Pse Plaçkitësit e Pasluftës NUK Janë Çlirimtarë
UÇK-ja ishte sublimiteti i një populli për ekzistencë, jo një imunitet patologjik për 'komandantët' që vodhën arsimin, shëndetësinë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë.
Kritika ndaj Ramush Haradinajt, Hashim Thaçit apo Sami Lushtakut nuk ka asnjë lidhje me qenien “anti-UÇK”—përkundrazi, ajo është akti më i lartë i mbrojtjes së vlerave të pastra të luftës çlirimtare. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte dhe mbetet aspirata sublime e një populli të tërë për ekzistencë dhe liri, një pasuri kombëtare e pakontestueshme dhe e paprekshme. Por uniforma e shenjtë e vitit 1999 nuk mund të përdoret si një pastrues kimik apo leje imuniteti për mëkatet, plaçkitjet dhe tradhtitë e pasluftës.
Kur e kritikon Ramush Haradinajn për faljen e 8.200 hektarëve tokë Malit të Zi apo për shuarjen e Institutit për Dokumentimin e Gjenocidit Serb, ti nuk po prek luftën; po mbron territorin dhe historinë.
Kur akuzon Hashim Thaçin për ndërtimin e një strukture kriminale vrastare e plaçkitëse, për nënshkrimin e marrëveshjeve të dëmshme në favor të Serbisë dhe për një mandat ku u vranë gazetarë e politikanë të ndershëm, ti nuk po sulmon çlirimin, po kërkon llogari për pengmarrjen e tij.
Kur e denoncon Sami Lushtakun për abuzim me Fondin Çlirimtar apo për krime të konfirmuara nga gjykatat, ti thjesht po refuzon ta pranosh që një njeri që kontribuoi disa muaj në luftë, të ketë të drejtë ta vjedhë një popull të tërë për tri dekada në paqe.
Fushata agresive e mbetjeve të ShIK-ut, që funksionon si një departament i hapur i propagandës përçarëse, tenton që çdo kërkesë për llogaridhënie ta etiketojë si “anti-UÇK”. Ky është një manipulim i ndytë.
Çlirimtari i vërtetë del nga lufta me plagë dhe me një varfëri të ndershme; ai nuk thotë “kam luftuar, prandaj më takon gjithçka.” Ata që e kthyen lavdinë në plaçkë, që blenë vila në Dubai dhe ndërtuan oborre private mbi dëshpërimin e veteranëve të vërtetë që sot vrasin veten për bukë, nuk janë UÇK. Ata janë thjesht matrapazë që e ndërruan flamurin e robërisë, por jo natyrën e saj. Të kërkosh drejtësi dhe t’i quash hajdutët me emrin e tyre nuk është tradhti, është çlirimi moral që Kosovës i duhet për të shpëtuar nga miti i hajdutit e vrasësit patriotik
Kur drita e lirisë bie mbi një shtëpi të djegur, njeriu pret që ata që e shpëtuan nga flakët të ndihmojnë në rindërtimin e saj, e jo të kthehen natën për t’ia çmontuar dyert, për t’ia vjedhur dritaret dhe për t’ia shkulur drrasat e dyshemesë. Në Kosovën e pasluftës, tragjedia më e madhe nuk erdhi nga rrënojat apo nga varfëria e pritshme e një vendi të dalë nga gjenocidi. Ajo erdhi nga një tradhti më e hollë, më e rëndë dhe moralisht e pafalshme: nga shndërrimi i lavdisë në plaçkë dhe i sakrificës në industri. Ata që e kryen këtë shndërrim, që e kthyen emrin e lavdishëm Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në një mburojë private për tenderë, vila në Dubai, Monte Karlo e gjetiu dhe pasurim patologjik, nuk janë çlirimtarë. Ata nuk mund ta gëzojnë këtë privilegj, sepse historia nuk është një nënë e verbër që pranon t’i lajë mëkatet e sotme me gjakun e djeshëm. Ata nuk janë UÇK, sepse UÇK-ja ishte aspirata sublime e një populli për ekzistencë, ndërsa kjo kastë e korruptuar kriminelësh është vetëm një makineri frike që kërkon t’i përkulet një komb i tërë.
Ky tekst nuk lindi në qetësinë e një zyre komode apo nën dritat e ngrohta të një studioje televizive në Prishtinë. Ky reflektim u ngjiz spontanisht në natën e vonë të pas 27 qershorit, një e dielë ku qielli i Ukrainës Lindore çahej nga sirenat e alarmit ajror dhe nën tytat e bombave ruse që binin në tokë. Kur njeriu shkruan nën rrezikun e vdekjes së menjëhershme, kuptimi i lirisë zhvishet nga çdo propagandë dhe mbetet i pastër, i zhveshur deri në palcë. Atje, ku jeta matet me sekonda, bëhet e qartë se liria nuk është një medalje që varet në gjoksin e një njeriu të pasuruar në kurriz të fëmijëve të varfër. Pikërisht ky realitet lufte që e përjetoj tash e më shumë se 15 vjet, kjo përballje me vdekjen e huaj dhe të afërt, e zgjoi revoltën e brendshme për ta parë Kosovën, atdheun tonë kolektiv të çliruar nga miti i plaçkitësit patriotik. Ndjenja e përgjegjësisë ndaj të vërtetës e bën të pamundur heshtjen, sidomos kur sheh se si ata që dikur e mbanin uniformën, sot i përdorin lotët e krokodilit nëpër ekrane si Klan Kosova e ‘Klan Serbia’ për t’i thënë nënës së dëshmorit se duhet të heshtë, apo për ta akuzuar popullin shqiptar si mosvlerësues të gjakut të vet.
