Kosova Rikthen Mandatin Demokratik
Me një mandat të tretë, Lëvizja Vetëvendosje mori miratimin qytetar për sovranitet, integritet institucional dhe rezistencë ndaj ndikimit politik dhe kriminal të Serbisë.
Pas një nate zgjedhore që nuk la hapësirë për interpretime të mjegullta. Zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025 në Kosovë prodhuan një verdikt të qartë qytetar dhe e mbyllën një cikël të gjatë bllokadash institucionale, manipulimesh politike dhe narrativash të orkestruara kundër vullnetit demokratik.
Që në fillim duhet thënë qartë se exit pollet e publikuara nga disa media në Kosovë kanë dështuar vazhdimisht. Ky dështim nuk është rastësor. Ato kanë qenë pjesë e një përpjekjeje të organizuar për të ndërtuar një narracion të rremë politik, me qëllim bindjen e qytetarit se rezultati zgjedhor do të ishte ndryshe nga ai që realisht reflektohej në terren. Këtë e kam vëzhguar drejtpërdrejt dhe si redaksi e kemi dokumentuar në mënyrë të vazhdueshme.
Pritshmëritë që Lëvizja Vetëvendosje të dalë forcë e parë në këto zgjedhje kanë qenë krejtësisht normale. Kemi të bëjmë me një qeverisje, lidershipi i së cilës ka administruar buxhetin e Republikës së Kosovës me duar të pastra, ka ndjekur një kurs të pandërprerë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe nuk ka bërë kompromise me interesat kriminale të cilat për më shumë se dy dekada e kanë dominuar jetën politike dhe ekonomike të vendit.
Në politikën e jashtme, Lëvizja Vetëvendosje dhe lidershipi institucional i Kosovës, gjatë pesë viteve të mandatit të plotë, kanë sfiduar hapur përpjekjet e entiteteve armiqësore jashtë Kosovës për ta nënshtruar vendin ndaj vullnetit politik të agresionit të Serbisë. Ky presion ka qenë i orkestruar, i vazhdueshëm dhe i mbështetur nga struktura politike, ekonomike dhe mediatike brenda Kosovës.
Atmosfera që kam vëzhguar në terren gjatë ditës së zgjedhjeve ka qenë qartësisht pro lidershipit aktual të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Pritshmëritë e qytetarëve kanë qenë që kjo qeverisje të vazhdojë edhe për një mandat tjetër, duke formuar institucionet pa pengesa artificiale politike. Sot është e qartë se këto pritshmëri janë materializuar dhe se vendi po hyn në një fazë të re stabiliteti qeverisës.
Partitë opozitare mbajnë përgjegjësi direkte për bllokimin institucional që e çoi Kosovën në zgjedhje të dyta parlamentare brenda një viti. Edhe pse kanë ndryshuar figurat e tyre publike, ato nuk janë reformuar në përmbajtje. Nuk janë distancuar nga e kaluara kriminale, nuk janë shkëputur nga bashkëpunimi dhe financimi i entiteteve kriminale dhe nuk janë distancuar nga mediat që kanë orkestruar një narrativë pro agresionit të Serbisë dhe kundër besimit të qytetarëve në institucionet e Republikës së Kosovës.
Sa i përket pakicave, numri i deputetëve të tyre është i garantuar me Kushtetutë. Megjithatë, në rastin e Listës Serbe janë vëzhguar dhe dokumentuar shkelje serioze të ligjeve të procesit zgjedhor. Ka pasur mobilizim të organizuar të elektoratit përpara zyrave të kësaj partie, instruksione direkte se si duhet votuar dhe marshim të përbashkët drejt qendrave të votimit. Kjo praktikë përbën shkelje të rëndë të ligjit dhe një formë presioni politik të tipit diktatorial, të ngjashme me metodat që Beogradi i ka aplikuar historikisht. Institucionet e Republikës së Kosovës duhet të kërkojnë llogaridhënie për këto shkelje.
Është e qartë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk do të formonte asnjëherë qeveri me Listën Serbe. Kjo parti është e telekomanduar nga Beogradi dhe ka qenë e përfshirë në orkestrimin e një formacioni të armatosur që në shtator të vitit 2023 tentoi aneksimin e veriut të Kosovës, operacion gjatë të cilit u vra edhe polici Afrim Bunjaku. Çdo bashkëpunim me këtë strukturë do të ishte cenim i drejtpërdrejtë i sovranitetit të Kosovës.
