Pse Drejtësia për Shqiptarët e Vrarë është Patriotizëm?
Lavdia e UÇK-së nuk mund të jetë mburojë për kriminelët. Vrasjet e komandantëve dhe patriotëve e kërkojnë të vërtetën, jo heshtjen mbytëse të tradhtisë politike.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë, është dhe do të mbetet përgjigjja më sublime e një populli kundër gjenocidit serb, një projekt kombëtar i lindur nga nevoja ekzistenciale për liri e jo nga instinkti për krim. Ta thuash këtë nuk është vetëm mbrojtje e historisë, por detyrim ndaj të vërtetës, sepse politika e UÇK-së ishte çlirimi, jo asgjësimi i të pafajshmëve apo eliminimi i patriotëve që mendonin ndryshe. Kurdo që flasim për krime, duhet ta kemi guximin intelektual e kombëtar ta ndajmë amblemën e lavdishme nga veprimet e individëve që, me zgjedhje të vetëdijshme, e kanë njollosur atë.
Është një e vërtetë brutale, por e domosdoshme për t’u thënë, se asnjë vrasje e një shqiptari, asnjë atentat mbi politikanë, komandantë apo patriotë e gazetarë të këtij vendi, nuk mund të fshihet nën mbulesën e shenjtë të luftës çlirimtare. UÇK-ja nuk u formua për t’u bërë pasqyrë e regjimit të Millosheviqit, por për ta thyer atë. Prandaj, kushdo që e ka përdorur emrin e saj për të kryer krime, nuk e meriton mbrojtjen e historisë, por ballafaqimin me drejtësinë. Nuk mund të lejojmë që lavdia e një ushtrie popullore të përdoret si mburojë nga ata që gjakun e bashkëkombësve e panë si mjet për pushtet apo eliminim rivalësh.
Drejtësia për çdo të pafajshëm, shqiptar apo i minoriteteve, që u vra gabimisht apo qëllimisht në emër të luftës, është akti më i lartë i patriotizmit që mund ta bëjmë sot. Vetëm duke kërkuar llogaridhënie për “gabimet” e individëve, ne e ruajmë të pastër dhe të paprekshme idealin e lirisë. Një komb rritet vetëm kur e ka guximin t’i shohë në sy plagët e veta dhe të thotë qartë se krimi mbetet krim, pavarësisht çfarë uniforme ka veshur autori. UÇK-ja është e popullit, e jo e atyre që e përdorën atë si leje për ta vrarë të ardhmen e Kosovës.
Pse Kosova po Mbytet në Pasqyrat e Saj të Thyera?
Në rrugët e Prishtinës, ku era e ftohtë e marsit ende mban lagështirën e një dimri që refuzon të ikë, historia nuk ecën me hapa të matur, por me thyerje të papritura, si ato pasqyrat e vjetra që, kur thirren ta tregojnë të vërtetën, copëtohen nën peshën e asaj që e shohin. Kosova po përballet me një nga ato çastet e saj makbethiane, ku mjegulla e dendur e politikës së ditës po tenton ta mbytë dritën e hollë të kujtesës kombëtare. Pyetja që shtrohet sot, nën dritën e zbehtë të zyrtarëve që numërojnë fije bari për ta shmangur numërimin e mëkateve, nuk është thjesht juridike. Ajo është ontologjike.
A mund ta lejojmë amblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të shërbejë si një mbulesë e rëndë, prej plumbi, për krimet e kryera në emër të saj?
Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ishte një rastësi e historisë, as një sajesë e njerëzve të dhunshëm. Ajo ishte britma e fundit e një populli që po fshihej nga faqja e dheut, një mekanizëm mbijetese i krijuar për t’i thyer muret e një burgu gjenocidial të ndërtuar nga regjimi i Millosheviqit. Si e tillë, ontologjia e saj ishte çlirimi, jo asgjësimi. Ishte jeta, jo vdekja e tjetrit të pafajshëm. Por, në analet e luftërave, edhe ato më të drejtat, shpesh fshihen hije që historia zyrtare refuzon t’i njohë. Dhe këtu nis tragjedia jonë e brendshme, pranimi se brenda asaj strukture madhështore, individë të caktuar, me një vullnet të errët dhe të vetëdijshëm, zgjodhën ta përdornin emrin e shenjtë të lirisë si një leje për vrasje.
Nuk mund të ketë paqe në ndërgjegjen e një kombi nëse vrasja e një patrioti, e një politikani, e një gazetari, apo e një komandanti shqiptar që mendonte ndryshe, trajtohet si “dëm anësor” i historisë. Këto nuk ishin gabime taktike, këto ishin tradhti ndaj vetë idealit të UÇK-së. Kur një armë e destinuar për t’i thyer zinxhirët e pushtuesit kthehet nga gjoksi i vëllait, ajo pushon së qeni armë çlirimtare. Ajo shndërrohet në një mjet të tmerrshëm të asaj që Kadareja do ta quante “dosja e madhe e harrimit”, ku krimi kërkon të rehabilitohet përmes lavdisë së të tjerëve.
Sot, shohim pasardhësit politikë të këtyre strukturave që luajnë me terminologjinë e “përjashtimit” dhe “konsensusit”, ndërkohë që fshihen pas portaleve që dikur i jepnin oksigjen narrativës së xhelatit. Është një ironi therëse që ata që pretendojnë se i mbrojnë institucionet, janë të parët që i sabotojnë ato në mesnatë, duke u rreshtuar në një front të heshtur me fantazmat e së kaluarës. Ata kërkojnë që amblema e UÇK-së të jetë një batanije e madhe nën të cilën mund të fshihen të gjitha, korrupsioni, vrasjet politike, eliminimet e pasluftës dhe kapja e shtetit.
