Zëri që donte t'i jepte oksigjen Millosheviqit
Kush e mbron sot Lirim Mehmetajn dhe të tillët si ai, nesër do të duhet të shpjegojë pse i dha zë kasapit që la gjurmë gjaku në çdo fshat të Kosovës.
Në mbrëmjen e të premtes së katërmbëdhjetë nëntorit 2025, një fjali e vetme u shkëput nga zhurma e përditshme televizive dhe u ngrit si çekiç mbi kujtesën e një vendi. Në studion e një emisioni debati, Lirim Mehmetaj, i vendosur përballë moderatorit Ermal Panduri, reagoi ndaj idesë së Pandurit se askush nuk mund të quhet hajdut ose kriminel pa vendim gjyqi. Me qetësi, por me peshë që nuk mund të keqkuptohej, Mehmetaj tha se me këtë logjikë as Millosheviqi nuk mund të quhet kriminel, sepse nuk ekziston një vendim që e shpall fajtor, pasi ai ka vdekur gjatë gjykimit.
Në ato pak sekonda të inçizuara nuk kishte keqformulim teknik. Kishte një rrëshqitje morale. Një zhvendosje të peshës së fajit nga krimi te procedura. Për një vend që ka ende varre të pambaruara, një fjali e tillë nuk është vetëm mendim. Është goditje në themel të kujtesës.
Reagimi im publik erdhi menjëherë1. E përshkrova Mehmetajn si një nga satelitët që Serbia i ka ushqyer në Kosovë për dy dekada, që tani po shuhen si zjarr i vjetër, por që në çastet e fundit kthehen me mohimin e krimeve të Millosheviqit. E lidha këtë me propagandën ruse, që punon duke ia lëkundur viktimës bindjen se ka qenë viktimë dhe duke e relativizuar agresorin. E përmenda edhe Ilir Mirenën, i cili më herët kishte folur në një studio tjetër2 ku kishte thënë se shqiptarët e Kosovës e kishin shtyrë Serbinë të kryente masakra. Ishte një linjë e qartë. Një zinxhir deklaratash që, secila në mënyrën e vet, përpiqej të zhbënte përgjegjësinë serbe për fushatën gjenocidale në Kosovë.
Bashkë me tekstin, publikova edhe një pjesë pesëmbëdhjetë sekondëshe të videos (video a bashkëlidhur poshtë) ku dëgjohej fjalia e Mehmetajt.
Mjaftoi kjo që të niste një valë komentesh në facebook. Një pjesë e tyre ishte prekje e ndershme, shqetësim i sinqertë dhe miratim i asaj që unë e kisha shprehur si reagim indinjues. Por një grup zërash, një pakicë e zhurmshme, u hodh në sulm. Ata nuk u morën me fjalinë e Mehmetajt. U morën me mua. Më akuzuan se e kisha nxjerrë nga konteksti, se e kisha prerë videon, se isha i kapur nga pushteti, se po bëja propagandë.
Kur i kontrollova profilet e disa prej tyre, pashë llogari pa fytyra, pa histori, pa jetë të vërtetë pas tyre. Mund të ketë qenë vetë Mehmetaj me llogari të rreme. Mund të kenë qenë militantë anonimë të tij. Nuk mund ta provoj dot. Ajo që mund të them me siguri, është se stili i të reaguarit në taktikë ishte i njëjtë me atë të vetë Mehmetajt. Strategjia po ashtu. Shmangie e thelbit. Sulm ndaj atij që e sjell në dritë problemin. Viktimëzim i atij që prodhoi deklaratën problematike.
Më tronditën më shumë disa komente të të rinjve. Ton më i butë. Dilemë. Pyetje nëse ndoshta po e teproja. Në to e pashë një plagë të heshtur. Brezi që ka lindur pas, ose që ka qenë fëmijë gjatë luftës nuk e ka përjetuar tmerrin si brezi ynë. Shumë prindër, të lodhur nga vuajtjet, me të drejtë nuk kanë dashur t’ua mbushin shtëpitë fëmijëve të tyre me histori masakrash, varrezash masive e trupash të zhdukur. Kanë zgjedhur t’i mbrojnë fëmijët nga grotesku dhe kjo është njerëzore. Por kjo tash po duket se e ka pasur një çmim. Një pjesë e brezit të ri e di luftën vetëm si datë, jo si dhimbje. Prandaj, me sa duket fushatat që e zbusin krimin kalojnë më lehtë mes tyre.
