Kur Gazetaria Zëvendësohet me Linçim Digjital
Pas publikimit të videos së tij, Vehbi Kajtazi reagoi jo me fakte, por me një listë të rreme “spiunazhi”, duke synuar diskreditim personal, dhe duke treguar se nuk është i aftë për debat.
Sot nuk reagova nga emocioni, por nga përgjegjësia. Dhe gjithçka nisi jo nga një listë, por nga një video1. Një video e vjetër, publike, e dokumentuar, ku Vehbi Kajtazi, vite më parë, në studio televizive, pa asnjë vendim gjykate, pa asnjë aktgjykim, deklaron se pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, dhe se kjo gjykatë nuk ka kuptim nëse nuk e akuzon Hashim Thaçin. Fjalë të rënda, të thëna me lehtësi, të hedhura në eter si aktakuzë morale, jo si analizë gazetarie.
Sot, në 9 shkurt 2026, kur Prokuroria e Dhomave të Specializuara në Hagë kërkoi dënime deri në 45 vjet burg për Hashim Thaçin dhe të tjerët2, ende pa vendim gjykate, Vehbi Kajtazi publikoi një status krejt tjetër3. Një status i ftohtë, teknik, thuajse i larë nga çdo përgjegjësi morale. Pa pathos, pa akuzë direkte, pa atë siguri që kishte dikur në studio. Dy qëndrime publike që nuk përputhen. Dy narrativa që nuk bashkëjetojnë. Një kontradiktë e pastër.

Unë bëra vetëm një gjë. I vura përballë. Nxora videon e vjetër. E krahasova me postimin e sotëm. Ia ktheva publikut fjalët e tij. Asgjë më shumë. Asnjë interpretim. Asnjë shtrembërim. Vetëm citim dhe kronologji.
Dhe pikërisht pas kësaj, erdhi reagimi i Kajtazit.
Jo një debat. Jo një sqarim. Jo një kundër-argument ndaj asaj që e kisha postuar. Por një listë. Një listë e vitit 2012, e nxjerrë nga arkivat e errëta të manipulimit, ku figuron edhe emri im ligjor4. Një listë e shoqëruar me insinuata për spiunazh. Një listë e hedhur në qarkullim jo për të informuar, por për të ndëshkuar. Jo për të sqaruar, por për të përbaltuar.
Më keq akoma, ai u bëri thirrje satelitëve të tij digjitalë që ta shpërndanin këtë listë nën postimet e mia, si përgjigje kolektive, si linçim publik, si mesazh. Ky nuk është reagim spontan. Kjo është taktikë. Kjo është metodë.
Publikimi i kësaj liste pa asnjë kontekst, pa burim dhe pa verifikim nuk është rastësi. Sipas burimeve tona, kjo metodë ndjek një praktikë të njohur presioni ekonomik, ku bizneset në Kosovë kontaktohen fillimisht për hapësirë marketingu në portalin ‘Paparaci’. Kur refuzojnë për arsye buxheti, përballen më pas me ‘interesim gazetaresk’ për çështje komprometuese, me nënkuptimin se reklama do të mbyllte interesimin editorial për tregimin e dyshuar skandaloz. Lista u publikua pikërisht në këtë logjikë presioni, si paralajmërim dhe sinjal, jo si informacion. Kjo nuk është gazetari. Është shantazh i maskuar si lajm.



Çfarë është realisht ajo listë?
Ajo nuk është listë5 e ndonjë agjencie spiunazhi. Nuk ka qenë kurrë. Ajo lidhet me një organizatë joqeveritare shqiptare, që në vitet 2010-2014 punonte në kërkimin e personave të zhdukur nga familjet. Një punë humane, e dhimbshme, publike. Kjo organizatë bashkëpunonte me projekte mediatike të njohura, përfshirë edhe emisionin “Njerëz të Humbur” në Klan TV në Shqipëri 2008-2014.
Në vitin 2011, mua më ishte kërkuar ndihma profesionale, si gazetar dhe reporter ndërkombëtar. Si çdo proces administrativ, më është kërkuar kopje pasaporte dhe të dhëna identifikuese për arsye kontraktuale. Kam pranuar të ndihmoj në parim, por nuk kam marrë asnjë detyrë konkrete. Nuk kam kryer asnjë angazhim. Nuk kam marrë asnjë pagesë. Puna ime në raportimin nga konfliktet e armatosura nuk ma lejoi as kohën, as hapësirën për përfshirje tjetër.
Ta shndërrosh këtë në “spiunazh” është gënjeshtër. Ta shndërrosh humanizmin në tradhti është manipulim. Ta shndërrosh procedurën administrative në komplot është keqdashje

