Në Mbrojtje të Fakteve: Gazetaria Nuk Është Aleancë Politike
Një debat mbi etikën dhe përgjegjësinë në gazetari: kur fjala “regjim” bëhet armë retorike, dhe e vërteta mbetet i vetmi front që ia vlen ta mbrosh.
Të nderuar lexues,
Javën e kaluar mora pjesë në podcastin Pasvon, të moderuar nga zoti Alfred Lela, një koleg me të cilin më lidh një raport profesional dhe njerëzor i respektuar. Biseda jonë preku çështje me peshë të veçantë publike, që lidhen me Kosovën, median dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Megjithatë, disa prej vërejtjeve të bëra gjatë intervistës kërkojnë sqarim dhe adresim të kujdesshëm. E bëj këtë jo për debat personal, por për t’i qëndruar besnik parimit të saktësisë dhe përgjegjësisë publike që e udhëheqin profesionin tonë. Prandaj, më poshtë gjeni një analizë kritike, ku argumentet e mia shpalosen me qëllimin për të ndriçuar çështjet e diskutuara dhe për të shmangur keqkuptimet që mund të lindin nga interpretimet e pasakta.
Zotit Lela i shpreh mirënjohjen për ftesën dhe për mundësinë e një dialogu të hapur. Diskutimi i ndershëm, i mbështetur në fakte dhe në respektin për publikun, mbetet themel i çdo debati që synon t’i shërbejë të vërtetës dhe jo zhurmës.
Kur Moderatorët Gabojnë: Pse Faktet Duhet të Vlejnë Para Opinioneve?
E vërteta nuk ka nevojë për thonjëza. Ajo kërkon disiplinë, verifikim dhe një fjalor që nuk e deformon realitetin. Kjo është arsyeja pse e quaj problem serioz etik përdorimin e fjalës “regjim” për qeverinë Kurti. Në diskursin publik, “regjim” nuk është thjesht sinonim i “qeverisë”; është një akuzë për autoritarizëm, shtypje të opozitës, zgjedhje jo të lira, kontroll sistematik të mediave, kriminalizim të fjalës së lirë, kapje të institucioneve dhe dhunë të rregullt shtetërore. Përkufizimet standarde në shkencat politike dhe fjalorë autoritativë e vendosin “regjimin” pikërisht në këtë terren1, strukturë qeverisëse me rregulla që shpesh në përdorim publik nënkuptojnë autoritarizëm, jo thjesht administrim të përkohshëm të pushtetit. Kosova ka probleme, por nuk ka shenja të një regjimi që mbyll kutitë e votimit apo gojët e kundërshtarëve. Zgjedhjet janë konkurruese e të administruara në mënyrë përgjithësisht të besueshme, pluralizmi i mediave është real, madje shpesh i tejzëshëm dhe kritika ndaj pushtetit është e përditshme. Klasifikimet ndërkombëtare e vendosin Kosovën si “partly free”, me zgjedhje “kredibile dhe relativisht të mirëadministruara”2; kjo është një diagnozë e përzier, por jo damka e një regjimi autoritar. Dorëzimi i realitetit te një fjalë që i ngatërron këto dy botë nuk është gazetari, është hiperbolë retorike që e varfëron debatin.
Po aq problematike është etiketimi i një gazetari si “pro-Kurti” vetëm pse refuzon të përqafojë narrativa të pabazuara faktikisht. Objektiviteti nuk është as pajtim i verbër me pushtetin, as relativizim i së vërtetës, është një metodë pune kërkim, verifikim, kontekst, transparencë dhe përgjegjësi. Kodet etike standarde3 “Kërko të vërtetën dhe raportoje”, “Vepro në mënyrë të pavarur”, “Jep llogari,” kërkojnë ta ndash faktin nga narrativat e fabrikuara, edhe kur kjo do të thotë se po i del zot një vendimmarrjeje të qeverisë kundër një fushate të dukshme dezinformimi4. Të më quash “pro-Kurti” pse mbroj standardin e verifikimit është si të fajësosh termometrin pse tregon temperaturën. “Neutraliteti” nuk do të thotë t’i japësh të njëjtën peshë gënjeshtrës dhe faktit, do të thotë të mos hysh si palë, ndërsa e mat realitetin me instrumente profesionale5. Kjo është arsyeja pse kam thënë dhe them, nuk jam pro-qeverisë, jam pro-faktit. Kjo nuk më nxjerr asnjëherë në rolin e avokatit të një lideri, më lë vetëm përgjegjës për saktësinë time.
