SHBA, BE dhe Britania po legjitimojnë terrorin në Kosovë
Duke e mbështetur Listën Serbe, Perëndimi shkel Kushtetutën e Kosovës, fuqizon zgjatimet e Beogradit dhe e shndërron “demokracinë” në armë kundër shtetit më të ri të Evropës.
Në emër të “demokracisë”, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe fuqitë e ashtuquajtura të Quint-it po shkelin mbi themelet e saj. Mbrojtja e fundit e tyre për Listën Serbe1, partinë-proxy të Beogradit të përfshirë në dhunë të armatosur kundër Republikës së Kosovës, është akt i papërshkrueshëm hipokrizie. Duke insistuar që kjo organizatë të çertifikohet për të marrë pjesë në zgjedhje, Perëndimi nuk po mbron demokracinë. Ata po e fuqizojnë një instrument të Kremlinit në Ballkan dhe po minojnë qeverinë e parë të Kosovës që ka guxuar të mbrojë Kushtetutën, sovranitetin dhe sundimin e ligjit.
Një “parti” që nuk është parti
Lista Serbe nuk është parti politike në kuptimin demokratik të fjalës. Ajo është makineri e kontrolluar nga Beogradi, me mbështetjen e Aleksandar Vuçiqit ish-funksionar i regjimit të Millosheviqit dhe sot partner i Vladimir Putinit në Ballkan.
Udhëheqësit e Listës Serbe kanë orkestruar bojkotimin e institucioneve të Kosovës, kanë ngritur barrikada, kanë manipuluar zgjedhje dhe në shtator 2023 bashkëpunuan me militantë të armatosur duke e udhëhequr një sulmin ndaj rendit kushtetues të Republikës së Kosovë në Banjë, fshatin verior të Mitrovicës, ku u vra polici kosovar Afrim Bunjaku. Nënkryetari i atëhershëm i partisë, Milan Radoiçiq, pranoi publikisht rolin e tij. Ai nuk u gjykua, por vazhdon i lirë në Serbi, nën mbrojtjen e elitës politike të Beogradit.
Standardet e dyfishta të Perëndimit
Ky është subjekti që BE, SHBA dhe Britania kërkojnë të futet në zgjedhje. Në çdo demokraci funksionale, një strukturë e tillë do të ndalohej. Gjermania ka shpërbërë parti që rrezikonin rendin kushtetues. Spanja e ndaloi Batasunën në 2003 për lidhjet me ETA-n. Britania ka shpallur të paligjshme organizata terroriste sipas Terrorism Act 2000. SHBA ka bërë të njëjtën gjë përmes Patriot Act. Në Berlin, Paris, Londër apo Washington, një parti e lidhur me dhunën dhe një fuqi armiqësore nuk do të lejohej kurrë. Por në Kosovë, e njëjta gjë kërkohet të tolerohet me ngulm.
Demokraci apo tallje?
Kjo pozitë e Perëndimit është e pakuptueshme. Në emër të “pluralizmit” dhe “gjithëpërfshirjes”, diplomatët kërkojnë që Prishtina të shkelë Kushtetutën e saj dhe të legjitimojë një parti që vepron hapur si instrument i Beogradit. Kjo nuk është mbrojtje e demokracisë; është tallje me të.
Kosova po paguan çmimin për të bërë atë që Perëndimi vetë thotë se mbron: sundimin e ligjit, sovranitetin dhe llogaridhënien. Për herë të parë që nga pavarësia, udhëheqja e Kosovës nën Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin ka ndërmarrë hapa për t'i ç’montuar strukturat paralele serbe dhe për të vendosur rregull në vend. Dhe për këtë, ajo po ndëshkohet, jo vetëm nga Beogradi, por edhe nga ambasadat që për dy dekada mbyllën sytë përballë korrupsionit, pazareve dhe plaçkitjes së shtetit.
Çfarë po mbështet realisht Perëndimi?
Të jemi të qartë: ajo që Quint-i dhe BE po mbrojnë nuk është demokracia. Është terrorizmi i legjitimuar. Ata e dinë që Lista Serbe është krah i zgjatur i Beogradit, se nuk punon për të mirën e serbëve të Kosovës por për agjendën ekspansioniste të Vuçiqit dhe Kremlinit. Duke kërkuar që ajo të hyjë në zgjedhje, ata i kërkojnë Kosovës të heqë dorë nga sovraniteti dhe siguria e saj.
Demokracia si kufomë për kamerat
Kosova u shpall e pavarur në vitin 2008 pas një dekade administrimi ndërkombëtar dhe pas ndërhyrjes së NATO-s që e ndali gjenocidin e Beogradit në vitin 1999.
Ky shtet nuk ishte dhuratë. Ishte nevojë për mbijetesë. Sot, e njëjta pavarësi po vihet në pazar në emër të “stabilitetit rajonal”.
Historia nuk do t’i falë këto veprime. SHBA, BE dhe Britania, duke kërkuar çertifikimin e Listës Serbe, nuk po mbrojnë vlera demokratike. Po shfaqen si varrmihës të saj, duke i vënë vulën e tyre një strukture që në çdo kryeqytet tjetër do të ndalohej.
Kjo nuk është demokraci. Është kufoma e saj, e veshur për një çast fotografie.
Reagimi i Ambasadës Amerikane në Kosovë Facebook Post.


