Buzhala dhe Behrami përballë Grenellit të akuzuar për skandal seksual me të mitur
Grenell akuzohet për skandal seksual me të mitur në Serbi. Buzhala dhe Behrami qeshën kur u pyetën për distancim. Ata do të qeshnin edhe nëse do të abuzoheshin fëmijët tuaj.
Duhej të prisja deri të mërkurën. Kështu e kërkon riti i gazetarisë. Pyet. Jep kohë. Lë hapësirë për mohim, korrigjim apo edhe zemërim. Jo sepse je i sjellshëm, por sepse nuk je prokuror. Sepse gazetaria nuk është gjyq. Është mundësi për të folur vetë.
Por këtë radhë nuk do të pres. Sepse përgjigjja ka ardhur tashmë. Jo me fjalë. Me shfaqje. Me postime fejsbuku. Me tallje publike. Me atë skeç të vjetër ku pyetja shndërrohet në humor dhe gazetari në objekt. Është manovër e njohur. Kur nuk do të përballesh me thelbin, përpiqesh ta bësh qesharak aktin e pyetjes.
Dhe thelbi këtu nuk është një stil debat. Nuk është inat personal. Është një skandal i pretenduar seksual që përfshin një të mitur1. Është një figurë politike e huaj, e lidhur me rajonin tonë, me pretendime për ndërhyrje, presion dhe ndikim. Është një realitet ballkanik ku patriotizmi shpesh shërben si mbulesë për interesa të errëta.
Ky tregim nuk ka rëndësi si episod. Ka rëndësi si model.
Një vit më parë, Berat Buzhala shkroi2 se po ta kishte votën do të votonte për Trumpin, por në të vërtetë për Richard Grenellin. Jo për politikat amerikane. Jo për institucionet amerikane. Për një njeri. Grenelli u paraqit si çmimi i vërtetë. Leva. Shkurtorja drejt rezultateve për shqiptarët.
Pastaj erdhi fjalia që peshon si gur. Ai shkroi se Grenelli, në një takim në Tiranë, kishte premtuar se veprimi i tij i parë pas rikthimit në administratë do të ishte lirimi i Hashim Thaçit dhe të tjerëve nga një gjykatë ndërkombëtare. Kjo nuk është anekdotë. Është ose fantazi për t’u dukur i rëndësishëm, ose deklaratë vullneti për ta minuar drejtësinë. Në të dy rastet, nuk është gjuhë shteti. Është gjuhë ndërmjetësish.
Kur ne raportuam3 mbi akuzat publike të atribuuara Patrick Byrneit, bëmë atë që duhet të bëjë gazetaria serioze. I atribuuam. I ndamë akuzat nga faktet. Regjistruam mungesën e provave. Regjistruam mungesën e mohimit. Kërkuam përgjigje nga Grenelli. Nuk erdhi.
Pastaj shkuam te ata që e kanë shitur Grenellin si kredencial në hapësirën tonë politike. Te ata që e kanë përdorur si talisman. I pyetëm drejtpërdrejt.
Çfarë pyetëm konkretisht?



Buzhalën e pyetëm thjesht, po apo jo.
A u ka bërë thirrje shqiptarëve në SHBA ta mbështesin politikisht Grenellin?
A ka ndodhur takimi në Tiranë dhe kush ishte i pranishëm.?
A ia ka premtuar Grenelli atij ndërhyrjen për lirimet nga një gjykatë ndërkombëtare?
A e konsideron të pranueshme një figurë të huaj politike që premton ndërhyrje në drejtësi?
Dhe mbi të gjitha, në dritën e pretendimeve se Grenelli është komprometuar përmes një skandali seksual me të mitur në Serbi dhe se materiale komprometuese ndodhen në duar ruse, a distancohet sot publikisht dhe a ka vazhduar komunikimin me të?
Ai nuk u përgjigj.
Në vend të kësaj, Buzhala e shndërroi mesazhin në rekuizitë. E publikoi atë me redkutime4. Një verzion për të qeshur. Jo për t’u përballur me pyetjen pse një komentator publik tallet me një temë që përfshin një të mitur.
