Kosova në bankën e të akuzuarve
Një vit para Banjskës, Gazeta Nacionale e vendosi Kosovën në bankën e të akuzuarve, ndërsa Serbia e lidhur me Moskën mbeti kryesisht në sfondin editorial.
A mund të ndikojë një media në mënyrën se si një shtet e sheh vetveten gjatë një krize të sigurisë kombëtare?
Për shtatë muaj, ekipi hulumtues i Kronikave të Barutit analizoi qindra materiale të publikuara nga Nacionale gjatë periudhës më të tensionuar në veriun e Kosovës, nga marrëveshja Serbi-Rusi deri te sulmi terrorist në Banjskë. Gjetjet nuk provojnë koordinim me Serbinë, Rusinë apo ndonjë aktor tjetër. Por ato dokumentojnë një model editorial të matshëm: së paku 21 artikuj ku përgjegjësia, tallja ose dështimi projektohej mbi Kosovën dhe institucionet e saj, ndërsa kërcënimi i organizuar që po ndërtohej në veri mbetej shumë më shpesh në sfond.
Ky është një hulumtim mbi mënyrën se si narrativa mund të ndikojë në perceptimin e një konflikti.
Lexojeni analizën e plotë dhe mbështeteni gazetarinë e pavarur duke u abonuar te Kronikat e Barutit.
Për gati një vit, ndërsa Serbia i forconte marrëdhëniet me Rusinë, strukturat serbe ngrinin barrikada në veri dhe Policia e Kosovës përballej me sulme të armatosura, një pjesë e mbulimit të gazetës Nacionale e vendosi vazhdimisht Kosovën në rolin e shkaktarit kryesor të krizës.
Një analizë e materialeve të indeksuara publikisht nga 24 shtatori 2022 deri më 24 shtator 2023 identifikoi së paku 21 artikuj të Nacionales ku Republika e Kosovës, kryeministri Albin Kurti, ministri Xhelal Sveçla ose politikat shtetërore në veri u paraqitën në mënyrë thelbësisht negative1.
Në së paku 12 prej tyre, ushtrimi i autoritetit shtetëror në veri u trajtua si provokim, aventurë politike, çështje e parëndësishme ose përplasje e panevojshme me aleatët. Në nëntë artikuj u përdorën formulime tallëse, poshtëruese ose përqeshëse. Në së paku gjashtë të tjerë, kundërshtimi ndaj politikave të Qeverisë u ndërtua përmes fajësimit me asociim, sidomos duke e paraqitur Kurtin si kundërshtar të Amerikës dhe mbështetësit e tij si njerëz që duhej të zgjidhnin ndërmjet kryeministrit të tyre dhe Shteteve të Bashkuara2.
Këto kategori mbivendosen. Një artikull mund të paraqesë njëkohësisht zbatimin e ligjit si provokim, ta përshkruajë Kurtin si të poshtëruar dhe ta lidhë politikën e tij me antiamerikanizmin.
Analiza nuk provon se Nacionale ka marrë udhëzime nga Serbia, Rusia ose ndonjë aktor tjetër. Nuk provon as se çdo kritikë ndaj Qeverisë së Kosovës ishte e padrejtë. Shumë vendime të Kurtit dhe Sveçlës ishin të debatueshme dhe u kundërshtuan hapur nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Por materialet zbulojnë një model tjetër që mund të kontrollohet drejtpërdrejt. Kur Kosova vepronte, veprimi përshkruhej si përshkallëzim. Kur tërhiqej, tërheqja përshkruhej si humbje. Kur kërkonte mbështetje ndërkombëtare, paraqitej si e izoluar. Kur argumentonte se përballej me struktura të organizuara nga Serbia, paralajmërimet e saj shpesh trajtoheshin si propagandë politike.
Në këtë model, Republika e Kosovës nuk mund të fitonte.
