Kronikat e Barutit rikthehen në Facebook
Faqet e Kronikave të Barutit u rikthyen në Facebook pas një beteje profesionale dhe ligjore, ndërsa publiku reagoi me mijëra shikime brenda ditësh.
Gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të 28 dhjetorit 2025 në Republikën e Kosovës, redaksitë tona në gjuhën shqipe KRONIKAT E BARUTIT dhe angleze Gunpowder Chronicles ishin aktive në raportim, ashtu siç pritet nga një media që mbulon zhvillime politike, çështje të sigurisë dhe interesit publik. Në atë periudhë, KRONIKAT E BARUTIT dhe Gunpowder Chronicles publikuan raportime të vazhdueshme mbi procesin zgjedhor, zhvillimet politike dhe ndikimet rajonale që lidhen me interesin publik.
Pak kohë pas kësaj periudhe, faqet tona në Facebook në gjuhën shqipe dhe angleze u mbyllën nga platforma. Bashkë me to u pezullua edhe llogaria personale e gazetarit dhe themeluesit tonë, Vudi Xhymshiti. Llogaria personale u rikthye me shpejtësi. Megjithatë, faqet tona mediale mbetën të bllokuara për muaj të tërë.

Ne besojmë se kjo ndodhi si rezultat i një fushate të organizuar raportimesh të koordinuara ndaj raportimeve tona. Përballë kësaj situate, redaksia jonë ndoqi rrugë ligjore dhe profesionale për të kërkuar rikthimin e pranisë sonë publike në platformë. Në këtë përpjekje kemi marrë mbështetje të rëndësishme nga National Union of Journalists në Mbretërinë e Bashkuar, organizatë e cila ndihmoi në adresimin institucional të rastit tonë.
Më 12 maj 2026, Facebook riktheu zyrtarisht faqet tona.
Rikthimi ynë nuk kaloi pa u vënë re.
Të dhënat statistikore të ditëve të para pas rikthimit tregojnë një interesim të jashtëzakonshëm nga publiku. Brenda më pak se tri ditësh, faqja jonnë në gjuhën shqipe ka regjistruar mbi 107 mijë shikime. Vetëm më 12 maj, publikimet tona arritën vëmendjen e mbi 60 mijë shikimeve brenda një dite. Kjo ndodhi menjëherë pas rikthimit të publikimit të përmbajtjes sonë në platformë.

Këto shifra përfaqësojnë më shumë se statistika. Ato tregojnë se puna jonë kërkohet, ndiqet dhe mbështetet nga publiku. Pas muajsh mungese të detyruar, reagimi i lexuesve tanë dëshmon se ekziston një nevojë reale për gazetari të pavarur, të përgjegjshme dhe të përkushtuar ndaj interesit publik.
Ne do ta vazhdojmë punën tonë me të njëjtin përkushtim. Do të vazhdojmë të raportojmë mbi çështjet që e prekin demokracinë, sigurinë, të drejtat dhe liritë publike në Kosovë dhe më gjerë.
Mbështetja juaj mbetet thelbësore.
Ju ftojmë të na ndiqni në Facebook, t’i pëlqeni faqet tona, t’i shpërndani raportimet tona dhe të abonoheni në platformat tona mediale. Me mbështetjen tuaj, gazetaria e pavarur mund të vazhdojë të ekzistojë dhe të forcohet.


