Sadri Imeri e prodhon një emision televiziv. Kjo, në vetvete, nuk e bën atë gazetar. As kamera, as mikrofoni, as studioja nuk e zëvendësojnë gazetarinë, njësoj siç një stetoskop nuk të bën mjek. Nga mënyra se si ai ka zgjedhur të komunikojë me mua prej çastit kur redaksia e Kronikave të Barutit i dërgoi disa pyetje krejtësisht profesionale, Imeri ka dhënë vetë një demonstrim shumë më të dobishëm për standardin e tij sesa çfarëdo përshkrimi që mund t’i bëja unë.
Kontakti im i parë me të ishte ky1.
“I nderuar z. Imeri. Unë jam Vudi Xhymshiti, gazetar dhe botues i Kronikave të Barutit. Po ju shkruaj në lidhje me një temë mbi të cilën redaksia jonë është aktualisht duke punuar, dhe gjetjet e së cilës ndodhen në proces verifikimi.”
I kërkova mënyrën e preferuar të komunikimit dhe adresën e emailit. Kaq. As akuzë. As kërcënim. As shantazh. As përfundim paraprak.
Përgjigjja e tij nuk ishte përgjigje ndaj pyetjeve. Ishte një shpërthim.
“Hajde në emision te na kur të duash ti e të kallxojmë sa kemi profesionalizëm”, shkroi ai, përpara se të kalonte te insinuatat se unë “paguhem për këtë shërbim”.
Pastaj erdhi kjo perlë e vetëkontrollit profesional.
“Ti je ma i mençuri dhe i dituri në botë, gjynah që nuk të ka marrë Epstein në ishullin e tij.”
Ky ishte njeriu që, vetëm pak çaste më vonë, do të më jepte leksione për “norma profesionale, intelektuale dhe kombëtare”.
Unë ia refuzova ftesën. I thashë se nuk shkoj në një medium ku, sipas vlerësimit tim profesional, moderatori nuk demonstron kapacitetin gazetaresk që kërkon një përballje serioze, dhe e ngrita konkretisht çështjen e hapësirës që emisioni i tij ia kishte dhënë Fatmir Shehollit.
Sot kjo çështje nuk mund të trajtohet sikur të ishte një grindje mes gazetarësh. Fatmir Sheholli është i akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës për spiunazh dhe shantazh2. Prokuroria pretendon se ai ishte rekrutuar nga BIA dhe se kishte mbledhur e përcjellë informacione për zhvillimet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës. Sheholli është deklaruar i pafajshëm dhe çështja duhet të gjykohet nga gjykata.
Por marrëdhënia publike e Imerit me Shehollin nuk është imagjinatë e imja. Në vitin 2023, vetë Imeri dhe Sheholli realizonin bashkë materiale komike në veri të Mitrovicës, ku Imeri e luante Albin Kurtin dhe Sheholli Goran Rakiqin e Listës Serbe. Pra, kur ngrihen pyetje redaksionale rreth platformës që i është dhënë Shehollit, përgjigjja serioze nuk është “Epstein”, as “Cap”, as “piss mashkull”.
Përgjigjja është arkivi.



Imeri vazhdoi. “Mos e zgjat mos me detyro met blloku, nuk të kemi thirr na.” Vetëm se, pak më parë, më kishte shkruar vetë. “Hajde në emision te na kur të duash.” Kur ia kujtova këtë kundërthënie elementare, përgjigjja ishte edhe më interesante.
“Jo gabim fort. Thash nëse të duket vetja që je fort i ditur siç po të duket hajde dhe e sheh sa je i ditur.”
Pra, më ftoi, pastaj tha se nuk më kishte ftuar, pastaj pranoi se më kishte ftuar, por u përpoq ta riemërtonte ftesën. Kjo nuk është ndonjë enigmë e gazetarisë investigative. Është thjesht një njeri që nuk arrin ta mbajë të njëjtin verzion të bisedës as për disa minuta, ndonëse biseda është e shkruar para syve të tij.
Pastaj erdhi kriteri i tij për gazetarinë. “Nuk ftoj njerëz unë që janë kundër njerëzve që e sollën lirinë tonë.”
Këtu Sadri Imeri e shpjegon vetë problemin më mirë se ç’mund ta shpjegoj unë. Për të, duket se kriteri për pranueshmërinë e një gazetari nuk është saktësia e raportimit, prova, dokumenti apo interesi publik. Është nëse gazetari konsiderohet prej tij “kundër” njerëzve që ai vetë ka zgjedhur t’i mbrojë. Dhe këtu lind një pyetje e pashmangshme. A është Fatmir Sheholli një prej tyre?
Për të mos u mbështetur në hamendësime, ne shkuam te arkivi. Kërkuam të kuptonim jo vetëm se kujt i kishte dhënë hapësirë Sadri Imeri, por edhe cilët njerëz, struktura dhe narrativa kishte mbrojtur publikisht Fatmir Sheholli ndër vite.
Ajo që gjetëm meriton të lexohet me kujdes.