Sa i përket opozitës, nuk do të ishte aspak befasuese nëse disa prej këtyre partive do të tentonin të formonin qeveri me Listën Serbe. Këto janë të njëjtat parti që për dymbëdhjetë vjet e kanë fuqizuar këtë mekanizëm politik të Beogradit, i kanë dhënë kontrata multimilionëshe kompanive të lidhura me Milan Radoiçiqin dhe e kanë normalizuar bashkëpunimin me struktura kriminale që kanë vepruar kundër interesave të Kosovës.
Asnjë nga partitë opozitare nuk është e afërt me konceptin politik dhe ideologjik të Lëvizjes Vetëvendosje. Rasti i Bedri Hamzës është ilustrues. Edhe pse ka deklaruar se nuk ka vija të kuqe për koalicione, fushata e tij ka nisur me gënjeshtra të verifikueshme publikisht, përfshirë pretendime për takime me zyrtarë të lartë amerikanë që nuk kanë ekzistuar. Premtimet ekonomike të bëra, si rritje e mirëqenies përmes heqjes së TVSH-së, kanë qenë pa asnjë bazë reale financiare dhe nuk mund të trajtohen si oferta serioze qeverisëse.
Po ashtu, duhet theksuar se Lëvizja Vetëvendosje ka ndërmarrë hapa konkretë për mbrojtjen e qytetarëve nga krizat ekonomike, përfshirë Ligjin për çmimet tavan për produktet elementare dhe energjinë elektrike. Ky ligj u bllokua qëllimisht nga Lidhja Demokratike e Kosovës përmes Gjykatës Kushtetuese, vetëm për të pamundësuar realizimin e premtimeve zgjedhore të qeverisë1.
Dallimi mes figurave opozitare si Hamza dhe Krasniqi është kryesisht në gjuhën e komunikimit, jo në përmbajtje. Njëri përdor një gjuhë më të qytetëruar, tjetri një gjuhë armiqësore dhe të papranueshme për debatin publik, por asnjëri nuk është distancuar realisht nga e kaluara kriminale e partive që përfaqësojnë. Pa këtë distancim, nuk mund të ketë besueshmëri dhe as shpresë për një pluralizëm politik cilësor.
Nëse rezultati përfundimtar konfirmon mbi 51 për qind për Lëvizjen Vetëvendosje, atëherë edhe zgjedhja e Presidentit të ardhshëm të Republikës së Kosovës nuk do të përbëjë problem institucional. Manovrimet e mëparshme politike të Albin Kurtit janë bërë për t’i demaskuar realisht bllokuesit e institucioneve, duke dëshmuar se problemi nuk ka qenë kurrë ai personalisht, por përpjekja e strukturave të lidhura me interesat e Serbisë për ta mbajtur Kosovën peng.
Është dëshmuar qartë se kryeministri Kurti ka pasur vullnet politik për të ndërtuar koalicione bashkëqeverisëse me të gjitha partitë opozitare, përfshirë edhe ato më të vogla. Refuzimi ka ardhur gjithmonë nga pala tjetër. Opozita ka zgjedhur ose një qeverisje që nuk e lufton krimin dhe nuk e sfidon Serbinë, ose bllokimin e plotë të institucioneve. Këtë e kemi parë për dhjetë muaj rresht.
Sot, Kosova ka folur. Vota qytetare ka konfirmuar se shumica e qytetarëve mbështesin një qeverisje që mbron sovranitetin, lufton korrupsionin dhe nuk negocion me krimin. Ky mandat i ri nuk është thjesht vazhdimësi politike. Është një akt demokratik i qartë kundër kapjes së shtetit dhe kundër ndikimit të Serbisë brenda Kosovës.
Teatri i Kriminelëve me Kravata
Buka kushton më shumë se e vërteta. Dhe dinjiteti, më pak se një makiato. Kjo nuk është ekonomi, është mizori e organizuar nga kriminelët me kravata. — Kronika B Kritikë.