Marrëveshja që mbeti në sfond
Më 23 shtator 2022, ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviq, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, nënshkruan në Nju Jork një plan konsultimesh ndërmjet dy ministrive për vitet 2023 dhe 20243.
Marrëveshja u nënshkrua shtatë muaj pas luftës ruse për pushtimin e plotë rus të Ukrainës, në një kohë kur delegacionet perëndimore po përpiqeshin ta izolonin Lavrovin diplomatikisht. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kërkuan shpjegime nga Beogradi. Serbia, vend kandidat për anëtarësim në BE, vazhdonte të mos i bashkohej sanksioneve perëndimore kundër Rusisë4.
Për Kosovën, kjo nuk ishte vetëm çështje simbolike.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, vazhdon të financojë institucione paralele dhe ruan ndikim të drejtpërdrejtë mbi Listën Serbe dhe strukturat politike në veri. Në dhjetor 2021, Departamenti amerikan i Thesarit e kishte sanksionuar Zvonko Veselinoviqin dhe Milan Radoiçiqin, duke i përshkruar si pjesë të një rrjeti të krimit të organizuar të përfshirë në korrupsion, kontrabandë dhe ndikim mbi zyrtarë të sigurisë në Kosovë dhe Serbi5.
Kjo ishte prapavija në të cilën Kosova e nisi zbatimin e vendimeve për targat e lëshuara nga Serbia dhe kërkoi shtrirjen e rendit kushtetues në katër komunat veriore.
Megjithatë, në një pjesë të konsiderueshme të mbulimit të Nacionales, lidhja e Serbisë me Moskën mbeti prapa konfliktit të sajuar si personal ndërmjet Kurtit dhe diplomatëve perëndimorë.
Historia kryesore nuk ishte se si një shtet që nuk e njihte Kosovën, që e bashkërendonte politikën e jashtme me Rusinë dhe që mbështeste struktura paralele po reagonte ndaj zbatimit të ligjeve kosovare.
Historia kryesore u bë se çfarë po i bënte Albin Kurti marrëdhënies së Kosovës me Amerikën, edhe pse ishte Serbia, me politikat e saj agresive ajo e cila kishte filluar përshkallëzimin e destabilizimit të Kosovës.
Çdo kompromis u shpall humbje
Në fund të vitit 2022, Nacionale publikoi artikullin me titullin “Lëshimet e Albin Kurtit ndaj Serbisë më 2022”6.
Artikulli nuk e përshkroi procesin si një seri negociatash nën presion të madh ndërkombëtar. Ai e ndërtoi një inventar të zmbrapsjeve të Kurtit. Shtyrja e vendimit për targat, pranimi i kërkesave amerikane dhe kompromiset e arritura në dialog u paraqitën si dëshmi se kryeministri kishte hequr dorë nga zotimet e tij.
Një artikull tjetër, mbi shtyrjen e zgjedhjeve në veri, fillonte me formulimin se ishte shtuar “një kompromis i ri në biografinë e Albin Kurtit”, dikur një politikan që nuk e njihte fjalën kompromis7.
Në vetvete, kjo është një kritikë politike e lejueshme. Kurti e kishte ndërtuar një pjesë të identitetit të tij publik mbi kundërshtimin e marrëveshjeve të mëparshme me Serbinë. Kontradiktat ndërmjet opozitarit Kurti dhe kryeministrit Kurti ishin çështje legjitime për raportim.
Por analiza e vazhdimësisë së titujve tregon një kurth editorial.
Kur Qeveria nuk tërhiqej, akuzohej se po e rrezikonte vendin për shkak të kokëfortësisë. Kur tërhiqej, akuzohej se kishte kapitulluar.
Kur targat serbe u trajtuan si çështje sovraniteti, Qeveria paraqitej si shkaktare tensionesh. Kur vendimi u shty, Nacionale e përshkroi shtyrjen si një tjetër lëshim ndaj Serbisë.
