Çfarë ndodh kur një gazetar thotë se prej vitesh i ka dokumentet e një dosjeje me interes publik, por pranon se nuk i publikon sepse një palë i ka kërkuar të presë?
Dhe çfarë ndodh kur i njëjti gazetar këmbëngul se një kontratë “nuk është fallc”, ndonëse ajo e paraqet si shitës një njeri të dokumentuar si të zhdukur vite përpara datës së nënshkrimit?
KRONIKAT E BARUTIT e njihnin dosjen Zeka-Kërstiq që nga prilli 2025, por nuk e botuan pa i siguruar provat. Kur dokumentet mbërritën në redaksinë tonë në Londër, e nisëm verifikimin dhe ballafaqimin e palëve. Pastaj telefonoi Jeton Sopa.
Ajo që na e tha ai për dokumentet, vendimin e tij për të mos i publikuar, personin që i kishte kërkuar të priste dhe, mbi të gjitha, siguria e tij për kontratën, ngritën një pyetje tjetër.
Kush në redaksinë e tij po e përcakton se kur publiku ka të drejtë ta mësojë të vërtetën, etika, apo interesat e palëve të treta?
Nëse një redaksi thotë se i kishte dokumentet prej vitesh, por pranon se priti me kërkesë të një pale, ndërsa më pas përpiqet të na bindë të mos e publikojmë atë që ne e siguruam dhe verifikuam në mënyrë të pavarur, publiku meriton ta dijë të gjithë historinë.
Bëhu abonent me pagesë dhe lexoje hulumtimin e plotë. Abonimi yt nuk e hap vetëm këtë dosje. Ai e financon pikërisht atë lloj gazetarie që nuk i mban dokumentet në sirtar për t’iu përshtatur interesave të palëve, por ua çon faktet lexuesve, aty ku e kanë vendin.
Historia jonë me dosjen Zeka-Kërstiq filloi shumë përpara se Jeton Sopa të bëhej pjesë e saj. Në prill 2025, ndërsa KRONIKAT E BARUTIT po publikonin një seri hulumtimesh mbi Milaim Zekën dhe rrjetin e njerëzve me të cilët ai kishte bashkëpunuar ndër vite1, një burim yni ndërkombëtar na e solli një informacion të jashtëzakonshëm. Bëhej fjalë për një shtëpi në Aktash të Prishtinës, për familjen e një burri të zhdukur gjatë luftës dhe për një kontratë pronësore ku, sipas burimit, ai burrë shfaqej vite më vonë si shitës i pronës së tij. Emri ishte Zhivorad Kërstiq. Në atë kohë nuk e botuam historinë. Arsyeja ishte e thjeshtë. Nuk e kishim kontratën.
Kishim informacion, por jo provën qendrore. Nuk e kishim zinxhirin e plotë të dokumenteve pronësore. Nuk kishim dokumentacion të mjaftueshëm për ta vendosur kontratën përballë statusit të Kërstiqit si person i zhdukur. Nuk mund ta dinim nëse burimi po na jepte një histori që mund të dokumentohej, një verzion të një konflikti pronësor shumëvjeçar apo një përzierje të të dyjave. Pretendimi ishte tepër serioz për t’u botuar vetëm sepse burimi konsiderohej i besueshëm. Në gazetari hulumtuese, besueshmëria e burimit nuk e zëvendëson dokumentin. Prandaj e regjistruam informacionin dhe vazhduam të kërkonim.
Në dhjetor 2025, gjatë një bisede të rastësishme2, u gjenda duke folur me Jeton Sopën, themeluesin dhe pronarin e Kosova News. Tema kaloi te Milaim Zeka dhe pastaj te prona e familjes Kërstiq. Ajo që tha Sopa ma tërhoqi menjëherë vëmendjen sepse përputhej me një histori që ne po përpiqeshim ta dokumentonim prej muajsh. Pas bisedës mbajta shënime të hollësishme për deklarimet e tij, pikërisht sepse ai nuk po fliste për një thashethem të dëgjuar kalimthi. Por, po e përshkruante një dosje mbi të cilën, sipas tij, kishte punuar vetë.