Kjo bëhet edhe më e dhimbshme kur këtë gjuhë e përdorin disa nga ata që vetë kanë mbetur jetimë të krimeve të tilla. Është një humnerë morale kur një pjesë e trashëgimtarëve të viktimave të atentateve politike zgjedhin të bëhen avokatë të heshtur të mjegullës që i mbuloi vrasësit e baballarëve të tyre. Në vend që të ishin zëri më i fuqishëm për zbardhjen e çdo prite të pabesë, mjaft prej tyre sot shërbejnë si dekor i një teatri ku e vërteta është e padëshiruar.
Si mundet një i mbijetuar i kësaj historie të errët të gjejë strehë te të njëjtat mjete dezinformimi që dikur përgatitnin terrenin për gjakderdhje?
Kjo nuk është thjesht paaftësi politike, është një dorëzim shpirtëror përballë strukturave që nuk kursyen asgjë.
Në fund të ditës, kjo heshtje dhe ky rreshtim i ri nga ana e shumë prej tyre nuk janë gjë tjetër veçse një tradhti e dytë mbi varret e patriotëve. Kur pasardhësit e atyre që u vranë për një Kosovë të lirë dhe të pastër, pranojnë të ulen në prehrin e oportunizmit që i mbron xhelatët, ata e humbasin të drejtën për të folur në emër të moralit. Historia do t’i kujtojë jo për emrat që i mbajnë, por për guximin që u mungoi për të kërkuar drejtësi deri në fund, duke preferuar komoditetin e një karrigeje parlamentare mbi peshën e rëndë të së vërtetës.
Por e vërteta e ka një veti të çuditshme, ajo rëndon më shumë se sa mund të mbajë çdo pëlhurë.
Ne si komb duhet të rritemi. Pjekuria e një populli nuk matet me aftësinë për të thurrur mite të pathyeshme, por me guximin për t’i hapur arkivat e errëta të vetvetes. Drejtësia për çdo të pafajshëm, për çdo shqiptar që u ekzekutua në prita të pabesa apo në qelitë e improvizuara të pushtetit të pretenduar, është akti i vetëm që e mbron vërtet UÇK-në. Duke kërkuar llogaridhënie për ata që e njollosën uniformën, ne nuk po e sulmojmë luftën, ne po e pastrojmë lirinë nga llumi i krimeve individuale.
Nuk mund të lejojmë që ata që e kanë vrarë të ardhmen e Kosovës duke vrarë njerëzit e saj më të mirë, të na japin sot leksione për patriotizmin. Ata që zgjodhën vrasjen si mjet politik duhet të ballafaqohen me faktet, jo me mjegullën e propagandës. Kosova nuk ka nevojë për heronj që i tremben të vërtetës, por për qytetarë që e kanë guximin të thonë: UÇK-ja ishte e pastër, por disa duar brenda saj ishin të përgjakura me gjak vëllai. Dhe ai gjak kërkon drejtësi, jo vargje cinike në rrjetet sociale apo portale të renditura me Beogradin.
Në fund të ditës, historia nuk do të pyesë se sa herë e kemi thirrur emrin e lirisë, por se sa shumë e kemi respektuar jetën brenda asaj lirie. Çdo tentativë për ta përdorur organizatën çlirimtare si mburojë për kriminelët, është një vrasje e dytë për dëshmorët e vërtetë. Është koha që Kosova të dalë nga kjo sallë pasqyrash të thyera dhe ta kuptojë se vetëm llogaridhënia brutale mund ta bëjë atë një shtet vërtet sovran, ku ligji peshon më shumë se sa miti dhe ku e vërteta nuk është një opsion i diskutueshëm, por i vetmi truall ku mund të ndërtohet e ardhmja.
Është një dëshpërim i thellë të shohësh se, pavarësisht ndryshimit të udhëheqjes politike gjatë gjashtë viteve të fundit, Kosova ende lëngon nën peshën e një dështimi historik për të pastruar tempullin e saj të demokracisë. Është e papranueshme që individë të implikuar në vrasje politike, ata që orkestruan apo morën pjesë direkt në plaçkitjen sistematike të pasurisë kombëtare në pasluftë, vazhdojnë të ulen si deputetë në Kuvendin e Republikës. Ky institucion mbetet i ndotur nga prania e atyre që nënshkruan marrëveshje me Serbinë për t’i gjymtuar interesat e vendit, dhe madje nga ata që, në një formë apo tjetër, qëndrojnë pas tentativave edhe për eliminimin e Kryeministrit aktual. Ndonëse me një lidership të ri, shteti ka dështuar t’i përmbushë pritshmërinë kryesore, kërkesën për drejtësi, hetime të mirëfillta dhe zbardhjen e operacionit sistematik të vrasjeve politike që u ekzekutua nën mandatin e Hashim Thaçit. Pa mbajtjen përgjegjës të këtyre entiteteve dhe pa largimin e tyre nga ulëset e pushtetit, liria jonë mbetet e papërfunduar dhe drejtësia një premtim i tradhtuar.
Skema e vrasjeve politike të Hashim Thaçit
Në prill 2025 redaksia jonë u përball me një përpjekje për të na futur në një kurth të ndërtuar si honeytrap, me synimin për të prodhuar kompromat kundër nesh. Në vend që të tërhiqeshim, hulumtuam ps…


