Gjykata e Posaçme në Tiranë e ka caktuar masën e “arrestit shtëpiak” dhe pezullimin nga detyra për drejtoreshën e Shërbimit Informativ të Shtetit Shqiptar, Vlora Hyseni, duke e vendosur në qendër të një hetimi penal një nga zyrtaret që ka pasur qasje në sekretet më të ndjeshme të shtetit shqiptar. Vendimi nr. 67 është marrë më 21 shtator 2026 me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, SPAK, në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025. Në njoftimin e SPAK, Hyseni identifikohet si person nën hetim për veprat e parashikuara nga nenet 320/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal1.
Gjykata ka caktuar gjithashtu “arrest në burg” për një përgjegjës sektori në Institutin e Policisë Shkencore dhe për një punonjës të shoqërisë “Agroturizëm Kodra e Kuajve”. Me vendime të tjera janë autorizuar kontrolli personal dhe i banesës së Ilir Prodës, ish funksionar i lartë i Policisë së Shtetit, si dhe kontrolli i një kompleksi vilash në Shkozet të Durrësit. SPAK bëri të ditur se dy prej tri masave të sigurimit ishin ekzekutuar nga Policia e Shtetit.
Një prej dispozitave të cituara ndaj Hysenit, neni 295/a, e rregullon zbulimin e akteve ose të dhënave sekrete. Kodi Penal parashikon përgjegjësi kur një funksionar publik ose person i ngarkuar me shërbim publik u zbulon personave të tretë të dhëna që ligji i përcakton si sekrete, në kundërshtim me detyrën ose duke i abuzuar me cilësitë e tij. Masa e sigurisë ndaj Hysenit nuk përbën dënim dhe as përcaktim të fajësisë. Hetimi duhet të provojë nëse veprat për të cilat ajo dyshohet janë kryer dhe një gjykatë duhet të vendosë për përgjegjësinë e saj penale2.
Por për KRONIKAT E BARUTIT historia e Vlora Hysenit nuk fillon me aksionin e SPAK të 22 shtatorit.


