Sot dikush zgjodhi të shajë në vend që t'u përgjigjej pyetjeve
Në vend të përgjigjeve për një hulumtim gazetaresk, erdhi mallkimi për nënën time të ndjerë. Ky nuk flet për mua, por për karakterin e tij.
Në gazetari ekziston një rregull që nuk është shkruar në asnjë ligj, por që e dallon njeriun e karakterit nga ai që nuk ka argument. Kur të bëhen pyetje, përgjigju me fakte. Kundërshto provat. Kundërshto metodologjinë. Trego se ku gazetari ka gabuar. Refuzo të përgjigjesh, nëse kështu e gjykon. Madje edhe heshtja është një përgjigje. Por ekziston një kufi që nuk duhet kaluar kurrë. Ai kufi është dinjiteti njerëzor.
Pak ditë më parë, në kuadër të një hulumtimi të “Kronikave të Barutit”, i dërgova një seri pyetjesh profesionale pronarit të Gazetës Nacionale Berat Buzhala. Nuk ishin pyetje personale. Nuk ishin fyerje. Nuk ishin akuza. Ishin pyetje që buronin nga muaj të tërë pune, dokumentimi dhe verifikimi. Siç e kërkon etika profesionale, atij iu dha e drejta e plotë për t’u përgjigjur, për të kundërshtuar, për të sqaruar ose për ta rrëzuar çdo përfundim tonin.
Përgjigjja nuk erdhi me argumente, as me prova, as me fakte.
Përgjigjja ishte një mallkim për nënën time1.

Jo për mua.
Për nënën time.
Për gruan që nuk jeton më.
Dhe pikërisht në atë çast e kuptova se kjo histori nuk ishte më vetëm për gazetarinë. Nuk ishte më vetëm për një debat publik. Nuk ishte më vetëm për një hulumtim.
Ishte për një nënë.
Për nënën që më solli në këtë botë.

Për gruan që nuk kishte pushtet, nuk kishte poste, nuk kishte pasuri dhe nuk kërkoi kurrë duartrokitje. Ajo nuk u shfaq në televizione. Nuk shkroi editoriale. Nuk mbajti fjalime. Nuk kërkoi lavdi.
Ajo bëri diçka shumë më të madhe.
Ajo i rriti fëmijët e saj.
Na rriti në një kohë kur nuk kishte asgjë të lehtë. Me sakrificë, me punë dhe me një besim të palëkundur se njeriu nuk ndërtohet nga ajo që zotëron, por nga ajo që është.
Nëna ime nuk më mësoi si të fitoja.
Më mësoi si të mos turpërohesha nga vetja.
Çdo mëngjes zgjohej para nesh. Më lante, më vishte me rroba të pastra dhe më dërgonte në shkollë. Nuk mbaj mend asnjëherë ta kem dëgjuar të ankohej për lodhjen. Nuk mbaj mend ta kem parë të mendonte më shumë për veten sesa për ne.
Për të, arsimi nuk ishte luks.
Ishte dinjitet.
Kur u rrita dhe fillova të ëndërroja për jetën time, nuk më tha kurrë: “Mos e bëj.”
Ajo më dëgjonte.
Gjithmonë më dëgjonte deri në fund.
Pastaj më shpjegonte gjithçka që mund të shkonte keq. Më fliste për rreziqet, për njerëzit që mund të më tradhtonin, për padrejtësitë që mund të më prisnin. Nuk e bënte për të më trembur. E bënte sepse ishte nënë. E dinte se bota nuk është gjithmonë e drejtë.
Në fund më shikonte dhe më thoshte: “Shko, biri im. Bëje atë që beson se është e drejtë. Vetëm mos e humb kurrë ndershmërinë.”
Kjo ishte trashëgimia e saj.
Nuk ishin paratë, as pronat, as tenderet as marrëveshja me xhelatin.
Ishte karakteri.
Ajo më mësoi të mos vidhja, të mos gënjeja, të mos e shisja ndërgjegjen, të mos ulja kokën para padrejtësisë, të mos e poshtëroja askënd vetëm sepse kisha mundësi.
Nëna, më mësoi se burrëria nuk matet me zërin që e ngre, por me fjalën që mban.
Më mësoi se e vërteta nuk është gjithmonë e lehtë, por është gjithmonë e vetmja rrugë që të lejon të flesh i qetë. Dhe më mësoi diçka që nuk e kam harruar kurrë.
