Eksperimenti që Vuri Krypometrin Përballë Standardit të Vet
Fotografia ishte e rreme dhe Krypometër kishte të drejtë. Pretendimet e Lirim Mehmetajt dhe Time Kadriajt janë të verifikueshme. Atëherë, pse nuk u verifikuan edhe ato?
Krypometër e kishte të drejtë për fotografinë.
Fotografia e publikuar më 13 gusht 2026 në profilin në Facebook të kryeredaktorit të Kronikave të Barutit, Vudi Xhymshiti, ku paraqiteshin deputetja e AAK-së Time Kadriaj dhe Skender Llugiqi, ishte e gjeneruar me Inteligjencë Artificiale. Redaksia e dinte këtë përpara publikimit.
Krypometër, projekti për verifikimin e fakteve i Internews Kosova dhe KALLXO.com, e analizoi imazhin me Hive Moderation dhe WasItAI. Sipas artikullit të tij, Hive e vlerësoi fotografinë si 99.9 për qind të gjeneruar me Inteligjencë Artificiale, ndërsa WasItAI gjithashtu e klasifikoi si të gjeneruar me AI. Krypometër më pas kontaktoi Kadrijajn dhe e identifikoi fotografinë origjinale prej së cilës ishte krijuar manipulimi1.
Për këtë pjesë nuk ka mosmarrëveshje faktike.
Por kjo nuk ishte e vetmja pyetje e testit.
Vudi Xhymshiti e publikoi fotografinë si pjesë të një eksperimenti editorial të kontrolluar që synonte ta vëzhgonte një hallkë tjetër të sistemit të informacionit në Kosovë. Jo vetëm nëse fotografia do të identifikohej, por kush do ta identifikonte, sa shpejt do të ndodhte kjo dhe, mbi të gjitha, sipas cilit mekanizëm një përmbajtje e caktuar përzgjidhet nga qindra ose mijëra deklarata, fotografi dhe postime publike që qarkullojnë çdo ditë2.
Rezultati i parë i eksperimentit është i qartë. Sistemi funksionoi. Një përmbajtje e fabrikuar u identifikua shpejt dhe u kundërshtua publikisht.
Rezultati i dytë është më i ndërlikuar.
Kur Kronikat e Barutit kërkuan nga Krypometër të shpjegonte si kishte hyrë pikërisht ky postim në procesin e verifikimit, kush e kishte identifikuar, nëse ishte raportuar nga jashtë, nëse profili monitorohej dhe pse i ishte dhënë prioritet, përgjigjja e drejtorit ekzekutiv të Internews Kosova, Faik Ispahiu, ishte vetëm një lidhje drejt faqes së përgjithshme të metodologjisë së Krypometrit.
Ajo faqe shpjegon shumë gjëra. Por nuk u përgjigjet këtyre pyetjeve3. Dhe pikërisht aty fillon ky hulumtim.
Çfarë thotë metodologjia
Metodologjia publike e Krypometrit thotë se ekipi kërkon pretendime në fjalime, lajme, intervista, deklarata për shtyp, materiale fushatash, reklama dhe postime në Facebook. Për shkak se nuk mund t’i verifikojë të gjitha, thotë se përqendrohet te pohimet që janë aktuale dhe të rëndësishme4.
Dokumenti publikon edhe pesë pyetje orientuese.
A mund të verifikohet pretendimi me fakte.
A duket mashtrues.
A është i rëndësishëm.
A ka gjasa të përsëritet ose shpërndahet.
Dhe a do ta shtynte një qytetar të pyeste nëse pretendimi është i vërtetë.
Këto janë kritere të kuptueshme dhe, në rastin e fotografisë së publikuar nga Xhymshiti, disa prej tyre plotësoheshin qartë. Ishte një pretendim faktik. Fotografia mund të verifikohej. Përfshinte një deputete dhe një person që ndodhej në qendër të një ngjarjeje politike të ditës. Mund të shpërndahej më tej.
Pra pyetja nuk është pse Krypometër kishte të drejtë ta kontrollonte.
Kishte.
Pyetja është më precize.
Si e gjeti pikërisht atë.
Faqja e metodologjisë pranon se publiku mund t’i dërgojë Krypometrit materiale për verifikim. Ajo thotë gjithashtu se lexuesit mund të raportojnë dezinformata përmes platformës së KALLXO.com dhe se identiteti i raportuesit mbrohet5.
