Maduro mes gjykatës dhe realpolitikës
Kur diplomacia dështon fuqia flet dhe rasti Maduro shënon një moment ku Amerika vendosi se pritja ishte më e rrezikshme se ndërhyrja.
Mbrëmë isha i ftuar në MCN TV Albania në edicionin e lajmeve1. Në studio u zhvillua një bisedë e gjatë dhe e drejtpërdrejtë mbi një nga zhvillimet më të debatueshme të politikës ndërkombëtare kapjen e presidentit të Venezuelës Nikolas Maduro nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pasojat ligjore e politike të këtij operacioni. Përballë meje në lidhje direkte ishte edhe analisti Erdoan Shipoli ndërsa biseda u moderua nga redaksia e MCN-së.
Që në fillim e vendosa çështjen në kornizën e saj thelbësore. Në lexim strikt të ligjit ndërkombëtar bëhet fjalë për ndërhyrje në një shtet sovran. Por realiteti politik rrallë herë përputhet me idealin normativ. Argumenti amerikan siç reflektohet nga deklaratat zyrtare dhe nga vetë vendimi i administratës Trump është se Venezuela prej vitesh është shndërruar në një shtet të kapur nga kartelat e drogës dhe se eksporti i paligjshëm i narkotikëve drejt SHBA-së, e ka dëmtuar drejtpërdrejt shoqërinë amerikane. Në këtë këndvështrim theksova se edhe regjimi i Maduros ka shkelur ligjin ndërkombëtar duke përdorur sovranitetin si mbulesë për veprimtari kriminale ndërkufitare.
Kur u pyeta nëse kapja e Maduros mund të quhet rrëmbim ushtarak nënvizova se gjithçka varet nga këndi i arsyetimit. Në letër po ka shkelje. Në terren SHBA-të argumentojnë se i kishin shterruar të gjitha mjetet diplomatike dhe se mungesa e vullnetit të regjimit për kompromis bashkë me një konsenzus të heshtur me opozitën venezueliane e bënë operacionin të pashmangshëm. E quajta këtë një akt që në narrativën amerikane përkthehet si çlirim nga një diktaturë shumëvjeçare dhe si masë mbrojtëse për qytetarët amerikanë.
Diskutimi u zgjerua më tej drejt reagimeve ndërkombëtare dhe sidomos atyre rajonale. Krahasova qëndrimin e qartë të Kosovës e cila u rreshtua2 hapur me SHBA-të me reagimin e tërhequr të Tiranës zyrtare. Argumentova se ky neutralitet i Shqipërisë është i çuditshëm vetëm në pamje të parë pasi lidhet me sinkronizimin e politikës së jashtme të Tiranës me Beogradin. Sipas analizës sime si kryeministri Rama ashtu edhe presidenti Vuçiq janë të pakënaqur me kursin e ri të politikës së jashtme të presidentit Trump dhe me refuzimin e Washingtonit për t’i pranuar ata si partnerë të besueshëm për shkak të rolit të tyre destabilizues në Ballkanin Perëndimor.
Në këtë kontekst rikujtova zhvillimet e rënda në veri të Kosovës përfshirë përpjekjen e Serbisë për të krijuar një realitet të ri territorial dhe dështimin e kësaj përpjekjeje falë reagimit të institucioneve të Kosovës. Theksova se propozimet për konferenca paqeje dhe relativizim të agresionit në momente krize që vinin nga Tirana zyrtare, nuk ishin neutralitet por politika që e favorizonin agresorin.
Në fund u ndala edhe te procedura ligjore që pritet të ndjekë rasti i Maduros. Meqenëse ai ndodhet tashmë në territorin amerikan sqarova se do të jetë subjekt i ligjeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Operacioni u krye pikërisht sepse në Venezuelë ishte e pamundur të zhvillohej një proces gjyqësor real. Paralelisht nuk përjashtohet as mundësia e procedurave ndërkombëtare për krime kundër popullit të tij.
Biseda në MCN ishte një pasqyrë e qartë e tensionit mes ligjit dhe realpolitikës mes normës dhe interesit dhe mes rendit ndërkombëtar formal dhe botës reale ku fuqitë veprojnë kur besojnë se nuk kanë më alternativa. Për ata që duan ta ndjekin të plotë diskutimin videoja e intervistës gjendet më poshtë.
Kapja e Maduro-s, Xhymshiti: Çlirim nga diktatura. Shipoli: Politika reale nuk njeh rregulla perfekte (VIDEO) — MCN TV Albania.