Sopa tha se i kishte ndjekur procedura gjyqësore, kishte kontaktuar persona të lidhur me familjen Kërstiq dhe kishte siguruar dokumente. Në një moment ai tha se qëllimi i tij kishte qenë të ballafaqohej me Zekën.
“Unë dojsha me kap Milaim Zekën”, ishte një nga formulimet që i shënova pas bisedës. Më e rëndësishme ishte ajo që tha për Hyra Birinxhikajn, ish-bashkëshorten e Zekës, emri i së cilës më vonë do të dilte para nesh në kontratën e 15 gushtit 2001 si blerëse e pronës.
“Tash e kam une atë procesverbalin krejt, e kam të sigurum une çka ka folë gruja e Milaimit”, tha Sopa sipas shënimeve të mia. Ai vazhdoi duke e përshkruar një deklarim që ia atribuonte Birinxhikajt. Sipas verzionit të Sopës, gjatë transaksionit një person i ishte paraqitur asaj si Zhivorad Kërstiq dhe ajo kishte besuar se po kishte të bënte me Kërstiqin. KRONIKAT E BARUTIT nuk e kanë atë procesverbal dhe nuk e paraqesin përmbajtjen që Sopa i atribuonte atij si fakt të verifikuar. Por deklarimi i tij kishte rëndësi për një arsye tjetër. Ai po thoshte se kishte parë materiale që mund ta shpjegonin pikërisht boshllëkun që po na pengonte neve ta botonim historinë.
Ai e kuptonte edhe kontradiktën themelore të dosjes. Nëse Kërstiqi kishte qenë i zhdukur prej luftës, kush ishte personi që ishte paraqitur më vonë në një transaksion në emrin e tij? Në shënimet e mia, Sopa e përmblodhi këtë me një pyetje të thjeshtë. “Ku e ki njerin që ka nënshkru?”
Kjo ishte pikërisht pyetja që do të bëhej qendrore për ne muaj më vonë.
Pas asaj bisede i kërkova Sopës dokumentet ose së paku ndihmë për të arritur te materialet origjinale dhe familja. Ai nuk pranoi t’i ndante me redaksinë tonë. Kjo ishte e drejta e tij. Një gazetar nuk ka detyrim t’ia dorëzojë dosjen e vet një redaksie tjetër. Por mbeti një pyetje që nuk mund ta hiqja nga mendja. Nëse ai kishte kaq shumë dokumente dhe e kishte ndjekur çështjen kaq afër, pse historia nuk ishte publikuar ende?
Përgjigjja filloi të marrë formë vetëm në korrik 2026, kur redaksia jonë në Londër u kontaktua nga një burim tjetër. Këtë herë nuk na erdhi vetëm një rrëfim. Na erdhën dokumente. Mes tyre ishte kontrata e 15 gushtit 2001. Ajo e paraqiste Zhivorad Kërstiqin si shitës dhe Hyra Birinxhikajn si blerëse të një prone për 300.000 marka gjermane. Dokumentacioni tjetër që e shqyrtuam tregonte se Kërstiqi ishte evidentuar si person i zhdukur që nga 25 qershori 1998. Dokumente të mëvonshme gjyqësore e trajtonin atë si të vdekur. Dosja pronësore tregonte gjithashtu se Milaim Zeka ishte shfaqur më vonë personalisht si kërkues në procedurën për rishqyrtimin e çështjes DS003003.
Kjo nuk na dha të drejtën të hidhnim menjëherë një akuzë për falsifikim. Na dha të drejtën të fillonim verifikimin e një kontradikte të dokumentuar.
I kontrolluam emrat, datat, parcelën, palët, dokumentet pronësore dhe kronologjinë. E ndamë atë që dokumentet provonin nga ajo që burimet vetëm pretendonin. Kontrolluam çfarë mund ta kundërshtonte hipotezën tonë, dhe më 29 korrik ia dërguam Milaim Zekës pyetjet e para lidhur me dosjen.
Pas kësaj, Jeton Sopa më telefonoi.