Këtu kalon vija morale. Mund të kundërshtosh raportimin. Mund të kërkosh prova. Por kur instinkti yt është e qeshura, jo përgjigjja, nuk po mbron parime. Po sinjalizon pandëshkueshmëri.
Artan Behrami nuk mbeti jashtë. Ai iu bashkua talljes. I njëjti njeri që e ka paraqitur Grenellin si ambasador5, një titull që ai nuk e mban. Këtë Behrami nuk e kishte bërë nga padija, por për ta fryrë autoritetin e paqenë të Grenellit. Për të fabrikuar legjitimitet të huazuar.

Edhe Artan Behramit i bëmë pyetjen më elementare që i bëhet një figure publike. Në dritën e raportimeve serioze dhe të verifikueshme se Richard Grenell ka vepruar në mënyrë të përsëritur kundër interesave të Kosovës6, në linjë me Serbinë dhe Rusinë, dhe se ndaj tij qarkullojnë pretendime të rënda për përfshirje në një skandal seksual me të mitur në Serbi, a distancohet sot publikisht apo jo.
Ai nuk u përgjigj. Zgjodhi të qeshë. Bashkë me Buzhalën. Pikërisht ndaj kësaj pyetjeje.
Prova e reagimit publik të Berat Buzhalës dhe Artan Behramit.



Kjo nuk është e qeshur spontane. Është zgjedhje morale. Është mesazh politik. Është përçmim i qëllimshëm ndaj një vije që për shumicën e familjeve shqiptare është e panegociueshme. Kur një burrë që kërkon votën e qytetarëve qesh përballë pyetjes nëse duhet distancuar nga një figurë publike e akuzuar për shfrytëzim seksual të një të mituri dhe për ndërhyrje kundër shtetit të Kosovës, ai nuk po bën humor. Ai po sinjalizon se për të, kjo nuk është vijë e kuqe.
Berat Buzhala dhe Artan Behrami me ndikim publik zgjodhën të mos thonë po apo jo. Zgjodhën të qeshin. Jo sepse nuk e kuptuan peshën e pyetjes, por sepse e kuptuan shumë mirë. Ata nuk po i flisnin redaksisë sonë. Po i flisnin turmës. Po e mësonin turmën se llogaridhënia është qesharake, se shqyrtimi moral është turp dhe se heshtja ndaj të fortit është forcë.
Këtu lind pyetja që i përket çdo familjeje shqiptare. A mund t’i besohet vota një njeriu që nuk distancohet nga një figurë e huaj e lidhur me politika armiqësore ndaj Kosovës, që ka pranuar dekorata serbe pas vrasjes së një polici të Kosovës, dhe që përballet me pretendime serioze për përfshirje në një skandal seksual me të mitur. A mund t’i besohet një deputeti që, përballë kësaj tabloje, zgjedh të qeshë?
Sepse e qeshura nuk është neutrale. Është qëndrim. Dhe ky qëndrim u dha qartë.
Ky në fakt, është alarmi i vërtetë.
Njerëzit e sigurt përgjigjen. Edhe ashpër. Njerëzit që besojnë në tregimin e tyre nuk kanë nevojë për prerje. Përçmimi përdoret kur përballja rrezikon të hapë një derë që duhet të qëndrojë e mbyllur.
Pyetja që mbetet nuk është pse e mbrojnë Grenellin të tillët si kandidati i PDK-së për deputet Artan Behrami dhe operatori me mantelin e gazetarisë Berat Buzhala. Pyetja është pse lidhen kaq fort pas tij. Pse, kur autoriteti i tij formal ka mbaruar, ata ende e trajtojnë si pasaportë. Pse, kur qarkullojnë akuza të rënda, refuzojnë distancimin minimal.
Shpjegimi me i thjeshtë është oportunizmi. Afërsia me pushtetin amerikan si drogë. Shpjegimi më i errët është leva. Mundësia e kompromatit. Edhe mundësia mjafton për të formësuar sjelljen.