Kjo krijon së paku dy rrugë të mundshme përmes të cilave postimi mund të kishte mbërritur te fact checkers.
Mund të ishte identifikuar nga monitorimi i vetë redaksisë.
Ose mund t’i ishte raportuar nga dikush tjetër.
Internews Kosova nuk ka treguar se cila prej tyre ndodhi në këtë rast.
Pesë pyetje që mbetën pa përgjigje
Pas përgjigjes së parë të Ispahiut, Kronikat e Barutit e ngushtuan kërkesën nga dymbëdhjetë pyetje në pesë.
Redaksia kërkoi ta dinte si dhe nga kush ishte identifikuar postimi.
Nëse ishte raportuar nga një person ose organizatë e tretë.
Nëse Vudi Xhymshiti, Kronikat e Barutit ose The Frontline Media Group monitoroheshin rregullisht.
Cili kriter konkret kishte bërë që publikimit t’i jipej prioritet.
Dhe nëse të njëjtat standarde do të përdoreshin ndaj pretendimeve të tjera faktikisht të verifikueshme që po qarkullonin për marrëdhënien e pretenduar ndërmjet Xhymshitit dhe Vetëvendosjes ose Qeverisë.
Në kohën e përfundimit të këtij hulumtimi, Faik Ispahiu i Internews Kosova kishte refuzuar t’u përgjigjej konkretisht pesë pyetjeve tona për mënyrën se si u përzgjodh ky rast, duke na drejtuar dy herë te metodologjia e përgjithshme e Krypometrit.
Ndërkohë, Lirim Mehmetaj ka pretenduar se Vudi Xhymshiti “kurrë kund gazetarë s’ka punuar” dhe se është “investimi i fundit i Vetëvendosjes në strukturën e gjerë të propagandës”6.
Time Kadriaj e lidhi publikimin me “pushtetin”7, ndërsa Nacionale8 dhe media të tjera kanë qarkulluar pretendime të ngjashme. Aty ku këto janë pretendime faktike, ato mund të verifikohen dhe disa prej tyre bien ndesh me dokumentacionin publik.
Megjithatë, deri në publikimin e këtij hulumtimi, nuk gjetëm verifikime të Krypometrit që i etiketonin këto pretendime si të pavërteta.
Kjo nuk provon përzgjedhje politike. Por kontrasti ngre një pyetje të vështirë për standardin e fact-checking-ut:
a mund të gënjesh me fjalë në Kosovë pa të hyrë kush me Krypometër, përderisa nuk e shoqëron gënjeshtrën me një fotografi të rreme të gjeneruar me AI? — REDAKSIA
I dhamë Internews Kosova mundësinë ta shpjegonte këtë dallim. Përgjigjja konkrete nuk erdhi. Pas përgjigjes së dytë të Ispahiut, redaksia e njoftoi se qëndrimi i tij do të pasqyrohej në këtë hulumtim dhe e la komunikimin aty.
Standardi që Krypometër ia ka vendosur vetes
Ky dallim është thelbësor sepse Krypometër nuk është thjesht një rubrikë mediatike që pretendon se kontrollon fakte sipas rregullave të veta. Internews Kosova figuron si anëtare e verifikuar e European Fact-Checking Standards Network, ndërsa Krypometër deklaron publikisht se i zbaton parimet e International Fact-Checking Network dhe EFCSN. Kjo e vendos punën e tyre përballë një standardi që vetë organizata ka zgjedhur ta pranojë.
Kodi i IFCN-së kërkon që organizatat e fact checking-ut të përdorin standarde të njëjta ndaj pretendimeve të krahasueshme, pavarësisht se kush i bën ato, të mos e përqendrojnë në mënyrë të padrejtë kontrollin vetëm ndaj njërës palë dhe të jenë transparente për mënyrën se si i përzgjedhin pretendimet për verifikim. Transparenca, sipas këtij standardi, nuk përfundon te publikimi i një faqeje të përgjithshme metodologjie. Ajo e përfshin arsyen dhe mënyrën se si zhvillohet procesi i fact checking-ut.