“Nëse një ditë mbetesh vetëm me të vërtetën, mos e braktis të vërtetën vetëm që të mos mbetesh vetëm.”
Më pas erdhi kanceri.
Ai nuk pyet se sa e mirë je. Nuk pyet sa ke sakrifikuar. Nuk pyet sa njerëz i ke bërë të lumtur. Thjesht të merr. Ngadalë. Pamëshirshëm.
Dhe një ditë, unë mbaja dorën e gruas që më kishte mbajtur dorën gjatë gjithë jetës sime.
E pashë ta merrte frymën e fundit. Ka dhimbje që nuk përshkruhen. Ka momente që nuk kalojnë kurrë. Njerëzit thonë se koha shëron.
Nuk është e vërtetë. Koha nuk shëron. Koha vetëm të mëson të ecësh me plagën.
Ka ditë kur ende e kap telefonin dhe, për një çast, më shkon mendja ta telefonoj. T’i tregoj se çfarë kam bërë. Ta pyes se çfarë mendon. T’ia dëgjoj zërin.
Pastaj kujtohem. Dhe më kujtohet se nuk kam më kujt t’i telefonoj.
Prandaj, kur dikush zgjedh ta shajë nanën time, ai nuk e fyen vetëm një grua të vdekur. Ai e prek kujtimin më të shenjtë që e kam.
Por kjo nuk është vetëm historia ime. Sepse çdo shqiptar që i lexon këto rreshta e di se çfarë është një nënë. E di se çfarë do të thotë një grua që zgjohet para të gjithëve dhe fle e fundit.
Një grua që heq kafshatën nga goja e saj për ta vendosur në pjatën e fëmijës. Një grua që lutet në heshtje. Një grua që nuk kërkon asgjë për vete. Një grua që e ndërton jetën e saj mbi të ardhmen e fëmijëve.
Ato gra nuk ndërtojnë monumente.
Ato ndërtojnë njerëz.
Edhe nëna ime e ndërtoi një njeri.
Nëse sot kam zgjedhur gazetarinë investigative, nuk është sepse ajo më tha të bëhem gazetar. Është sepse më mësoi të mos kem frikë nga e vërteta. Të mos e mas të drejtën me interesin. Të mos e ndërroj ndërgjegjen me rehatinë.
Prandaj nuk do t’i përgjigjem një mallkimi me një mallkim tjetër.
Sepse kështu nuk më rriti nëna ime. Ajo nuk më mësoi si të urrej. Më mësoi si të qëndroj në këmbë. Dhe në fund, ndoshta kjo është e vetmja gjë që ia vlen të thuhet e të shkruhet.
Një ditë, secili prej nesh do të shkojë te varri i nënës së vet. Disa do ta gjejnë ende gjallë dhe do ta kenë fatin ta përqafojnë edhe një herë. Të tjerët, si unë, do të flasin me një gur. Do t’i tregojnë se çfarë ka ndodhur. Do t’i tregojnë se çfarë kanë arritur. Do t’i kërkojnë falje që nuk mundën ta shpëtonin. Do të largohen me të njëjtën zbrazëti me të cilën erdhën.
Unë nuk mund ta mbroj më nënën time.
Nuk mund ta çoj në shtëpi.
Nuk mund t’ia fshij lotët.
Nuk mund t’i them se dikush e shau, sepse ajo nuk është më këtu për ta dëgjuar. Por mund të bëj një gjë.
Mund të jetoj në mënyrën që ajo më mësoi. Mund të vazhdoj të bëj pyetje kur të tjerët kanë frikë t’i bëjnë. Mund të vazhdoj ta kërkoj të vërtetën edhe kur përgjigjja është urrejtja.
Sepse në fund të fundit, njeriu nuk mbahet mend për fyerjet që i ka thënë.
Ai mbahet mend për vlerat që i ka lënë pas.
Nëna ime nuk më la pasuri.
Nuk më la pushtet.
Nuk më la privilegje.
Ma la diçka që nuk blihet me para dhe nuk shkatërrohet me mallkime.
Ma la ndërgjegjen.
Dhe për sa kohë unë do të kem frymë, askush nuk do ta varrosë për herë të dytë gruan që ma dha atë.
Fytyra që Qesh mbi Dhimbjen e Babait
Në një kohë kur fjala duhet të jetë dritë dhe pena duhet të lëmojë të vërtetën si skalitje në mermer, ai zgjodhi baltën. Ai, Berat Buzhala, dikur një emër që endej midis politikës dhe gazetarisë si n…



