Kultura si Pretekst për Përndjekje
Një projekt i kryer me sukses u përdor si armë. Jo pse dështoi, por pse autori i tij nuk përkulet para krimit.
Në të ftohtin e Londrës, larg zhurmës së Prishtinës, ku gjuha përdridhet lehtë ndërsa hakmarrja merr formë institucioni, unë kam qëndruar, i ndarë nga toka që më rriti, për më shumë se një dekadë. Në sytë e dikujt, kjo mungesë do të ngjante si harresë. Por për mua, ajo ishte vetëdijshëm zgjedhje për të mos u kthyer në një vend që më tradhtoi, jo nga populli, por nga një sistem që duhej të më mbronte, e përkundrazi, më përndoqi.
Në vitin 2012, Kosova më pa për herë të fundit si qytetar dhe gazetar. Pas konfliktit profesional me entitete të krimit të organizuar, që ishin synim i hulumtimeve të mia gazetareske dhe dhunës së ushtruar nga ana e policisë në përpjekje për të më shuar profesionalisht, vendosa të kërkoj drejtësi përmes gjykatës. Ishte një betejë e rrezikshme: kriminelë që më kërcënonin me jetë dhe një shtet që i mbyllte sytë. Në vitin 2015, u betova të mos kthehesha më.
Vendosa të ndërtoja jetën sërish. Londra më ofroi një strehë të ftohtë, por të drejtë. Nga aty vazhdova punën në median britanike dhe përmirësova mjeshtërinë time në universitetet e saj. U ktheva në fushëbeteja, në vijat e para të raportimit mbi konfliktet, aty ku gazetaria rri e zhveshur nga propaganda dhe vetëm ndershmëria e shpëton.
Projekti që i tronditi strukturat kriminale
Dëgjova për një thirrje publike të Ministrisë së Kulturës në Kosovë1. Ajo kërkonte propozime për projekte në art dhe kulturë. Mendova të ndërtoja një cikël fotografish dokumentare që do të ruanin përmes objektivit tim të pathyeshëm kostumet tradicionale të etnive që jetojnë në Kosovë. Një projekt për të mbrojtur kujtesën kolektive, për ta ngrirë në kohë bukurinë që po avullon nga përditshmëria2.

Kërkova 20,000 euro. Më dhanë vetëm 10,500, një shifër që m’u tha se ishte për shkak se nuk kisha aplikuar asnjëherë më parë në projekte të financuara nga shteti. Fillimisht hezitova. Por nga vetë zyrtarët e Ministrisë më erdhi një sugjerim: shkurtoje projektin, realizo vetëm një pjesë, dhe më pas do të shohim. Kjo ishte një “provë” e paofruar zyrtarisht në kontratë, por e nënkuptuar.
E riorganizova projektin, e përgatita buxhetin, nënshkruam kontratën në gusht të vitit 2023. Më premtuan se pagesa do të bëhej brenda tri javëve. U nisa në punë me fondet e mia, i besova fjalës së nënshkruar. Kaluan javë, e më pas muaj. Në shtator 2023, projektin e kisha përfunduar. Por nuk e dorëzova, sepse paratë nuk më ishin transferuar ende.
Në dhjetor, më kërkuan raportet financiare për të përmbyllur vitin fiskal. U thashë se nuk mund të dorëzoj asnjë dokument pa u bërë pagesa. Vetëm atëherë, përmes një shtytjeje që duket se ishte më shumë presion se mirëkuptim, u krye pagesa. Kur fondet u transferuan, dorëzova raportet dhe shpjegova se post-produksioni nuk ishte bërë për shkak të vonesës së tyre. Premtova se do e përfundoja punën deri në qershor 2024. Dhe e bëra.

Fushata e baltosjes: Pse tani?
Ndërkohë, në anën tjetër të arenës publike, Berat Buzhala, një figurë e lidhur me entitete kriminale dhe, siç e tregojnë hulumtimet e mia të vitit 2023 të botuara në 20243, me individë të përfshirë në lista të zeza nga Qeveria Amerikane4, nisi një fushatë shpifjeje kundër meje. Akuza se “mora paratë dhe nuk bëra punën5” është një mashtrim i ndyrë, i nxitur nga frika dhe hakmarrja.
