Pezullimi i afatit dhe rruga drejt zgjedhjeve
Kërkesa në Kushtetuese është frenë kohe. Ajo mund ta lërë Kosovën me ushtruese detyre, ndërsa shumica planifikon zgjedhje kur mërgata kthehet dhe opozita e mat humbjen.
Natën e vonë të 5 marsit 2026, ndërtesa e Kuvendit të Kosovës në Prishtinë ishte më shumë se një sallë parlamentare. Ajo u shndërrua në një skenë ku politika kosovare, me gjithë tensionet, kujtesat e saj të errëta dhe frikën për të ardhmen, u përplas me vetveten. Në dukje ishte një procedurë kushtetuese për zgjedhjen e presidentit. Në thelb ishte një përballje për kontrollin e shtetit, për legjitimitetin e pushtetit dhe për drejtimin politik që do të marrë vendi në vitet e ardhshme.
Seanca e jashtëzakonshme nisi në orët e fundit para skadimit të afatit kushtetues. Në sallë ndodheshin vetëm 66 deputetë, të gjithë nga koalicioni qeverisës i udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje. Deputetët e opozitës, nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk u paraqitën. As deputetët e Listës Serbe nuk ishin të pranishëm. Në një parlament prej 120 ulësesh, mungesa e tyre ishte vendimtare.
Kushtetuta e Kosovës është e qartë. Në dy raundet e para të votimit për presidentin kërkohen 80 vota. Në të tretin, të paktën 61. Por për të filluar procesin nevojitet prania e dy të tretave të deputetëve. Pa këtë kuorum, procedura nuk mund të nisë.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e ndërpreu seancën me një deklaratë të shkurtër.
“Nuk janë plotësuar kushtet... do ta ndërpresim seancën këtu”.
Në një vend ku politika rrallëherë është e qetë, kjo fjali kishte peshën e një paralajmërimi. Kosova po hynte në një krizë kushtetuese.
Në të njëjtën ditë, presidentja Vjosa Osmani kishte dërguar1 në Kuvend amendamente kushtetuese që do të mundësonin zgjedhjen e presidentit me votë të drejtpërdrejtë nga populli. Ky propozim kishte qëndruar në sirtar që nga viti 2011, një ide që herë pas here rikthehej në debat, por që nuk kishte gjetur konsensus politik.
Amendamentet kërkonin dy të tretat e votave të deputetëve, përfshirë dy të tretat e përfaqësuesve të komuniteteve. Por edhe kjo përpjekje u ndal nga mungesa e kuorumit. Asnjë nga nëntë deputetët e Listës Serbe nuk ishte në sallë.
Në pamje të parë, skena dukej si një krizë procedurale. Por në realitet, ajo ishte një kapitull i ri në një konflikt më të thellë politik që ka përfshirë Kosovën për vite me radhë.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, u shfaq para gazetarëve2 me një ton që përpiqej të dukej i qetë, por që mbante brenda një paralajmërim të fortë.
“Kosova po futet drejt një procesi të ri zgjedhor në orën 00:00”, tha ai. “LDK pret dekretin për shpërndarjen e Kuvendit dhe sa më parë konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme”.
Ai shtoi se partia e tij kishte qenë e gatshme për konsensus për një kandidat jopartiak për president.
“Kemi pasur gatishmëri të plotë për marrëveshje. Kjo gatishmëri nuk është përputhur me synimet e palëve tjera politike”.
Por nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje e interpretoi situatën ndryshe.
Shefja e grupit parlamentar të kësaj partie, Arbërie Nagavci, e akuzoi3 opozitën se e kishte bojkotuar qëllimisht procesin për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja.
“Qasja e tyre vetëm e dëshmon edhe një herë tendencën e këtyre partive që ta pamundësojnë zgjedhjen e presidentit dhe ta dërgojnë vendin në zgjedhje”.
Në këtë përplasje deklaratash, dy narrativa politike u përplasën hapur.
Sipas opozitës, qeveria po përpiqej ta impononte një president partiak pa konsensus. Sipas qeverisë, opozita po i sabotonte institucionet për ta provokuar një krizë politike.
Por në fund të natës, një veprim i vetëm e ndryshoi krejtësisht lojën politike.
Kryetarja e Kuvendit iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për ta pezulluar afatin kushtetues për zgjedhjen e presidentit dhe për ta vlerësuar kushtetutshmërinë e procedurës.
Në një postim publik4, ajo njoftoi se kërkesa përfshinte edhe një masë të përkohshme për pezullimin e afatit deri në vendimin e gjykatës.
Në një demokraci të re si Kosova, ku interpretimi i Kushtetutës shpesh bëhet në mes të krizave politike, kjo lëvizje nuk ishte thjesht një hap juridik. Ishte një manovër strategjike.
