Bahri Cani dhe Fytyra e Ftohtë e Gazetarisë
Kur deputeti Armend Zemaj e goditi qytetarin, Bahri Cani e quajti “kompleksitet”. Por neutraliteti i tij zbërtheu plagën e lodhjes morale në gazetarinë kosovare.
Ishte vonë, një e shtunë pa shenjë dallimi, kur më ranë në sy fjalët1 e Bahri Canit. Vendi ende përtypte tronditjen e një akti publik dhune.
Armend Zemaj, deputet i Kosovës nga LDK-ja, në zemër të Prishtinës, u kthye gjatë një interviste dhe grushtoi një qytetar që kishte guxuar t’ia thoshte dy fjalë të vogla: “po gënjen”. Pamjet u përhapën me shpejtësinë e zakonshme të ironisë ballkanike, që di të kthejë turpin në spektakël.
Cani, gazetar që prej vitesh banon në Gjermani e punon në Deutsche Welle, reagoi me një shkrim që në pamje të parë tingëllonte i ekuilibruar: “Dhuna nuk është zgjidhje,” shkroi ai.
Por nën këtë frazë të kulturuar fshihej relativizmi i vjetër, një përpjekje e butë për ta shkrirë agresionin në “kompleksitet”. Si të mos kishte më krim të pastër, por vetëm keqkuptime njerëzore. Ishte pikërisht kjo nuancë, e civilizuar por e mpirë moralisht, që më shtyu të shkruaj2. Iu drejtova si koleg, jo si kundërshtar. I kujtova se neutraliteti përballë dhunës nuk është virtyt, por heqje dorë, se në profesionin tonë, detyra për ta quajtur një akt me emrin e tij vjen përpara rehatisë së “kontekstit”. Përmenda ç’do të ndodhte në Berlin a Londër, ku një politikan që godet qytetarin do të ndeshej jo me analizën e provokimit, por me turpin dhe dorëheqjen. I shkrova se kur gazetari e normalizon goditjen si “keqkuptim”, ai e përgatit publikun ta pranojë pandëshkueshmërinë.
Përgjigjja e Canit erdhi disa ditë më vonë, e matur, dhe e rregullt. Kërkoi ndjesë për vonesën, përsëriti se ishte kundër dhunës, dhe sqaroi se postimi i tij kishte pasur për qëllim të tregonte “kompleksitetin e jetës publike.” Tha se të dy palët ishin pyetur nga autoritetet dhe se ai “besonte” që deputeti do të përballej me pasoja. Shtoi, si rastësisht, se e kishte hequr një fjali ku bënte thirrje për ndjesë.



Në dukje të parë të reagimit të tij, Cani tingëllonte si një njeri i qytetëruar, por brenda krejt kuptimit të shkronjave të tij, s’kishte gjë tjetër pos shmangie. Logjika e tij ishte procedurale, jo morale. “Kompleksitetin” e ktheu në një shkelje të qartë të rendit demokratik në një dramë psikologjike të irritimeve reciproke. Megjithëse ai deklaroi se nuk e mbështet dhunën, qëndrimi i tij nuk vinte nga një parim moral, por nga dëshira për ta ruajtur imazhin.
Ia ktheva shkurt dhe prerë: ia bëra të qartë se kishte kaluar nga dënimi i dhunës në arsyetimin e saj, dhe se thirrja e tij për “mirësjellje të ndërsjellë” fshinte dallimin mes një fjalie të thënë dhe një grushti të dhënë. Dhe e pyeta pse gazetari që predikon qetësinë e kishte vënë një “pëlqim” mbi një koment që më quante injorant partiak. Komenti vinte nga dikush që quhej Liridon Bajrami, një komentator nga publiku që përdori lojën e vjetër ballkanike, mendësi kjo që lavdëron të moderuarin për ta përqeshur kundërshtarin. Cani e bekoi këtë koment me një “pëlqim/like” të qetë, dhe ky klikim, i parëndësishëm në pamje të parë, tha më shumë se çdo paragraf për kolegun Bahri Cani. Kam përshtypjen se ky ishte refleksi i Canit për ta shpërblyer mbështetjen ndaj tij, jo të vërtetën, jo parimin. Në atë gjest të vetëm, ndodhej vetë thelbi i problemit tonë, një performancë ekuilibri që fsheh dashurinë për rehatinë.
Në Kosovë, të kritikosh dhunën me prerësi të rrezikon të dukesh “politik”. Të mbrosh parimin, pa flamur partie, është të provokosh përbuzje. Dhe kështu lind neutraliteti, i lustruar, i pafund e steril, strehë e atyre që s’duan të zgjedhin midis të drejtës dhe të gabuarës. Ajo që më tronditi nuk ishte mbrojtja e tij, por lodhja. Ishte lodhja e një njeriu që e di se virtyti publik në Kosovë ka mbetur skenë pa spektatorë. Gjuha e qetësisë është kthyer në mburojë kundër përgjegjësisë, pulsi moral i shtypit duket se është zëvendësuar nga rregulli i formularit.
Të thuash “jam kundër dhunës” ndërsa e shpjegon në vend se ta dënosh atë, është një rrëfim i heshtur se profesionalizmi është zëvendësuar me nënshtrim ndaj saj.
Nuk kërkova të fitoj debat. Doja ta vizatoja vijën midis mirëkuptimit dhe arsyetimit, midis ndjesës njerëzore dhe dorëheqjes. Moment i vogël, por që tregoi disa nga pikat e temperaturës morale të gazetarisë sonë. Ftohje, plogështi, dhe një vetëqetësim që ngjan me vdekjen klinike të së vërtetës.
Cani, me tonin e tij të përkorë3, përfaqësonte saktësisht këtë ftohtësi që është bërë status profesional. Fjalët e tij për “kompleksitet” dhe “kuptim” nuk hapnin dritë e zgjim, veç e shtonin gjumin.
Kur pastaj veshi një “pëlqim” ndaj fyerjes që më drejtohej, maska ra plotësisht. U duk qartë instinkti i funksionarit, jo i gazetarit të lirë, i njeriut që e do dukjen e qytetarisë më shumë se përmbajtjen e saj.
Prandaj, i dashur lexues, në një media që është ngritur mbi ndjenjën e moralit, si Deutsche Welle, një gjest i tillë duhet të lëndojë. Sepse të deklarosh se je kundër dhunës, ndërsa e zbut me fjalë, do të thotë të dorëzohesh me elegancë, me sintaksë të rregullt, por pa asnjë dhimbje shpirtërore.
Kur mashtrimi quhet “media gjermane”
Për disa orë pas botimit të një shkrimi në “Berliner Zeitung”, hapësira mediatike e Kosovës u shndërrua në një kor që përsëriste të njëjtin refren: “mediat gjermane thonë…”. Nga Nacionale te Gazeta Blic, nga Dukagjini TV te Kosova Press, Reporteri e Bota Press, çdo titull u përkul drejt të njëjtit burim, thuajse me fjalët e njëjta, me kuptimin e njëjtë,…
Bahri Cani’s Facebook Post, 24 Tetor, 2025.
My Facebook Post, 25 Oct, 2025.
Në përdorim të përditshëm, “përkorë” përshkruan dikë ose diçka që ka dinjitet të qetë dhe modest, pa zhurmë e pa arrogancë.