Kjo nuk nënkupton se Krypometër duhet ta zbulojë identitetin e një personi që raporton një dezinformatë. Vetë platforma premton anonimitet për raportuesit dhe ky konfidencialitet duhet respektuar. Por mbrojtja e identitetit të një burimi nuk është e njëjtë me refuzimin për të shpjeguar mekanizmin përmes të cilit një pretendim ka hyrë në procesin e verifikimit.
Krypometër mund të thoshte se fotografia ishte raportuar nga një përdorues pa e identifikuar atë. Mund të thoshte se ishte zbuluar gjatë monitorimit rutinor të Facebook-ut, se një anëtar i redaksisë e kishte parë për shkak të shpërndarjes së saj, ose se ishte përzgjedhur për shkak të rëndësisë politike dhe potencialit për t’u përhapur. Asnjëra prej këtyre përgjigjeve nuk do ta cenonte konfidencialitetin. Megjithatë, pas dy kërkesave të Kronikave të Barutit, Internews Kosova nuk e dha asnjërën prej tyre. Në vend të përgjigjes për rastin konkret, drejtori i saj ekzekutiv Faik Ispahiu e drejtoi redaksinë te metodologjia e përgjithshme.
Këtu qëndron problemi. Një metodologji që shpjegon në teori se si mund të përzgjidhen pretendimet nuk tregon se si është përzgjedhur një pretendim konkret. Kur një organizatë që e ka transparencën pjesë të standardit të vet profesional pyetet nëse një rast është identifikuar nga monitorimi editorial apo është raportuar nga jashtë, dërgimi i një lidhjeje drejt metodologjisë nuk është përgjigje për pyetjen.
Fotografia ishte prova e lehtë
Përfundimi i Krypometrit për fotografinë ishte i saktë. Redaksia përdori Hive Moderation dhe WasItAI, ndërsa Time Kadriaj e kishte siguruar fotografinë origjinale. Kronikat e Barutit gjithashtu e dinin se imazhi ishte gjeneruar me Inteligjencë Artificiale. Prandaj nuk ekziston asnjë mosmarrëveshje serioze rreth rezultatit të verifikimit.
Por pikërisht këtu duhet bërë dallimi ndërmjet verifikimit të përmbajtjes dhe përzgjedhjes së saj. Pasi fotografia kishte hyrë në tavolinën e Krypometrit, verifikimi ishte relativisht i drejtpërdrejtë. Kishte një imazh të dyshimtë, dy mjete automatike që e klasifikuan si artificial dhe, në fund, fotografinë burimore. Pyetja më interesante gazetareske nuk është se si u vërtetua falsiteti pasi fotografia ishte marrë në shqyrtim. Pyetja është se çfarë e solli pikërisht këtë postim në tavolinën e fact checker-it.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme sepse detektorët automatikë nuk janë arbitra përfundimtarë të autenticitetit. Performanca e tyre ndryshon sipas materialit, modelit gjenerues, kompresimit dhe përpunimit të imazhit. Në këtë rast kjo dobësi nuk e ndryshon rezultatin, sepse ekzistonte edhe fotografia burimore dhe konfirmimi i subjektit. Krypometër e rrëzoi fotografinë me të drejtë. Por suksesi i verifikimit nuk i përgjigjet pyetjes se si dhe pse u përzgjodh pikërisht ky material.
Dobësia e eksperimentit tonë
Kronikat e Barutit gjithashtu duhet ta vendosin veten nën të njëjtin standard kritik. Publikimi i një fotografie që Vudi Xhymshiti e dinte se ishte artificiale, pa e identifikuar paraprakisht si të tillë, krijoi rrezik real që lexuesit ta merrnin si dokument autentik. Etiketa eksperiment editorial9 nuk e anulon këtë problem. Përpara se eksperimenti të zbulohej, publiku nuk e dinte se ishte pjesë e tij.
Ky është edhe dallimi kryesor me eksperimentin e mëparshëm ndaj Presidencës së Kosovës10. Atje provokimi ishte gjuhësor dhe synonte ta testonte nëse Presidenca do të reagonte ndaj formulimit të një postimi apo ndaj substancës së hulumtimit. Këtu provokimi ishte një provë vizuale e fabrikuar. Dy eksperimentet nuk janë metodologjikisht të barabarta dhe i pari nuk mund të përdoret si justifikim automatik për të dytin.