Nëse Gjykata Kushtetuese e pranon pezullimin e afatit, atëherë procesi i zgjedhjes së presidentit hyn në një territor të ri juridik. Një periudhë pritjeje që mund të zgjasë javë apo edhe muaj.
Në këtë interval, mandati i presidentes aktuale Vjosa Osmani përfundon më 4 prill.
Kjo krijon një situatë të pazakontë. Nëse nuk zgjidhet presidenti i ri dhe nëse procesi është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese, funksionet e presidentit kalojnë te kryetarja e Kuvendit.
Me fjalë të tjera, Albulena Haxhiu mund të bëhet ushtruese e detyrës së presidentit të Kosovës deri në një vendim përfundimtar.
Në historinë e Kosovës, një skenar i tillë nuk ka ndodhur më parë.
Por për ta kuptuar rëndësinë e kësaj nate politike, duhet të kthehemi pak pas në kohë.
Për gati dy dekada pas luftës, politika kosovare u dominua nga një elitë politike e dalë nga strukturat e luftës dhe tranzicionit të pasluftës. Në këtë periudhë, shteti i ri përjetoi një proces privatizimi masiv të ndërmarrjeve publike dhe industrisë.
Shumë fabrika që kishin funksionuar për dekada u çmontuan dhe u shitën si metal i vjetër industrial. Të tjerat u shndërruan në qendra tregtare. Një pjesë e madhe e ekonomisë e pasurisë industriale u zhduk nga plaçkitja sistematike.
Në këtë proces u krijua një klasë e re oligarkësh. Shumë prej tyre u lidhën ngushtë me elitën politike që e drejtonte vendin.
Ndërkohë, klima politike shpesh ishte e errët. Aktivistë, gazetarë dhe figura politike përfshirë ish komandantë të luftës u vranë në rrethana që edhe sot mbeten të paqarta5. Media, sipas shumë vëzhguesve ndërkombëtarë, ishte nën kontrollin e fortë të interesave politike dhe ekonomike.
Në të njëjtën kohë, procesi i dialogut me Serbinë prodhoi një seri marrëveshjesh që mbetën të diskutueshme në opinionin publik.
Marrëveshjet e Brukselit të viteve 2013 dhe 2015 përfshinin krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, një strukturë që shumë kritikë në Kosovë e jashtë saj e përshkruan si një model që mund të krijonte një republikë të dytë të kontrolluar nga Serbia brenda shtetit.
Për një pjesë të shoqërisë kosovare, këto lëshime u perceptuan si një rrezik për funksionalitetin e shtetit.
Në vitin 2015 u krijua edhe Gjykata Speciale6 për krime të pretenduara të luftës. Ishte një institucion ndërkombëtar i vendosur në Hagë, që do të gjykonte ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Shumë politikanë që e mbështetën krijimin e saj7 mendonin se procesi nuk do t’i prekte. Por historia mori një drejtim tjetër.
Në vitin 2020, aktakuza ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi u konfirmua. Ai dha dorëheqjen dhe u transferua në Hagë për t’u përballur me gjykimin.
Ky moment e ndryshoi thellësisht skenën politike në Kosovë.
Në zgjedhjet e shkurtit 2021, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit fitoi një mandat të fortë popullor. Në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar, ajo mori mbi 51 për qind të votave, një rezultat që i dha një shumicë të padiskutueshme parlamentare.
Ky mandat i ri i dha qeverisë një kontroll të fortë politik mbi institucionet.
Por tensionet me Serbinë nuk u zhdukën.
Në shtator të vitit 2023, një grup paramilitarësh të armatosur nga Serbia nën udhëheqjen e ish-kreut të Listës Serbe Milan Radoiçiq hyri në veri të Kosovës dhe vrau një polic kosovar. Incidenti shkaktoi një përplasje të armatosur dhe një mobilizim të gjerë të forcave të sigurisë së Kosovës.
Qeveria në Prishtinë e përshkroi ngjarjen si një përpjekje për aneksimin e veriut.
Në atë moment, Kosova u përball me presion të fortë ndërkombëtar për t’i ulur tensionet edhe pse Serbia ishte agresori. Por në politikën e brendshme, përplasjet u thelluan.
Opozita akuzoi qeverinë se po i prishte marrëdhëniet me aleatët perëndimorë dhe kërkonte dorëzimin e saj përball agresionit të Serbisë. Qeveria, nga ana tjetër, argumentoi se po e mbronte sovranitetin e vendit.
Në këtë klimë tensioni politik dhe gjeopolitik, zgjedhja e presidentit u kthye në një betejë për drejtimin e shtetit.
Propozimi i Vetëvendosjes për Glauk Konjufcën si kandidat për president u pa nga opozita si një përpjekje për ta konsoliduar pushtetin partiak. Opozita kërkoi një kandidat konsensual.
