Mandati që e Tronditi Rendin e Vjetër dhe Nxori Maskat
Pas fitores plebishitare të Vetëvendosjes, Shqiprim Arifi sulmon Vjosa Osmanin, ndërsa Rinor Nuhiu e rrëzon me fakte, duke zbuluar një fushatë hibride kundër Prishtinës politike.
Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit1, ku Vetëvendosje doli me fitore plebishitare2 dhe e ktheu votën në një lloj plebishiti moral kundër rendit të vjetër, një stuhi e njohur ballkanike u ngrit sërish, jo në kufi, por në gjuhë. Në Prishtinë, pritet që Vjosa Osmani të rizgjidhet Presidente, ndërsa Albin Kurti të vazhdojë si kryeministër. Kjo dyshe, përkrah gjithë debatit të brendshëm që i shoqëron, është e para në historinë e Kosovës që e ka vënë hapur në provë mekanizmin e ruajtur të ndikimit serb brenda Kosovës, atë ndikim të trashëguar e të ushqyer me vite nga një ekosistem politik i pasluftës, me njerëz e rrjete që e mbajtën shtetin në një tranzicion të pafund, e bashkë me tranzicionin edhe portat e hapura për ndërhyrjen e Beogradit. Kur ky ekosistem u sfidua, gjuha e tij u zgjua si një kafshë e vjetër që i njeh instinktet, fillimisht shpifje, pastaj insinuata, pastaj një përzierje e çuditshme e patriotizmit teatral me cinizëm personal, e në fund, sulmi i drejtpërdrejtë ndaj figurës së Presidentes.
Kështu u shfaq statusi i Shqiprim Arifit në Facebook më 9 janar 20263, një tekst i gjatë ku ai e pagëzon Presidenten e Kosovës me nofkën “Nusja e Preshevës” dhe e shpall “kurrë më Presidente”. Ai e ndërton akuzën e tij si një aktakuzë rrugësh, ku rreshton tema reale, diskriminimin ndaj shqiptarëve në Luginë, pasivizimin e adresave, reciprocitetin, debatin për bashkimin, por pastaj i mbyt këto tema në një lumë motivesh të dyshimta, sulme ndaj jetës private, fëmijëve, medias, “pasurisë”, e sidomos në një pretendim të rëndë për sanksione të ardhshme nga BE dhe SHBA dhe për “persona non grata”, që ai thotë se ia paska thënë vetë Presidentes në një takim, me një dialog të shkruar si skenë e lirë, ku autori e vendos veten në qendër si profet i padëgjuar. Në fund, ai e mbyll me thirrjen që Presidenti apo Presidentja e ardhshme të vijë nga diaspora, dhe me fyerje ndaj mbështetësve të VV-së, duke e quajtur Kurtin me epitete poshtëruese.
Reagimi4 i Rinor Nuhit nga stafi i Presidentes erdhi si kundërpeshë e ashpër, por me një bosht të qartë, faktet dhe veprimet. Ai e quan Arifin “kryeshpifës” dhe “seksist ordiner” dhe pastaj, pasi e shkund me fjalë, e rrëzon me argument. Ai përmend se ngritja e çështjes së Luginës ka qenë e vazhdueshme në angazhimin e Presidentes, nga fjalimet e para e deri te foltoret ndërkombëtare. Përmend se Presidentja ka propozuar zyrtarisht lehtësira për shtetësi për bashkëkombësit nga Lugina. Përmend se tema e pasivizimit nuk është trajtuar vetëm në deklarata, por edhe në punë me aleatë, veçanërisht me amerikanët, dhe e lidh me një instrument konkret si NDAA. Përmend edhe ndihmën praktike për individë nga Presheva që kanë marrë shtetësi dhe kanë shmangur barrën burokratike. Pra, ai thotë në thelb, Presheva ka pasur zë sepse Presidentja ka bërë zë, dhe kjo nuk matet me statuset e Facebook, por me dyert ku futesh dhe me fjalitë që lihen në protokoll ndërkombëtar.