Pikërisht për shkak të këtij standardi, kam kundërshtuar narrativën se jemi përballë një konflikti esencial mes Prishtinës dhe aleatëve perëndimorë. Ka mosdakordësi taktike, shpesh rreth mënyrës si de-eskalohet veriu dhe si trajtohet Serbia, por jo armiqësi strategjike. Serbia, jo Kosova, ka qenë agresore, këtë e dëshmojnë jo vetëm vitet ’90 por dhe sulmi paramilitar i shtatorit 2023 në Banjë6, me armë të rënda, logjistikë të organizuar dhe prani të një politikani të njohur serb7, që e pranoi publikisht përfshirjen. Faktohen armët e kapura, të vrarët dhe lëvizjet e vazhdueshme të rrjeteve kriminale në veri. Prania e KFOR-it nuk e anulon rrezikun; ajo ekziston pikërisht sepse rreziku ekziston. Ta quash këtë të “tejzmadhuar” është të ngatërroni patrullimin me parandalimin absolut.
Në këtë kontekst, qëndrimet e Tiranës zyrtare ndaj Prishtinës kanë qenë shpesh të zhvendosura nga kujtesa e agresionit serb drejt një pragmatizmi që e lexon Kosovën si palë që “duhet të bëjë detyrat e shtëpisë” për BE-në, pavarësisht se çfarë bën Beogradi. Kjo mendësi që ka zënë rrënjë te disa në Tiranë e zhvendos me qëllim fajin nga agresori i vërtetë Serbia8, dhe ushtron presion të njëanshëm, madje të padrejtë, mbi Kosovën. Thuajse Kosova qenka ajo që vrau mbi 150 mijë njerëz në një dekadë, ndërsa në të vërtetë ajo po dënohet pse guxon të mos përkulet para kërkesave të pa pranueshme. Kjo mund të jetë një politikë e argumentueshme, por nuk është neutralitet ndaj fakteve të sigurisë dhe të së kaluarës së afërt. E theksova edhe në intervistë dhe qëndroj fort pas saj: as miqësia, as partneriteti nuk të detyrojnë të pranosh lëshime që cënojnë sovranitetin dhe sigurinë.
Pastaj është çështja e ambasadorit amerikan. Gjatë bashkëbisedës sonë u pretendua se “ka ambasador amerikan në Kosovë9”, sikur të ishte një detaj procedural. Nuk është. Është fakt i verifikueshëm se posti i ambasadorit ka qenë bosh dhe misionin e ka udhëhequr Chargé d’affaires10 Anu Prattipati, pasi Ambasadori Jeffrey Hovenier përfundoi mandatin. Edhe shoqata profesionale e diplomatëve e liston postin si të lirë11. Në një rajon ku nuancat diplomatike kuptohen si sinjale politike, këto gjëra duhen thënë saktë. Përndryshe, publikut i krijohet përshtypja e një normaliteti që nuk ekziston. Para se të thoni “ka ambasador”, verifikoni faqen zyrtare të Ambasadës dhe regjistrat profesionalë. Kjo është puna jonë.
Kur erdhi puna te “regjimi”, insistova që termat të mos i shpikim sipas nevojës së debatit. Nëse do ta quanim “regjim”, duhen prova të kufizimit sistematik të opozitës, mbylljes së mediave, penalizimit të kritikës dhe manipulimit të zgjedhjeve, shenja që nuk i kemi, pavarësisht tensioneve e gabimeve që çdo demokraci e brishtë i ka12. Standardi krahasimor është i thjeshtë, a i afrohet Kosova tipareve autoritare që i njohim nga literatura dhe nga vlerësimet ndërkombëtare? Përgjigjja është jo. Gabimi etik është se kur e shtrëngon një fjalë të rëndë mbi realitetin, nuk po informon, po pozicionohesh retorikisht. Dhe po ushqen pikërisht atë që thashë, propagandën që përdor etiketat për të relativizuar sovranitetin.
Ka dhe një tjetër mospërputhje që s’mund të kalohet, pretendimi se “s’ka rrezik nga Serbia sa kohë ka NATO në terren.” Shikoni dosjen e Banjës ose përplasjet e majit 2023 ku u plagosën dhjetëra ushtarë të KFOR-it13. Rreziku është real dhe dinamik, shpesh zgjidhet në minuta, para se reagimi ndërkombëtar të shndërrohet në parandalim. Ky nuk është alarmizëm, është lexim i bazuar në ngjarje. Qytetarit i detyrohemi t’ia themi ashtu si është14.
