Një Deputete që Ngatërron Shtëpinë me Parlamentin
Kosova ngec: dy tentativa për Kryetare dështojnë 57–56–3. Abstenimi i deputetes për arsye personale zbardh klientelizmin. Shteti kërkon pjekuri, jo hakmarrje; institucionet, jo odën sot.
Seanca e fundit konstituive e Kuvendit të Kosovës1, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, dështoi të zgjedhë kryetaren e Kuvendit. Dy kandidatet, Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla, dështuan me të njëjtin rezultat: 57 vota pro, 56 kundër dhe tri abstenime. Në këtë situatë të tensionuar politike, një deputete e Lëvizjes Vetëvendosje doli me një arsyetim të papranueshëm për mosvotim: Shqipe Mehmeti-Selimi deklaroi2 se nuk mund ta mbështeste Donika Gërvallën për shkak të postimeve të saj të vitit 2020 kundër bashkëshortit të saj, Rexhep Selimit.



Ky veprim i Shqipe Selimit është shfaqja më e qartë e mungesës së pjekurisë politike në institucionin më të lartë të vendit. Një deputete nuk është aty për t’i mbyllur hesapet personale, as për të larë plagët e krenarisë familjare. Ajo është aty për të marrë vendime që përcaktojnë rrjedhën e shtetit. Duke e përdorur vendin e saj në Kuvend për të konsumuar një hakmarrje private, Selimi jo vetëm që e ka ulur dinjitetin e saj politik, por e ka sabotuar vetë shtetin.
Ky skandal politik shtron një pyetje edhe më të madhe: pse Lëvizja Vetëvendosje e vendosi Shqipe Selimin në listë për deputete? A ishte kjo meritë personale, profesionale, apo thjesht një shpërblim i heshtur për faktin se është bashkëshortja e ish-shefit të grupit parlamentar, Rexhep Selimit? Nëse përgjigjja anon kah kjo e fundit, atëherë Vetëvendosje ka dështuar jo vetëm në përzgjedhje, por edhe në testin e saj më të madh: ndarjen e politikës nga klientelizmi dhe nepotizmi.
Kosova sot ka nevojë për deputetë që shohin mbi interesin personal3, mbi përfitimet e vogla e mbi mllefin familjar. Ka nevojë për deputetë që sjellin nisma të përbashkëta përtej kufijve partiakë, që kontribuojnë me ligje konkrete dhe që flasin me përgjegjësi për shtetin. Sa nga deputetët e Vetëvendosjes mund të thonë se kanë sjellë një nismë ligjore që nuk mban vetëm vulën e Albin Kurtit apo të një grushti të vogël njerëzish përreth tij? Sa prej tyre janë në Kuvend për të mirën publike dhe sa janë aty për rrogë, për privilegje dhe për të ushqyer ego të brendshme?
Kosova nuk e ka luksin të bllokohet nga marrëzi të tilla. Deputetët nuk janë aty për të shitur kapriçot e tyre, por për të ruajtur funksionalitetin e shtetit. Kur një deputete e ngatërron sallën e Kuvendit me odën e shtëpisë, demokracia dobësohet. Kur një parti i hap rrugë një kandidature të tillë, atëherë është partia që bie në grackën e vet.
Kosova meriton më mirë. Meritën nuk e kanë ata që komprometojnë shtetin për hakmarrje personale, por ata që dinë të gëlltisin edhe të vërtetat e hidhura, të pranojnë edhe kritikat e rënda, dhe të votojnë për shtetin, jo kundër tij.