Por pranimi i këtij gabimi editorial nuk e zhvlerëson pyetjen që testi nxori në sipërfaqe. Përkundrazi, Kronikat e Barutit mund të mbajnë përgjegjësi për metodën e vet dhe njëkohësisht të kërkojnë llogari për metodën e Krypometrit. Njëra nuk e përjashton tjetrën.
Testi nuk provoi anshmëri
Një fotografi dhe një fact check nuk mjaftojnë për të pretenduar se Krypometër është politikisht i anshëm. Një përfundim i tillë do të kërkonte një analizë të matshme të punës së tij gjatë një periudhe të caktuar, duke krahasuar subjektet e verifikuara, natyrën dhe shtrirjen e pretendimeve, kohën e reagimit dhe mënyrën se si secili rast kishte hyrë në procesin editorial. Kronikat e Barutit kërkuan pikërisht të dhëna të tilla për vitin 2026. Internews Kosova nuk i dha.
Kjo do të thotë se anshmëria nuk mund të publikohet si gjetje. Por as paanshmëria nuk mund të merret si e provuar vetëm sepse ekziston një dokument metodologjik. Metodologjia tregon se cilat duhet të jenë rregullat. Vetëm të dhënat tregojnë se si janë zbatuar ato.
Ky dallim bëhet më i rëndësishëm kur krahasohen pretendimet që Krypometër zgjedh t’i verifikojë me ato që mbeten jashtë vëmendjes së tij.
Pas rrëzimit të fotografisë, Lirim Mehmetaj pretendoi se Xhymshiti ishte “investimi i fundit i Vetëvendosjes në strukturën e gjerë të propagandës”, ndërsa Time Kadriaj e lidhi publikimin me “pushtetin”.
Këtu Krypometër u ndal. Verifikoi fotografinë, por jo pretendimet faktike që pasuan dhe që synonin drejtpërdrejt pavarësinë financiare dhe editoriale të gazetarit dhe redaksisë.
Opinioni politik nuk është objekt i fact checking-ut. Por pretendimi se një gazetar financohet, kontrollohet, punësohet apo është “investim” i një partie politike nuk është thjesht opinion. Është pretendim faktik dhe i verifikueshëm. Kronikat e Barutit deklarojnë se financohen nga lexuesit dhe donatorët e tyre në Britani të Madhe dhe nga lexues të mërgatës. Nëse dikush pretendon të kundërtën, barra minimale gazetareske është t’i kërkohet prova. Kontrata. Pagesa. Regjistra. Transaksione. Dokumente. Në mungesë të tyre, pretendimi duhet të vlerësohet sipas të njëjtit standard faktik që Krypometër pretendon se e zbaton ndaj të tjerëve.
Krypometër nuk ka detyrim ta verifikojë çdo deklaratë që qarkullon në Kosovë. Por nuk mund ta përdorë kufizimin e burimeve si përgjigje universale kur vetë metodologjia e tij thotë se përzgjedh pretendime sipas rëndësisë, verifikueshmërisë dhe potencialit për t’u përhapur. Akuzat për financim dhe kontroll politik të një gazetari janë të rëndësishme, të verifikueshme dhe të afta për t’u përhapur. Ato, pra, kalojnë pikërisht testin që Krypometër ia ka vendosur vetes.
Këtu lind problemi i standardit të dyfishtë. Krypometër reagoi shpejt ndaj një fotografie të rreme që përfshinte Xhymshitin, por deri në këtë fazë nuk i ka verifikuar pretendimet e verifikueshme të bëra kundër tij pas publikimit. Kjo nuk provon anshmëri politike. Por krijon një kontrast që Internews Kosova duhet ta shpjegojë.
Ne ua kërkuam pikërisht këtë shpjegim. Nuk e morëm.
Pretendimet që mbetën pa Krypometër
Pas rrëzimit të fotografisë, Lirim Mehmetaj pretendoi se Xhymshiti ishte “investimi i fundit i Vetëvendosjes në strukturën e gjerë të propagandës”, ndërsa Time Kadriaj e lidhi publikimin me “pushtetin”.
