KRONIKAT E BARUTIT

KRONIKAT E BARUTIT

Koment dhe Analizë

Klithma e Fundit e Mafies

Hashim Thaçi, arkitekti i kapitullimit, nuk e luftoi armikun por e orkestroi eliminimin e patriotëve; sot, Arian Tahiri tentoi ta rringjallë këtë manual vrasjesh si mjet frikësimi në Kuvend.

Vudi Xhymshiti's avatar
Vudi Xhymshiti
Apr 23, 2026
∙ Paid

Në mes të sallës së Kuvendit të Republikës, aty ku ligji duhej të ishte tempull dhe fjala peshë e rëndë përgjegjësie, Arian Tahiri, deputet i PDK-së, e lëshoi një klithmë që nuk ishte thjesht mbrojtje politike, por një rënkim nostalgjik për epokën e tmerrit.

“E keni ni erën që po vjen Hashim Thaçi,” deklaroi ai me një mburrje që ta kujton ligjërimin e kapove të mafies që paralajmërojnë kthimin e kumbarit.

Kjo fjali, e transmetuar me zell prej mediave1 që ushqehen me mbetjet e një pushteti të kalbur, nuk është thjesht një provokim banal. Është manuali i vrasjeve politike që flet përmes gojës së një deputeti. Është skema e vjetër e frikësimit, shantazhit dhe dominimit përmes emrit të një njeriu që e shndërroi çlirimin në një biznes personal gjaku dhe haraçi. Kur Tahiri flet për “erën” e Thaçit, ai nuk po flet për erën e shtetndërtimit apo të diplomacisë, por për erën e rëndë të barutit të pabesë, për erën e bodrumeve të SHIK-ut dhe për aromën e dekompozuar të dosjeve të mbyllura me dhunë. Ky fjalim nuk ishte asgjë më pak se një manifest i nënshtrimit ndaj krimit të organizuar, një përpjekje për ta rringjallur frikën në palcën e një shoqërie që ende po tenton të shërohet nga plagët e pasluftës.

Dhe ndërsa Hashim Thaçi e ka humbur çdo shpresë në qelinë e tij në Hagë, duke u përballur me peshën e pakundërshtueshme të krimeve që nuk i fsheh dot më as diplomacia e blerë me paratë e vjedhura të këtij populli, PDK-ja na ka shërbyer për gjashtë vite radhazi një komedi groteske dhe fyese: “lajmin” e rremë se ai do të lirohet “pas tre muajsh”. Është një cikël masturbimi politik që përsëritet çdo sezon, një gënjeshtër e rregullt dhe e qëllimshme për ta mbajtur nën tension tufën e servilëve dhe për ta penguar çdo tentativë për reformë brenda partisë dhe shtetit. Pjesë e këtij cirku tragjik, ku fati i një kombi u përdor si monedhë shkëmbimi, ishte edhe Richard Grenell. Ky diplomat mercenar, një figurë që bredh korridoreve të errëta të Moskës, Beogradit, Kishinaut dhe Budapeshtit, gënjeu pacipësisht duke u premtuar besnikëve të Thaçit se me ardhjen e Donald Trump në zyrë, dera e qelisë do të hapej me magji2. Trump erdhi, po shërben dhe tani edhe po largohet nga zyra, por jo vetëm që nuk e liroi “kumbarin” e Kosovës, por edhe vetë Grenell humbi çdo kredibilitet e pozicion, i zhytur në llumin e skandaleve më të rënda morale. Ai sot është një njeri i ekspozuar për akuza rrëqethëse të përfshirjes në abuzime seksuale me fëmijë në Serbi3, skandale për të cilat thuhet se shërbimet ruse i zotërojnë video-incizimet, duke e shndërruar atë në një vegël të shantazhuar të interesave sllave. Kjo është “elita” ndërkombëtare me të cilën Thaçi ndërtoi aleancat e tij të fundit, një grup njerëzish pa moral që e shitën Kosovën për një fotografi në Shtëpinë e Bardhë që nuk solli asgjë përveç izolimit.

Përderisa këta megafonë si Tahiri e ndonjëhere edhe Artan Behrami e Berat Buzhala e të tjerë, premtonin lirinë e rreme të “komandantit”, në prapaskenë po thurrej një tjetër ndërmarrje të përbashkët kriminale, më e sofistikuar dhe po aq e rrezikshme sa e para. Këtë herë, operacioni u udhëhoq nga arkitektët e errësirës institucionale: ish-drejtori i inteligjencës Bashkim Smakaj dhe ish-ministri i drejtësisë Hajredin Kuçi. Ky është kulmi i turpit kombëtar: një aktakuzë e dytë që po gjykohet këtë vit në Hagë, por këtë herë e mbështetur në Kodin Penal të Kosovës. Kjo është prova ulëritëse se këta individë nuk dinë të jetojnë ndryshe veçse përmes komplotit, manipulimit të dëshmitarëve dhe pengimit sistematik të drejtësisë. Ata nuk po e mbrojnë UÇK-në, as vlerat e luftës, ata po e mbrojnë lëkurën e tyre të rreshkur nga korrupsioni dhe po tentojnë t’i fshehin gjurmët e vrasjeve politike që i kanë ndjekur si hije për dy dekada. Smakaj, Kuçi dhe ushtria e tyre e hijeve janë prova se kanceri i instaluar nga Thaçi ka lëshuar metastaza të reja, duke tentuar ta mbysin drejtësinë ndërkombëtare me të njëjtat metoda banditeske që i mbytën dëshmitarët dhe zërat kritikë brenda Kosovës. Ky është “kthimi” i vërtetë që na paralajmëron me arrogancë Arian Tahiri: jo një triumf i lirisë, por një tjetër proces gjyqësor për krime të reja, një tjetër dështim moral i një bande shpirtligë që po jep shpirt në sytë e një populli që nuk u beson më as përrallave gjashtëvjeçare e as lotëve të tyre prej krokodili.

Arkitekti i Kapitullimit dhe i Vrasjeve Pas Shpine

Për dy dekada, ai e mbajti peng pavarësinë dhe dokumentimin e gjenocidit serb, duke e instaluar ndikimin e Beogradit brenda shtetit tonë dhe duke tentuar deri në fund copëtimin e veriut. Ky ilustrim zhvesh propagandën e "heroit" për ta shfaqur njeriun që tradhtoi rezistencën, e plaçkiti vendin dhe e la Kosovën nën hijen e varrezave të pashpjegueshme politike. Thaçi nuk e mbrojti lirinë; ai e përdori atë si mburojë për ambiciet e tij shkatërruese.

User's avatar

Continue reading this post for free, courtesy of Vudi Xhymshiti.

Or purchase a paid subscription.
© 2026 The Frontline Media Group · Privacy ∙ Terms ∙ Collection notice
Start your SubstackGet the app
Substack is the home for great culture