0:00
/
0:00
Transcript

Kur Argumenti Dështoi, Berat Buzhala Zgjodhi Agresionin

Kur Berat Buzhala u ngrit kundër Albatros Rexhajt në “Opinion”, publiku e pa degradimin e diskursit politik dhe normalizimin e agresionit televiziv.

E pashë çastin. Nuk ishte debat që doli nga shinat. Ishte një njeri që e zëvendësoi fjalën me vrap, dhe argumentin me trup.

Berat Buzhala u ngrit dhe u hodh drejt Albatros Rexhajt në një studio kombëtare, para kamerave, para publikut. Dhe në atë sekondë u kuptua diçka e thjeshtë. Kur një figurë publike e humb vetëkontrollin, ai nuk e humb vetëm dinjitetin e vet, ai rrezikon ta kthejë dhunën në normë.

Nuk është “nxehje”. Nuk është “moment”. Është zgjedhje. Zgjedhja për ta frikësuar tjetrin në vend se ta bindësh. Zgjedhja për të imponuar heshtjen. Dhe kush e bën këtë në prime time, i thotë shoqërisë.

“Kur s’kam përgjigje, kam muskuj.”

Kjo është gjuhë e rrugës, e jo e republikës. Dhe kur ajo gjuhë futet në studio, studioja bëhet laborator i një sëmundjeje publike.

Pastaj është hipokrizia që kërkon të thuhet me zë të ftohtë. A nuk është ky i njëjti Buzhala që ka përçmuar mërgatën e Kosovës si “analfabete” dhe “e pashkolluar”?

Çfarë është ky shpërthim, nëse jo analfabetizëm i qytetarisë?

Çfarë është kjo sjellje, nëse jo një mungesë arsimi moral?

Sepse arsimimi i vërtetë nuk është titull, është frer. Dhe ai frer mbrëmë u këput me zhurmë.

Buzhala nuk është vetëm një njeri që u zu keq në ekran. Sipas gjetjeve tona hulumtuese1, ai del të jetë i rreshtuar me rrjete të errëta interesi, me aleanca që e përdorin median si strehë, si mburojë, si lavatriçe reputacionesh.

Kur një figurë e akuzuar publikisht për afëri me rrjete të dyshimta i zgjidh konfliktet me hov dhe frikësim, ai nuk i shuan dyshimet. I ushqen. I bën më të besueshme. Sepse dhuna është valuta e botëve ku ligji është dekor.

Dhe këtu merr formë një pyetje e rëndë.

Çfarë po mbron Buzhala me atë vrull? Pse e humb kontrollin pikërisht atëherë kur debati prek gjykatën2, përgjegjësinë, “kupolën”, hierarkinë, fajin kolektiv, filtrat e provave, dhe pastaj rrëshqet në fyerje e ultimatume. Sepse njeriu që është i sigurt në të vërtetën e vet nuk ka nevojë të ngrihet nga karrigia. Njeriu që është i sigurt, rri ulur dhe e vret gënjeshtrën me fakt. Ai që çohet për të frikësuar, zakonisht po mbulon diçka që s’do ta shohësh.

Aty ku çdo njeri normal do të kishte përulësi dhe drojë, aty ku kujtesa do të duhej të ishte busull e jo mall tregu, Buzhala e ka shitur atë dhimbje3.

Nëse ajo që e thotë këtu Buzhala4 është e saktë, atëherë për mua tragjedia është dyfishe. Sepse unë po e shoh një njeri që dikur e ka njohur padrejtësinë në lëkurën e vet, e sot e prodhon padrejtësi në ekran. Po e shoh një njeri që duhej të ishte i pari që e kupton çfarë bën dhuna, e sot e sjell dhunën si argument. Për mua kjo nuk është vetëm rënie. Është ndërrim pale me vetveten.

Unë vij nga një shoqëri që ka parë luftë, varre, pengje, kërcënime. Dhe për mua “burrnia” nuk është të vraposh drejt tjetrit. “Burrnia” është të mos e bësh. Është të dish të përmbahesh kur të gjithë të shohin. Është të mos e kthesh mikrofonin në shkop. Mbrëmë unë pashë një model të rrezikshëm. Pashë një njeri me platformë, me ndikim, që e përdori atë ndikim jo për ta rritur standardin, por për ta ulur në nivelin ku fitohet me frikë.

Për mua dhuna në studio është e papranueshme. Kush e bën, i detyrohet publikut përgjegjësi, jo arsyetime të tipit “u nxeha”. Duke qenë se pretendimet që kam ngritur për lidhjet e Buzhalës me rrjete kriminale si ato të Sami Lushtakut dhe shërbime interesaresh qëndrojnë, skena e mbrëmshme nuk është thjesht incident. Për mua është shenjë. Shenjë se kur terri ndihet i kërcënuar, ai nuk debaton. Ai sulmon5.

Mbrëmë u tha edhe një fjali që unë nuk e lë të kalojë si zhurmë. “Mbylle gojën.” Për mua kjo nuk është thjesht fyerje. Është program. Është filozofi. Është kulturë nënshtrimi. Dhe kur kjo kulturë del nga goja e një njeriu me influencë mediatike, unë nuk e shoh si turp personal. E shoh si rrezik publik.

Po e them qartë. Një njeri që kërkon të jetë zë i shoqërisë, sipas meje, nuk ka të drejtë të sillet si kërcënim i saj. Dhe kush e përdor dhunën si mjet, për mua e ka pranuar humbjen aty ku duhej të fitonte. Në fushën e mendjes.

Kronikat e Barutit është një botim i pavarur, i mbështetur nga lexuesit. Për të marrë artikujt më të rinj dhe për të mbështetur këtë punë, abonohuni falas ose me pagesë.


1

Berat Buzhala, Listat e Zeza të SHBA-së dhe Kërcënimi i Sigurisë Kombëtare

Lidhjet e Berat Buzhalës me figura të sanksionuara nga SHBA, si Grubi dhe Veselinoviq, zbulojnë një rrjet të rrezikshëm manipulimi mediatik dhe kërcënimesh për sigurinë kombëtare të Kosovës. — Kronika B Hulumtim.

2

Gjykata Speciale ndez polemika në Kosovë: Pranon prova nga Serbia

Pranimi i provave të Serbisë nga Gjykata Speciale në Hagë ndez debat të ashpër në Kosovë, ringjall trauma të luftës, tension politik dhe sfida për drejtësinë tranzicionale. — Kronika B Politikë.

3

Fytyra që Qesh mbi Dhimbjen e Babait

Ai që dikur derdhte ujë mbi plagët e babait, sot u shërben atyre që ia rrahën babain. Ai e tall të vërtetën përmes heshtjes. Ai është Berat Buzhala. — Kronika B Kritikë.

4

Postimi në Facebook i Berat Buzhalës më 11 Dhjetor, 2019 si përgjigje ndaj Gani Kocit.

5

Skema e vrasjeve politike të Hashim Thaçit

Strategjia e Thaçit e shndërroi Kosovën në një shtet vrasës, ku krijoheshin “atmosfera atentati” për ta arsyetuar neutralizimin e kundërshtarëve dhe për t’i futur besnikët në një cikël borxhi. — Kronika B Hulumtim.

Discussion about this video

User's avatar

Ready for more?