Gjatë asaj bisede i thashë se dokumentet kishin mbërritur në redaksinë tonë në mënyrë të pavarur dhe se ne po përgatiteshim ta publikonim hulumtimin. Duke qenë se ai kishte punuar mbi të njëjtën temë, i propozova edhe mundësinë e bashkëpunimit editorial dhe bashkautorësisë, nëse dëshironte të sillte në mënyrë të kontrollueshme materialin që e kishte mbledhur vetë. Ai nuk e pranoi këtë rrugë. Përkundrazi, biseda kaloi shpejt te pretendimi se historia ishte e tij.
“Per Milaim Zekën t’kum kallxu unë Vud”, më tha Sopa.
Ia kujtova se KRONIKAT E BARUTIT e kishin marrë informacionin e parë për këtë dosje në prill 2025, muaj përpara bisedës sonë të dhjetorit, dhe se pikërisht mungesa e dokumenteve na kishte penguar ta botonim. Sopa nuk u bind.
“Po qysh se e di kur të kam thënë unë?” tha në një moment. Më vonë e paraqiti besimin që kishte pasur tek unë si gabim. “Osht gabim i jemi qe t’kom besu”, tha ai. “Nuk ka ma t’ult se çka po bon ti.”
Por në të njëjtën telefonatë ai bëri deklarime shumë më të rëndësishme sesa mosmarrëveshja se kush e kishte dëgjuar historinë i pari.
“Unë këto i di prej 2023-ës”, tha Sopa. Pastaj vazhdoi. “Dokumentat unë i kam prej 2023-ës. Dokumentet që jam interesu, i kam gjet.”
Ai tha se kishte material të gjerë.
“Krejt dokumentat i kom për kët qështje”, tha Sopa, duke shtuar se kishte edhe intervista me pjesëtare të familjes dhe se, sipas vlerësimit të tij, historia e tij “ka me dal bombastike”.
Pastaj shpjegoi pse nuk e kishte botuar.
“Edhe une t’pata thane s’po muj me publiku se s’po lajne, s’pom len aj zotnia”, tha Sopa.
Më tej e formuloi edhe më drejtpërdrejt.
“Krejt dokumentat i kom për kët qështje edhe jam stopu per shkak qe ky zotnia m’ka thanë që pa u kry shkalla e dytë e gjykimit unë nuk duhet me e qit.”
Kur i thashë se ne do ta publikonim historinë mbi dokumentet që i kishim siguruar vetë, Sopa e bëri të qartë se ai nuk do të vepronte njësoj.
“Une prap se publikoj deri t’kryhet se njerezit ma kane dhane n’mirebesim kete pune”, tha.
Pastaj paralajmëroi se do të reagonte ndaj publikimit tonë.
“Vud ban çka t’dush veq mu s’po m’duket n’rregull kjo edhe une normalisht kam me reagu per kete çeshtje.”
Në vetvete, ky nuk është kërcënim penal dhe ne nuk e paraqesim si të tillë. Por në kontekstin e telefonatës, presioni ishte i qartë. Sopa po kërkonte që ne ta trajtonim faktin se ai e kishte diskutuar historinë me mua si arsye për të mos e botuar një hulumtim që redaksia jonë e kishte ndjekur në mënyrë të pavarur dhe për të cilin tani kishte siguruar dokumente. Në vend që ta bashkonte materialin e tij me tonin, ose thjesht të vazhdonte hulumtimin e vet, ai e trajtoi publikimin tonë si shkelje ndaj tij.
Më shqetësuese ishte një fjali tjetër.
Kur diskutimi kaloi te kontrata e 15 gushtit 2001, Sopa ndërhyri për ta kundërshtuar idenë se dokumenti mund të ishte i falsifikuar.
“Po ajo s’osht e falsifikune, kontrata”, tha Sopa. Më pas e përsëriti. “Ajo nuk osht fallc.”
Ky është një pozicion jashtëzakonisht i fortë për një dokument që, sipas vetë asaj që ai tha, e kishte hetuar prej vitesh. Dhe pikërisht për këtë arsye kërkon një bazë po aq të fortë.
