Spotlight Bëhet Kronikat e Barutit: E Vërteta Nuk Hesht
Pas një viti guximi dhe përkushtimi, “Spotlight” rilind si “Kronikat e Barutit”, një emër që mishëron të vërtetat që shpërthejnë në errësirë.
Të dashur lexues,
Pas një viti pune të përkushtuar, guximi gazetaresk që nisi me emrin “SPOTLIGHT” do të vazhdojmë me një pamje të re dhe një emër të ri: KRONIKAT E BARUTIT.
Ky ndryshim është më shumë se simbolik, është një kthim i identitetit tonë kah gjuha jonë amtare dhe një bashkërendim i plotë me versionin tonë ndërkombëtar në anglisht, Gunpowder Chronicles.
Fjala “Spotlight” u përzgjodh me qëllimin për të hedhur dritë në korridoret më të errëta të pushtetit. Këtë mision nuk do ta braktisim kurrë. Përkundrazi, “Kronikat e Barutit” përfaqësojnë një qasje edhe më të drejtpërdrejtë e të patrembur ndaj realitetit, një metaforë për të vërtetat që shpërthejnë, për betejat gazetareske dhe për zërin e guximshëm në kohë të trazuara.
Rreth logos së re
Logoja e re që shihni këtu nuk është thjesht dizajn, është një ikonë e realitetit në vijën e parë të frontit.
Raketa në të majtë dhe tyta e artilerisë që del nga sfondi simbolizojnë realitetin brutal të luftës, dhunës dhe konfliktit, temat që ne nuk i shmangim, por i trajtojmë me përgjegjësi dhe etikë profesionale.
Shkrimi i gdhendur mbi një pllakë metali të përforcuar me bulonë, është një kujtesë vizuale e të vërtetave që nuk ndryshojnë, që nguliten thellë në kujtesën kolektive.
Ngjyra e kuqe është paralajmërim, por edhe shenjë e vendosmërisë për të ekspozuar çfarë fshihet pas gjakut, barutit dhe pushtetit.
Figura e gazetarit me helmetë, jelek antiplumb dhe kamera, është portreti im personal, i kapur nga kolegu im i Der Spiegel Christoph Reuter gjatë mbulimit të luftës në Siri në vitin 2012. Këtë imazh e ka transformuar në logo ikonike miku dhe grafisti im brilant Rigeli, duke i dhënë formë vizuale filozofisë sonë redaktoriale.
Çfarë mbetet e pandryshuar?
Përkushtimi ynë ndaj gazetarisë së pavarur, profesionale dhe me integritet.
Vëmendja jonë ndaj çështjeve jetike që prekin demokracinë, drejtësinë, sigurinë kombëtare, mirëqenien sociale dhe të drejtat njerëzore.
Misioni ynë për të kërkuar llogari nga pushteti, për të nxjerrë në pah narrativat e rreme dhe për të shërbyer si një dritare e fisnikërisë së të vërtetës për qytetarin.
Çfarë ndryshon?
Emri: Nga “Revista Spotlight” në KRONIKAT E BARUTIT
Identiteti vizual: Logoja që tashmë pasqyron më mirë përvojën tonë të terrenit dhe misionin tonë të ri.
Eventualisht do ta ndryshojmë edhe adresën, por tani-për-tani mbetet revistaspot.net derisa ta gjejmë adresën e duhur, të shkurtër dhe të kjartë.
Faleminderit që jeni me ne në këtë udhëtim.
Kjo është më shumë se një ndryshim imazhi, është një deklaratë.
Ne jemi këtu për të raportuar të vërtetën, pa kompromis.
Me respekt dhe përkushtim,
Vudi Xhymshiti
Botues dhe Kryeredaktor
Kronikat e Barutit (ish-Revista Spotlight).



Shume sukses dhe urime per kete ndryshim.. Te faleminderit ty dhe stafit tend...
Me respekt Xhati nga Prishtina
Ju faleminderit, qofshi gjithashtu me shendet dhe vigjilent siq jeni!