Kur kampi i Thaçit e braktis operatorin e vet
Kur Nasim Haradinaj tha “ti po rren” në Kanal 10, ai s’akuzoi një kundërshtar, por e çmontoi Milaim Zekën, duke i kthyer burimet në barrë publike brenda ekranit televiziv.
Më 9 shkurt, në një studio1 që zakonisht ushqehet me mjegull, ndodhi një çarje e rrallë. Jo sepse publiku mori papritur një të vërtetë të plotë. Por sepse një njeri që e mban veten si gazetar e që në fakt është operator politik (i lidhur me rrjetet kriminale siç sugjerojnë gjetjet tona hulumtuese2), Milaim Zeka, u detyrua të përballet me një fakt më të rrezikshëm se çdo akuzë. Me mosbesimin e kampit që ai pretendon se e mbron.
Në “Politiko me Kushtrim Sadikun” në Kanal 10, Zeka hyri si zakonisht me fjalinë e prerë, me tonin e atij që do t’i shpërndajë rolet para se të nisë shfaqja.
“Ti as ni informatë me shkrim pos qasaj se ka thon tezaku ti për mu nuk e ki.” Ai nuk kërkoi prova për të kuptuar. Ai kërkoi prova për t’ia mbyllur gojën Haradinajt. E pastaj e nguli gozhdën e tij të vjetër. “E asnjo, absolut rren osht.”
Këtu nis kthesa. Sepse përballë tij nuk ishte një kundërshtar i zakonshëm, as ndonjë kritik i Thaçit që Zeka e njeh mirë si t’i lyen titujt me fjalën “tradhti”. Ishte Nasim Haradinaj, i cili në këtë rrëfim del si një besnik i hapur i Hashim Thaçit, pra si një njeri që, në logjikën e Zekës, duhet të ishte aleat. Dhe pikërisht ky aleat e shpoi teatrin me thikën më të thjeshtë, me fjalën që në Prishtinë e vret më shpejt se dosja.
“Jo Milaim rren je ti, ti je ka rren Milaim.”
Zeka u përpoq ta kthejë debatin në një lojë të vjetër, ku ai i zgjedh rregullat dhe pastaj bën sikur i zbaton. “Degjo, mfal une po thom.” Por Nasimi nuk po fliste për etikë debati. Ai po fliste për një proces, për gjurmë, për një zinxhir që shkon përtej studios.
“Se deklarata jote komplet osht në qet proces.” Dhe kur Zeka u hodh me instinktin e mohimit total, “Kurr n’jet”, Nasimi e bëri edhe më të rëndë. “Telefonatat tua komplet jon, komplet jon, komplet jon telefonatat.”
Këto fjali, të thëna në atë dialekt të pa lëmuar të së përditshmes, bartin një domethënie të ftohtë institucionale. Zeka, që në publik e ndërton veten si njeriu i zëshëm i “burimeve”, u vu në vendin ku burimet kthehen në barrë. Zeka pyeti “Telefonatat me kan, me kan?” si të donte ta zvogëlojë akuzën në një detaj teknik. Por Nasimi e shtriu akuzën si hartë. “Komplet burime tua, që ti i ke fol komplet.” Kur Zeka u kap pas pyetjes “Cilat burime?”, përgjigjja ishte po aq kërcënuese sa edhe e ftohtë. “Maje n’men, tash i sheh.”
Në atë çast, ajo që po ndodhte nuk ishte thjesht një grindje televizive. Ishte një sinjal brenda kampit. Një besnik i Thaçit po i thoshte publikisht Zekës se ai nuk është duke e mbrojtur askënd, se ai është duke e shtyrë një narrativë që mund të kthehet si boomerang në vetë trupin e atyre që Zeka pretendon se i mbron. Dhe kjo është arsyeja pse ky episod ka peshë më të madhe se një debat me zëra të lartë. Sepse është hera e rrallë kur një figurë e rreshtuar pranë Thaçit, jo nga llogaria e përkohshme por nga besnikëria, e pranon në sy të publikut se Zeka nuk është i besueshëm.
Nasimi e lidhi këtë mosbesim me një frikë konkrete. Ai foli për citime, për mënyrën si fjalët e hedhura në ajër ushqehen nga prokuroria dhe kthehen në instrument.
“Kan nis mi citu.. n’bazë t’ktij e n’bazë të k’tij.”
Në thelb, ai po e thoshte këtë. Kur një operator si Zeka e shndërron një proces të ndjeshëm në fushë loje, ai nuk e djeg vetëm reputacionin e tij. Ai e djeg terrenin e të akuzuarve. Dhe pastaj e solli skenarin që e bën edhe më të frikshëm për njerëzit e Thaçit. Ai përmendi mundësinë që, edhe nëse nuk ka dënime, arsyetimi i gjykatës mund të hapë emra, të nxjerrë rrëfime, të lërë gjurmë që kurrë më nuk mbyllen.
“Kan me thon n’bazë t’ktij, e t’ktij, e t’ktij, edhe kan mju dal emnat.”
Kjo është pika ku rrëfimi i Zekës, ai patriotizmi i tij i zëshëm3, kthehet në një rrezik për vetë kampin që ai e përdor si mburojë. Sepse një besnik i Thaçit, në mes të ekranit, po i thotë se lojërat e tij mund t’i nxjerrin emrat. Dhe kur kampi yt ka frikë nga emrat që dalin, atëherë ti nuk je më mburojë. Je thikë që rri gabimisht në brez.
Kjo përplasje nuk ra nga qielli. Ajo u përgatit gjatë, në mënyrën si Zeka ka operuar prej vitesh. Redaksia jonë në Londër e ka përshkruar këtë model si një prodhim i pandërprerë i gënjeshtrës, ku fjalët hidhen për t’i turbulluar faktet, për ta zhvendosur vëmendjen, për t’i mbuluar gjurmët. Dhe kur gjurmët dalin, Zeka e ndryshon tonin, e ndryshon flamurin, e shpesh here e ndryshon edhe armikun.
