Kur e vërteta kthehet në provë kundër pushtetit vrastar të Hashim Thaçit
Publiku e lexoi e shpërndau por një pakicë reagoi me frikë duke e dokumentuar vetë mekanizmin e vrasjeve politike që gjetjet tona hulumtuese e përshkruanjnë.
Sipas të dhënave të “insights” në dy postimet tona, gjetjet hulumtuese mbi “Skemën e vrasjeve politike të Hashim Thaçit” morën pothuajse 200 mijë shikime brenda më pak se 24 orësh. Postimi i artikullit1 arriti 117,005 shikime, ndërsa videoja shpjeguese2 arriti 77,910 shikime. Në total, kjo e çon ekspozimin mbi 194 mijë shikime në një ditë, një shifër që e vendos këtë hulumtim në mesin e materialeve më të lexuara të këtij lloji në hapësirën publike shqip.
Ndërveprimet tregojnë se debati ishte masiv, por jo njëvalësh.
Postimi i artikullit regjistroi 1,731 ndërveprime, 382 komente dhe 120 shpërndarje. Videoja regjistroi 4,430 ndërveprime, 434 komente, 521 shpërndarje dhe 116 “saves”.
Këto të dhëna janë të rëndësishme sepse zbulojnë dy gjëra.
Së pari, publiku nuk e kaloi materialin “pa e parë”. E diskutoi dhe e shpërndau.
Së dyti, numri i shpërndarjeve dhe ruajtjeve sugjeron interes real për ta mbajtur dhe rikthyer te materiali, jo thjesht reagim emocional i çastit.


Një element tjetër domethënës del nga analiza e përgjithshme e “insights” në Facebook për 60 ditët e fundit. Vetëm në ditën e publikimit të artikullit, pas mesditës britanike, shikimet e përmbajtjes së lidhur me hulumtimin kaluan pragun e 300 mijë shikimeve brenda 24 orësh, duke e shndërruar atë ditë në një nga pikat më të larta të ekspozimit në këtë periudhë. Në total, profili regjistroi mbi 8 milionë shikime gjatë dy muajve të fundit, me një rritje mbi 114% krahasuar me periudhën paraprake. Këto shifra nuk përfaqësojnë thjesht volum trafiku, por tregojnë kapacitet real depërtimi në hapësirën publike: përmbajtja nuk mbeti e kufizuar në një rreth të mbyllur ndjekësish, por u shpërnda gjerësisht, duke aktivizuar audienca të reja dhe duke e vendosur temën në qendër të vëmendjes publike përtej ciklit normal të lajmit ditor. Në terma praktikë, kjo do të thotë se hulumtimi funksionoi si ngjarje publike, jo si artikull i izoluar, dhe se reagimet pozitive apo armiqësore janë pasojë e drejtpërdrejtë e kësaj shtrirjeje të gjerë.

Një tregues po aq i rëndësishëm është numri i ndërveprimeve të përgjithshme, i cili ofron një pasqyrë më të saktë mbi nivelin real të përfshirjes së audiencës. Gjatë 60 ditëve të fundit, përmbajtja në profilin tim në facebook gjeneroi afro 199 mijë ndërveprime, me një rritje prej mbi 53% krahasuar me periudhën pararendëse. Vetëm në ditën e publikimit të artikullit, pas mesditës britanike, u regjistruan rreth 7,600 ndërveprime brenda 24 orësh. Kjo shifër tregon se reagimi nuk ishte pasiv apo sipërfaqësor: audienca nuk u mjaftua me shikim, por ndërhyri aktivisht përmes komenteve, reagimeve dhe shpërndarjeve. Në terma analitikë, ky nivel ndërveprimi e klasifikon përmbajtjen si “engagement-driven”, çka nënkupton se materiali jo vetëm u konsumua, por u përjetua si relevant, provokues dhe i denjë për përgjigje publike.