Janë edhe faktorë të tjerë. Pas luftës, Kosova ra nën sundimin e një klase politike që vinte nga lufta, por jo domosdoshmërisht nga etika e saj. E dhunuan shtetin, e plaçkitën kuletën e përbashkët, i mbyllën zyrat që dokumentonin krimet serbe. Ide të amnistisë së Serbisë u hodhën në qarkullim si monedha të pista politiko diplomatike. Viktimat nuk morën drejtësi. Familjet ngelën pa përgjigje. E me sa duket, kjo është hapësira në të cilën rrëfimtarët e rinj të linjës së Beogradit gjetën terren të hapur.
Kur e kupton këtë sfond, e kupton edhe pse një fjali si ajo e Mehmetajt apo ajo e Ilir Mirenës, ato të Berat Buzhalës, e mësuesit të tyre Baton Haxhiut, nuk është thjesht gafë. Është shenjë e një fushate të gjatë, të menduar, për t’ia liruar duart Serbisë nga përgjegjësia morale. Në qershor të po këtij viti, Ilir Mirena kishte deklaruar se nga Shaban Polluzha te Azem Galica e deri te Ushtria Çlirimtare, shqiptarët e kishin shtyrë Serbinë të kryente masakra, sikur gjenocidi të ishte reagim i arsyeshëm ndaj rebelimit të viktimës. Ai u ul në studio me Valon Sylën, i cili nuk e kundërshtoi. Më pas u sul heshturazi mbi Saranda Bogujevcin, viktimë e një masakre dhe nënkryetare e Kuvendit, duke e akuzuar se po përfitonte nga tragjedia familjare dhe se ishte bërë pjesë e një loje politike.
Për këto raste shkrova shkrime të gjata analitike. Argumentova se Kosova po përballet me një fushatë të orkestruar dezinformimi3, që shfrytëzon metodat e njohura të luftës psikologjike ruse. Qëllimi nuk është debati i ndershëm, por lodhja e publikut derisa vetë koncepti i së vërtetës të bëhet relativ. Kur çdo gjë është opinon, asgjë nuk mbetet krim.
Në atë editorial4 analizova se si portale të caktuara, si Periskopi i Ilir Mirenës dhe Albanian Post i Baton Haxhiut, shfaqin një linjë të vazhdueshme të delegjitimimit të shtetit të Kosovës, të viktimave të saj, të institucioneve të saj, ndërsa trajtojnë me butësi diskursin agresiv të Serbisë kundër Kosovës. Përmenda akuza të mediave të huaja që i lidhin këto platforma me qarqe të afërta me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, dikur ministër i propagandës në regjimin e Millosheviqit. Nuk pretendova të kem provë gjyqësore. Por vura në pah se përputhja mes interesave të tyre dhe narrativës që ata e prodhojnë nuk është rastësi.
Kjo nuk është vetëm çështje etike. Është çështje sigurie. Një shtet i vogël i dalë nga gjenocidi nuk mund të trajtojë si argëtim televiziv narrativat që i thyejnë kockën moralit të tij themelor.
Pasi u hodha në këtë betejë me fjalë të gjata, vendosa ta them edhe me gjuhën e vizatimeve. Një karikaturë satirike e portretizoi Mehmetajn duke fshirë një portret të Millosheviqit me shami të bardhë, ndërsa përpara tij ishte një kovë ku shkruhej Revizionizëm. Më pas një tjetër vizatim e zhvendosi skenën pranë një pllake varri ku shkruhej Gjenocidi i Millosheviqit, mes një grumbulli kufomash të gjymtuara dhe një nëne që qante. Mehmetaj, i karikaturuar, lante pllakën me zell. Qëllimi nuk ishte të sulmoja fizikisht një individ. Qëllimi ishte ta vizualizoja qartë se çfarë bën relativizimi. Ai i fshin gjurmët e krimit, ndërsa trupat ende flenë të pa gjetur.