Një model i tillë nuk e ndihmon lexuesin ta vlerësojë nëse politika funksionoi. Ai e kthen çdo rezultat në provë kundër të njëjtit person.
Ministri “më qesharak”
Në artikullin “Java e Kurtit dhe Jeff Hovenierit”, Nacionale shkroi se Kurti kishte dalë në konferenca shtypi me “ministrin më qesharak të tij, Xhelal Sveçlën”, për t’i bindur qytetarët se pas qortimeve për targat do të vinin gjobat8.
Ky nuk ishte citim i një kundërshtari politik. Ishte gjuhë e botuar nga vetë media.
Fjala “qesharak” nuk e analizon ligjshmërinë e një vendimi, zinxhirin komandues të Policisë, rrezikun e përshkallëzimit ose rezultatin e një operacioni. Ajo e zëvendëson shqyrtimin e veprimit me përqeshjen e personit.
Në një analizë tjetër për sigurinë gjatë dy viteve të Qeverisë Kurti, Nacionale shënoi se Sveçla shkonte shpesh në veri “i veshur në stilin e Zelenskyt”. Artikulli më pas përsëriti akuza se ministri ndërhynte në hollësi operative dhe në zinxhirin komandues të Policisë9.
Ndërhyrja politike në polici do të ishte çështje serioze dhe do të kërkonte prova konkrete, dokumente, urdhëresa ose dëshmi nga zyrtarë me njohuri të drejtpërdrejta. Krahasimi me veshjen e presidentit ukrainas nuk e provon këtë.
Ai krijon një figurë. Sveçla paraqitet si ministër që e luan rolin e komandantit të luftës, ndërsa veprimet institucionale reduktohen në shfaqje.
Në këtë mënyrë, kritika kalon nga mbikëqyrja e pushtetit te delegjitimimi i aktorit.
Një zgjedhje ndërmjet Kurtit dhe Amerikës
Një nga shembujt më të qartë u publikua gjatë krizës së verës së vitit 2023.
“Çmenduri” ishte fjala e parë në titullin e një artikulli mbi një sondazh të Nacionales. Sipas rezultateve të publikuara nga vetë media, 40 për qind e pjesëmarrësve thanë se e mbështesnin Kurtin, ndërsa 60 për qind Amerikën, për situatën në veri10.
Vetë pyetja ishte problematike.
Kosova dhe Shtetet e Bashkuara nuk ishin në luftë. Një qytetar mund ta konsideronte Amerikën aleatin kryesor të Kosovës dhe, njëkohësisht, të besonte se Qeveria kishte të drejtë për një veprim të caktuar në veri. Mund ta kundërshtonte metodën e Kurtit, por ta mbështeste qëllimin. Mund ta kundërshtonte një kërkesë të veçantë diplomatike pa qenë antiamerikan.
Sondazhi i fshiu të gjitha këto mundësi dhe ndërtoi një zgjedhje binare.
Amerika ose Kurti.
Më pas, rezultati që nuk i përshtatej pozicionit editorial u quajt çmenduri. Fjala “mbështesin” u vendos në thonjëza, sikur vetë mbështetja të ishte e dyshimtë ose jo plotësisht e ligjshme.
Kjo ishte më shumë se kritikë ndaj një kryeministri.
Ishte përqeshje ndaj qytetarëve që kishin arritur në një përfundim tjetër nga nevojat editoriale të redaksisë.
Kjo teknikë e asociimit ishte përsëritëse. Nëse Kurti e kundërshtonte një kërkesë amerikane, konflikti paraqitej jo si mosmarrëveshje mes aleatësh, por si provë se ai po e vendoste Kosovën kundër Amerikës. Nëse qytetarët e mbështesnin, edhe ata vendoseshin në të njëjtin kamp.