Kjo është e kundërta e gazetarisë. Gazetaria nuk është repart besnikërie. Nuk është komision për shpërndarjen e çertifikatave të patriotizmit. Dhe gazetari nuk ka për detyrë t’i mbrojë figurat publike nga faktet vetëm sepse ato mbështillen me një simbol kombëtar.
Më 12 shtator, gjuha e tij degradoi edhe më tej.
“O dhifq a edhe ti mete me shkru për ne a.” Pastaj. “A din sa herë na ke ba pytje e s’jem përgjigj o Cap.” Pastaj. “Pse u tute e shkove te Nenadi atë dit.” Pastaj. “Ku ishe në kohë lufte, pse nuk erdhe masi e paske dasht Kosovën ma shumë se Rexhep Selimi.”
Kjo është veçanërisht zbuluese. Kur një gazetar kërkon përgjigje për një çështje me interes publik, Imeri nuk pyet se cilat janë dokumentet. Ai pyet ku ke qenë gjatë luftës. Nuk e kundërshton faktin. E kërkon biografinë patriotike të gazetarit. Nuk ofron provë kundër gjetjes. Kërkon ta zhvendosë debatin nga ajo që po hetohet te personi që po e heton atë.
Dhe pastaj shkroi diçka që meriton vëmendje të veçantë. Duke iu referuar materialeve “Leptiri”, Imeri shkroi. “Shumë mirë që i ka publiku dosjet Leptir, sepse ato kanë qenë dhe vazhdojnë me qenë materiale komprometuese kundër Kryeministrit të Kosovës, i kem publiku me kallxu moti.”
Kjo deklaratë tashmë duhet lexuar përballë asaj që ka dalë në aktakuzën ndaj Fatmir Shehollit. Sipas raportimit mbi aktakuzën, dokumenti “Leptiri”, i gjetur në telefonin e Shehollit, përshkruhet si material i hartuar nga strukturat e Sigurimit Shtetëror serb në vitin 2001 dhe si plan operacional për komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit gjatë burgimit të tij në Serbi.
Unë nuk kam nevojë ta shpik asnjë lidhje të Sadri Imerit me BIA-n. Nuk kam nevojë as ta akuzoj për një të tillë. Faktet që i kemi gjetur janë më interesante dhe më të sigurta se insinuata. Ai vetë thotë se kishte publikuar materiale që i konsideronte komprometuese kundër Kryeministrit të Kosovës. Ndërkohë, Prokuroria e Kosovës thotë se materiali përkatës i gjetur te Sheholli ishte produkt i strukturave serbe të sigurisë dhe pjesë e një operacioni për komprometimin e Kurtit. Pyetja gazetareske është e pashmangshme. Çfarë verifikimi kishte bërë Imeri para se materiale të tilla të merrnin jetë publike në platformën e tij? Çfarë dinte për origjinën e tyre? Çfarë standardi editorial përdori? Dhe, pasi origjina e pretenduar e materialit është bërë pjesë e një aktakuze penale, a e ka korrigjuar, shpjeguar apo rivlerësuar publikisht mënyrën se si e kishte trajtuar atë?
Këto janë pyetje. Jo shantazh.
Por Imeri tashmë ka zbuluar një aftësi të çuditshme për t’i riemërtuar pyetjet që nuk i pëlqejnë. Në mesazhet e fundit më shkruan se do të më raportojë dhe se do të më përfshijë “në padi për shantazh dhe ngacmim”. Pastaj shton. “Respekt vazhdo me shantazhu e shpif.”
Por, Imeri e ka vetëm një problem të vogël. Duhet të ekzistojë shantazhi që ta akuzosh dikë për shantazh.
Në komunikimin që unë e disponoj, unë i kam kërkuar Sadri Imerit përgjigje gazetareske. Nuk i kam kërkuar para. Nuk i kam kërkuar favore. Nuk i kam ofruar heshtje në këmbim të ndonjë përfitimi. Nuk i kam vendosur ndonjë kusht për të mos publikuar. Nuk i kam kërkuar asgjë tjetër përveç mundësisë që të përgjigjet ndaj pyetjeve të një redaksie.
Ta quash këtë “shantazh” nuk e shndërron në shantazh. Vetëm e dokumenton se sa larg është i gatshëm të shkojë dikush për të mos iu përgjigjur pyetjes fillestare.
E njëjta gjë vlen për “shpifjen”. Një pyetje gazetareske nuk bëhet shpifje vetëm sepse marrësi ndihet i fyer nga fakti që pyetja ekziston. Raportimi i një aktakuze nuk është shpifje kur statusi juridik paraqitet saktë. Të kërkosh shpjegim për marrëdhënien editoriale me një person tashmë të akuzuar për spiunazh nuk është shpifje. Dhe t’i citosh fjalët që vetë Sadri Imeri m’i ka shkruar nuk është shpifje. Është dokumentim.
