The Frontline Media Group ka nisur procedurën ligjore paraprake në Britani pas një serie raportimesh për copyright që çuan në heqjen e publikimeve tona nga Facebooku. Tash po kërkojmë edhe dëshmitë e mediave, gazetarëve dhe krijuesve të tjerë në Kosovë e Shqipëri që pretendojnë se janë goditur në mënyrë të ngjashme.
Gjatë ditëve të fundit, disa publikime me autorësi kryeredaktorin Vudi Xhymshiti dhe KRONIKAT E BARUTIT janë hequr nga faqja jonë në Facebook dhe faqja personale e kryeredaktorit tonë Xhymshiti pas ankesave për copyright të paraqitura nga On Air Network Limited, kompani e regjistruar në Angli dhe Wales.
Njoftimet që i kemi marrë nga Meta e identifikojnë vazhdimisht On Air Network Limited si palën që pretendon të drejtat mbi materialin. Në një rast, Meta e hoqi më shumë se një postim që i drejtonte lexuesit te hulumtimet tona për Fatmir Shehollin. Në një tjetër, u hoq pikërisht postimi ku raportonim se publikimet tona për Sadri Imerin dhe Fatmir Shehollin po goditeshin përmes pretendimeve për copyright.
Më 5 tetor u hoq edhe publikimi që i drejtonte lexuesit te artikulli ynë “Sadri Imeri, Fatmir Sheholli dhe pyetjet që e nervozuan atë”. Edhe në këtë rast, Meta e identifikoi On Air Network Limited si pretenduesin e të drejtave të artikullit që në fakt ne e kemi prodhuar.
Pikërisht këtu ka nisur problemi juridik.
Ne nuk pretendojmë se askush nuk mund të ketë copyright mbi një fotografi, video apo emision televiziv. As nuk pretendojmë se çdo përdorim gazetaresk i materialit të huaj është automatikisht i ligjshëm.
Pretendimi ynë është shumë më konkret: një mekanizëm i ndërtuar për mbrojtjen e copyright-it nuk mund të përdoret si buton për zhdukjen e gazetarisë së pakëndshme.
Ligji britanik njeh shprehimisht përjashtime për “fair dealing” në rastet e kritikës, recensionit, citimit dhe, me kushte të caktuara, raportimit të ngjarjeve aktuale. Për citimin, ligji kërkon ndër të tjera që përdorimi të jetë i drejtë dhe të mos tejkalojë atë që kërkon qëllimi konkret1.
Kjo do të thotë se çdo rast duhet shqyrtuar mbi faktet e veta. Një fragment i shkurtër prej disa sekondash i përdorur për të analizuar pikërisht atë që personi e ka thënë në televizion nuk mund të barazohet mekanikisht me marrjen dhe rishpërndarjen e një emisioni të tërë.
On Air Network Limited, nga ana e saj, e mohon çdo keqpërdorim.
Në përgjigjen që na e ka dërguar, kompania thotë se vepron mbi bazën e kontratave të shkruara me producentë dhe transmetues, të cilët, sipas saj, i kanë dhënë të drejta ekskluzive për përdorimin dhe mbrojtjen e përmbajtjes së tyre në Facebook. Kompania thotë gjithashtu se nuk pretendon pronësi mbi tekstet dhe opinionet e Xhymshitit, por vetëm mbi fotografitë ose videot e përfshira në postimet e raportuara.
Ajo ka refuzuar t’i identifikojë klientët ose të na japë kopje të marrëveshjeve, duke i cilësuar ato si konfidenciale.
Ne e kemi marrë parasysh këtë përgjigje. Por mosmarrëveshja mbetet.
Sepse pyetja që duhet zgjidhur nuk është vetëm nëse On Air e ka një kontratë me dikë. Pyetja është çfarë të drejtash përmban ajo kontratë, për cilën vepër konkrete, mbi çfarë materiali është bërë secili raportim dhe nëse përdorimi që është goditur ishte realisht shkelje apo përdorim i ligjshëm gazetaresk.
On Air Network Limited është kompani aktive e regjistruar në Angli dhe Wales me numër 14561639. Në regjistrin britanik aktivitetet e saj përfshijnë prodhimin dhe shpërndarjen televizive dhe videove2. Vetë OnAir e përshkruan aktivitetin e saj si infrastrukturë për shpërndarje, monetizim dhe rritje të përmbajtjes së krijuesve, ndërsa faqja e saj publike e vendos aktivitetin operacional në Prishtinë3.
Pikërisht për këtë arsye çështja do të shqyrtohet në Britani.
The Frontline Media Group e ka nisur procesin pre-action, ruajtjen e provave dhe përgatitjen juridike për procedim gjyqësor. Në këtë fazë nuk po pretendojmë se një gjykatë ka konstatuar mashtrim dhe as se dikush është fajtor për vepër penale. Këtë mund ta bëjnë vetëm organet kompetente.