Kritika politike shndërrohej në provë të mosbesnikërisë gjeopolitike. Edhe pse Kosova po përballej me agresion të Serbisë dhe përpjekje për t’u vetëmbrojtur
Sovraniteti si çështje banale
Pas zgjedhjeve të prillit 2023 në katër komunat veriore, Qeveria i dërgoi kryetarët e rinj në ndërtesat komunale. Pjesëmarrja në zgjedhje kishte qenë jashtëzakonisht e ulët, pasi Lista Serbe i kishte bojkotuar ato me urdhër të Beogradit dhe u kishte bërë thirrje serbëve lokalë të mos merrnin pjesë.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kundërshtuan përdorimin e njësive policore për hyrjen e kryetarëve në objekte dhe kërkuan që ata të punonin përkohësisht nga ndërtesa alternative.
Debati ishte real dhe me pasoja. Protestat u bënë të dhunshme. Ushtarë të KFOR-it u plagosën. Gazetarët u sulmuan. Kosova u përjashtua nga stërvitja Defender Europe 2023 dhe më vonë u përball me masa të Bashkimit Evropian.
Nacionale e titulloi një prej artikujve të saj “Përplasja e Kurtit me ShBA-të për çështje banale”11.
Çështja e metodës mund të konsiderohej e panevojshme. Mund të argumentohej se kryetarët do të mund të punonin nga vende të tjera pa e cenuar autoritetin ligjor të Kosovës. Mund të argumentohej se Qeveria nuk i kishte peshuar pasojat diplomatike.
Por ndërtesat komunale nuk ishin banale në kuptimin politik.
Ato ishin seli të institucioneve të Republikës së Kosovës në një territor ku Serbia vazhdonte të financonte struktura paralele, ku Lista Serbe i kishte braktisur institucionet dhe ku grupe të organizuara me mbështetje të Serbisë po i kundërshtonin me dhunë vendimet e Republikës së Kosovës.
Duke e quajtur çështjen banale, titulli nuk e kritikoi vetëm mënyrën e zbatimit. Ai e zvogëloi vetë objektin e konfliktit.
Në një territor të kontestuar nga Serbia, prania e institucioneve shtetërore nuk është një hollësi administrative.
Kush e shkaktoi dhunën
Një pjesë e mbulimit të Nacionales e ndërtoi kronologjinë e krizës duke filluar me vendimin e Kosovës dhe duke e trajtuar reagimin serb si pasojë.
Qeveria vendosi targat.
Serbët u larguan nga institucionet.
Qeveria i dërgoi kryetarët.
Serbët protestuan.
Policia ndërhyri.
Tensionet u rritën.
Kjo renditje është faktikisht e pjesshme, por shkakësisht e mangët.
Ajo nuk pyet nëse largimi kolektiv i serbëve nga policia, gjykatat dhe komunat ishte vendim spontan qytetarësh apo strategji politike e koordinuar nga Beogradi. Nuk pyet se kush i ngriti barrikadat, kush i furnizoi grupet, kush i sulmoi gazetarët, kush përdori mjete shpërthyese dhe kush kishte interes që veriu të mbetej jashtë kontrollit institucional të Kosovës.
Në një artikull mbi zgjedhjet atje, gazeta Nacionale shkroi se përpjekja e Kosovës për t’i mbajtur ato pa Listën Serbe kishte “nxitur” veprime ekstreme të serbëve, përfshirë sulme me bomba ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve12.
Fjala “nxitur” e zhvendos peshën shkakësore.
Sulmuesit mbeten autorë fizikë të dhunës, por vendimi i Kosovës paraqitet si veprimi që e prodhoi atë.
Kjo është pikërisht mënyra se si një shtet mund të shndërrohet gradualisht nga objekt i presionit në fajtor për reagimin e atyre që e kundërshtojnë dhe janë në fakt, kërcënim i rendit ligjorë dhe sigurisë kombëtare.
Paralajmërimet dhe realiteti i Banjskës
Mëngjesin e 24 shtatorit 2023, një grup i organizuar dhe i armatosur serb e sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë. Rreshteri Afrim Bunjaku u vra. Dy policë të tjerë u plagosën. Sulmuesit u tërhoqën në zonën e manastirit dhe më pas një pjesë e tyre u largua drejt Serbisë13.