Etika gazetareske kërkon të mos pretendojmë atë që nuk e provojmë. Është e mundur që të mos ketë asgjë. Është e mundur që kjo të jetë thjesht modeli i karakterit të tyre. Por, njerëzit e qetë nuk sillen kështu. Njerëzit e ngujuar në kurthe po.
Ata do të thonë se je i fiksuar. Se kërkon vëmendje. Se motivi yt është personal. Kjo bëhet kur ata që janë vënë në siklet nga pyetjet nuk duan të flasing për përmbajtjen e pyetjeve.
Por motivi nuk është çështja.
Pyetjet janë ende aty. Të thjeshta. Të pastra. Po apo jo.
Dhe e qeshura nuk i zhduk. I bën më të rënda.
Sepse një shoqëri që nuk mund të bëjë pyetje pa u tallur është një shoqëri e dobët. Dhe dobësia është gjithmonë ftesë për armikun, për të keqen.
Në fund, kjo nuk është më çështje Grenelli. Është çështje Buzhale dhe Behrami. Është prova se çfarë ndodh kur njerëz që kërkojnë ndikim, votë dhe hapësirë publike refuzojnë të distancohen nga një figurë e huaj që, sipas raportimeve serioze dhe të dokumentuara, është kapur duke vepruar në interes të Rusisë në Gjermani, është dëbuar prej andej, ka vijuar në Moldavi, Hungari e Serbi dhe ka ndërhyrë me këmbëngulje për ta destabilizuar Kosovën dhe për ta minuar drejtësinë e saj. Kur ndaj të njëjtës figurë qarkullojnë edhe pretendime të rënda për shfrytëzim seksual të një të mituri, dhe reagimi yt është e qeshura, atëherë ti ke dalë nga sfera e debatit publik dhe ke hyrë në territorin e padenjësisë morale.
Le ta kuptojnë mirë familjet shqiptare këtë gjë. Njerëz që qeshin përballë pyetjes nëse duhet distancuar nga një figurë e tillë do të qeshnin edhe po të ishte fëmija yt objekt i dhunës. Jo sepse janë të fortë, por sepse janë të mpirë. Këta njerëz nuk e njohin vijën e kuqe. Dhe kush nuk njeh vijë të kuqe, nuk duhet të ketë mikrofon, ekran, votë apo platformë. Mos i votoni. Mos i promovoni. Mos ua normalizoni të qeshurën. Sepse një shoqëri që ua fal këtyre burrave këtë përçmim, ua fal edhe fëmijëve të saj sigurinë, drejtësinë dhe dinjitetin. Dhe ajo është humbja më e madhe që mund t’i bëhet vetes.
Skandali Seksual me të Mitur në Serbi e shpjegon linjën e Grenellit kundër Kosovës
Skandali seksual me të mitur në Serbi e paraqet Grenellin si figurë të shantazhueshme, duke ndriçuar fushatat e tij agresive dhe ndërhyrjet politike kundër Kosovës. — Kronika B Hulumtime.
Në mes të Chris Hillit dhe Richard Grenellit, unë do ta votoja Grenellin — Berat Buzhala, Nacionale.
Patrick Byrne Goes Public, Richard Grenell Says Nothing
Patrick Byrne alleged on Infowars that Richard Grenell was compromised by Russian intelligence through sexual abuse of underaged boys in Serbia. Grenell has not responded. — The GPC I Unit.
A e din dikush me me tregu, Vudi a m'pyet per kuriozitet personal, a i boton dikund qito shkrime? — Berat Buzhala, Postim në Fejsbuk, 22 Dhjetor, 2025.
Grenell dhe Pushteti që Nuk Kthehet Më
I dëbuar me turp nga Gjermania, i përjashtuar si i pabesueshëm nga inteligjenca amerikane, i nderuar nga Serbia dhe tani i degraduar në një teatër pa ndikim, pa relevancë dhe pa të ardhme. — Kronika B Politikë.