Edhe këto vizatime, ashtu si teksti, u pritën me dy lloje reagimesh. Disa e panë dhimbjen dhe u ndjenë të përfaqësuar. Të tjerët dolën në mbrojtje të Mehmetajt. Përsëri me të njëjtat teknika. Më akuzuan se po përdorja viktimat për karrierë. Më quajtën përfitues nga dhimbja e të tjerëve. U përpoqën të më lidhin me kryeministrin Albin Kurti, sikur çdo kritikë ndaj propagandës serbe të ishte vetvetiu propagandë qeveritare.
Në këtë fazë, u ktheva te mjeti i tretë, më i vjetri e më i fuqishmi në historinë e këtij vendi. Poezia. E shkrova Këngën e mallkimit të tokës së djegur5, ku u përpoqa të flas në emër të atyre që nuk flasin dot. Në emër të nënave që presin eshtrat, në emër të barinjve që ende kërkojnë gjurmët e çizmeve nëpër bar, në emër të fëmijëve që i kanë rritur fotografitë e të vrarëve. Poezia nuk ishte vetëm art. Ishte akt rezistence. Ishte refuzim për ta lënë gjenocidin të bëhet çështje procedurash. Ishte mallkim kundër atyre që duan ta mbulojnë me gëlqere gjenocidin serb në Kosovë.
As ajo nuk i ndali. Ata erdhën përsëri në komente, me sharje, me fyerje, me lojëra fjalësh, me përpjekje për ta kthyer gjithçka në sherr partiak. Sa herë ua tregoja fjalinë e Mehmetajt, kalonin te Kurti. Te qeveria. Te tenderët. Nuk e mohonin asnjëherë qartë se fjalia ishte e gabuar. Vetëm përpiqeshin ta mbysnin edhe frymën e poezisë nën zhurmë.
Kjo sjellje është një taktikë e njohur e propagandës ruse, e dokumentuar qartë nga autorë si Timothy Snyder6, Peter Pomerantsev7 dhe studiuesit e RAND Corporation8, të cilët e përshkruajnë si përzierje të whataboutizmit9 dhe “zjarrspricës së mashtrimit”.
Në vend që të përballen me faktin, gabimin e Mehmetajt, komentuesit devijojnë menjëherë drejt Kurtit, qeverisë, tenderëve, duke përdorur shpikje, sharje, fyerje e zhurmë për ta mbytur temën.
Unë e njoh këtë model jo vetëm sepse i kam lexuar këta autorë, por sepse e kam parë me sytë e mi propagandën ruse në veprim në shumë republika ish-sovjetike ku kam raportuar si korrespondent lufte për media amerikane dhe britanike. Dhe pikërisht për këtë arsye, e identifikoj menjëherë kur e shfaq fytyrën e saj edhe në Kosovë.
Kjo sjellje nuk është rastësore. Është teknikë. Në vend që të thuash po, kjo fjali ishte e gabuar, e rrezikshme, e pafalshme, zgjedh ta mbytësh debatin me devijime. Pyetja që duhet bërë është e thjeshtë. Pse kaq shumë mund për të mos e thënë atë PO të vetme. Pse kaq shumë energji për të mos thënë se Millosheviqi mbetet kriminel edhe pa vendim gjyqi, sepse prova është vetë gjaku i derdhur në tokën tonë.
Në këtë histori flasin dy boshllëqe.
I pari është boshllëku institucional. Kosova nuk ka pasur një strategji serioze për t’i dokumentuar dhe komunikuar krimet e Serbisë para botës dhe brezit të ri. Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, që funksionoi nga viti 2011, u mbyll nga Qeveria e Kosovës në vitin 201810. Zyra që u mbyll11, dosjet u lanë në pluhur, dhe u pamundësua nisja e proceseve të ndershme gjyqësore kundër autorëve serbë të krimeve të luftës. Kjo mungesë ka krijuar një terren i artë për revizionistët sikur Baton Haxhiu, Berat Buzhala, Ilir Mirena, e Lirim Mehmetaj dhe piunët e tyre.
Boshllëku i dytë është ai mediatik. Televizionet në Prishtinë vazhdojnë t’u japin hapësirë figurave që e shtyjnë narrativën e Beogradit. Jo në formë të pastër, as me flamur serb në sfond, por me gjuhë të lëmuar, me veshje të gazetarisë kritike, e ndonjëhere edhe me pretekstin e analizës së pushtetit. Nuk bëhet fjalë për debat të lirë. Bëhet fjalë për infiltrimin e një narrative që e kthen viktimën në fajtor dhe agresorin në palë të keqkuptuar.
Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë12 u themelua për herë të parë në vitin 2011, gjatë qeverisjes së Hashim Thaçit (PDK), si përpjekje për të dokumentuar krimet e luftës të kryera në periudhën 1998-1999. Ky institut u mbyll në vitin 2018 nga qeveria Ramush Haradinaj (AAK) në koalicion me PDK dhe NISMA, duke lënë boshllëk institucional në dokumentimin zyrtar të krimeve. Pas pesë vitesh mungesë, është ndërmarrë një nismë për rithemelimin e institutit13. Ky proces i rithemelimit tashmë po trajtohet me seriozitet dhe pritet të mbyllë boshllëkun që analistët pro-serbë kanë shfrytëzuar për të mohuar apo mbuluar krimet e Serbisë gjatë luftës në Kosovë. Ka shpresë se, me hapat e fundit institucionalë, dokumentimi sistematik do të forcohet dhe narrativa revizioniste do të sfidohet në mënyrë më efikase.
Në ndërkohë Serbia e mban ende Kosovën në kushtetutën e saj si pjesë të shtetit të vet. Shtyn tensione në veri. Furnizon struktura paralele. Teston durimin e ndërkombëtarëve. Përpiqet të krijojë përshtypjen se Kosova është një territor i përzënë, jo një republikë e lindur me gjak. Në këtë kontekst, çdo deklaratë që zbut figurën e Millosheviqit nuk është opinion i pafajshëm. Është gur i vogël në murin e madh të revizionizmit.
Këtu lind pyetja thelbësore.
Deri ku shkon liria e shprehjes në një vend të dalë nga gjenocidi. A ka të drejtë dikush që përfiton nga mikrofonët e televizioneve kombëtare të relativizojë krimet mbi të cilat është ngritur vetë shteti. Pyetja nuk është juridike. Është morale. Në Evropë, mohimi i Holokaustit në disa vende është vepër penale. Jo sepse shteti do të fusë njerëzit në burg për fjalë, por sepse rrëzimi i të vërtetës historike çon drejt rrëzimit të vetë themeleve demokratike.
Në Kosovë, ende nuk kemi vendosur qartë ku është kjo vijë. Shoqatat e gazetarëve heshtin. Institucionet shohin anash. Televizionet arsyetohen me nevojën për të pasur “debate”. Por një vend i cili lejon që gjenocidi të bëhet lojë fjalësh, po i përgatit vetes një të ardhme të rrezikshme.
Të gjithë ata që u hodhën në komente për të më sulmuar, për të më lidhur me parti, për të më quajtur propagandist, mund të mendojnë se e fituan betejën e zhurmës. Komentet e tyre janë ende aty. Por historia nuk shkruhet në komente facebooku. Historia shkruhet në varreza, në dhoma ku nënat presin eshtrat, në dosje të harruara, në fotografi ku kryeministri i një vendi i ulur në një divan në shtëpinë e një familjeje të masakruar kthehet në objekt talljeje.



Analiza e gjithë kësaj nuk është e komplikuar. Është e dhimbshme, por e thjeshtë. Në njërën anë qëndron një përpjekje për ta mbajtur të gjallë të vërtetën për gjenocidin serb në Kosovë. Në anën tjetër qëndron një rrjet politikanësh, opinionbërësish dhe portalesh që, me vetëdije ose pa të, po e shtyjnë një narrativë që e zbut fajin e Serbisë dhe gërryen legjitimitetin moral të Republikës.
Kjo nuk është luftë për një emër. Nuk është as sherr personal me një gazetar. Është betejë për t’i thënë qartë një gjë brezit të ri. Gjenocidi nuk ishte keqkuptim. Nuk ishte reagim i tepruar ndaj provokimit. Nuk ishte produkt i gabimeve të shqiptarëve. Ishte projekt i një regjimi konkret, i mbështetur nga aparati i tij shtetëror, i ushtruar mbi një popull të pambrojtur.
Nëse e lëmë këtë të bëhet çështje procedurash, atëherë nuk do të na mbetet asgjë për t’u mbrojtur nesër. Sepse një popull që pranon t’i zbutin krimet e kryera mbi të, është popull që rrezikon t’i jetojë sërish ato.