Unë nuk isha më thjesht një fotograf që raportonte për artin dhe kulturën. Por, po i gjurmoja lidhjet e tij me krimin e organizuar, një rrjet që shtrihet përtej kufijve të Kosovës dhe përfshin emra të përmendur edhe nga strukturat amerikane të sigurisë. Pas ekspozimit të lidhjeve të tij me individë të sanksionuar, Buzhala publikoi një video shpifëse6. Më pas, pas një artikulli tjetër ku lidhet emri i tij me shërbimin sekret serb përmes një figure publike të njohur7, RT dhe Pravda më sulmuan8 me të njëjtën narrativë të ndërtuar mbi gënjeshtra nga Berat Buzhala9.
Një rrugë e vështirë, por e drejtë
Ky nuk është vetëm një tregim personal. Është një shembull i qartë i mënyrës se si pushteti, krimi dhe propaganda mund të bashkëpunojnë për të rrënuar një individ që nuk u nënshtrohet.
Po, e mora një grant publik. Po, e realizova projektin. Po, raportova për çdo qindarkë të shpenzuar. Dhe po, investigova ata që u ndien të kërcënuar nga e vërteta dhe ekzistenca ime si gazetar i lirë.
Në një shoqëri ku historia përdridhet si letër e lagur dhe e vërteta fshihet nën pluhurin e narrativave të sajuara, unë zgjedh të mos hesht. Jo vetëm për mua, por për gazetarinë që mbijeton në buzë të greminës, për të drejtën që ende guxon të kërkohet, dhe për Kosovën që duhet ta dojë të vërtetën edhe kur ajo dhemb.
I dashur lexues, nëse vlerësoni përpjekjet e mia për të mbrojtur të drejtën tuaj për informim dhe të ardhmen e vendit tonë, ju ftoj të më mbështesni me aq sa mundeni.
Mund të bëni një donacion ose të abonoheni me pagesë €5 në muaj. Çdo kontribut juaj është një gur-themeli për të vazhduar të raportoj ndershmërisht dhe të hedh dritë mbi çështjet që kanë rëndësi për të gjithë ne.
Gazetaria e pavarur ka nevojë për mbështetjen tuaj për të mbrojtur sigurinë kombëtare, etikën e gazetarit dhe cilësinë e të raportuarit dhe integritetin tonë si komb.
Faleminderit që besoni dhe përkrahni këtë kauzë!
Thirrja Publike e MKRS-së — Archive.org.
Projekti i Kompletuar — VX Pictures.
Ndërveprimi Kompleks i Ndikimit të Medias dhe Fuqisë Politike në Kosovë
Berat Buzhala, i lidhur ngushtë me politikën dhe krimin e organizuar, mbetet figurë kontroverse në peizazhin mediatik dhe politik të Kosovës. — Kronikat e një Hetimi.
Berat Buzhala, Listat e Zeza të SHBA-së dhe Kërcënimi i Sigurisë Kombëtare
Lidhjet e Berat Buzhalës me figura të sanksionuara nga SHBA, si Grubi dhe Veselinoviq, zbulojnë një rrjet të rrezikshëm manipulimi mediatik dhe kërcënimesh për sigurinë kombëtare të Kosovës.— Kronikat e një Hetimi.
Vudi Xhymshiti i mori 10 mijë e 500 euro për fotografi që s'i bëri kurrë, Ministria e Kulturës nuk tregon as pse — NACIONALE.
Profil: Vudi Xhymshiqit, idioti i dobishem i pushtetit — NACIONALE YouTube.
Provokatori i Veriut: Arsenijevic Orkestron Përleshje të Reja, Buzhala e Mbështet Atë
Në Mitrovicën e Veriut, një incident i ri me Aleksandar Arsenijevic ndezi tensionet etnike, duke përplasur mbështetësit dhe autoritetet, ndërsa Berat Buzhala mbrojti të drejtën e tij për protestë. — Vëzhgimi mbi Median.
Aleanca për Shkatërrimin e Gazetarisë në Kosovë quhet Berat Buzhala dhe Rusia Today
Gazetaria nuk është thjesht një profesion. Është një betim ndaj së vërtetës. Dhe ky betim nuk mund të thyhet nga asnjë makineri propagande, sado e sofistikuar të jetë. — Vëzhgimi mbi Median.
Një Gazetar, Një e Vërtetë dhe Frika e Kremlinit
Russia Today lëshoi një sulm të ulët propagandistik ndaj meje, duke më përqeshur publikisht. Frika e tyre? E vërteta që zbuloj dhe fuqia e një gazetari të pavarur. — Vëzhgimi mbi Median.


