Klan Kosova: Aty Ku përfundon Gazetaria Fillon Propaganda e Devollëve
Një televizion që e quan veten “i pavarur”, por është më i varur se çdo kabllo që shpërndan sinjalin e tij.
Ky raport mbështetet në një investigim të publikuar fillimisht nga gazetaret Serbeze Haxhiaj dhe Majlinda Aliu në Osservatorio Balcani e Caucaso Transeuropa dhe EurActiv, me mbështetjen e European Fund for the Balkans. Artikulli, i botuar sot, hedh dritë mbi kapjen e mediave në Kosovë nga grupe të fuqishme biznesi me lidhje të ngushta politike dhe ekonomike, duke e trajtuar rastin e Klan Kosova si shembull emblematik të një modeli të rrezikshëm të autocensurës, klientelizmit dhe komprometimit editorial në shërbim të interesave privatë.
Në një vend ku gjuha e shtypit duhej të ishte arma më e mprehtë përballë korrupsionit, klientelizmit dhe pushtetit politik të maskuar si sipërmarrje, Kosova gjendet sot në buzë të një gremine informacioni të kapur dhe të deformuar. Dhe në qendër të kësaj skeme groteske që përzien biznesin me propagandën, oligarkinë me gazetarinë dhe heshtjen me frikën, qëndron Klan Kosova. Ky emër, dikur një simbol i pluralizmit të zhurmshëm mediatik, është sot një laborator i autokontrolluar ku e vërteta nuk mbahet peng, por as nuk merret më seriozisht. Ajo thjesht zhbëhet.
Duke folur për këtë media, nuk flasim për një institucion që e shërben publikun. Flasim për një makinë e cila shërben interesat e vëllezërve Devolli, një dinasti ekonomike që ka kthyer transmetimin e lajmeve në një platformë për të promovuar agjenda private dhe për të cenzuruar çdo gjë që mund t’i dëmtojë ato. Sipas dëshmive të shumta nga brenda vetë redaksisë, gazetarët janë të ndaluar të raportojnë për çështje që prekin bizneset e pronarëve Devolli. Kjo nuk është thjesht cenzurë. Është përmbysje etike.
Në vitin 2024, kur SHBA vendosi sanksione ndaj “Komodita Home” për çmime të padrejta, Klan Kosova nuk raportoi. Thjesht një heshtje që fliste shumë. Në vend të një narrative hulumtuese, publikut iu ofrua një viktimizim i korporatës, një thirrje për mbrojtje nga shteti. Kjo është ndoshta një nga format më të sofistikuara të cenzurës: cenzura përmes devijimit narrativ.
Kjo është vetëm maja e kodrës së akullt. Në vitin 2023 Ministria e Industrisë tentoi të pezullojë çertifikatën e biznesit të Klan Kosova për shkak të regjistrimit të saj në Serbi, një akt që nxori në pah jo thjesht një mosrespektim të ligjit, por një fyerje ndaj rendit kushtetues të shtetit. Në vend të një reflektimi redaksional për pasojat e këtij akti, ndodhi e kundërta: një mobilizim masiv kundër qeverisë, i udhëhequr nga urdhri i Shkëlqim Devollit. Gazetarët u shndërruan në zëdhënës të një frike të orkestruar për mbijetesën e mediumit, një frikë që maskonte shkeljet flagrante të rregullave ligjore dhe etike, duke e interpretuar atë rrejshëm se ishte cënim i lirisë së shtypit.
Ky model i kapjes mediatike nuk është i izoluar. Ai është pjesë e një fenomeni më të gjerë në Ballkanin Juglindor, ku fuqia ekonomike dhe ndikimi politik ndërthuren për të deformuar diskursin publik. Nga BIRN e deri te TV Dukagjini, nga ATV te TV1, skema është e njëjtë: pronarët diktojnë përmbajtjen, redaktorët zbatojnë agjendat dhe gazetarët ose heshtin, ose largohen. Ata që qëndrojnë, mësojnë të shkruajnë sipas asaj që është "e pranueshme", një standard që e përkufizon jo ligji apo etika, por interesat e biznesit.
Në këtë realitet, vetë nocioni i gazetarisë investigative zëvendësohet nga një verzion i sterilizuar i "lajmit të përpunuar", ku mungesa e informatës është më e fuqishme se manipulimi i saj. Shembulli i RTK-së, që pezulloi programin "Jeta në Kosovë" pas një tregimi mbi kompanitë fantazmë të Devollëve, nuk është akt vetëvrasës institucional, por ilustrim brutal i një servilizmi të thellë.