Por kjo nuk është hera e parë që Kajtazi bënë diçka të tillë.
Pas vitit 2015, unë dhe kolegia ime italiane hulumtuam dhe ekspozuam një operacion skandaloz mediatik mbi “terrorizmin” në Kosovë. Një operacion ku familje të të rinjve u terrorizuan, u stigmatizuan, u linçuan publikisht. Ku emra u botuan pa prova. Ku fotografi propagandistike të rrjeteve terroriste u përdorën si gjoja dëshmi. Ku fëmijë u shndërruan në tituj. Ku prindër u shndërruan në armiq të shoqërisë.
Këtë e publikuam në Der Spiegel të Gjermanisë. Me fakte. Me dokumente. Me dëshmi. Me verifikime.
Në të njëjtën linjë hulumtuese, një vit më vonë, në vitin 2015, unë i kam botuar këto reportazhe edhe në gjuhën shqipe, duke i sjellë për publikun vendor të njëjtat fakte, të njëjtat dëshmi dhe të njëjtat pyetje morale që i kishim ngritur më herët në raportimin ndërkombëtar. Në këto shkrime dokumentohet në detaje mënyra se si Vehbi Kajtazi kishte trajtuar një familje konkrete, duke i ekspozuar publikisht, duke përdorur fotografi të rreme propagandistike dhe duke ndërtuar akuza që më pas u rrëzuan nga faktet. Lexuesit që duan ta kuptojnë thellësisht se si funksiononte ky mekanizëm linçimi mediatik, mund të lexojnë atë pjesë të dokumentuar të serisë, ku çdo pretendim mbështetet në prova dhe verifikim6.
Pas asaj pune, i njëjti Kajtazi e kishte përdorur edhe atëhere këtë dokument për të më akuzuar mua personalisht, duke ndërtuar një narrativë delirante se unë paskam qenë “spiun”. Jo për ta mbrojtur të vërtetën, por për ta mbuluar ekspozimin e tij.
Kjo nuk është gazetari. Gazetaria kërkon verifikim, distancë, përgjegjësi. Kjo është goditje me porosi. Është përdorim i materialeve të rreme. Është ndërtim frike. Është atentat reputacional.
Një gazetar që përdor lista të paverifikuara, që hedh akuza pa aktgjykime, që nxit turmën kundër individit, që manipulon dhimbjen e familjeve dhe tragjedinë e luftës për kapital personal, nuk është gazetar. Ai është veçse një instrument. Një ekzekutues narrativash. Një hitman mediatik.
Dhe sot, kjo u pa qartë. Jo nga ajo që ai tha. Por nga ajo që bëri pasi u ekspozua.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së - Prokuroria kërkon nga 45 vjet burg për secilin — Kallxo.com
Sipas analizës editoriale të Kronikave të Barutit, lista e publikuar nga z. Vehbi Kajtazi nuk përbën dokument zyrtar të asnjë institucioni shtetëror apo agjencie inteligjence, nuk shoqërohet me burim të verifikueshëm dhe nuk mbështetet në asnjë aktgjykim apo procedurë ligjore. Bazuar në verifikimet tona, ajo listë është e fabrikuar dhe është përdorur jashtë çdo konteksti faktik, me qëllim ndërtimin e insinuatave personale dhe jo informimin e publikut.
Kosova e Terrorizuar - ‘Prindërit, Mediat dhe Shteti’ (4/6) — The GPC Revista.




Z. Kajtazi mbas deklaratave te me hershme kunder UÇK dhe HTH tani esht ne hall te madh.