Shtetet e Bashkuara e përshkruan grupin si të organizuar, të armatosur dhe të trajnuar. Bashkimi Evropian e dënoi sulmin në termat më të fuqishëm. Milan Radoiçiq e pranoi se kishte marrë përgjegjësinë për organizimin e grupit, ndonëse Serbia mohoi se shteti e kishte urdhëruar operacionin14.
Armët, automjetet, uniformat dhe pajisjet e sekuestruara treguan një kapacitet që shkonte shumë përtej një proteste lokale të dalë jashtë kontrollit.
Më vonë, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 45 personave. Sipas aktakuzës, qëllimi i grupit ishte shkëputja e veriut të Kosovës dhe bashkimi i tij me Serbinë. Pretendimet e Prokurorisë duhet të provohen në gjykatë dhe nuk përbëjnë ende aktgjykim përfundimtar15.
Banjska nuk provoi se çdo vendim i Kurtit ishte i drejtë.
Nuk provoi se kritikat amerikane dhe evropiane ndaj Qeverisë ishin të pabazuara. Nuk provoi se përdorimi i policisë në çdo rast ishte proporcional. Nuk e përjashtoi detyrimin e Qeverisë për koordinim me aleatët.
Por Banjska provoi diçka që një pjesë e mbulimit të mëparshëm e kishte shtyrë në skaj.
Kërcënimi i armatosur ishte real.
Rrjeti kishte organizim, pajisje, udhëheqje politike dhe rrugë tërheqjeje drejt Serbisë. Milan Radoiçiq nuk ishte thjesht politikan lokal. Ai ishte nënkryetar i Listës Serbe dhe person i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për lidhje me krimin e organizuar16.
Pas sulmit, edhe Nacionale e përshkroi Banjskën si një përpjekje të dështuar për aneksimin e veriut, duke u mbështetur në aktakuzën e mëvonshme17.
Kjo krijon një pyetje të rëndësishme editoriale.
Nëse rreziku ishte mjaft serioz që më vonë të përshkruhej si përpjekje për aneksim, pse paralajmërimet e mëparshme të institucioneve të Kosovës u trajtuan kaq shpesh përmes talljes, personalizimit dhe konfliktit me Amerikën?
Çfarë provon analiza
Materialet e shqyrtuara nuk provojnë një marrëveshje të fshehtë ndërmjet Nacionales dhe autoriteteve serbe. Nuk provojnë financim nga Rusia. Nuk provojnë se pronari i saj, Berat Buzhala, ka urdhëruar çdo titull ose ka përcaktuar çdo formulim.
Nacionale operon në kuadër të Media Group Publico. Të dhënat e projektit Media Ownership Monitor e identifikojnë Buzhalën si themelues, drejtor dhe pronar të plotë të kompanisë18.
Kjo e bën atë përgjegjës për drejtimin e përgjithshëm të medias, por jo automatikisht autor të çdo artikulli.
Ajo që analiza provon është një produkt editorial i përsëritur.
Në periudhën ndërmjet marrëveshjes së konsultimeve Serbi-Rusi dhe sulmit në Banjskë, Nacionale prodhoi së paku 21 materiale të indeksuara publikisht ku pesha kryesore e fajit, përqeshjes ose dështimit vendosej mbi Kosovën, Kurtin ose Sveçlën.
Në së paku nëntë raste, formulimet shkuan përtej kritikës së politikave dhe hynë në tallje ose poshtërim.
Në së paku 12 raste, veprimet e Kosovës në veri u delegjitimuan ose u paraqitën si shkaku kryesor i përshkallëzimit. përderisa Serbia u shfajësua.