Opinioni politik nuk është fakt për t’u verifikuar. Por pretendimi se një gazetar financohet, kontrollohet, punësohet apo është “investim” i një partie politike është pretendim faktik. Mund të kërkohen kontrata, pagesa, transaksione, regjistra dhe prova nga personi që e bën akuzën. Kronikat e Barutit deklarojnë se financohen nga lexuesit dhe donatorët e tyre në Britani të Madhe dhe nga lexues të mërgatës.
Këtu testi për Krypometër bëhet shumë më i vështirë se identifikimi i një fotografie të gjeneruar me AI. Nëse këto akuza i plotësojnë kriteret e deklaruara të rëndësisë, verifikueshmërisë dhe potencialit për t’u përhapur, pse nuk janë verifikuar?
Mosverifikimi i tyre nuk provon anshmëri. Por e krijon pikërisht problemin që Internews Kosova nuk pranoi ta sqarojë. Një pretendim kundër Xhymshitit u fut menjëherë në mekanizmin e fact checking-ut. Pretendimet faktike kundër tij, deri tani, jo.
Kjo është mospërputhja që kërkon shpjegim. Ky është përfundimi që provat aktuale e mbajnë.
Nëse ky raportim ka vlerë për ty, ndihmoje të vazhdojë. Kontribuo sot për gazetari të pavarur, të guximshme dhe në shërbim të publikut.
“Fotografia e fabrikuar me Inteligjencë Artificiale e Time Kadriajt me Skender Llugiqin”.
KALLXO.com, Krypometër. 13 gusht 2026.
Çfarë përmban burimi:
Krypometër dokumenton testimin me Hive dhe WasItAI, fotografinë origjinale dhe mohimin e Time Kadriajt.
Pse po e përdorim këtë burim:
Është publikimi primar i fact check-ut që ky hulumtim analizon dhe dokumenton metodën e përdorur për të arritur në përfundimin se fotografia ishte artificiale.
Postimi i Vudi Xhymshitit në Facebook, 13 Gusht, 2026.
Galeria



“KRYPOMETËR - Metodologjia e punës dhe përzgjedhja e deklaratave”.
KALLXO.com, Internews Kosova.: https://kallxo.com/krypometer-info/
Çfarë përmban burimi:
Faqja i përcakton kriteret e përzgjedhjes, rëndësinë e kontekstit, barrën e dëshmisë dhe mënyrën e klasifikimit të pretendimeve.
Pse po e përdorim këtë burim:
Është dokumenti që Faik Ispahiu ua dërgoi Kronikave të Barutit si përgjigje dhe përbën bazën publike për ta krahasuar procedurën me rastin konkret.
“KRYPOMETËR - Ankesat, raportimi i dezinformatave dhe standardet”.
KALLXO.com, Internews Kosova: https://kallxo.com/krypometer-info/
Çfarë përmban burimi:
Krypometër shpjegon se qytetarët mund të raportojnë përmbajtje për fact checking dhe se identiteti i raportuesit mbrohet.
Pse po e përdorim këtë burim:
Dokumenti provon se raportimi i jashtëm është një rrugë e mundshme për përzgjedhjen e rasteve, ndërsa nuk tregon nëse kjo ndodhi në rastin Xhymshiti.
Xhymshiti ia publikon Kadrijajt foton e montuar, Facebook-u e identifikon si të rreme-deputetja paralajmëron denoncim ndaj tij — Nacionale
“Pse Presidentja e sulmoi postimin tonë, por s’tha gjë për gjetjet tona hulumtuese?”
Vudi Xhymshiti, Kronikat e Barutit. 18 mars 2026.
Pse Presidentja e sulmoi postimin tonë, por s'tha gjë për gjetjet tona hulumtuese?
Për muaj me radhë, pyetjet tona shkonin në Presidencë dhe atje humbnin në një heshtje që, me kalimin e kohës, nuk dukej më si përmbajtje institucionale, por si zgjedhje politike. Në një republikë të …
Çfarë përmban burimi:
Hulumtimi rindërton komunikimin me përfaqësuesen ligjore të Presidentes dhe testin editorial të zhvilluar nga redaksia në mars 2026.
Pse po e përdorim këtë burim:
Kjo e dokumenton precedentin editorial të përmendur nga redaksia, por gjithashtu lejon dallimin ndërmjet provokimit përmes gjuhës dhe përdorimit të një imazhi të fabrikuar.