Kontrata e paraqet Kërstiqin si palë shitëse në gusht 2001. Dokumentacioni tjetër e vendos atë si të zhdukur prej qershorit 1998. ICRC e kishte regjistruar zhdukjen e tij përpara datës së kontratës. Dokumentet e mëvonshme gjyqësore e trajtuan juridikisht si të vdekur. Materialet që lidhen me luftën e vendosin zhdukjen e tij në vitin 1998. Në një situatë të tillë, një gazetar nuk mund ta zgjidhë kundërthënien vetëm duke thënë se kontrata “nuk është fallc”.
Ajo mund të jetë një dokument real si objekt fizik dhe përsëri të jetë produkt i një identiteti të rremë, një nënshkrimi të falsifikuar, një përfaqësimi të paautorizuar ose një transaksioni juridikisht të pavlefshëm. Kjo është pikërisht ajo që duhet të përcaktojë prova.
Kush u paraqit si Kërstiq?
Me çfarë dokumenti identifikimi?
Kush e verifikoi identitetin e tij?
Kush e pa të nënshkruante?
A ekziston origjinali?
A është verifikuar nënshkrimi?
Ku është gjurma e 300.000 markave?
Këto janë pyetje prove. Jo çështje bindjeje.
KRONIKAT E BARUTIT megjithatë vazhduan me publikimin e serisë së parë prej tri pjesësh mbi dosjen Zeka-Kërstiq. Ne e bëmë këtë jo sepse e kishim përgjigjen përfundimtare për çdo element të çështjes, por sepse kishim arritur pikën ku dokumentet provonin se ekzistonte një kundërthënie serioze dhe e verifikueshme që publiku kishte të drejtë ta njihte.
Pasi seria filloi të publikohej, diskutimi brenda redaksisë u zhvendos edhe te ndërhyrja e Sopës. Pyetja nuk ishte më se kush e kishte pasur historinë i pari. Pyetja ishte nëse një gazetar që e drejton një media që paraqitet si redaksi e pavarur kishte pranuar që një palë e jashtme ta kushtëzonte momentin e publikimit të një çështjeje me interes të qartë publik.
Vendosëm se duhej t’i jepnim Sopës mundësinë ta shpjegonte këtë vetë.
Më 3 gusht i dërguam një seri pyetjesh të hollësishme3. E pyetëm kur i kishte marrë dokumentet, cilat dokumente i kishte pasur, çfarë kishte verifikuar, kush i kishte kërkuar të priste, nëse kishte marrë këshillë juridike, nëse ekzistonte ndonjë urdhër gjykate ose kufizim ligjor dhe nëse qëndronte deklarimi i tij se dokumentet i kishte prej vitit 2023.
Përgjigjja e tij e parë ishte domethënëse.
“Unë të kam tregu që jam tu e hulumtu këtë punën e shpijes së Milaim Zekës”, shkroi Sopa.
Pastaj e konfirmoi edhe arsyen e vonesës.
Ai tha se, “me kërkes të pales”, po e priste një proces gjyqësor “për mos me dëmtu rastin”.

Pra ai e konfirmoi se kishte punuar mbi çështjen. E konfirmoi se publikimi ishte shtyrë, dhe se një palë me të cilën kishte bashkëpunuar e kishte kërkuar pritjen.
Kur e pyetëm sërish kush ishte ajo palë, çfarë kufizimi juridik ekzistonte dhe nëse vendimi për të pritur ishte marrë nga Kosova News si redaksi apo ishte respektim i kërkesës së jashtme, reagimi ndryshoi ton.
Sopa i quajti disa prej deklarimeve tona “të pavërteta”, pa dhënë një kronologji alternative për dokumentet që në telefon kishte thënë se i kishte prej vitit 2023. Pastaj e përsëriti arsyen e mosbotimit. Pala me të cilën kishte bashkëpunuar, shkroi ai, i kishte kërkuar “mos me publiku niher kurgjo se mund ta dëmtoj procesin”.
