Kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi të martën pasdite se opozita në vend po ndjek një strategji bllokimi institucional, duke i bojkotuar seancat plenare dhe duke refuzuar pjesëmarrjen në proceset vendimmarrëse. Në një konferencë për media rreth orës 16:40, ai e cilësoi këtë qasje si mosnjohje të rezultatit zgjedhor të 28 dhjetorit, ku, sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje i mori 51.1 për qind të votave.
Kurti tha se opozita ka kundërshtuar iniciativa të qeverisë, përfshirë rishikimin e buxhetit dhe masat për përballimin e inflacionit, ndërkohë që, sipas tij, nuk po merr pjesë në procesin e zgjedhjes së presidentit. Ai përmendi gjithashtu përfshirjen e Listës Serbe në votime për çështje ekonomike, duke e krahasuar këtë me mungesën e opozitës në seanca për çështje institucionale.
Duke argumentuar kundër mbajtjes së zgjedhjeve të reja, Kurti tha se vendi rrezikon të humbasë mbi 10 milionë euro vetëm për organizimin e tyre, si dhe dhjetëra milionë të tjera për shkak të kufizimeve në bashkëpunimin ndërkombëtar në mungesë të një Kuvendi funksional. Ai shtoi se qeveria ka bërë përpjekje për të shmangur një proces të ri zgjedhor, përfshirë tentativat për ta gjetur një kandidat konsensual për president.
Sipas tij, janë zhvilluar disa ftesa për takim me drejtues të opozitës, përfshirë kreun e LDK-së Lumir Abdixhiku dhe atë të PDK-së Bedri Hamzën, por pa rezultat konkret. Kurti tha se qeveria ka ofruar propozime, ndërsa opozita ka refuzuar të paraqesë alternativa. Ai e përmendi edhe një kërkesë drejtuar Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për të propozuar së bashku kandidatë për president, i cili veprim, sipas tij, nuk u materializua.
Në përpjekje për ta çuar përpara procesin, Kurti tha se janë propozuar disa emra, përfshirë Glauk Konjufcën dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, të cilët më pas u tërhoqën nga kandidatura. Ai shtoi se së fundmi janë propozuar edhe dy kandidate të tjera, Hatixhe Hoxha dhe Feride Rushiti.
Kurti veçoi figurën e Rushitit, duke theksuar angazhimin e saj në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe punën me viktimat e dhunës gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Ai tha se ajo ka marrë vlerësime ndërkombëtare, përfshirë nominimin për çmimin Nobel për Paqe dhe çmime të tjera për kontributin e saj. Sipas tij, kandidatura e saj e përfaqëson një opsion jo partiak dhe me mbështetje të gjerë shoqërore.
Kryeministri kritikoi reagimet e fundit nga Partia Demokratike e Kosovës, duke përmendur deklarata publike të Vlora Çitakut që, sipas tij, kanë kërkuar tërheqjen e Rushitit nga kandidimi. Ai tha se një pjesë e opozitës më herët kishte shprehur vlerësim për figurën e saj në rrjetet sociale.
Nënkryetarja e Partia Demokratike e Kosovës, Vlora Çitaku, iu përgjigj1 deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se ai vetë nuk po e respekton plotësisht rezultatin zgjedhor, pasi sipas saj 51 për qind nuk përfaqësojnë konsensus të plotë. Ajo theksoi se sjellja shtetërore matet me veprimet aktuale dhe jo me të kaluarën, duke shtuar se opozita ka mbështetur pa kushte vendime kyçe si zgjatjet buxhetore dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Çitaku akuzoi Kurtin për mungesë bashkëpunimi dhe kompromisi, duke pretenduar se ai kërkon nënshtrim politik, ndërsa paralajmëroi se partia e saj nuk do të lejojë, sipas saj, cenimin e rendit kushtetues.
Në përfundim, Kurti u bëri thirrje deputetëve të opozitës që të marrin pjesë në seancat e Kuvendit dhe të kontribuojnë në zgjidhjen e situatës institucionale. Ai tha se pret pjesëmarrjen e tyre në seancën e paralajmëruar për mbrëmjen e së njëjtës ditë, duke theksuar se bojkoti, sipas tij, nuk i shërben funksionimit të institucioneve dhe interesit të shtetit.
HIPOKRIZIA E ÇITAKUT DHE TIRANIA E PAKICËS
Nga Vudi Xhymshiti, Londër, 28 Prill, 2026
Situata aktuale po e shpërfaq një krizë të thellë të kulturës politike në Kosovë, ku mjetet demokratike po përdoren për ta asfiksuar vetë procesin institucional. Kryeministri Kurti mbështetet në një mandat të fuqishëm prej 51.1%, një shifër që në çdo demokraci parlamentare ia jep qeverisë të drejtën dhe detyrën për të udhëhequr. Opozita, nga ana tjetër, po e aplikon “politikën e mospjesëmarrjes” si mjet presioni.
Pika më kritike mbetet zgjedhja e Presidentit. Propozimi i një figure si Feride Rushiti, një personalitet me integritet ndërkombëtar, fituese e çmimit International Women of Courage dhe e nominuar për Nobel, e zhvesh opozitën nga argumenti i “partizimit të shtetit”. Kur një subjekt politik si PDK e lavdëron një figurë në rrjete sociale për merita kombëtare, por kërkon tërheqjen e saj sapo ajo propozohet për post shtetëror, kjo tregon se interesi nuk është te cilësia e kandidatit, por te pamundësimi i funksionimit të shtetit.
Pretendimi i Vlora Çitakut se një shumicë prej 51% nuk përbën bazë për konsensus është një fyerje intelektuale ndaj vetë definicionit të demokracisë liberale. Të thuash se “51 për qind nuk përfaqësojnë konsensus të plotë” është një përpjekje diletante për t’i rishkruar rregullat e lojës pasi e ke humbur ndeshjen. Çitaku po tenton ta instalojë një “tirani të pakicës”, ku humbësi i zgjedhjeve kërkon ta diktojë vullnetin mbi fituesin absolut, duke e shitur këtë si “mbrojtje të rendit kushtetues”. Në fakt, rendi kushtetues mbrohet duke qëndruar në sallë dhe duke votuar, jo duke u fshehur nëpër korridoret e zyrave të grupeve parlamentare ndërkohë që shteti rrezikon të humbasë miliona euro dhe stabilitetin institucional.
Është kulmi i hipokrizisë që një figurë që ka shërbyer në nivelet më të larta të diplomacisë, ta kërkojë tërheqjen e një gruaje si Feride Rushiti2, një ikonë e mbrojtjes së viktimave të luftës, vetëm pse kjo e fundit po i ofron vendit një rrugëdalje nga kriza. Duke e sulmuar Rushitin, Çitaku ka braktisur çdo parim moral dhe demokratik, duke dëshmuar se për të dhe partinë e saj, as nominimet për Nobel dhe as kontributi për të mbijetuarit e dhunës seksuale nuk peshojnë sa inati politik. Kjo qasje nuk është opozitarizëm, është sabotim i hapur i dinjitetit shtetëror, ku “parimet” përdoren si maskë për ta fshehur frikën nga rezultati i kutive të votimit që ende u djeg si dështim i pashlyeshëm.
Vlora Çitaku kërkon tërheqjen e Feride Rushitit nga kandidatura për Presidente — Kosova Press.


