Pse U Shkarkua Vokrri, Jo Bislimi?
Një ministër u shkarkua pasi e tha të vërtetën, tjetri jo. A po shndërrohet Lëvizja Vetëvendosje në arenë të klaneve dhe arbitraritetit politik?
Më 24 maj 2025, pata shkruar një shkrim për përjashtimin e Arbër Vokrrit nga detyra si zëvendësministër i Qeverisë së Kosovës1. E pata quajtur atë veprim një kapitullim të qeverisë përballë presionit diplomatik dhe një akt autokratik të Albin Kurtit, i cili, thashë atëherë, kishte zgjedhur të flijojë të vërtetën në emër të një qetësie diplomatike të rreme. Shkrova se nuk ishte e vërteta e Arbër Vokrrit ajo që e rrezikoi Kosovën, por tërheqja e Albin Kurtit prej saj. Dhe e vërteta e thënë qartë, me një zë të matur por të palëkundur, ishte trajtuar si faj. Kjo më shqetësoi, sepse më dukej se zt Kurti kishte hyrë në një terren të rrezikshëm ku guximin për ta thënë të vërtetën e ndëshkonte, ndërsa hipokrizinë e shpërblente.
Por ja ku jemi, vetëm pak ditë më vonë. Më 31 maj 2025, televizioni publik gjerman, Deutsche Welle, transmetoi një intervistë me zëvendëskryeministrin në detyrë dhe kryenegociatorin e Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimin2.
Dhe çfarë tha ai?
Tha, pa u dridhur, se Bashkimi Europian ka qenë i anshëm në procesin e dialogut. Se Serbia nuk i ka përmbushur detyrimet e saj. Se Brukseli ka ushtruar presion ndaj Kosovës dhe ka akomoduar kërkesat e Serbisë. Një deklaratë që, në thelb, është jo vetëm e ngjashme me atë që tha Arbër Vokrri në intervistën e tij për KTV3, por edhe më e qartë dhe më institucionale në theksimin e mungesës së neutralitetit të ndërkombëtarëve.
Dhe ja ku lind pyetja ime e parë: Si ndodh që një zëvendësministër zt Vokrri, shkarkohet për ta thënë një të vërtetë të njohur e të dokumentuar, ndërsa një tjetër, zt Bislimi, jo vetëm që nuk ndëshkohet, por vijon të qëndrojë në detyrë, duke mbajtur një qëndrim të ngjashëm, madje më të artikuluar, në një media ndërkombëtare?
Pse një e vërtetë kur thuhet nga një, quhet fyerje e diplomacisë, e kur thuhet nga tjetri, pranohet si argument shtetëror?
A kemi të bëjmë me matje me dy standarde?
A është kjo shenjë e mungesës së një busulle të qartë në gjykimet politike të Albin Kurtit?
Duke i ballafaquar dy deklaratat, shohim se të dy flasin për të njëjtin realitet. Vokrri tha se strukturat paralele serbe në veri kanë qenë pengesë për integrimin e serbëve lokalë dhe se disa eksponentë ndërkombëtarë kanë lehtësuar, apo të paktën toleruar, këtë situatë. Ai përmendi me emër shefin e misionit të BE-së në Kosovë dhe kritikoi hipokrizinë ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, Bislimi në DW bëri një analizë të hollësishme të asimetrisë së marrëveshjeve të Brukselit dhe theksoi qartazi që BE-ja ka qenë e anshme, ka favorizuar Serbinë dhe ka ushtruar presion ndaj Kosovës.
Asnjë ndryshim thelbësor mes qëndrimeve, përkundrazi, në thelb të njëjtat të vërteta të artikuluara publikisht.
Atëherë lind një mori pyetjesh.
Pse një ministër shkarkohet për të thënë këtë të vërtetë dhe një tjetër jo? A varet e drejta për të folur nga lidhjet personale me kryeministrin? Nga afërsia me grupin që ka marrë kontrollin në Vetëvendosje? A kemi të bëjmë me një lëvizje ku parimet e dikurshme janë zëvendësuar me lojëra klanore? A po pastrohet partia nga zërat e pavarur e të pakontrollueshëm? A po bëhet VV një organizatë ku rregullin nuk e vendosin më idetë e përbashkëta, por interesat e grupeve të brendshme?