Por konsensusi nuk erdhi.
Natën e 5 marsit, përplasja e arriti kulmin.
Për disa orë, skenari më i mundshëm dukej shpërndarja e Kuvendit dhe shpallja e zgjedhjeve të reja.
Por kërkesa e drejtuar ndaj Gjykatës Kushtetuese e ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve.
Në politikë, ndonjëherë një veprim juridik mund të ketë pasoja më të mëdha se një votim parlamentar.
Nëse Gjykata vendos ta pezullojë afatin, procesi politik hyn në një periudhë pritjeje që mund të zgjasë disa javë.
Kjo periudhë i jep qeverisë kohë dhe hapësirë strategjike.
Ajo mund të vendosë nëse do të shtyjë për zgjedhjen e një presidenti të ri në parlament, apo nëse do ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Nëse vendi shkon në zgjedhje, koha mund të jetë vendimtare.
Vera është tradicionalisht periudha kur mërgata kosovare kthehet në vend. Miliona qytetarë që jetojnë në Evropë dhe Amerikë kalojnë muajt e verës në Kosovë.
Në zgjedhjet e fundit, vota e mërgatës shqiptare ishte një faktor i rëndësishëm në fitoren e Vetëvendosjes.
Në një skenar zgjedhjesh verore, kjo votë mund të rrisë edhe më tej epërsinë e partisë në pushtet.
Për opozitën, ky është një rrezik real.
Një rezultat edhe më i thellë në favor të Vetëvendosjes mund ta ndryshojë përfundimisht balancën politike në vend. Disa parti opozitare rrezikojnë madje të mos e kalojnë pragun parlamentar.
Prandaj, dilema për opozitën është e qartë.
Ta pranojë një president të propozuar nga shumica, apo të përballet me një humbje edhe më të madhe në zgjedhjet e verës kosovare.
Në këtë kuptim, kriza e natës së 5 marsit nuk ishte vetëm një epizod procedural.
Ishte një moment që mund ta përcaktojë arkitekturën politike të Kosovës për vitet që vijnë.
Në një vend ku shteti është ende i ri dhe institucionet janë ende në proces konsolidimi, çdo krizë kushtetuese ka peshë historike.
Kosova ka kaluar nga lufta në shtetndërtim, nga protektorati ndërkombëtar në sovranitet të pjesshëm, nga një sistem politik i dominuar nga figura të luftës në një skenë të re politike.
Në këtë rrugë, institucionet shpesh janë testuar nga krizat.
Natën e 5 marsit, një tjetër test filloi.
Në fund, pyetja që mbetet nuk është vetëm se kush do të jetë presidenti i ardhshëm.
Pyetja më e madhe është se çfarë forme do të marrë demokracia kosovare në vitet që vijnë.
Sepse në politikë, historia shpesh nuk zhvillohet në mënyrë lineare. Ajo shpërthen në momente të papritura, kur një vendim, një mungesë në sallë apo një fjali e thënë në një natë të vonë mund ta ndryshojë drejtimin e një vendi.
Dhe në Prishtinë, në natën e mbrëmshme e marsit, politika kosovare hyri në një nga ato momente.
‘’Seancën e tanishme e konsiderojmë si monopartiake, pasi që janë dy kandidatë nga një parti politike. Presidenti nuk duhet të ketë librezë partiake, tani kemi dy të tillë. Kështu nuk arrihet konsensusi, e as uniteti’’- deklarimi i kryetarit Lumir Abdixhiku në hollin e Kuvendit të Kosovës. — LDK Postim në Facebook, 5 Mars, 2026.
Nagavci: Opozita ka tendencë ta dërgojë vendin në zgjedhje — KOHA Ditore.
Skema e vrasjeve politike të Hashim Thaçit
Strategjia e Thaçit e shndërroi Kosovën në një shtet vrasës, ku krijoheshin “atmosfera atentati” për ta arsyetuar neutralizimin e kundërshtarëve dhe për t’i futur besnikët në një cikël borxhi. — Kronika B Hulumtim.
A po vritet UÇK-ja me dorën e ligjit?
Ndërsa prokuroria kërkon 45 vite burg, Kosova përballet me provën e saj më të rëndë: balancimin e llogaridhënies individuale me mbrojtjen e rrëfimit të saj kombëtar. — Kronika B Politika Kombëtare.
Gjykata Speciale ndez polemika në Kosovë: Pranon prova nga Serbia
Pranimi i provave të Serbisë nga Gjykata Speciale në Hagë ndez debat të ashpër në Kosovë, ringjall trauma të luftës, tension politik dhe sfida për drejtësinë tranzicionale. — Politikë dhe çështje Publike.




