek institucionet që populli i Kosovës i meriton.
Prandaj është thelbësore që kjo sjellje të emërtohet për atë që është: jo oportunizëm i padëmshëm, por një akt i qëllimshëm sabotimi ndaj procesit të drejtësisë.
The Gunpowder Chronicles qëndron pas integritetit të raportimit të saj. Gjetjet tona janë plotësisht të dokumentuara, të verifikuara me rigorozitet dhe të mbështetura në burime të qarta. Ne nuk do të ndalemi përballë përpjekjeve për t’i vjedhur apo shtrembëruar ato. As nuk do të heshtim përballë fushatave të zakonshme të shpifjeve që ekspozimi i tillë zakonisht provokon.
Qytetarët e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare meritojnë qartësi mbi atë se kush po e manipulon diskursin publike dhe pse. Ata meritojnë ta dinë se pas sjelljeve oportuniste të figurave si zoti Çeku qëndron një projekt shumë më i rrezikshëm, i koordinuar nga operativë të stërvitur të dezinformimit, i mbështetur nga inteligjenca e huaj (ruse dhe serbe) dhe i drejtuar drejtpërdrejt kundër përparimit të vështirë të sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Ky është tregimi që ne do të vazhdojmë ta tregojmë. Dhe asnjë sasi vjedhjeje apo shtrembërimi nuk do ta ndryshojë këtë.
Një Gazetar, një Ndërmjetës dhe një Mjeshtër i Manipulimit
Jeta e Dyfishtë e Milaim Zekës: Në hijet e errëta të politikës dhe medias kosovare, pak figura mishërojnë kontradiktën dhe polemikën si Milaim Zeka, qytetari kosovaro-suedez i kthyer në një figurë të njohur mediatike.
From Crime to Covert Operations: The Rise of Halit Sahitaj in Targeting Kosovo's Special Chambers Tribunal. The GPC I Unit traced the Criminal Turned Operative's Path in Disinformation Warfare. — THE GPC I Unit.
Në Zemër të Makinerisë së Dezinformimit
Nga Krimi te Operacionet Sekrete: Si Halit Sahitaj dhe Milaim Zeka synojnë Tribunalin e Kosovës në një luftë të rrezikshme dezinformimi. Kush janë në të vërtetë këta? — SPOTLIGHT.
ICTY press briefing (April 16, 2008) – ICTY confirms no evidence was ever brought before its judges on organ-trafficking allegations — ICTY.
EU Special Investigative Task Force press statement (July 29, 2014) – Lead investigator Clint Williamson finds insufficient evidence to issue any organ-trafficking indictments, noting only limited incidents occurred — Reuters.