Vuqiç mes protestave dhe përkëdheljes perëndimore
Protestat studentore në Serbi sfidojnë pushtetin e Vuqiçit, duke zbuluar kompromiset e BE-së me autokracinë dhe rrezikun e përshkallëzimit për Kosovën dhe rajonin.
Serbia po përjeton një nga krizat më të rënda politike në dekadën e fundit, ndërsa protestat studentore të nisura në fund të vitit të kaluar janë shndërruar në një sfidë të hapur për pushtetin e presidentit Aleksandar Vuqiç. Ajo që filloi si një reagim ndaj një tragjedie në Novi Sad, shembja e çatisë së stacionit të trenit, ku humbën jetën pesëmbëdhjetë persona, është transformuar në një lëvizje gjithëpërfshirëse që mbledh studentë, punëtorë, pensionistë e profesionistë, të bashkuar nga pakënaqësia ndaj korrupsionit, keqmenaxhimit dhe dryshkut të standardeve demokratike.
Në fillim, protestuesit u injoruan si idealistë me megafonë; sot, ata përballen me një aparat shtetëror të vendosur për t’i shterruar, jo përmes një shtypjeje të menjëhershme, por me një strategji të lodhjes së gjatë. Në terren, kjo ka marrë formën e ndërhyrjes së forcave speciale të ringritura, grupeve kriminale të afërta me pushtetin dhe figurave të akuzuara për krime lufte që rishfaqen në periferi të tubimeve. Raportime të shumta flasin për infiltrimin e protestave nga elementë provokues, me qëllim krijimin e incidenteve që të arsyetojnë shtypjen policore.
Kjo qasje nuk është e rastësishme. Vuqiç ka mësuar se mbajtja e pushtetit në Serbi nuk varet vetëm nga kontrolli i brendshëm, por edhe nga mënyra se si ai e pozicionon vendin mes interesave të Moskës dhe kryeqyteteve të BE-së. Nga njëra anë, ai kultivon lidhje të ngushta ushtarake e inteligjente me Rusinë, përfshirë qendrën e diskutueshme të spiunazhit në Nish dhe tolerimin e aktiviteteve rekrutuese të Wagner-it në Beograd. Nga ana tjetër, ai ofron qasje për projekte strategjike ekonomike, si miniera e litiumit në Jadar, e cila ka tërhequr interesin e Berlinit, dhe bën marrëveshje për blerje armësh franceze që e paraqesin atë si partner të besueshëm në sytë e Parisit.
Kjo balancë i ka dhënë Vuqiçit një status të veçantë: ai shihet si “garant stabiliteti” në Ballkan, pavarësisht se brenda vendit vepron në mënyrë autoritare dhe në rajon ndjek politika që minojnë fqinjët. BE-ja, ndonëse i bën thirrje për përmbajtje, nuk ka treguar gatishmëri për masa ndëshkuese ndaj tij, madje në disa raste është kritikuar për qëndrime të ashpra ndaj Kosovës, ndërkohë që mbyll sytë ndaj veprimeve destabilizuese e agresive të Serbisë.
Ky qëndrim i dyfishtë ka pasoja të drejtpërdrejta për Kosovën. Një Serbi e udhëhequr nga Vuqiçi, e përkëdhelur nga disa kryeqytete perëndimore për arsye ekonomike dhe gjeopolitike, mbetet një kërcënim i qëndrueshëm për sovranitetin e Kosovës. Episodet si sulmi i armatosur në Banjë1, tensionet e orkestruara në veri dhe mbështetja e hapur për strukturat paralele serbe tregojnë se Beogradi nuk ka hequr dorë nga synimet e saj për të minuar funksionimin e shtetit kosovar.
Për më tepër, lidhjet e forta me Rusinë e bëjnë Serbinë një kanal të ndikimit rus në Ballkan, në një kohë kur Moska e përdor çdo vektor të mundshëm për të destabilizuar rajonin dhe për të penguar integrimin euroatlantik të vendeve të tij. Në këtë kontekst, protestat studentore në Serbi, sado të fuqishme, nuk përbëjnë thjesht një çështje të politikës së brendshme serbe; ato janë gjithashtu një tregues i potencialit për ndryshim ose për një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve në Ballkan.
Nëse Vuqiçi arrin t’i mbijetojë kësaj sfide duke ruajtur mbështetjen e një pjese të BE-së dhe të Rusisë, Kosova mund të përballet me një fqinj edhe më të fortë në pozicionin e tij dhe më të sigurt në mosndëshkimin ndërkombëtar. Nëse, përkundrazi, protesta arrin të imponojë lëshime të rëndësishme ose të krijojë hapësirë për një ndryshim politik në Beograd, mund të hapet një fazë e re në marrëdhëniet rajonale, me mundësi për dialog më të sinqertë, por edhe me rrezikun e një periudhe të paqëndrueshmërisë së brendshme në Serbi që mund të shpërndahet përtej kufijve të saj.
Për Kosovën, çelësi është të lexojë saktë sinjalet dhe të përgatitet për të dyja skenarët. Qëndrimi i BE-së ndaj Vuqiçit dhe mënyra se si reagojnë aktorët ndërkombëtarë ndaj këtyre protestave do të jenë tregues të qartë për atë se sa hapësirë reale ekziston për të avancuar interesat e saj në një mjedis ku stabiliteti shpesh matet me mungesën e ndryshimit, jo me forcimin e demokracisë.
Në fund, lëvizja studentore serbe është një sfidë për një sistem të ndërtuar mbi kompromiset mes interesave të mëdha dhe lirisë së qytetarëve. Për Kosovën, ajo është gjithashtu një test për të kuptuar nëse ky sistem mund të lëkundet dhe çfarë do të thotë kjo për sigurinë dhe të ardhmen e saj.


