Gënjeshtrat e Rrezikshme të Paskal Milos
Paskal Milo gënjeu publikisht në televizion kombëtar. Ai shtrembëroi faktet, shmangu pyetjet dhe mbrojti një qeveri që e ka tradhtuar vazhdimisht besimin dhe dinjitetin diplomatik të Kosovës.
Më 11 maj, ndërsa shqiptarët votonin në një prej zgjedhjeve më të rëndësishme parlamentare të dekadës, isha i ftuar në një transmetim live në televizionin MCN Albania për të diskutuar se çfarë do të thotë një mandat i katërt për Edi Ramën dhe çfarë ndikimi do të kishte kjo për Kosovën. Programi i moderuar nga Sebastian Zonja duhej të ndriçonte drejtimin politik të Shqipërisë. Por ai u kthye në diçka shumë më thelbësore: një përplasje që ekspozoi me qartësi të pakëndshme dështimin dhe refuzimin e qëllimshëm të elitës politike shqiptare për t’u përballur me dëmin që politika e jashtme e Tiranës i ka shkaktuar Kosovës nën drejtimin e Edi Ramës1.
Në panel me mua ishte edhe Paskal Milo, ish-ministër i Jashtëm në periudhën 1997–2001 dhe figurë e vjetër në politikën shqiptare. Ajo që ndodhi në emision nuk ishte thjesht një debat. Ishte një përballje me një politikan që është mësuar ta mohojë, ta shmangë dhe ta shtrembërojë të vërtetën.
Kur u pyeta për mënyrën se si mediat e Kosovës po e mbulojnë fushatën zgjedhore në Shqipëri, theksova mungesën tronditëse të raportimit nga terreni dhe strategjisë editoriale. Ndërkohë që e ardhmja politike e Shqipërisë ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi Kosovën, asnjë redaksi në Prishtinë nuk kishte dërguar gazetarë për të intervistuar kandidatët shqiptarë apo për të pyetur për qëndrimet e tyre ndaj Kosovës. Atëherë e bëra pyetjen që askush nuk duhet ta anashkalojë: Cila është në të vërtetë politika e jashtme e qeverisë së Edi Ramës ndaj Kosovës? Dhe si mund të arsyetohet afrimi i tij gjithnjë më i ngrohtë me Beogradin?

Para publikut, paraqita faktet. Heshtja e Ramës në vitin 2018 përballë idesë së shkëmbimit territorial midis Kosovës dhe Serbisë nuk ishte neutralitet, ishte mbështetje e heshtur. Projekti “Ballkani i Hapur”, që ai promovoi me ngulm, përjashtoi qëllimisht Kosovën. Drafti për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilin Rama e dorëzoi te faktorët ndërkombëtarë pa u konsultuar me institucionet e Kosovës, ishte një tejkalim diplomatik me nuanca të uzurpimit. Dhe kur Serbia organizoi dhunën e deri tek agresioni në veri të Kosovës në vitin 2023, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës, Edi Rama nuk u solidarizua. Ai doli me thirrje të paqarta për paqe, duke legjitimuar në heshtje narrativën serbe.
Në atë moment në studio, Milo qeshi nën buzë.
E ndërpreva:
“Nuk mendoj se kjo është për të qeshur, Profesor. Një polic i Kosovës ka humbur jetën në atë operacion.”
Ajo që pasoi ishte një manual klasik i shmangies politike.
“Nuk jemi këtu për të debatuar për Kosovën,” tha Milo, duke pretenduar më pas se kishte qenë ministër i Jashtëm pikërisht në periudhën që po kritikoja. Kur e pyeta se çfarë kishte bërë konkretisht për ta mbajtur Serbinë përgjegjëse për krimet në Kosovë, u shmang.
Ai tha:
“Shqipëria ishte një nga faktorët kryesorë në çlirimin e Kosovës. A e keni harruar këtë?” — Paskal Milo.
Kjo ishte një përpjekje për të devijuar temën, përmes një nostalgjie që nuk mban më peshë. Po, Shqipëria priti refugjatë në vitin 1999. Po, ndihmoi rezistencën. Por këto nuk e arsyetojnë politikën e sotme që i kthen shpinën Kosovës.
Më pas zt Milo e tha një gënjeshtër të pastër:
“Ne e kemi ndërprerë marrëdhënien diplomatike me Serbinë.”
Kjo është e pavërtetë. Shqipëria nuk e ka ndërprerë kurrë marrëdhënien diplomatike me Serbinë, jo në vitet ‘90, jo pas agresionit të vitit 2023, asnjëherë. Ambasadat janë të hapura. Takimet vazhdojnë. Rama shfaqet rregullisht në skenë me Aleksandër Vuçiqin, ndërsa Kosova përballet me kërcënime ndaj sovranitetit dhe me izolim politik.

Deklarata e Milos nuk ishte thjesht e pasaktë, ishte e qëllimshme. Një përpjekje për ta shitur Shqipërinë si mbrojtëse të Kosovës, ndërkohë që në realitet, ka qenë një spektatore e heshtur, madje bashkëpunëtore, e ambicieve serbe në rajon.
Kur u ballafaqua me faktet, Milo u tërhoq: “Nuk jam përfaqësues i qeverisë aktuale,” tha ai. Por vetëm pak minuta më parë kishte përdorur përvojën e tij në diplomaci për të mbrojtur Ramën. Kontradiktë pas kontradikte. Dhe kur debatit iu shtua tensioni, ai u mbështoll me arrogancë: “Po bëni një gafë të madhe,” më tha. Por gafa ishte i tij, të besonte se askush nuk do t’i kundërshtonte mitet që ai i ka përdorur për ta mbuluar të vërtetën.
E vërteta e pakëndshme është se nën drejtimin e Edi Ramës, politika e jashtme e Shqipërisë e ka minuar vazhdimisht Kosovën. Dhe Paskal Milo, në vend që ta pranojë këtë realitet, tentoi ta lante këtë histori përmes mallëngjimit dhe nostalgjisë për vitin 1999. Por nostalgjia nuk është politikë. Dhe mallëngjimi nuk është llogaridhënie.
Në vitin 2023, kur Serbia tentoi një aneksim të maskuar të veriut të Kosovës, Rama nuk u rreshtua me Kosovën. Ai propozoi “nisma paqeje” që në thelb pranonin një realitet të ri territorial. Kur Kosovës i duhej mbështetje e qartë morale dhe politike, ai zgjodhi paqartësinë. Ai anuloi takimet mes dy qeverive. Ai u tërhoq nga kombi ynë për t’i kënaqur apetitet hegjemoniste të Beogradit. Në kohën kur kërkohej unitet, ai zgjodhi largësinë.
Ta quash këtë diplomaci është të fyesh diplomacinë. Kjo është lojë imazhi, jo parim. Dhe Paskal Milo, në vend që të përballej me substancën e kësaj tradhtie, zgjodhi ta mbrojë atë me gënjeshtra.
Ky debat në MCN nuk ishte kaos. Ishte momenti kur u hodh drita mbi atë që shumëkush ka dashur ta fshehë për vite me radhë: që elita politike shqiptare ka menduar se mund të fshihte dështimet e sotme duke recituar meritën e djeshme. Por koha e gënjeshtrave të rehatshme ka përfunduar. Kosova meriton të vërtetën. Meriton solidaritet. Dhe meriton më shumë sesa çfarë kanë ofruar Paskal Milo dhe Edi Rama.
Mbështet gazetarinë e pavarur.
Abonohu te Revistën Spotlight për raportime të guximshme dhe pa kompromis.
☑ Dhuro | ☑ Abonohu | ☑ Ndaj artikullin


