Gazetari Vudi Xhymshiti dënon vandalizimin e shtëpisë familjare në Kosovë
Vudi Xhymshiti denoncon vandalizimin e shtëpisë familjare, duke e cilësuar si akt frikësimi nga rrjete kriminale që synojnë të heshtin gazetarinë e pavarur në Kosovë.
PËR PUBLIKIM TË MENJËHERSHËM
Deklaratë nga Vudi Xhymshiti, Londër, 11 Tetor 2025.
Themelues dhe Kryeredaktor i The FRONTLINE Media, Londër
(Botuese e Gunpowder Chronicles dhe Kronikat e Barutit)
Pas shumë vitesh pune gazetareske në zbardhjen e operacioneve destabilizuese të Serbisë të lidhura me Kremlinin në Kosovë, dhe të rrjeteve të saj të fshehta të ndikimit që kanë vepruar për më shumë se dy dekada pas epokës së komandantëve të luftës që e plaçkitën dhe e dobësuan vendin, unë jam bërë sërish shënjestër e kërcënimeve dhe frikësimeve.
Pas muajsh hulumtimesh të thelluara gjatë këtij viti mbi rrjete spiunazhi dhe dezinformimi serb, të cilat synuan të prodhonin kompromat dhe të më shantazhonin, por dështuan sapo veprimtaria e tyre u zbulua përmes raportimeve të mia, shtëpia e familjes sime në Kosovë, e pabanuar dhe jo më banesa ime që nga viti 2012, është vandalizuar nga autorë të panjohur.
Pronësia, që i përket familjes sime, është goditur qëllimisht nga individë të lidhur me strukturat kriminale dhe rrjetet e inteligjencës që unë kam hulumtuar dhe ekspozuar nëpërmjet The Gunpowder Chronicles. Automjeti përkujtimor i familjes, simbol i babait tonë të ndjerë, është dëmtuar rëndë. Asgjë nuk është vjedhur, synimi ishte shkatërrimi, frikësimi dhe poshtërimi.
Ky akt rikujton brutalitetin e forcave gjenocidale të regjimit të Millosheviqit, që dogjën të njëjtën shtëpi në vitin 1999. Sot, pasardhësit e tyre ideologjikë dhe politikë duket se e kanë gjetur të “arsyeshme” të vandalizojnë shtëpinë e një gazetari që vazhdon t’i sfidojë gënjeshtrat dhe interesat e tyre.
Ky sulm vjen pas muajsh kërcënimesh të hapura në internet, përfshirë thirrje publike për ekzekutimin tim, nga individë dhe rrjete të lidhura me rrethet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Halit Sahitajt, Berat Buzhalës dhe Milaim Zekës, të cilët historikisht kanë kundërshtuar gazetarinë e pavarur dhe kritike.
U bëj thirrje policisë dhe autoriteteve përkatëse të Republikës së Kosovës që të hetojnë me shpejtësi dhe transparencë këtë akt dhe të sjellin autorët përpara drejtësisë.
Gjithashtu, u bëj thirrje komunitetit gazetaresk në Kosovë dhe ndërkombëtarisht që të qëndrojë i bashkuar në dënimin e këtij sulmi ndaj lirisë së shtypit dhe sigurisë së atyre që flasin të vërtetën përballë pushtetit kriminal.
Të gjithë janë të sigurt, por mesazhi i këtyre rrjeteve kriminale është i qartë:
Ata synojnë ta frikësojnë, heshtin dhe zhdukin gazetarinë e pavarur që zbulon korrupsionin, spiunazhin dhe dezinformimin.
Le të jem po aq i qartë:
Unë nuk do të hesht.
Ky akt vandalizmi përfaqëson një tjetër përpjekje nga mbetjet e strukturave kriminale të epokës së ‘komandantëve,’ të cilët për dekada kanë përhapur frikë, shantazh dhe vrasje të politikanëve, aktivistëve politikë e gazetarëve, për të penguar llogaridhënien dhe për të rivendosur ndikimin armiqësor të Serbisë në Kosovë.
Por frikësimi do të dështojë.
Asnjë kërcënim, asnjë vandalizëm dhe asnjë fushatë gënjeshtrash nuk do të më ndalë mua apo The FRONTLINE Media nga misioni ynë.
E vërteta do të vazhdojë të thuhet, plotësisht, pa frikë dhe deri në palcë të çdo gënjeshtre.








Mediat që e botuan reagimin tonë:
Sulmohet banesa e gazetarit Vudi Xhymshiti në Kosovë: Akt që rikujton brutalitetin e Millosheviçit — SYRI TV.
Sulmohet banesa e gazetarit Vudi Xhymshiti në Kosovë: Akt që rikujton brutalitetin e Millosheviçit — Politiko.al
Journalist Vudi Xhymshiti’s apartment in Kosovo attacked: An act that recalls Milosevic’s brutality – Politiko.al
Gazetari Vudi Xhymshiti dënon vandalizimin e shtëpisë familjare në Kosovë — Kosova News.
Gazetari Vudi Xhymshiti dënon vandalizimin e shtëpisë së familjes në Kosovë — MCN TV.
Gazetari Vudi Xhymshiti dënon v@ndalizimin e shtëpisë familjare në Kosovë — Kosova Post.
Gazetari Vudi Xhymshiti denoncon vandalizmin e shtëpisë së tij: Akt që synon të heshtë gazetarinë e pavarur — Shqip.com