Në së paku gjashtë raste, argumenti u ndërtua përmes asociimit, kryesisht duke e paraqitur Kurtin si alternativë kundër Amerikës dhe duke trajtuar mbështetjen për politikat e tij si shenjë irracionaliteti ose mosmirënjohjeje.
Nuk u identifikua një volum i krahasueshëm artikujsh që ta personalizonin krizën rreth karakterit të Presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ta përqeshnin atë për lidhjet me Moskën ose ta vendosnin publikun serb përballë një zgjedhjeje ndërmjet Vuçiqit dhe Perëndimit.
Ky është përfundimi më i mbrojtshëm në këtë fazë.
Jo se Nacionale është provuar si instrument i Serbisë.
Por se prodhimi i saj editorial, gjatë një periudhe kritike të sigurisë kombëtare, e trajtoi në mënyrë të përsëritur Kosovën si palën që duhej të shpjegohej, të qortohej dhe të përqeshej, ndërsa aktorët që i organizonin operacionet e dhunshme ndaj shtetit mbetën shumë më shpesh në sfond dhe thuajse të pafajshëm.
Në një demokraci, media nuk e ka detyrim ta mbështesë qeverinë. Përkundrazi, detyra e saj është ta kontrollojë.
Por kontrolli kërkon standard të njëjtë për të gjithë aktorët.
Nëse çdo veprim i shtetit quhet provokim dhe çdo tërheqje quhet kapitullim, nuk kemi më të bëjmë me një test të politikës. E kemi një përfundim që mbijeton pavarësisht fakteve.
Dhe kur më 24 shtator 2023 armët folën në Banjskë, faktet treguan se historia e veriut nuk kishte qenë vetëm historia e kokëfortësisë së Albin Kurtit.
Ishte edhe historia e një kërcënimi të organizuar që kishte pritur përtej titujve.
SHËNIM I REDAKSISË: Kronikat e Barutit i dërgoi pyetje me shkrim z. Berat Buzhala, pronar dhe drejtor i Media Group Publico, duke i ofruar mundësinë t'i komentonte gjetjet e kësaj analize hulumtuese dhe t'u përgjigjej pyetjeve mbi metodologjinë editoriale të gazetës Nacionale. Në vend të një përgjigjeje ndaj pyetjeve tona, z. Buzhala publikoi në profilin e tij në Facebook19 një pamje të emailit të dërguar nga redaksia jonë, të shoqëruar me një koment me gjuhë fyese dhe tallëse ndaj autorit të kërkesës. Ai nuk iu përgjigj asnjërës prej pyetjeve të parashtruara dhe nuk ofroi ndonjë koment mbi gjetjet e analizës. Për këtë arsye, artikulli publikohet pa qëndrimin e tij mbi çështjet e ngritura. Nëse z. Buzhala vendos të japë një përgjigje substanciale në një fazë të mëvonshme, Kronikat e Barutit do ta pasqyrojë atë në përputhje me standardet e gazetarisë profesionale.

Berat Buzhala, Listat e Zeza të SHBA-së dhe Kërcënimi i Sigurisë Kombëtare
Në peizazhin e trazuar të Ballkanit Perëndimor, një rajon që shpesh qëndron në prag të paqëndrueshmërisë gjeopolitike dhe asaj të brendshme, vijat e dallimit midis medias, politikës dhe krimit të org…
Analiza e Kronikave të Barutit mbi materialet e indeksuara të Nacionales mbulon periudhën 24 shtator 2022 – 24 shtator 2023. Korniza analitike është ndërtuar mbi kategori të paracaktuara, përfshirë kornizimin negativ, talljen, fajësimin përmes asociimit dhe delegjitimimin e ushtrimit të autoritetit shtetëror. Shifra 21 përfaqëson minimumin e rasteve të verifikuara dhe nuk duhet të interpretohet si regjistrim shterues i të gjithë arkivit të publikuar gjatë periudhës së shqyrtuar.