Të nesërmen, më 10 janar, Arifi u kthye sërish5, jo duke u tërhequr, jo duke u sqaruar, por duke e ashpërsuar tonin. Ai thotë se “nusja” paska zgjedhur të përgjigjet përmes zëdhënësve, dhe e përshkruan Presidenten si të heshtur e të urdhëruar. Pastaj e zhvendos debatin në një akuzë absurde me autobusë, sikur politika ndërkombëtare dhe mbrojtja e një komuniteti të shtypur matet me transport urban. Pretendon se për pesë vite “asnjë projekt” në Preshevë, dhe e lidh gjithçka me një narrativë ku referendumi i vitit 1992 “paska qenë shkelur”, sepse Presidentja qenka pozicionuar kundër bashkëngjitjes, jo për parim por “për inat” ndaj Hashim Thaçit. Më pas i jep vetes rolin e lajmëtarit të apokalipsit, “Lugina do të bëhej Çamëria e dytë”, dhe e nxjerr Thaçin si të vetmin që “paska kuptuar e vepruar”. Pastaj zbret edhe më poshtë, duke përdorur familjen e Presidentes si mjet presioni moral, duke pyetur nëse do të fliste njësoj po të jetonin burri dhe fëmijët e saj nën Serbinë e Vuçiqit, dhe duke e quajtur Nuhiun “fëmijë” të dërguar për të arsyetuar “dështimin politik”.
Këtu është çasti ku lexuesi duhet ta shohë jo vetëm çfarë thuhet, por si thuhet, dhe pse thuhet kështu. Nuhiu, me gjithë nervin e reagimit, flet në gjuhën e përgjegjësisë institucionale. Ai e kornizon debatit në arenën ku Lugina realisht luftohet, diplomaci, ligje, shtetësi dhe agjenda me aleatë. Arifi, përkundrazi, e kthen Luginën në skenografi për një dramë personale dhe për një luftë brenda Kosovës, ku ai kërkon të godasë Presidenten dhe Kurtin duke i bërë ata fajtorë për dhimbjen e shqiptarëve në Serbi. Kjo është një përmbysje cinike e barrës. Serbia pasivizon adresa, por fajet i paska Prishtina. Beogradi shtyp, por përgjegjësitë i paska Presidentja e Kosovës pse nuk paska organizuar autobusë. Kjo logjikë nuk është thjesht e gabuar. Është e rrezikshme, sepse e zhvendos shënjestrën nga agresori te ai që kërkon ta vërë agresorin në presion.
Objektivisht, edhe një kritik i Presidentes mund të kërkojë më shumë, mund të kërkojë programe, koordinim, fonde, vizita, mekanizma të rinj. Por kritika serioze fillon nga faktet dhe propozon rrugë. Arifi nuk po propozon rrugë. Ai po shpall dënime, po vë nofka, po ndërton dyshime, po kërcënon me profeci, dhe ndërkohë e ngatërron planin e Kosovës me planin e Serbisë, sikur Kosova të ishte komuna e tij dhe ai të ishte prokurori i saj moral. Nuhiu ka të drejtë kur thotë se Presheva ka pasur zë në arenën ndërkombëtare përmes Presidentes, sepse kjo është pikërisht ajo që një Presidencë e Kosovës mund të bëjë për Luginën, ta bëjë temën të padukshme të shndërrohet në fjali të dëgjuar. Arifi gabon kur e trajton Luginën si një thesar të vjedhur nga Prishtina, dhe jo si një plagë që hapet nga Beogradi.
Pastaj është gjuha, ajo që në Ballkan shpesh i zë vendin politikës, sepse politika lodh, kurse gjuha e ulët të jep kënaqësinë e menjëhershme të turmës. “Nusja e Preshevës” nuk është metaforë. Është reduktim. Është përpjekje për ta kthyer një Presidente në rol familjar, në status martesor, në dekor krahinor. Në këtë shprehje ka një erë të vjetër patriarkale, si një odë ku gratë nuk flasin për shtetin, por për shtëpinë. E kur ai e përdor si refren, ai nuk e kritikon politikën e saj, ai e ul figurën e saj. Dhe kur e sjell familjen e saj në argument, ai bën edhe një hap tjetër, e zhvendos debatin nga e drejta publike te shantazhi moral. Kjo nuk është vetëm mungesë elegance. Është taktikë. Kur nuk e fiton dot me prova, e fiton duke i turbulluar ujët.
