Hagë, 16 shtator 2026
The Frontline Media Group i dënon pa asnjë rezervë kërcënimet, shtyrjet dhe përpjekjen për frikësim ndaj kryeredaktorit dhe gazetarit tonë kryesor hulumtues, Vudi Xhymshiti, dhe redaktorit politik, Michael Sheppard, derisa po kryenin punën e tyre gazetareske pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ata kishin ardhur aty për një arsye të vetme: me raportu.
Jo me protestu. Jo me provoku. Jo me marrë anë në turmë.
Me raportu.
Gjatë hyrjes drejt Gjykatës, pjesëtarë të turmës i shtynë me bërryla. Xhymshiti dhe Sheppard vazhduan drejt objektit dhe njoftuan autoritetet e Gjykatës se nuk e konsideronin më të sigurt qëndrimin jashtë.
Pastaj situata u përshkallëzua.
Sipas dëshmisë së gazetarëve tanë, Hysni Gucati, kryetar i OVL-UÇK-së, e njohu Xhymshitin dhe ua tërhoqi vëmendjen e mbështetësve drejt tij. Rreth dy gazetarëve të redaksisë tonë u mblodh një turmë. Filluan britmat, sharjet dhe kërcënimet. Në mesin e tyre, sipas ekipit tonë, kishte edhe kërcënime se Xhymshiti së shpejti do të ishte i vdekur.
Gazetarët tanë kaluan pas vijës së Policisë holandeze dhe u identifikuan si gazetarë nën kërcënim. Policia reagoi menjëherë, krijoi kordon mbrojtës rreth tyre dhe, pasi ekipi ynë e vlerësoi se qëndrimi aty nuk ishte më i sigurt, i përcolli jashtë zonës.
Më vonë, para kamerës së Kanal 10 dhe gazetarit Kushtrim Sadiku, Hysni Gucati e quajti publikisht Xhymshitin “idiot”, “shpiun” dhe “zero”, duke pretenduar se ai kishte ardhur për ta “provokuar” turmën1.
Jo.
Gazetari nuk e provokon turmën duke ardhur me raportu.
Prania e tij nuk është provokim. Pyetja nuk është provokim. Arkivi nuk është provokim. E vërteta e pakëndshme nuk është provokim.
Dhe kjo ngjarje ka një peshë të veçantë. Vetë Hysni Gucati është dënuar më parë nga Dhomat e Specializuara për pengim të personave zyrtarë, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës. Dënimet për frikësim dhe zbulim të informatave të mbrojtura u konfirmuan edhe në apel.
The Frontline Media Group nuk e ka sulmuar kurrë luftën çlirimtare të Kosovës.
Përkundrazi, pikërisht respekti për atë luftë na detyron me e nda çlirimtarin prej krimit dhe historinë prej propagandës.
Procesi në Hagë nuk është gjykim nëse Kosova kishte të drejtë të luftonte kundër shtypjes serbe. As UÇK-ja si organizatë nuk është në bankën e të akuzuarve.
Katër individë janë akuzuar.
Aktakuza operative përfshin akuza për përndjekje, burgosje, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë. Prokuroria pretendon se krimet ishin pjesë e një sulmi të gjerë dhe sistematik kundër personave të perceptuar si kundërshtarë të UÇK-së. Në mesin e kategorive të viktimave të përshkruara në aktakuzë janë shqiptarë të lidhur me LDK-në, shqiptarë të perceptuar si kundërshtarë, gazetarë, veprimtarë politik, ish-luftëtarë të UÇK-së dhe të tjerë. Të katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.
Kaq është dallimi.
Dhe ky dallim ua prish propagandën atyre që duan që katër të akuzuar të bëhen sinonim i një ushtrie të tërë, e një ushtri e tërë sinonim i katër njerëzve.
Xhymshiti u largua nga Kosova më 2015, pas viteve gjatë të cilave ai thotë se ishte përballur me kërcënime dhe një atentat të lidhur me punën e tij gazetareske. Në vitet që pasuan, ai dhe redaksia jonë kanë raportuar mbi strukturat politike të pasluftës, ish-pjesëtarë të SHIK-ut, figura të PDK-së dhe njerëz të tjerë me pushtet.
Përgjigjja ndaj gazetarisë sonë shpesh nuk ka qenë argumenti.
Ka qenë etiketa.
“Shpiun.”
“Serb.”
“Tradhtar.”
Është një gjuhë e vjetër. Dhe në Ballkan e dimë tepër mirë se çfarë mund të vijë pas saj kur një turmë bindet se gazetari përballë saj nuk është më gazetar, por armik.
Prandaj ajo që ndodhi sot në Hagë nuk mund të relativizohet si një përplasje fjalësh.
Kur një gazetar rrethohet nga një turmë, kërcënohet dhe detyrohet ta kërkojë mbrojtjen e policisë, pastaj para kamerave shpallet “shpiun”, problemi nuk është gazetari.
Problemi është përpjekja me ia vizatu shenjën në ballë.
Frontline Media Group falënderon Policinë holandeze për reagimin e menjëhershëm, krijimin e kordonit mbrojtës dhe përcjelljen e sigurt të gazetarëve tanë nga zona.
Po i ruajmë pamjet filmike, fotografitë, komunikimet e kohës, dëshmitë dhe materialet e tjera që lidhen me incidentin. Ato do të vlerësohen nga ekspertët tanë të sigurisë dhe këshilltarët ligjorë dhe, kur të jetë e nevojshme, do t’u dorëzohen autoriteteve përkatëse holandeze dhe britanike.
Por një gjë duhet kuptuar qartë.
Nuk kemi ardhur deri këtu për t’u kthyer mbrapa prej një turme.
As prej një partie.
As prej një veterani.
As prej një ish-strukture të vrastare inteligjencës.
Gazetaria jonë nuk vendoset me britmë.
Ajo vendoset me dokument.
Me dëshmi.
Me fakt.
Dhe me interesin publik.
Pa sllogane. Pa mitologji. Pa frikësim.
Vetëm faktet, provat dhe e drejta e publikut me e ditë të vërtetën.
Frontline Media Group
Londër, Mbretëria e Bashkuar