Sepse nëse e analizojmë ftohtë, Arbër Vokrri përfaqëson një brez të vjetër të VV-së, atë brez që e ndërtoi këtë parti mbi parime të qarta të transparencës, drejtësisë dhe moskompromisit me të keqen. E sot ai përjashtohet për një të vërtetë që as vetë Qeveria nuk e mohon më, siç dëshmon edhe intervista e Bislimit. A është ky një sinjal se VV është kthyer tashmë në një hapësirë ku zërat kritikë nuk kanë më vend? Ku lojaliteti personal ndaj liderit vlen më shumë se e vërteta? Ku përçarjet e brendshme po shpien në “pastrim” të elementëve të pavarur?
Dhe çfarë thotë kjo për aftësinë e një kryeministri në detyrë për të gjykuar me drejtësi? Si mund të kërkohet besimi i qytetarëve kur për të njëjtën të vërtetë një ministër ndëshkohet dhe tjetri jo? A është ky një shtet ku drejtësia vlen njësoj për të gjithë? Apo kemi hyrë në një epokë të re të arbitraritetit politik, ku vendimet merren sipas humorit të ditës dhe balancave të brendshme të partisë?
Është e drejtë të pyesim: a është VV sot në të drejtën? A mund të pretendojë ende se është forca politike që mbron transparencën dhe të vërtetën? Si mund të jetë kur përjashton një njeri për thënie të pamohueshme dhe, pak ditë më vonë, vetë qeveria e saj thotë të njëjtat gjëra? A kemi të bëjmë me mungesë konsistence politike? Apo me prani të grupeve të brendshme që luftojnë për kontrollin e partisë dhe të shtetit?
A janë këto sinjale të një lufte të brendshme të klaneve? A është VV sot një arenë ku grupet oportuniste kanë marrë frenat dhe janë duke spastruar "gardën e vjetër", njerëzit që e ndërtuan këtë lëvizje në emër të një Kosove më të drejtë dhe më të ndershme? A është partia e kapur tashmë nga ata që e shohin si mjet për karrierë personale dhe jo si ideal për ndryshim shoqëror?
E nëse po, kush janë këta njerëz? Kush po i merr këto vendime? Si janë ndarë balancat e brendshme të pushtetit?
Dhe më e rëndësishmja: a e dinë qytetarët kush po i përfaqëson vërtet sot në Qeveri? A e dinë se cilët janë ata që, në prapaskenë, vendosin kush duhet të heshtë dhe kush lejohet të flasë?
Këto janë pyetje që duhet t’i bëjmë. Dhe ndoshta ka ardhur koha që ne, gazetarët, t’i kthejmë sytë nga këto zhvillime. Sepse këto padrejtësi dhe këto kontradikta janë simptomë e një kalbëzimi të brendshëm, të një sëmundjeje që po shfaqet qartazi. Dhe është detyra jonë ta nxjerrim këtë në dritë. Qytetarët kanë të drejtë të dinë se kush i qeveris, kush po e deformon kauzën për të cilën kanë besuar, kush po i shndërron institucionet në instrumente të interesave të ngushta.
Sepse në fund, e vërteta nuk vdes. Ajo, siç thashë atëherë, është si lumi: edhe kur bllokohet, gjen rrugën për të shpërthyer. Dhe ndoshta ky është momenti për të filluar të gërmojmë më thellë. Për të zbuluar se çfarë po ndodh vërtet brenda partisë që udhëheq sot Kosovën. Kush po flet, kush po heshtet, kush po përjashtohet, kush po ngjitet.
Dhe mbi të gjitha: kush është ende besnik ndaj vlerave dhe kush i ka tradhtuar ato.
Koha do ta tregojë. Por si gazetar, e ndiej detyrim të filloj ta dokumentoj këtë proces. Sepse qytetarët duhet ta dinë. Sepse historia nuk ka nevojë për zbukurime. Ajo duhet të shkruhet. Dhe unë do të shkruaj.
Kryeministri Që U Tërhoq Nga E Vërteta
Kurti nuk e ndëshkoi Vokrrin, por vetë të vërtetën. Dhe kur ndëshkohet e vërteta, nuk është qeverisje. Është frikë. Është kapitullim. — SPOTLIGHT.
Bislimi: Brukseli ka qenë i anshëm në dialogun Kosovë-Serbi
Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh edhe kryenegociator për dialogun me Serbinë, thotë se Kosova nuk ka përfituar nga marrëveshjet e deritanishme të negociuara nga Brukseli. — DW News Shqip.
Aksionet e policisë dhe shtensionimi i situatës në veri - Arbër Vokrri | “60 Minuta” | 22.05.2025 — KTV YouTube.