Në prill 2025, në serinë e gjetjeve tona hulumtuese artikullin ku e ekspozojmë veprimtarinë e operacioneve politike të Zekës të emëruar “Një Gazetar, një Ndërmjetës dhe një Mjeshtër i Manipulimit”, ai shfaqet si njeri që lëviz mes medias dhe operacionit, mes pretendimit për sinjalizim dhe dyshimit për dezinformim, i lidhur me figura Halit Sahitaj dhe Fatmir Sheholli ndër të tjerë të komprometuar që përmenden si nyje rrjetesh. Në nëntor 2025, në tregimin tonë “Kush po e torturon Milaim Zekën?4”, ne e përshkruajmë atë si njeri që doli i maskuar në ekran, jo si simbol i kurajos, por si shenjë e frikës, ndërsa burimet tona flisnin për dhunë dhe presion. Këto janë rrëfime të rënda dhe kërkojnë standardin më të lartë të provës. Por edhe pa hyrë në detaje, një gjë del si vijë e kuqe. Zeka shfaqet si njeri që ka luajtur në një zonë gri ku askush nuk të mbron përjetë, ku “miqtë” ndryshojnë sipas nevojës, dhe ku loja, herët a vonë, të kërkon llogari.
Pastaj vjen 23 janari 2026, “Letra që e fundos patriotin e zëshëm Milaim Zeka”5, ku ne vendosim përpara publikut paradoksin e tij më të madh. Njeriu që e quan tradhti Hagën, i shkruan Hagës6.
Njeriu që i shpall të tjerët tradhtarë sepse “qëndrojnë pas Dhomave”, i ofrohet vetë një institucioni që e ka quajtur “instrument kundër UÇK-së”.
Dhe kur një njeri bën dy gjëra që e përjashtojnë njëra tjetrën, ai zakonisht nuk po e kërkon të vërtetën. Ai po kërkon dalje.
Në këtë sfond, 9 shkurti është dita kur dalja e Zekës u bllokua në publik nga një njeri që, paradoksalisht, nuk i intereson ta rrëzojë Thaçin, por t’i mbrojë kufijtë e narrativës së tij. Nasim Haradinaj, duke i thënë “rren je ti”, në fakt po thoshte më shumë se kaq. Po thoshte se Zeka nuk është më i besueshëm as si vegël. Se është bërë i paparashikueshëm. Se mund të jetë duke shitur tym atje ku kërkohet heshtje. Se mund të jetë duke folur për të krijuar zhurmë, ndërkohë që dikush tjetër i numëron pasojat.
Dhe kur Zeka, në fund, pranon vetëm këtë, “Ani i shohim more”, ai nuk po tregon sfidë. Po tregon varësi. Sepse operatori i vërtetë nuk pret t’ia tregojnë burimet në ekran. Ai i kontrollon në prapaskenë. Kur ai thotë “i shoh”, ai po pranon se dikush tjetër mban çelësat e kasafortës për të.
Ky është momenti ku maskat bien, jo sepse dikush u bë i ndershëm, por sepse frika e prish aleancën. Dhe në Kosovë, frika është valuta më e fortë. Një njeri si Zeka e ndërton karrierën duke e shitur frikën si patriotizëm. Por kur besnikët e Thaçit fillojnë ta shohin atë si rrezik, atëherë frika ndryshon drejtim. Ajo nuk shitet më. Ajo të blenë ty.
Në këtë kuptim, 9 shkurti është më pak një debat dhe më shumë një akt identifikimi. Një besnik i Thaçit po e shënjon publikisht një njeri që pretendon se është “me Thaçin”, si gënjeshtar. Dhe kjo është goditja më e rëndë për një operator. Jo të quhesh armik nga kundërshtarët. Por të quhesh rrenacak nga brenda, nga ata që, për interes ose besnikëri, do të kishin arsye të të mbronin. Ai çast e shkurton rrugën e gënjeshtrës. Sepse tani, pyetja nuk është më çfarë thotë Zeka. Pyetja është pse kampi i tij po e lë të digjet në dritë.
Një Gazetar, një Ndërmjetës dhe një Mjeshtër i Manipulimit
Milaim Zeka: dezinformues i lidhur me krimin dhe shërbimet ruse, që paguhet për të shtrembëruar narrativën e Kosovës për të goditur Tribunalin Kosovar të drejtësisë në Hagë. — Kronika B Hulumtim.
Letra që e fundos patriotin e zëshëm Milaim Zeka
Hashim Thaçi e votoi Gjykatën Speciale dhe quajti kundërshtarët e saj tradhtarë. Zeka e quan tradhti Hagën, por e kishte dorëzuar një rrëfim personal në Hagë. Ne e kemi dokumentin që e dëshmon atë. — Kronika B Hulumtim.
Kush po e torturon Milaim Zekën? Fijet çojnë te njerëzit e Hashim Thaçit
Milaim Zeka doli në ekran i maskuar, por burimet tona thonë se njerëzit e Hashim Thaçit e kanë rrahur brutalisht dy herë, për shkak të dëshmive të tij në Hagë kundër tij. — Kronika B Hulumtim.
Letra që e fundos patriotin e zëshëm Milaim Zeka
Hashim Thaçi e votoi Gjykatën Speciale dhe quajti kundërshtarët e saj tradhtarë. Zeka e quan tradhti Hagën, por e kishte dorëzuar një rrëfim personal në Hagë. Ne e kemi dokumentin që e dëshmon atë. — Kronika B Hulumtim.