Karakteri i tij është i njohur, ai shkrim i gjatë, me gjykime të prera, me pyetje retorike, me “turp”, me “marre”, me thirrje që sillen si goditje grushti mbi tavolinë. Ai e ndërton veten si njeri që “e di”, që “e paralajmëroi”, që “qeshi i fundit”, që “u tha”. E ky vetëndërtim është çelësi i gënjeshtrës moderne, nuk të bind me dokument, të bind me ton. Tonin e njeriut që s’ka kohë për nuanca, sepse nuanca ia prish mitin. Në atë ton ka edhe një kulturë përjashtimi, kush nuk është me mua është “trushpëlarë”, kush s’pajtohet është i blerë, kush përgjigjet është “zëdhënës i urdhëruar”. Kjo është gjuha e një njeriu që kërkon pushtet mbi interpretimin, jo pushtet për ta zgjidhur një problem.
Dhe kur ai thotë se Presidentja “për pesë vite nuk ka realizuar asnjë projekt në Preshevë”, ai bën sikur nuk e di, ose bën sikur lexuesi nuk e di, se Presidentja e Kosovës nuk është kryetare bashkie në Preshevë, nuk e menaxhon buxhetin komunal atje, nuk i nënshkruan tenderët, nuk e komandon administratën e Serbisë, nuk i zhbën vendimet e pasivizimit me një status. Këtu qëndron mashtrimi më i madh, ta matësh diplomacinë me asfalt, ta matësh presionin ndërkombëtar me autobus, ta matësh betejën për të drejta në Serbi me një fotografi në Facebook. Ky është mashtrim i paramenduar, sepse i jep publikut një metrike të gabuar, e pastaj e akuzon tjetrin se nuk e ka kaluar testin.
Ndërkohë, shqiptarët e Luginës janë në telashe që nuk i zgjidh dot asnjë retorikë. Pasivizimi i adresave, anulimi i dokumenteve, pengesat për punësim, presioni administrativ, frika e përditshme se një letër në sportel ta shndërron jetën në labirinth. Këto janë të vërteta që nuk duan spektakël, duan aleatë, avokatë, organizata, dosje, raste të dokumentuara apo mekanizma ndërkombëtarë. Dhe pikërisht këtu, në këtë fushë, Arifi shfaqet i interesuar më shumë për të prodhuar armiq të rinj sesa për të goditur burimin e shtypjes që është Beogradi. Ai shpenzon energji të tërë për ta bërë Presidenten e Kosovës fajtoren e një shtypjeje serbe, sepse kjo narrativë e lodhun e Arifit i shërben një loje tjetër, ta ruajë fytyrën e miqve të vet politikë të epokës së luftëtarëve të shndërruar në oligarkë, atyre që për dy dekada e kthyen Kosovën në pronë të partive, e që në të njëjtën kohë e lanë Serbinë ta ruajë ndikimin përmes strukturave, varësive, frikës dhe pazareve. Kur Kosova i sfidon këto pazare, sulmi nuk vjen vetëm nga Beogradi. Vjen edhe nga të tillët sikur Shqiprim Arifi që e ndjejnë se po u rrëshqet toka nën këmbë.
Në këtë kuptim, statuset e Arifit duken si pjesë e një fushate hibride, jo sepse janë të sofistikuara, por sepse janë të dizajnuara të krijojnë tym, të mjegullojnë vijën e fajit, t’i përçajnë shqiptarët, të ndezin dyshime mbi institucionet e Kosovës, dhe të zëvendësojnë një debat serioz për Luginën me një sherr të ulët për persona. Hibride është kur një çështje e drejtë përdoret si pretekst për një qëllim të padrejtë. Dhe këtu çështja e Luginës përdoret për të goditur udhëheqjen kosovare që po e sfidon Serbinë dhe trashëgiminë e kompromisit të pafund, duke u përpjekur të shfajësohet Serbia për shtypjen e shqiptarëve atje.