Grumbullimi, indeksimi dhe verifikimi fillestar i materialeve u realizuan nga pjesëmarrësit e Programit të Mentorimit të The Frontline Media Group - Training Programme, studentë të gazetarisë të lidhur me Columbia Journalism School në Nju Jork. Procesi i hulumtimit zgjati shtatë muaj dhe u drejtua nga Kryeredaktori Vudi Xhymshiti. Analiza përfitoi nga kontributi metodologjik dhe analitik i Dr Adrian Markham, nga vlerësimi i kontekstit politik i Redaktorit Politik Michael Sheppard, si dhe nga kërkimi dhe analiza mbështetëse e Rodrigo Hammond, Student i yni Hulumtues.
“Çmenduri, 40 për qind në sondazh thonë se mbështesin Kurtin para Amerikës për veriun.”
Nacionale. 2023: https://nacionale.com/politike/cmenduri-40-ne-sondazh-thone-se-mbeshtesin-kurtin-para-amerikes-per-veriun
Burimi raporton se 2,682 pjesëmarrës mbështetën “Amerikën”, ndërsa 1,827 Kurtin, duke e ndërtuar sondazhin si zgjedhje binare.
“EU candidate Serbia and Russia sign foreign policy agreement.”
Associated Press. 24 shtator 2022.
https://apnews.com/article/russia-ukraine-united-nations-general-assembly-foreign-policy-moscow-serbia-c63b0ca1271dd5b2ee3008bdcbb7de23
Raporti dokumenton nënshkrimin nga Nikola Selakoviq dhe Sergei Lavrov të marrëveshjes për konsultime të politikës së jashtme.
“EU, U.S. Expect Serbia to Clarify Its New Consultation Agreement With Russia.”
Radio Free Europe Radio Liberty. 26 shtator 2022.
https://www.rferl.org/a/serbia-rssia-consultation-deal-eu-us-clarification/32052962.html
Burimi raporton reagimin e SHBA-së dhe BE-së ndaj marrëveshjes së konsultimeve me Moskën.
“Treasury Targets Corruption Networks Linked to Transnational Organized Crime.”
Departamenti amerikan i Thesarit. 8 dhjetor 2021.
https://home.treasury.gov/news/press-releases/jy0519
Thesari e përshkruan Zvonko Veselinoviqin si drejtues të një grupi të krimit të organizuar dhe përfshin Milan Radoiçiqin në rrjetin e sanksionuar.
“Lëshimet e Albin Kurtit ndaj Serbisë më 2022.”
Muhamet Koci, Nacionale. 2022.
https://nacionale.com/politike/leshimet-e-albin-kurtit-ndaj-serbise-me-2022
Titulli dhe hyrja e paraqesin vitin përmes lëshimeve dhe zmbrapsjeve të kryeministrit.
“Edhe një kompromis nga Albin Kurti, si u tërhoq Kosova nga zgjedhjet në veri.”
Nacionale. Dhjetor 2022.
https://nacionale.com/politike/edhe-nje-kompromis-nga-albin-kurti-si-u-terhoq-kosova-nga-zgjedhjet-ne-veri
Artikulli e përshkruan shtyrjen si “një kompromis i ri në biografinë” e Kurtit.
“Java e Kurtit dhe Jeff Hovenierit.”
Nacionale. 2022.: https://nacionale.com/politike/java-e-kurtit-dhe-jeff-hovenierit
Artikulli e quan Xhelal Sveçlën “ministrin më qesharak” të Kurtit.
“Siguria në 2 vjet të Qeverisë Kurti.”
Nacionale. 2023: https://nacionale.com/drejtesi/siguria-ne-2-vjet-te-qeverise-kurti-cfare-ndodhi-me-policine-fsk-ne-e-aki-ne
Artikulli shkruan se Sveçla shkonte në veri “i veshur në stilin e Zelenskyt” dhe përsërit akuza për ndërhyrje në polici.
“Çmenduri, 40 për qind në sondazh thonë se mbështesin Kurtin para Amerikës për veriun.”
