Familja, Feja dhe Politika e Frikës
Një postim që kërcënonte rrugën kundër Kodit Civil zbuloi frikën kolektive, gjuhën e përjashtimit dhe një betejë të rrezikshme mes shtetit, turmës dhe fëmijëve tanë sot.
Reagimi im u nxit nga një postim publik që e pashë në faqen DPT te Fidani1, ku Eman Rrahmani shfaqej me deklaratën se nëse Kodi Civil nuk ndalet në Kuvend, ai do të ndalet në rrugë me popullin.
Ishte një mesazh i formuluar si paralajmërim politik, por me nëntekst presioni dhe mobilizimi emocional, i shoqëruar me një gjuhë që e paraqiste debatin ligjor si betejë ekzistenciale mes popullit dhe shtetit. Nuk ishte hera e parë që shihja një deklaratë të tillë, por ishte hera e parë që e pashë të artikuluar me aq vetëbesim dhe me aq pak ndjeshmëri për pasojat njerëzore që prodhon një gjuhë e tillë. Reagimi im2 nuk ishte personal. Ishte qytetar. Ishte refleks ndaj një ideje që kërkon të shndërrohet në normë politike.
Unë e shpreha hapur kundërshtimin tim dhe thashë qartë se barazia ligjore nuk është sulm ndaj familjes, as ndaj fesë, as ndaj shoqërisë. Ajo që pasoi ishte më domethënëse se vetë postimi fillestar. Reagimet që erdhën zbuluan një plagë të hapur në shoqërinë tonë. Disa ishin të arsyeshme dhe kritike. Të tjera ishin brutale, ç’njerëzore dhe thellësisht shqetësuese. Një pjesë të komenteve i hoqa dhe i bllokova sepse kalonin çdo kufi njerëzor. Nuk mund t’i trajtoja të gjitha, por disa prej tyre meritonin të dokumentohen, sepse nuk janë thjesht fjalë. Janë simptoma.
Në mesin e tyre kishte deklarata që e quanin barazinë imoralitet, që e përshkruanin homoseksualitetin si sëmundje, si traumë, si komplot, madje edhe si arsye për të mohuar ekzistencën e fëmijëve të vet. Këto nuk janë mendime konzervatore. Janë mendime të dhunshme. Ajo që i bashkonte shumicën e këtyre reagimeve ishte përpjekja për t’u fshehur pas nocionit të familjes tradicionale shqiptare dhe pas një identiteti fetar të supozuar. Kjo mburojë nuk qëndron.
Familja shqiptare nuk ka qenë kurrë institucion fetar. Ajo ka qenë shoqërore, zakonore, kulturore. Edhe kur ka qenë fetare, ka qenë shqiptare para se të ishte ideologjike. Ajo është ndërtuar mbi mbijetesë, solidaritet, mikpritje dhe dhembshuri, jo mbi përjashtim. Ajo që po shohim sot nga disa zëra nuk është mbrojtje e familjes, por përpjekje për të imponuar një verzion politik të Islamit, jo Islamin si besim personal, por Islamin si instrument pushteti. Kjo është thelbësore të thuhet qartë.
Ironia më e madhe është kjo. Unë si qytetar i kësaj shoqërie kam qenë po aq kritik ndaj atyre që në emër të modernitetit kanë tentuar ta shtypin të drejtën e njerëzve për të praktikuar fenë e tyre. Kam folur kundër islamofobisë, kundër talljes me besimin, kundër përjashtimit të besimtarëve nga hapësira publike. Dhe tani po shoh të njëjtët mekanizma shtypës të përdorur nga ana tjetër, këtë herë kundër një grupi tjetër qytetarësh. Shtypja, edhe kur vjen nga shumica, mbetet shtypje.
Ka një të vërtetë që po refuzohet me këmbëngulje. Njerëzit homoseksualë lindin nga familje heteroseksuale. Jo sepse familjet e zgjedhin. Jo sepse shoqëria i prodhon. Por sepse natyra, ose Zoti për ata që e besojnë, flet në mënyrën e vet. Të luftosh kundër ekzistencës së njerëzve homoseksualë është të luftosh kundër fëmijëve tanë. Nuk është metaforë. Është fakt biologjik dhe njerëzor.
Kam lexuar komente ku thuhej se një prind do të preferonte të mos e kishte fare fëmijën e vet nëse ai do të ishte homoseksual. Kjo nuk është bindje. Është barbari. Një njeri që mendon kështu nuk është i aftë të jetë prind, sepse prindërimi fillon pikërisht aty ku përfundon kontrolli ynë. Askush nuk zgjedh si vjen në këtë botë. Askush nuk e zgjedh trupin, mendjen apo natyrën e vet. Këtë e bën jeta, ose Zoti, sipas besimit.
Tekstet fetare që përmenden selektivisht flasin shumë qartë për këtë. Në Kuran thuhet “Allahu krijon çfarë të dojë. Ai u dhuron vajza kujt të dojë dhe djem kujt të dojë” (Kurani Surja Ash Shura).
Në Bibël thuhet “Para se të të formoja në barkun e nënës tënde të njihja” (Jeremia).
Këto vargje nuk janë poetike. Janë deklarata të qarta se jeta nuk është zgjedhje njerëzore. Të pretendosh se je besimtar dhe njëkohësisht të mohosh të drejtën e dikujt për të ekzistuar me dinjitet është të dalësh hapur kundër Zotit që pretendon se e beson. Nuk ka mënyrë të butë për ta thënë këtë.
Ligji civil nuk krijon njerëz. Nuk krijon orientime. Nuk shkatërron familje. Ai thjesht vendos nëse shteti do të mbrojë qytetarët e vet nga dhuna morale dhe ligjore. Të kundërshtosh këtë mbrojtje në emër të fesë apo traditës është t’i keqpërdorësh të dyja.
Ajo që pashë në këto reagime nuk ishte debat. Ishte frikë. Frikë nga dallimi, frikë nga humbja e kontrollit, frikë nga një e vërtetë që nuk përshtatet me narrativën e trashëguar. Shoqëritë nuk shemben nga barazia. Shemben nga urrejtja që normalizohet.
Në fund, kjo nuk është çështje e një deputeti apo e një ligji. Është çështje se çfarë lloj shoqërie zgjedhim të jemi. Një shoqëri që mbron fëmijët e vet, të gjithë fëmijët e vet, apo një shoqëri që i sakrifikon ata në altarin e frikës. Unë e kam bërë zgjedhjen time. Dhe do të vazhdoj ta sfidoj çdo ide që kërkon të na bëjë më pak njerëzorë.
Shqiptarët Duhet ta Mbrojnë Bashkëjetesën nga Revizionizmi
Raporti i fundit i të përditshmes amerikane New York Times mbi të ashtuquajturën "Lëvizja e Kthimit" në Kosovë shkel mbi një terren të rrezikshëm, duke prekur jo vetëm fenë por edhe vetë thelbin e identitetit shqiptar. Si shqiptar me trashëgimi myslimane, të krishterë dhe hebreje, nuk mund t’i pranoj përmbajtjet e kësaj narrative, e cila rrezikon të min…