Madje ironia është më e trashë. Imeri më kërcënon me padi për “shantazh”, ndërsa Fatmir Sheholli, njeriu të cilit platforma e tij ‘Kojshia Show’ i ka dhënë hapësirë dhe me të cilin ka realizuar edhe materiale publike, është aktualisht i akuzuar pikërisht për spiunazh dhe shantazh. Sheholli i mohon akuzat dhe prezumohet i pafajshëm derisa të vendosë gjykata. Por pikërisht për këtë arsye një moderator serioz do të ishte dyfish i kujdesshëm me kuptimin e fjalës “shantazh”, jo dyfish më i shkujdesur.
Ka edhe një dallim tjetër që Imeri duket se nuk e kupton. Ta ftosh dikë në studio nuk është gazetari. Gazetaria fillon me atë që bën pasi personi ulet aty. E pyet. E sfidon. Ia kontrollon pretendimin. Ia kërkon provën. Ia vendos deklaratën përballë dokumentit. Ia korrigjon pavërtetësinë. Dhe, mbi të gjitha, nuk e shndërron mikrofonin në megafon për pretendime që mund t’i shërbejnë një operacioni propagandistik kundër institucioneve dhe interesave të Kosovës.
Prandaj çështja e Fatmir Shehollit është sot një provë editoriale për Sadri Imerin, jo provë penale kundër tij. Askush nuk duhet ta shpallë Imerin agjent të askujt pa prova. Unë nuk po e bëj. Por një producent dhe moderator që i ka dhënë hapësirë publike Shehollit dhe që pranon vetë se ka publikuar materiale “komprometuese” me vullnetin e tij që tashmë përshkruhen në një aktakuzë si produkte të strukturave serbe të sigurisë, ka detyrim profesional t’u përgjigjet pyetjeve për mënyrën se si ato materiale janë verifikuar dhe transmetuar. Refuzimi është e drejta e tij. Sharja nuk është përgjigje. Kërcënimi me bllokim nuk është argument. Akuza e pabazuar për shantazh nuk është provë. Patriotizmi i deklaruar nuk është standard verifikimi.
Dhe këtu qëndron pjesa pothuajse komike e gjithë kësaj. Sadri Imeri më thotë se unë nuk jam “i kualifikuar” për praninë e tij në studio, ndërsa komunikimi i tij profesional me një gazetar që i kërkon përgjigje përbëhet nga shprehjet si “Epstein”, “dhifq”, “Cap”, “piss mashkull”, kërcënime me bllokim, akuza për shantazh dhe pyetje se ku kam qenë gjatë luftës.
Nuk më duhet ta poshtëroj Sadri Imerin. Do të ishte madje e tepërt. Mjafton t’ia botoj fjalorin.
Por pas vulgaritetit mbetet një çështje shumë më serioze. Redaksia ime i bëri pyetje. Ai nuk iu përgjigj. Në vend të përgjigjeve, e sulmoi gazetarin. Në vend të dokumenteve, kërkoi dëshmi patriotizmi. Në vend të sqarimit, shpalli “shantazh”. Dhe në vend që ta shpjegojë standardin me të cilin platforma e tij trajtoi materiale që sot janë objekt i një çështjeje penale jashtëzakonisht serioze, ai e zgjodhi sharjen.
Sadri Imeri mund të më bllokojë kur të dojë. Mund edhe të më padisë, nëse mendon se ka bazë ligjore. Gjykata ekziston pikërisht për këtë. KRONIKAT E BARUTIT do të vazhdojnë ta bëjnë atë që një redaksi duhet ta bëjë. Të kërkojë dokumente. Të verifikojë materiale. Të kërkojë përgjigje. Ta botojë atë që mund të provohet. Dhe t’ia ofrojë të drejtën e përgjigjes edhe atij që, në vend të përgjigjes, dërgon sharje.
Sepse ky është dallimi që gjithë kjo korrespondencë e ka bërë brutalisht të qartë.
Unë i dërgova pyetje.
Sadri Imeri më dërgoi fjalorin e tij.
Pyetjet ende presin përgjigje.



Komedianë, Operatorë dhe Vrasja e Etikës Publike
Këtë javë që po lëmë pas, më erdhi një lidhje. Nuk ishte hera e parë që më dërgonin diçka nga televizionet e Kosovës, por ishte hera e parë që ndjeva një lloj shqetësimi fizik, atë ndjesinë e rëndë n…
Milaim Zeka në hallkën mediatike të planit të BIA-s në Kosovë
Në tetor 2025, Kronikat e Barutit identifikoi skemën operative të BIA-s në Kosovë. Aktakuza e gushtit 2026 tani përshkruan atë me përgjime, video dhe para vetë mekanizmin që kërkuam të hetohej.
Milaim Zeka në hallkën mediatike të planit të BIA-s në Kosovë
A është Milaim Zeka thjesht një gazetar i mashtruar nga burimi i tij, apo hallka mediatike që e ktheu një operacion të dyshuar të BIA-s në lajm për publikun e Kosovës?
A Dështoi Serbia ta Rekrutonte Kurtin, Pastaj U Përpoq t’ia Vriste Reputacionin?
Po sikur operacioni më i rrezikshëm i Serbisë kundër Kosovës të mos kishte nevojë për tanke, por për politikanë, media, dokumente dhe narrativa që duken krejtësisht vendore?