Kështu, ajo fjali pesëmbëdhjetë sekondëshe e Mehmetajt nuk ishte epizod i izoluar. Ishte shenja e dukshme e një rryme që po vjen prej vitesh. Rrymë që fillon me tallje ndaj viktimave, vazhdon me sulme ndaj të mbijetuarve, e përfundon me larje të fytyrës së kasapit. Përballë kësaj, reagimi nuk është luks. Është detyrë.
Kjo është arsyeja pse zgjodha ta them qartë.
Me artikull.
Me karikaturë.
Me poezi.
Me përgjigje të drejtpërdrejta në secilin koment që përpiqej të zhvendoste debatin. Jo për t’u grindur në rrjet, por për të mos lejuar që fjala gjenocid të bëhet fjalë e butë.
Në fund të ditës, nuk ka rëndësi sa profile anonime do të më shajnë. Rëndësi ka që brezi që vjen ta kuptojë se ka gjëra që nuk negociohen. Njëra prej tyre është kjo. Millosheviqi mbetet kriminel, edhe pa vendim gjykate. Viktimat mbeten viktima, edhe pa monumente. Dhe kush mundohet të na bindë për të kundërtën, qoftë në emër të gazetarisë, qoftë në emër të neutralitetit, nuk është thjesht gabim. Është pjesë e problemit.
SQARIM EDITORIAL
Ky ilustrim i bashkëlidhur në këtë artikull, përdoret me qëllim të hapur dhe të përgjegjshëm editorial, sepse karikatura e ka fuqinë ta bëjë të dukshme atë që fjalët shpesh nuk arrijnë ta shkundin. Njeriu që pastron gjakun nuk paraqet asnjë person real. Ai është figurë simbolike që përfaqëson të gjithë ata që sot, me deklarata publike, përpiqen ta zbehin, zbusin ose relativizojnë gjenocidin serb në Kosovë. Po kështu, gurvarri me portretin e Millosheviqit është simbol i krimit të planifikuar, të udhëhequr dhe të urdhëruar prej tij, krim që nuk mund të pastrohet me fjalë të reja ose narrativë të rishkruar.
Karikatura është zgjedhur sepse nuk bën kompromis me të vërtetën. Ajo i tregon me pamje rreziqet që shpesh maskohen si debat i pafajshëm. Ajo e bën të qartë se përpjekjet për t’i larë gjurmët e gjenocidit serb në Kosovë janë një dhimbje e dytë për familjet që ende kërkojnë drejtësi, dhe një plagë për shoqërinë që nuk duhet ta harrojë rrënjën e lirisë së saj.
Ky ilustrim nuk përdoret për të sulmuar individë, por për të mbrojtur kujtesën tonë historike. Për të paralajmëruar se relativizimi i gjenocidit nuk është mendim i ndryshëm, por rrezik moral dhe shoqëror. Dhe për t’i kujtuar publikut se të vërtetat e rënda kërkojnë ndonjëherë gjuhë të fortë, që të mos mbulohen nga zhurma, nga mjegulla apo nga heshtja.
Karikatura nuk është provokim i kotë. Është thirrje për vigjilencë. Për t’u kujtuar të gjithëve se gjaku i atyre viktimave nuk mund të lahet, as të bëhet metaforë e butë, dhe se e vërteta historike nuk guxon të zbehet për asnjë arsye.
Autori: Vudi Xhymshiti.
Arkipelagu i Kërcënuesve
Më poshtë, nën këtë karikaturë, do t’i vë në proces-verbal të hapur të gjitha kërcënimet e drejtpërdrejta dhe përpjekjet për frikësim që më vijnë nga mbështetësit e Lirim Mehmetajt, qofshin profile reale, të rreme, anonime, apo llogari trollësh të orkestruar. Çdo mesazh shantazhi, çdo gjuhë urrejtjeje, çdo përpjekje për të më frikësuar që ta ndal fjalën do të ruhet me screenshot, do të arkivohet me datë e orë dhe do të publikohet si pjesë e dosjes sonë të përbashkët të kujtesës. Kjo nuk bëhet për viktimizim personal, por për transparentë publike dhe për t’u treguar brezave që vijnë se si funksionon mekanizmi i presionit kur dikush guxon t’i thotë gjërat me emër e mbiemër. Kush zgjedh të kërcënojë në vend se të argumentojë, le ta dijë se nuk do të fshihet dot pas anonimitetit digjital. Fjala e tyre do të shënohet po aq sa fjalia e Mehmetajt, si pjesë e një rrjete presioni që synon ta heshtë diskutimin për gjenocidin serb në Kosovë. Dhe përballë kësaj, dokumentimi nuk është kapriço personale, është mbrojtje minimale e së vërtetës dhe e sigurisë publike.