Por ligji britanik është i qartë për një çështje tjetër.
Sipas seksionit 2 të Fraud Act 2006, mund të ekzistojë “fraud by false representation” kur një person e bën në mënyrë të pandershme një paraqitje të rreme ose mashtruese, duke e ditur se është ose mund të jetë e tillë, me qëllim përfitimi apo shkaktimi të humbjes ose ekspozimit të dikujt ndaj rrezikut të humbjes. Ligji parashikon shprehimisht se një paraqitje e tillë mund të bëhet edhe elektronikisht ndaj një sistemi ose pajisjeje4.
Pra, një mosmarrëveshje e zakonshme për copyright nuk është vetvetiu mashtrim penal. Por nëse dikush me vetëdije paraqet informacion të rremë mbi të drejtat që i ka, ose e përdor një deklarim që e di se është mashtrues me synim shkaktimin e humbjes, atëherë çështja mund të kalojë përtej copyright-it civil. Nëse kjo ka ndodhur këtu, do të përcaktohet nga provat.
Dhe pikërisht provat po i kërkojmë.
Gjatë ditëve të fundit kemi marrë informacione nga persona në Kosovë dhe Shqipëri që pretendojnë se edhe ata, ose media me të cilat kanë punuar, kanë pasur përmbajtje të hequra apo monetizim të dëmtuar pas pretendimeve të copyright-it të lidhura me OnAir.
Këto janë, për momentin, pretendime që duhet të verifikohen. Prandaj nuk po nxjerrim përfundim paraprak.
Po e hapim dosjen.
Nëse del se ekziston një numër më i madh mediash, gazetarësh, krijuesish apo kompanish që kanë pësuar të njëjtin model të pretenduar, po e shqyrtojmë mundësinë e një procedure grupore në Angli dhe Wales. Rregullat e Procedurës Civile lejojnë një Group Litigation Order kur ekziston ose pritet të ekzistojë një numër padish që ngrenë çështje të përbashkëta ose të ndërlidhura të faktit apo ligjit5.
Nuk po e quajmë ende “class action”. Për këtë duhet parë sa raste ekzistojnë, çfarë kanë të përbashkët dhe çfarë dëmi mund të provohet. Por rruga juridike për një proces të koordinuar ekziston.
Paralelisht, po e hetojmë më gjerë OnAir Media, strukturat e saj në Kosovë, marrëdhëniet e saj me kompaninë britanike dhe shtrirjen e aktivitetit të markës OnAir në tregun shqiptar. Një subjekt me emrin OnAir Media SH.P.K. figuron i regjistruar në Prishtinë dhe ushtron veprimtari në shpërndarjen e filmave, videove dhe programeve televizive6. Ky fakt, në vetvete, nuk provon asnjë shkelje. Është pjesë e hartës korporative dhe kontraktuale që po e verifikojmë.
Prandaj po u bëjmë thirrje mediave, gazetarëve, producentëve, artistëve dhe krijuesve në Kosovë, Shqipëri dhe diasporë.
Nëse OnAir Network Limited, OnAir Media ose një subjekt që ka vepruar në emër të tyre ka paraqitur një pretendim ‘copyright claim’ kundër jush në Facebook, YouTube, Instagram, TikTok apo një platformë tjetër dhe ju besoni se pretendimi ka qenë i pabazuar, na i dërgoni provat.
Na duhen njoftimet e platformës, numri i pretendimit (claim number/case), linku i përmbajtjes, fotografitë dokumentuese (screenshots), komunikimet dhe çdo informacion mbi humbjen e monetizimit ose kufizimet e llogarisë.
Çdo material do të trajtohet me konfidencialitet dhe asnjë rast nuk do të paraqitet publikisht si i provuar pa u verifikuar.
E DREJTA AUTORIALE (Copyright) është e drejtë.
Por, nëse përdoret për ta heshtur kritikën, për ta dëmtuar gazetarinë ose për t’i shkaktuar humbje një tjetri përmes deklarimeve që nuk qëndrojnë, atëherë nuk kemi më vetëm një debat për copyright.
Kemi një çështje që meriton gjykim.
Sadri Imeri, Fatmir Sheholli dhe pyetjet që e nervozuan atë
Sadri Imeri e prodhon një emision televiziv. Kjo, në vetvete, nuk e bën atë gazetar. As kamera, as mikrofoni, as studioja nuk e zëvendësojnë gazetarinë, njësoj siç një stetoskop nuk të bën mjek. Nga …
Copyright, Designs and Patents Act 1988 You are here: UK Public General Acts1988 c. 48 — Legislation.gov.uk
ON AIR NETWORK LIMITED — Companies House
On Air Media oeprational in prishtina, Kosovo — ONAir Media
Fraud Act 2006 You are here: UK Public General Acts2006 c. 35FraudSection 2 — Legislation.gov.uk