Pastaj e dha një shpjegim edhe më problematik.
“Normalisht unë ju kam bind kërkesës se unë mendoj me bashkpunu e me pas kontakte me njerëz që më ndihmojnë edhe ma gjatë”, shkroi ai.
Kjo fjali shkon në zemër të problemit editorial.
Një burim mund t’i kërkojë një gazetari anonimitet. Mund të kërkojë mbrojtje. Mund të refuzojë t’i japë dokumente të tjera. Mund të ketë arsye reale sigurie ose juridike për ta kërkuar një shtyrje të përkohshme. Por një redaksi që e lejon marrëdhënien e ardhshme me burimin ta përcaktojë në mënyrë të hapur se kur publiku do të lejohet ta mësojë një fakt të dokumentuar hyn në një territor tjetër. Në atë moment gazetaria nuk po e menaxhon vetëm një burim. Rrezikon të menaxhohet prej tij.
Sopa nuk na dha urdhër gjykate. Nuk na dha dispozitë ligjore. Nuk na paraqiti opinion juridik që do të na lejonte ta kontrollonim se në çfarë mënyre raportimi do ta dëmtonte procesin. Ai kishte të drejtë të mos na jepte materialet e tij. Por kur arsyeja për mosbotim bëhet pjesë e justifikimit publik të një vendimi editorial, ajo arsye mund dhe duhet të testohet.
Në vend të sqarimeve të mëtejshme, Sopa kaloi në fyerje. Më quajti “hajvan” dhe e mbylli komunikimin me “Ik pirdhu tash”.

Fyerja nuk provon asgjë dhe nuk është arsyeja pse po e botojmë këtë histori. Ajo që ka rëndësi është se edhe në reagimin e tij më agresiv ai nuk e tërhoqi deklarimin se i ishte bindur kërkesës së palës për të mos publikuar asgjë.
Kjo është arsyeja pse, në këtë rast konkret, nuk mund ta pranojmë pa shqyrtim pretendimin e një pavarësie editoriale absolute. Ne kemi qenë vetë dëshmitarë të një situate në të cilën drejtuesi i një redaksie tha se kishte dokumente prej vitesh, tha se e kishte hulumtimin shumë të avancuar, tha se nuk e publikonte sepse një person tjetër i kishte kërkuar të priste dhe më vonë shkroi se kishte respektuar atë kërkesë edhe sepse donte ta vazhdonte bashkëpunimin me njerëzit që e ndihmonin.
Këtu mbaron pretendimi dhe fillon përgjegjësia editoriale.
Gazetari nuk është depo për interesat e burimit. Ai nuk është avokati i tij. Nuk është strateg i procesit të tij gjyqësor. Kur një burim jep informacion vetëm me kushtin që publiku të mos e mësojë deri në një moment që i shërben interesit të burimit, redaksia duhet ta përcaktojë në mënyrë të pavarur nëse ai kusht është i arsyeshëm, ligjërisht i nevojshëm dhe në përputhje me interesin publik. Nëse thjesht bindet për ta ruajtur qasjen, rrezikon të bëhet instrument i palës.
Në një çështje që prek një kontratë të vitit 2001, një pronë të kontestuar, një person të zhdukur prej vitit 1998 dhe pretendime që kanë kaluar nëpër institucione për më shumë se dy dekada, koha e publikimit mund të ketë rëndësi. Informacioni që mbetet në sirtar nuk mund të kontrollohet nga publiku, nga familja, nga institucionet apo nga palët e tjera që mund të sjellin prova kundërshtuese. Heshtja nuk është neutrale vetëm sepse quhet pritje.
Dhe pikërisht për këtë arsye mbetet kaq e rëndësishme fjalia e Sopës për kontratën.
“Ajo nuk është fallc.”
Nëse Sopa ka prova që e vërtetojnë këtë, ato janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Duhet të tregojnë se kush ishte personi që u paraqit si Zhivorad Kërstiq më 15 gusht 2001, si u identifikua, mbi çfarë dokumenti, kush e verifikoi identitetin, si u konfirmua autenticiteti i nënshkrimit dhe si përputhet e gjithë kjo me dokumentacionin që e evidenton Kërstiqin të zhdukur që nga viti 1998.