Kërcënimi që Vjen nga Rrethi i Afërt i Mehmetajt
Mesazhi privat që kam marrë nga një individ që identifikohet si “Besart Billy Aliçkaj” përmban fyerje të drejtpërdrejta dhe sulm personal, tipik për reagimet emocionale që aktivizohen sa herë kritikoj publikisht Lirim Mehmetajn. Në profilin e tij në Facebook14, në postimet e datës 2 shtator, shfaqen qartë fotografi ku Aliçkajn e shoh të paraqitur në një ambient zyre së bashku me Mehmetajn15, në një skenë tepër të afërt e miqësore, me duar mbi shpatullat e tij, duke pozuar në një mënyrë që nuk lë dyshim për nivelin e familjaritetit. Në të njëjtin postim shfaqet edhe logoja e një studios mediatike të Mehmetajt, të cilën Aliçkaj thotë se e ka vizituar për t’ia uruar Mehmetajt “arritjet profesionale”, duke e konfirmuar kështu lidhjen e tyre personale dhe profesionale. Nga kjo kronologji fotosh, nga gjuha e përdorur në përshkrimet e tij dhe nga mënyra e prezantimit të afërsisë së tyre, është e arsyeshme të konkludoj se personi që më ka dërguar këtë mesazh jo vetëm është i afërt me Mehmetajn, por edhe e sheh veten si mbrojtës të tij të drejtpërdrejtë. Pikërisht për këtë arsye, mesazhi i tij kërcënues bëhet pjesë thelbësore e regjistrit të përpjekjeve frikësuese që do t’i dokumentoj si reagim ndaj kritikës sime editoriale.
Reagimi i Besart Aliçkajt është shënuar në orën 13:40 BST, më 15 Nëntor, 2024.







MOMENTE TENSIONI - GJYNAH – U BONET HORË/ Përplasen Mirena – Avdiu - Hoxha, i ndërpret Valon Syla — YouTube T7 Channel.
Heshtja e Kosovës përballë propagandës është e rrezikshme
Kosova po përballet me një fushatë të orkestruar dezinformimi. Heshtja e qeverisë rrezikon të gërryejë besimin publik dhe të minojë themelet e saj demokratike. — Kronika B Vëzhgimi Mbi Median.
Është Koha për ta Djegur Propagandën
Po i vrasin përsëri viktimat. Po e përdhunojnë kujtesën e tyre. Po shpifin mbi gjakun e të rënëve. Dhe heshtja jonë është bashkëpunim kriminal. — Kronika B Kritikë.
POEZI: Kënga e Mallkimit të Tokës së Djegur — Facebook Post, 15 Nëntor, 2025.
Timothy Snyder is widely cited in literature on Russian disinformation and authoritarian tactics (though I couldn’t locate a direct URL in this set of searches in the moment). Additional: “Tell Us How You Really Feel: Analysing Pro-Kremlin Propaganda Devices” (PropWatch) discusses how diversion, deflection and emotional overload are used to shift attention — illiberalism.org
Peter Pomerantsev, “The Menace of Unreality: How the Kremlin Weaponises, and Lessons for the West” (with Michael Weiss), explores how Russia uses disinformation, narrative-shifting, whataboutism and “blaming others” instead of addressing criticism.
Burimet: Institute of Modern Russia | Foreign Policy Centre |
RAND Corporation, “The Russian ‘Firehose of Falsehood’ Propaganda Model” (Christopher Paul & Miriam Matthews), identifies a model of rapidly flooding many messages across channels with little regard to truth or consistency.
SCE article on “Whataboutism” explicitly connects it to Russian propaganda: “The tactic was used in post-Soviet Russia to degrade the level of discourse from rational criticism …” SCE — Encyclopedia.
Themelimi i sërishëm i Institutit të Krimeve të Luftës — Kosovo 2.0