Edhe kur gjykata e Prishtinës rrëzoi vendimin e rregullatorit (Devollëve) që sulmonte BIRN-in1, heshtja e figurave publike që pretendojnë të mbrojnë lirinë e shtypit ishte ogurzezë. Figura si Flutura Kusari2, që ndërkombëtarisht pozicionohen si mbrojtëse të gazetarëve, qëndruan të heshtura, madje më keq, shfaqen në ambiente të njëjta me drejtues të Klan Kosova, duke legjitimuar përmes prezencës një sistem të kapur3.
Në TV Dukagjini, i cili zotërohet nga biznesmeni Ekrem Lluka, një tjetër aktor i kapjes mediatike, gazetarët flasin për ndërhyrje të vazhdueshme në përzgjedhjen e të ftuarve dhe temat4. Në ATV, nën kontrollin e vëllezërve Tafa, është ndaluar raportimi kritik për universitetet private dhe Bankën Qendrore sepse përputhja midis përmbajtjes editoriale dhe interesave financiare është më shumë se koinçidencë: është strategji.
Në TV1, rrjet i lidhur me ISP Telkos, censura arrin deri te raportimi për Ministrinë e Punëve të Brendshme, veçanërisht pas kontratës prej 600 mijë eurosh që kjo ministri nënshkroi me kompaninë. Edhe vetë raportimi mbi Komisionin e Pavarur të Mediave u zbeh, në një kohë kur ish-drejtuesi i këtij komisioni po përballet me akuza për ryshfet. Ajo që ndodh në TV1 nuk është shmangie editoriale. Është nënshtrim institucional ndaj oligarkisë.
Ky është një realitet ku vetëredaktimi nuk është më akt i frikës, por i instinktit për mbijetesë. Një realitet ku lajmi nuk përçohet, por rishkruhet sipas linjave të interesit. Ku çdo mikrofon është potencialisht një armë e heshtur për ta shuar të vërtetën.
Nëse Kosova vazhdon në këtë rrugë, ajo nuk është më në rrezik vetëm nga Serbia apo nga ndërhyrjet e huaja. Ajo është në rrezik nga vetvetja. Nga një klasë biznesi që ka mësuar se informata është po aq e shtrenjtë sa edhe importi i naftës. Dhe që e trajton lirinë e shtypit jo si themel i demokracisë, por si pengesë për fitimin.
Nëse BE-ja dhe SHBA-ja vazhdojnë të injektojnë fonde për "ndërtim shteti" pa adresuar këtë realitet, ata nuk janë më donatorë të demokracisë. Janë bashkëfajtorë të kolapsit të saj. Sepse kur liria e shprehjes zëvendësohet nga frika, dhe kur e vërteta zëvendësohet nga PR-i i korporatave, nuk kemi më të bëjmë me demokraci në ndërtim. Kemi të bëjmë me një fasadë që fshihet pas logove me shkëlqim dhe transmetimeve HD.
Në këtë teatër të madh ku lajmi është shndërruar në produkt të përpunuar për konsum të lehtë dhe të padëmshëm, mbrojtja më e madhe që i mbetet qytetarit është skepticizmi. Të mos besojë. Të kërkojë. Të lexojë midis rreshtave. Dhe më e rëndësishmja, të mos heshtë.
Sepse aty ku heshtja bëhet normë, gënjeshtra fiton me lehtësi. Dhe aty ku shtypi është shndërruar në vegël të oligarkëve, gazetaria nuk është më profesion. Është akt rezistence.
Propaganda që e shet Kosovën: Devolli dhe Klan Kosova
Në një përpjekje të radhës për të manipuluar opinionin publik, Klan Kosova ka publikuar një raport të mbushur me gënjeshtra dhe ekzagjerime, duke pretenduar se oligarku Shkëlqim Devolli ka ndikim të jashtëzakonshëm në qarqet politike amerikane.
BIRN Wins Landmark SLAPP Case Against Devolli Corporation — Prishtina Insight.
How a Press Freedom Icon Became a Political Actor
Flutura Kusari built a reputation defending press freedom. Now, she stands accused of using that same power to silence a citizen who challenged her. — The GPC Media Watch.