Arifi gabon edhe në një gjë tjetër më të thellë, ai e trajton Luginën si pronë emocionale, jo si subjekt politik me dinjitet. Ai flet në emër të luginasve, por u ofron atyre vetëm një pasqyrë ku e shohin zemërimin e tij. Në vend që t’u japë instrumente, u jep armiq. Në vend që ta ndërtojë një urë, e ndërton një hendek mes Prishtinës dhe Preshevës. Dhe ky hendek është pikërisht ajo që i duhet Beogradit, një Luginë e izoluar dhe një Kosovë e zënë me grindje të brendshme.
Nuhiu ka të drejtë kur e quan turp, sepse turpi këtu nuk është vetëm fjala e rëndë. Turpi është kur e kthen vuajtjen e një komuniteti në monedhë për lojë politike. Turpi është kur e banalizon diplomacinë, e seksizon figurën e Presidentes, e fut familjen e saj në argument, e quan tjetrin tradhtar me “inat”, dhe pastaj kërkon të dukesh si mbrojtës i Luginës. Nëse e do Luginën, nuk e përdor si shkop për t’i rënë Prishtinës. Nëse e do Luginën, e godet Serbinë me të gjitha mjetet e ligjit, të faktit, të aleancave, dhe e detyron edhe Kosovën të bëjë më shumë, po me kërkesa të mençura, jo me nofka e kërcënime.
Në fund, mbetet ajo pamje e çuditshme, një politikan lokal që shkruan si gjyqtar popullor, dhe një shtet i ri që përpiqet të flasë me gjuhë shteti. Në një vend ku fjalët shpesh kanë shërbyer si zëvendësim i veprimeve, ky dallim është thelbësor. Sepse e ardhmja e shqiptarëve të Luginës nuk varet nga kush e fitoi një debat në Facebook. Varet nga kush e fut çështjen e tyre në tryezat ku vendosen standarde, kush e kthen diskriminimin në dosje, pasivizimin në shkelje të dokumentuar, e spastrimin administrativ në përgjegjësi politike. Arifi, me këtë gjuhë, me këtë kulturë të insinuatës dhe të reduktimit, nuk po e bën këtë. Ai po e bën të kundërtën, po e stërhollon pluhurin që të mos shihet dora që e ngrit, dhe në atë pluhur, luginasit humbin edhe një herë, jo vetëm të drejta, por edhe drejtim.
Dhe historia, ajo që ai vetë e thërret si gjykatësja e fundit, zakonisht nuk gjykon për statuset. Ajo gjykon për motivet. E motivi i një sulmi të tillë, në këtë moment politik, pas një fitoreje që e trazon rendin e vjetër e bashkë me të edhe Beogradin, duket shumë i qartë, të goditet simboli, të njolloset autoriteti, të krijohet përshtypja se udhëheqja e Kosovës është armike e Luginës. Kurse e vërteta e thjeshtë, e rëndë dhe e padurueshme, është se armiku i Luginës është politika shtypëse e Serbisë, dhe çdo njeri që e zhvendos shënjestrën nga Beogradi te Prishtina, me vetëdije apo me interes, po i shton edhe një gur murit që i mban shqiptarët atje të ngujuar.
Tradhtia e Shqiprim Arifit: Moskokëçarja për fatin e shqiptarëve të Preshevës
Në sferën e çështjeve ndërkombëtare, disa individë shfaqin shpërfillje të çuditshme ndaj mirëqenies së popullit të tyre, duke bërë kurban mirëqenien e zgjedhësve të tyre për përfitime personale ose interesa politike. Shqiprim Arifi, kryebashkiaku i Preshevës, është një shembull i shkëlqyeshëm i një udhëheqjeje të tillë të pafuqishme. Veprimet e tij të f…
Kosova Rikthen Mandatin Demokratik
Me një mandat të tretë, Lëvizja Vetëvendosje mori miratimin qytetar për sovranitet, integritet institucional dhe rezistencë ndaj ndikimit politik dhe kriminal të Serbisë. — Kronika B Politikë.
Plebishitare do të thotë që një fitore ose një vendim merret me përkrahje aq të gjerë e të qartë sa i ngjan një plebishiti, pra një konfirmimi masiv nga shumica. Në përdorim politik, nënkupton jo thjesht një fitore numerike, por një mandat të fortë simbolik e moral, ku rezultati shihet si miratim i përgjithshëm i drejtimit dhe legjitimitetit të një udhëheqjeje.