Lidhur me figurat publike të medias shqiptare që përmendëm, duhet bërë një dallim thelbësor, akuzat totalizuese janë të lehta, ndërsa provat e forta kërkojnë punë të vërtetë. Është e drejtë të vërehet se disa deklarata mediatike, si në Prishtinë ashtu edhe në Tiranë, herë pas here kanë riprodhuar narrativa të pavërtetuara ose të pa verifikuara15, madje edhe kur më pas është kërkuar ndjesë. Po ashtu, është legjitime të konstatohet kur një komentator përcjell pa burime të qarta pretendime që përputhen me qasje të favorshme për Beogradin.
Megjithatë, të etiketosh dikë si “lojalist i agjendës serbe” kërkon një standard provash shumë më të lartë se sa një varg deklaratash të diskutueshme. Ne duhet të qëndrojmë te faktet, jo te anatema. Për shembull, janë dokumentuar raste kur lajme të rreme, si dhe analiza të organizatave të pavarura që tregojnë se citime të pa verifikuara nga media shqip kanë qarkulluar në media serbe, duke ushqyer një ekosistem të gjerë dezinformimi. Këto janë shkelje të praktikës profesionale, por jo ende prova të qëllimit armiqësor, nëse nuk mbështeten me gjetje të verifikueshme.
Në këtë kuadër, redaksia jonë hulumtuese në Londër ka kryer verifikime të plota dhe të verifikuara që janë publikuar, ku ekspozohet mënyra se si figura si Berat Buzhala, Milaim Zeka dhe të tjerë operojnë brenda një rrjeti të ndërlidhur dezinformimi, me synim të minojnë pozicionin e Kosovës, të zbusin përgjegjësinë e Serbisë në rolin e saj destabilizues dhe të përhapin propagandë që krijon përçarje e konfuzion në publik. Këto nuk janë thjesht hamendësime, por gjetje të dokumentuara që nuk mund dhe nuk duhet të injorohen. Ato përbëjnë një udhëzues të qartë drejt kuptimit të asaj që po ndodh realisht në hapësirën mediatike shqiptare.
E gjitha kjo kthehet te një parim i thjeshtë, përpara se të kërkosh nga i ftuari “të jetë i matur”, intervistuesi duhet të jetë i saktë. Të dish nëse ka apo jo ambasador amerikan në Prishtinë; të dish çfarë ka ndodhur në Banjë, të dallosh midis mosmarrëveshjesh taktike me aleatët dhe konfliktit strategjik, të kuptosh se fjala “regjim” peshon më shumë se një figurë retorike. Kërkimi paraprak nuk është luks, është detyrë. Kur një temë është investiguar mirë dhe e raportuar në mënyrë të pavarur, roli i moderatorit nuk është të improvizojë terma që ndezin tym, por të vë testin e fakteve mbi çdo pohim, të miat, të qeverisë, të opozitës. Vetëm kështu publiku del më i informuar se sa hyri.
Në fund, qëndrimi im është ky, unë mbroj standardin, jo flamurin. Kur faktet përkojnë me një vendimmarrje të caktuar, i mbroj, kur nuk përkojnë, i kundërshtoj. Nuk jam “pro-Kurti”, jam pro saktësisë. Nuk jam “pro-qeverisë”, jam pro llogaridhënies. Nuk jam “pro-opozitës”, jam pro kontekstit. Dhe po, jam fort pro asaj që duhet të jemi të gjithë: t’i kundërvihemi çdo gjuhe që relativizon agresionin, që normalizon dezinformimin, apo që e quan “regjim” një administratë të dalë nga kutia e votimit pa sjellë asnjë provë për atributet e një regjimi. Kjo është vijë profesionale, etike dhe publike. Të tjerat janë zhurmë.
»regime«, an institution with clear substantive and geographical limits, bound by explicit rules, and agreed on by governments. — Britannica.
Kosovo holds credible and relatively well-administered elections. Many public institutions are undermined by entrenched corruption, though there are signs that a new generation of politicians are moving to confront corrupt practices through judicial and administrative reforms. — Freedom House.
Society of Professional Journalists
Improving and protecting journalism since 1909 — SPJ Code of Ethics.
SEEK TRUTH AND REPORT IT: Journalists should be honest, fair and courageous in gathering, reporting and interpreting information. — Society of Professional Journalists.
Telling the Story
Journalists at The Associated Press utilise a set of standards and practices that safeguards AP stories from bias and inaccuracies. — The Associated Press/AP.
Sulmet në Banjë — Kronika B Profil.
Milan Radoiçiq — Kronika B Profili.
Rama: Kosovo should not think about Serbia, but rather fulfill its duties in relation to the EU — KOHA.
Key Officers US Embassy Kosovo.
Tracker: Current U.S. Ambassadors — American Foreign Service.
Political Regime: In subject area: Social Sciences — ScienceDirect.
The media escalated the situation — Kosovo 2.0