NJOFTIM ZYRTAR
GAZETA REPUBLIKA FILLON BOTIMIN E PËRDITSHËM MË 23 NËNTOR 2026
LONDËR, 22 nëntor 2026 - Me kënaqësi ju njoftojmë se gazeta REPUBLIKA, botim i grupit mediatik The Frontline Media Group, me seli në Londër, do të nisë publikimin e përditshëm të lajmeve të hënën, më 23 nëntor 2026.
REPUBLIKA është gazetë e përditshme digjitale, e themeluar për t’u shërbyer qytetarëve të Republikës së Kosovës përmes gazetarisë së pavarur, të saktë dhe të mbështetur në fakte të verifikueshme.
Redaksia jonë do të raportojë mbi zhvillimet politike, institucionale, ekonomike dhe shoqërore që ndikojnë në jetën e qytetarëve. Mbulimi ynë do ta përfshijë politikën, drejtësinë, sigurinë kombëtare, diplomacinë, administratën publike, ekonominë, arsimin, shëndetësinë, të drejtat e njeriut, kulturën, median dhe zhvillimet më të rëndësishme rajonale e ndërkombëtare.
Përtej raportimit të ngjarjeve, REPUBLIKA synon t’u shpjegojë lexuesve pse kanë rëndësi vendimet publike, si ndikojnë ato në jetën e përditshme dhe çfarë përgjegjësie mbajnë institucionet dhe individët që i ushtrojnë pushtet.
Pavarësia editoriale, verifikimi i fakteve, transparenca dhe llogaridhënia janë parimet mbi të cilat do të mbështetet puna jonë.
Gazeta do ta ruajë një ndarje të qartë ndërmjet lajmit, analizës dhe opinionit. Pretendimet do të shqyrtohen në raport me provat, ndërsa gabimet eventuale do të pranohen dhe korrigjohen publikisht.
REPUBLIKA nuk do të jetë instrument i asnjë partie politike, qeverie, grupi ekonomik apo interesi privat.
Një redaksi e re dhe një brez i ri gazetarësh
Aktualisht, jemi duke zhvilluar procesin e njohjes dhe integrimit të gazetarëve dhe praktikantëve tanë të rinj me sistemet redaksionale të Frontline Media Group, procedurat e punës, metodologjinë e hulumtimit, verifikimin e informacionit dhe standardet profesionale të gazetarisë.
Nga 23 nëntori deri më 31 dhjetor 2026, REPUBLIKA do të publikojë lajme çdo ditë, paralelisht me vazhdimin e trajnimeve dhe përgatitjeve organizative.
Kjo periudhë do t’u mundësojë anëtarëve të rinj të redaksisë të fitojnë përvojë praktike, nën mbikëqyrje dhe udhëheqje editoriale.
Nga 1 janari 2027, REPUBLIKA pritet të operojë me 50% të kapacitetit të saj të planifikuar, duke e zgjeruar gradualisht veprimtarinë redaksionale dhe kapacitetet profesionale, me synimin për të arritur funksionalizimin e plotë deri në fund të vitit 2027. Ky proces do të shoqërohet me përfundimin e trajnimeve, integrimin profesional të gazetarëve dhe praktikantëve të saporekrutuar, si dhe konsolidimin e strukturave dhe të standardeve të punës redaksionale.
Një ndër angazhimet tona afatgjata është krijimi i mundësive për studentët dhe të diplomuarit e gazetarisë në Kosovë, të cilët dëshirojnë ta ndërtojnë karrierën e tyre mbi integritetin profesional, mendimin kritik dhe përgjegjësinë ndaj publikut.
Me rastin e fillimit të botimit të përditshëm, Vudi Xhymshiti, themelues, botues dhe kryeredaktor i Frontline Media Group dhe i gazetës REPUBLIKA, shprehet:
“REPUBLIKA nuk po lind për t’ia shtuar Kosovës edhe një zë në zhurmën e përditshme mediatike. Po lind nga bindja se qytetarët e meritojnë një gazetë që nuk ua imponon mendimin, por ua jep informacionin e nevojshëm për të gjykuar vetë” tha ai.
“Ne nuk e kemi ndërmend t’i shërbejmë pushtetit, opozitës apo interesave të atyre që kërkojnë ta shndërrojnë gazetarinë në instrument të ndikimit politik dhe përfitimit ekonomik. Detyrimi ynë është ndaj qytetarit, ndaj së vërtetës dhe ndaj interesit publik”, tha Vudi Xhymshiti, themelues, botues dhe kryeredaktor i Frontline Media Group.
Xhymshiti i bëri këto komente gjatë një takimi në National Liberal Club, në qendër të Londrës, ku u mblodhën anëtarë dhe bashkëpunëtorë të grupit mediatik, përfshirë redaktorin politik Michael Sheppard, për t’i diskutuar detajet e fillimit të botimit të përditshëm të gazetës dhe zhvillimin e redaksisë së saj.
“Dua që gazetarët e rinj, të cilët do të formohen profesionalisht në redaksinë tonë, ta kuptojnë që në ditën e parë se gazetaria nuk është garë për të publikuar i pari, por përgjegjësi për të raportuar saktë. Guximi pa prova nuk mjafton, ndërsa pavarësia nuk është privilegj që ta dhuron dikush, por parim që duhet mbrojtur çdo ditë”, u shpreh ai.
“Kosova ka nevojë për gazetarë që nuk i tremben pushtetit, por që as nuk e ngatërrojnë gazetarinë me armiqësinë politike. Ka nevojë për njerëz që dinë të pyesin, të dëgjojnë, të verifikojnë dhe, mbi të gjitha, të mos e tradhtojnë besimin e lexuesit”, shtoi Xhymshiti.
Faktet nuk janë çështje debati. Ato janë themeli mbi të cilin duhet të qëndrojë gazetaria dhe besimi i qytetarëve në një republikë demokratike.
Ky është zotimi ynë ndaj publikut dhe standardi mbi të cilin do të ndërtohet REPUBLIKA.
Informacion për publikun
Botimi i përditshëm fillon më 23 nëntor 2026 në faqen zyrtare të gazetës.
Një njoftim për shtyp do të publikohet edhe në gjuhën angleze në platformën e The Frontline Media Group.
FRONTLINE MEDIA GROUP
Londër, Mbretëria e Bashkuar
22 nëntor 2026



Pune te mbare e shume suksese ne te ardhmen🤗🇦🇱