Ajo që bie në sy është se reagimet negative vijnë si zhurmë e përqendruar nga një pakicë, ndërsa shumica e ndërveprimeve janë neutrale ose pozitive në formën e shpërndarjes, ruajtjes dhe kërkesës për sqarim. Vetë numrat e komenteve, 382 dhe 434, në raport me shikimet, tregojnë se vetëm një pjesë e vogël e audiencës hyri në konflikt verbal, ndërsa pjesa tjetër konsumoi dhe shpërndau.
Kur realiteti publik pasqyron atë që hulumtimi përshkruan
Brenda kësaj pakice, modelet e gjuhës janë të përsëritshme dhe përputhen me atë që artikulli përshkruan si “atmosfera atentati”. Në vend të kundërshtimit me fakte, një pjesë e komentuesve kaluan direkt në delegjitimim personal dhe kërcënim.
Disa prej tyre përdorën etiketën “shpijun” dhe “serb”, një formulë klasike për ta bërë objektivin të duket i ligjshëm për sulm.
Të tjerë shkuan më larg, me nënkuptime të hapura për dhunë, si “me ta numrue në lulë të ballit” dhe “me tregu sa shitet baruti”.
Këto nuk janë shprehje figurative. Janë gjuhë intimidimi me nëntekst të qartë.
Ky është momenti ku hulumtimi dhe realiteti takohen. Artikulli argumenton se sistemi funksionon përmes delegjitimimit, izolimit dhe pastaj dhunës. Reagimet e këtij lloji janë prova sociale se ky refleks ekziston ende, pavarësisht se kush është autori dhe cili është motivi i komentuesit.
Nga verifikimi bazik i profileve publike, vërehet se disa nga komentuesit më agresivë kishin fotografi ose lidhje të dukshme sociale me figura të PDK-së dhe rrethit të Thaçit, ose vinin nga hapësira ku artikulli e lidh rrjetin e frikësimit me qendra lokale ndikimi, përfshirë Skenderajn. Kjo nuk është provë penale, por është indikator i mjedisit politik dhe social ku gjuha e dhunës normalizohet si “mbrojtje e luftës”.









Reagim i veçantë erdhi edhe nga Shkodran Hoti, figurë mediatike e lidhur me ekosistemin e T7 dhe me orbitën editoriale të Berat Buzhalës. Postimi i tij nuk adresoi asnjë element të përmbajtjes, por u fokusua te etiketa personale dhe te ideja se “shumë njerëz janë me keq” me autorin. Ky është një mekanizëm presioni, jo debat. Është përdorimi i turmës si argument dhe i zemërimit si “provë” kundër hulumtimit. Në praktikë, është mënyrë për ta zhvendosur fokusin nga pyetja kryesore, a janë të vërteta dhe të verifikueshme elementet e metodologjisë së vrasjeve politike të Hashim Thaçit që përshkruhen në gjetjet tona hulumtuese.
Thelbi i kësaj vale reagimesh është i thjeshtë. Pakica që sulmon nuk po sjell kundërfakte, po përpiqet të prodhoj frikë. Dhe pikërisht kjo e bën reagimin të rëndësishëm për publikun. Sepse kur një hulumtim për vrasje politike sjell kërcënime, ky është sinjal se tema ende prek interesa dhe rrjete reale të krimit.
Kjo nuk është çështje simpatie për Thaçin ose antipatie ndaj tij. Është çështje drejtësie. Çdo përpjekje për ta “larë” Thaçin përmes mitologjisë politike, pa u përballur me pyetjet dhe rastet e pazgjidhura, është goditje direkte ndaj besimit në sistemin e drejtësisë dhe ndaj familjeve që presin prej dekadash përgjigje. Në një shtet normal, askush nuk trajtohet si i paprekshëm. As për shkak të luftës. As për shkak të postit. As për shkak të rrjetit.
Pas 24 orësh, faktet janë këto. Hulumtimi u lexua masivisht. U shpërnda fuqishëm. Dhe u sulmua nga një pakicë që nuk kundërshton me prova, por me kërcënime frikësuese. Kjo pakicë, në vend se ta rrëzojë shkrimin, e konfirmoi mjedisin që shkrimi përshkruan.