Nacionale. 2023: https://nacionale.com/politike/cmenduri-40-ne-sondazh-thone-se-mbeshtesin-kurtin-para-amerikes-per-veriun
Formulimi i titullit e cilëson rezultatin “çmenduri” dhe përdor thonjëza rreth fjalës “mbështesin”.
“Ndërtesat e komunave, përplasja e Kurtit me ShBA-të për çështje banale.”
Nacionale. 2023.
https://nacionale.com/politike/ndertesat-e-komunave-perplasja-e-kurtit-me-shba-te-per-ceshtje-banale
Artikulli e përshkruan konfliktin rreth përdorimit të ndërtesave komunale si përplasje për “çështje banale”.
“A po rrezikojmë krizë tjetër, pa Listën Serbe vështirë se mund të mbahen zgjedhjet në veri.”
Nacionale.
https://nacionale.com/politike/a-po-rrezikojme-krize-tjeter-pa-listen-serbe-veshtire-se-mund-te-mbahen-zgjedhjet-ne-veri
Artikulli shkruan se përpjekja për zgjedhje pa Listën Serbe kishte “nxitur” veprime ekstreme dhe sulme me bomba.
“Country Reports on Terrorism 2023, Kosovo.”
Departamenti amerikan i Shtetit.
https://www.state.gov/reports/country-reports-on-terrorism-2023/kosovo
Raporti amerikan përshkruan një grup të organizuar, të armatosur dhe të trajnuar serbësh që sulmoi Policinë e Kosovës më 24 shtator 2023.
“Kosovo, Statement by the High Representative Josep Borrell on the attack against Kosovo Police.”
Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm. 24 shtator 2023.
https://www.eeas.europa.eu/eeas/kosovo-statement-high-representative-josep-borrell-attack-against-kosovo-police_en
Borrell e dënoi në termat më të fuqishëm sulmin e një grupi të armatosur ndaj Policisë së Kosovës.
“Kosovo indicts 45 on terrorism charges over 2023 attack.”
Reuters. 11 shtator 2024.
https://www.reuters.com/world/europe/kosovo-indicts-45-terrorism-charges-over-2023-attack-2024-09-11/
Reuters raporton akuzat për terrorizëm, cenim të rendit kushtetues, financim terrorizmi dhe pastrim parash.
“Notice of OFAC Sanctions Actions.”
Federal Register. 23 dhjetor 2021.
https://www.federalregister.gov/documents/2021/12/23/2021-27855/notice-of-ofac-sanctions-actions
Dokumenti zyrtar regjistron sanksionimin e Milan Radoiçiqit, Zvonko Veselinoviqit dhe personave e kompanive të lidhura.
“Tentimi i dështuar për ta aneksuar veriun, një vit nga sulmi në Banjskë.”
Nacionale. 2024.
https://nacionale.com/politike/tentimi-i-deshtuar-per-ta-aneksuar-veriun-nje-vit-nga-sulmi-ne-banjske
Nacionale e përshkruan sulmin si përpjekje të armatosur për aneksimin e veriut, duke iu referuar aktakuzës.
“Media Group Publico LLC.”
Media Ownership Monitor Kosovo. 25 nëntor 2023.
https://kosovo.mom-gmr.org/sq/pronesia/kompanite/detail/company/company/show/media-group-publico-llc-1/
Burimi e identifikon Berat Buzhalën si pronar të vetëm dhe drejtor të Media Group Publico, kompanisë që operon Nacionale.
Shënim: Pas marrjes së kërkesës sonë për koment, Berat Buzhala publikoi në Facebook një pamje të emailit të Kronikave të Barutit, të shoqëruar me një koment që përmbante gjuhë vulgare dhe fyese ndaj kryeredaktorit tonë, duke e quajtur atë "magnet për budallenjtë" dhe "lopë". Ai nuk iu përgjigj asnjërës prej pyetjeve të dërguara.