Pa këtë provë, një deklaratë kategorike se kontrata “nuk është fallc” nuk është përgjigje. Është një pozicion.
Dhe kur ky pozicion vjen nga një gazetar që thotë se e kishte dosjen prej vitit 2023, se i kishte dokumentet, se i kishte intervistat, dhe se kishte zgjedhur të mos publikonte asgjë me kërkesë të një pale dhe se donte ta ruante marrëdhënien me njerëzit që e ndihmonin, atëherë publiku ka të drejtë të pyesë se çfarë, saktësisht, dinte Jeton Sopa dhe pse për kaq gjatë zgjodhi që publiku të mos e dinte.
Nëse ky raportim ka vlerë për ty, ndihmoje të vazhdojë. Kontribuo sot për gazetari të pavarur, të guximshme dhe në shërbim të publikut.
A e Falsifikoi Milaim Zeka Kontratën e Njeriut të Zhdukur?
Nënshkrimi i një të zhdukuri nuk e mbulon vetëm një shtëpi, ai i mbulon gjurmët e një krimi. Më 12 korrik 2001, Kryqi i Kuq konfirmonte se Zhivorad Kërstiç rezultonte i zhdukur që nga dita kur u nxorr nga autobusi për t’u dërguar në kampin e Llapushnikut.
“Dosja sekrete e Milaim Zekës nga takimet me spiunët rusë te shitja e arkivës së UÇK-së në Serbi”
Nga: Vudi Xhymshiti, KRONIKAT E BARUTIT. 18 prill 2025.
Dosja sekrete e Milaim Zekës nga takimet me spiunët rusë te shitja e arkivës së UÇK-së në Serbi
Nga një kameraman lufte në deputet, e deri te zëdhënës i fabrikimeve gjeopolitike, Milaim Zeka mbetet mjeshtri i jetës së dyfishtë në Kosovë.
Shënimet e kryeredaktorit pas bisedës me Jeton Sopën
Arkivi investigativ i KRONIKAVE TË BARUTIT. 10 dhjetor 2025. Material i brendshëm i redaksisë.
Çfarë përmbajnë shënimet tona?
Shënime të hartuara menjëherë pas largimit të Sopës, për shkak të rëndësisë së deklarimeve të tij mbi Milaim Zekën, dosjen Kërstiq, dokumentet që Sopa tha se i posedonte dhe procedurat që i kishte ndjekur.
Shënimet dokumentojnë kujtesën e kryeredaktorit për deklarimet e Sopës dhe përdoren vetëm për ta rindërtuar atë se çfarë ai tha gjatë asaj bisede. Ato nuk provojnë vetvetiu akuzat që Sopa ia atribuoi personave të tjerë. Për shkak të ndjeshmërisë së bisedës, materiali i plotë mbahet në arkivin e redaksisë dhe nuk bëhet publik. Nëse deklarimet e dokumentuara kundërshtohen materialisht dhe paraqitet nevojë e qartë editoriale ose juridike, KRONIKAT E BARUTIT do të mbështeten në materialin burimor që e ruajnë për ta mbrojtur saktësinë e raportimit.
Vudi Xhymshiti, Londër, 17 Gusht, 2026.
E drejta e përgjigjes dhe komunikimi me Jeton Sopën
KRONIKAT E BARUTIT dhe Jeton Sopa. 16 gusht 2026.
Material i brendshëm i redaksisë.
Pyetjet e redaksisë dhe dy përgjigjet e Sopës mbi hulumtimin, kërkesën e palës për pritje, procesin gjyqësor dhe arsyen e bashkëpunimit.



Pse po e përdorim këtë formë të dokumentimit?
Sepse është burimi parësor për qëndrimin aktual të Sopës. Ai konfirmon hulumtimin dhe pritjen me kërkesë të palës, ndërsa mohon pjesë të kujtesës sonë për bisedat e mëhershme.




