Fjalët e një Shtetvrasësi
Intervista nuk ishte zë i një burri të burgosur, por ulërima e një krimineli nga një perandori e kalbur që kërkon të ringjallet përmes mashtrimit.
Në këtë analizë, do ta zhbiriloj me kujdes të madh atë që u paraqit si një “intervistë ekskluzive” me ish-presidentin Hashim Thaçi, e transmetuar nga Klan Kosova, një medium privat që prej kohësh ka ndërtuar strategjinë e vet redaktoriale mbi shinat e diskursit anti-Kosovë, në përputhje të plotë me narrativën serbe të përkrahur nga Kremlini. E lyer me ngjyra patriotike dhe e zbukuruar me narracion të kujdesshëm, kjo intervistë nuk është gjë tjetër veçse një akt i pastër i amnistimit imazherik, një përpjekje për të ripërdredhur kujtesën kolektive, për ta gdhendur fajtorin në mermerin e heroit.
Klan Kosova dhe rrjeti i saj korporativ, të lidhur ngushtë me interesat ekonomiko-politike të strukturave që refuzojnë shtetësinë e Kosovës, janë kapur duke regjistruar qytete si Peja dhe Gjakova në regjistrat e biznesit si “Peć, Serbia” dhe “Đakovica, Serbia”. Ky është jo thjesht një lapsus, por një nënshtrim i qëllimshëm ndaj Kushtetutës së Serbisë dhe një grusht i heshtur kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës.
Në këtë sfond, “intervista” me Thaçin nuk është gazetari. Është ritual shpëtimi. Një liturgji e ndërtuar mbi heshtjen e viktimave dhe mbi glorifikimin e tradhtisë.
Ka një ironi të përbindshme në përpjekjen e Thaçit për të dënuar sulmin terrorist të Banjës së veriut të Mitrovicës si një tragjedi kombëtare. Arkitekti i shkatërrimit të pasluftës, që për dekada e mbajti Kosovën peng të klientelizmave dhe krimit, tani paraqitet si rojtari i plagëve që vetë i hapi.
24 shtatori 2023, në Banjë nuk ishte shpërthim i rastësishëm. Ishte metastazë e një kanceri të vjetër, një shpërthim i natyrshëm i një të keqeje që ishte mbjellë, ujitur dhe mbrojtur nën qeverisjen e Thaçit. Çdo shprehje habie është ose hipokrizi, ose kujtesë selektive.
Le të mos mashtrohemi nga revisionizmi. Milan Radoiçiq, komandanti paramilitar pas sulmit, ishte mik në zyrat e shtetit. Ai nuk u shfaq nga hija, por nga dera e përparme e Kryeministrisë. I ftuar. I pritur. I imunizuar nga Hashim Thaçi.
Radoiçiq nuk u tolerua, ai u fuqizua. Nën qeverisjen e Thaçit, veriu i Kosovës u shndërrua në një enklavë të kontrolluar nga krimi i organizuar, ku kontrabanda, zhvatja dhe frika ishin rendi i ditës. Ishte një “politikë heshtjeje”, një marrëveshje faustiane që ruante status quo-në për hir të një stabiliteti të rremë.
Ky nuk ishte dështim administrativ. Ishte strategji. Thaçi, i dehur nga ëndrra për shkëmbim territoresh, ishte gati të falte veriun, liqenin e Ujmanit, burimet minerale dhe njerëzit që jetonin mbi to, për hir të trashëgimisë së tij politike.
Kur Banja u dogj, nuk ishte befasi. Ishte akti i fundit i një drame që ai vetë e kishte shkruar.
Si guxon tani të flasë për dobësinë e shtetit? Ky është një njeri që për 20 vite sundoi me armë, patronazh dhe mitologji lufte. Nën sundimin e tij, kundërshtimi nuk diskutohej, zhdukej. Gazetarët u kërcënuan, u heshtën, u vranë. Ali Uka, gazetari që banonte me Thaçin në vitin 1997, u gjet i vdekur1.
Vrasje. Heshtje. Pluhur. Harresë.
Dhe ai nuk ishte i vetmi. Lista e të vrarëve politikisht pas luftës është një epitaf për demokracinë e pazhvilluar të Kosovës.
Çdo trup i harruar ishte një mesazh: mos fol.
Thaçi nuk ndërtoi shtet. Ai ndërtoi një sistem lojalitetesh të blera, një teatër të frikës. PDK-ja e tij funksionoi më shumë si kartel i veteranëve të banditë të luftës sesa si parti politike.
Dhe media?
E kapur, e frikësuar, ose bashkëpunëtore.
Performanca e tij e fundit ishte një monolog pa zë, pa mimikë, pa verifikim, ishte një spot reklamues për amnezinë. Fjalët e Thaçit nuk janë të tijat. Ato janë të shkruara nga një dorë tjetër, por agjenda është e njohur.
Ky nuk është një burrë që përballet me drejtësinë. Është një burrë që përpiqet të kontrollojë narrativën e vet.
Por asnjë montazh sado mjeshtëror nuk mund t;i fshijë faktet. Sulmi i Beogradit në Banjë nuk erdhi nga hiçi. Por ishte rezultat i një ambienti ku dhuna ishte mjet negociate dhe krimi ishte shteti.
Thaçi nuk është spektator i kësaj trashëgimie. Ai është krijuesi i saj. Veriu nuk u humb për 20 vjet sepse Kosova ishte e dobët, por sepse Thaçi vendosi ta linte të paqeverisur, sepse kështu ishte më i dobishëm si kërcënim për të sesa si përgjegjësi.
Dhe akoma, nga Haga, pozon si shenjtor.
Flet për sakrificë, për sovranitet, për drejtësi. Por këto nuk janë reflektime, janë shmangie. Thaçi nuk ka asnjë të drejtë morale të kritikojë dikë në këtë republikë. Ai nuk është at i kombit, ai është pronari i munguar i një shtëpie të rrënuar.
Populli mban mend. Mban mend privatizimet e vjedhura, marrëveshjet e errëta, asociacionin famëkeq që ai vetë e nënshkroi, tani i përdorur nga Serbia si thikë kushtetuese. Mban mend vrasjet politike, vrasjet e gazetarëve. Heshtjet. Dorëzimin e veriut.
Banja nuk është devijim. Është vazhdimi i një tradhtie të cilën Thaçi edhe prapa grilave sikur dëshiron ta jetësoj.
Le të shkruajë nga qelia. Le të luajë viktimën. Por historia do ta vendosë aty ku i takon: jo ndër mbrojtësit e Republikës, por ndër shkatërruesit e saj.
Kosova ka nevojë për një ballafaqim.
Dhe Thaçi ka nevojë ta përjetojë atë.
In June 1997, in an incident that many in the underground guerrilla movement found ominous, a Kosovar Albanian reporter who had close links with the movement was found dead in his apartment in Tirana, his face disfigured by repeated stabbings with a screwdriver and the butt end of a broken bottle. — The New York Times.