Ekziston një dallim ontologjik, pothuajse biblik, mes njeriut që lufton për liri dhe njeriut që pas lirisë kërkon ta sundojë atë. I pari del nga lufta me plagë, me një varfëri të ndershme dhe me dëshirën që populli i tij të marrë frymë lirshëm. I dyti del me një uri të pangopur, me thonjtë e ngulur në buxhetin e shtetit dhe me kërkesën absurde që qytetari t’i përkulet përjetësisht. Çlirimtari i vërtetë nuk e sheh shtetin si një shpërblim personal apo si një çeqe të hapur për ta vjedhun të ardhmen e një kombi. Ai e kupton se arma ishte vetëm një mjet i përkohshëm kundër robërisë dhe nuk e kthen kujtimin e asaj arme në një leje për frikë, për shantazh apo për vrasjen e kundërshtarëve politikë. Kur një kastë politike i vret gazetarët pas lufte, kur i ekzekuton komandantët e ndershëm që kërkojnë llogari, kur tenton ta vrasë presidentin historik Ibrahim Rugova dhe nënshkruan marrëveshje pas marrëveshjeje që instalohen në favor të Serbisë, ajo kastë e ka dorëzuar vullnetarisht të drejtën për t’u quajtur shqiptare, e lëre më çlirimtare.
Nëse një njeri i shërben lirisë në mëngjes dhe e plaçkit atë në mbrëmje, veprimi i dytë e asgjëson të parin. Nuk mund të ketë amnisti morale për ata që e shuan Institutin për Dokumentimin e Gjenocidit të Serbisë1, siç bënë Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi, apo për ata si Sami Lushtaku që akuzohen me emër e mbiemër për plaçkitjen e Fondit Çlirimtar dhe për krime ndaj civilëve. Kjo është një fyerje e dyfishtë për kujtesën tonë kombëtare. Si mund t’i kërkohet një populli që pa mbi gjysmë milioni të qytetarëve të tij të iknin në ekzod masiv në vitin 2015, duke u mbytur lumenjve të Hungarisë, që të ketë mirënjohje ndaj atyre që e shkatërruan arsimin, shëndetësinë dhe industrinë? Ky nuk është çlirim, por një formë e re, e brendshme dhe më e hidhur e pushtimit. Pushtuesi i parë fliste një gjuhë të huaj dhe hynte me tank, pushtuesi i dytë e flet gjuhën shqipe, e mban kostumin të shtrenjtë dhe të kërcënon me një telefonatë ose me një fushatë linçimi të sponsorizuar nga mbetjet vrastare të ShIK-ut.
Sot, çdo qytetar që guxon të bëjë një pyetje legjitime për 8.200 hektarët e tokës së falur Malit të Zi apo për pasuritë e pashpjegueshme të komandantëve, etiketohet menjëherë nga profilet e paguara si “anti-UÇK” ose “gjak serbi”. Kjo propagandë primitive funksionon si një departament i hapur i BIA-s serbe, sepse synon ta përçajë popullin dhe ta mbajë atë nën një gjendje të përhershme të luftës civile psikologjike. Por ata duhet ta kuptojnë mirë, askush nuk po e konteston luftën e lavdishme të UÇK-së. Ajo që po kontestohet është arroganca e krimit të tyre të pasluftës. Nuk mund ta mbulosh pisllëkun e sotëm me lavdinë e djeshme. Heroi i vërtetë nuk ka frikë nga drita, ai nuk ka nevojë për traktore dhe buldozerë për t’u barrikaduar në Skenderaj si të ishte Milan Radoiçiqi, as për portale që prodhojnë gënjeshtra. Heroi i rremë jeton në mjegull, sepse e di që drita nuk e zhvesh, por e zbulon si një matrapaz që e ka kthyer lirinë në biznes familjar.
Një vend mund të ketë flamur, kushtetutë, parlament, qeveri dhe ambasada, e prapë të jetë moralisht i pushtuar dhe i poshtëruar nëse e vërteta duhet të kërkojë leje nga frika. Kosova duhet të shërohet përmes një saktësie të rreptë morale. Le t’i quajmë gjërat me emrin e tyre të vërtetë: lufta le të mbetet luftë, sakrifica le të mbetet sakrificë, por plaçkitësi le të quhet plaçkitës, tradhtari le të quhet tradhtar dhe vrasësi le të quhet vrasës. Nuk ka unitet të rremë që mund të ndërtohet mbi varret e dëshmitarëve të vrarë dhe mbi dëshpërimin e veteranëve të vërtetë që bëjnë vetëvrasje sepse nuk kanë bukë për t’u dërguar fëmijëve të tyre. Kjo kastë kriminale e ka ngatërruar respektin e popullit me pronësinë mbi popullin. Çlirimtari nuk është ai që të hap derën e burgut për të ta vjedhur shtëpinë pasi ke dalë jashtë. Çlirimtari largohet pa marrë asgjë, duke e mbajtur vetëm nderin, sepse nderi, ndryshe nga paratë publike, nuk mund të vjedhet nëpër tenderë.
Beteja për çlirimin e dytë të Kosovës është një betejë për karakterin dhe dinjitetin tonë si komb. Ajo fillon në momentin kur qytetari i thjeshtë e ngre zërin dhe kërkon llogari, pa pasur frikë se do të shpallet tradhtar nga ata që llogaritë bankare i kanë të mbushura me gjakun e tradhtuar të këtij vendi. Kosova nuk u çlirua për t’u bërë oborr privat i pesë apo gjashtë familjeve që sillen në pushtet në formë rotative, por për të qenë një republikë e lirë, ku ligji është mbi individin dhe ku e vërteta është drita e vetme që na udhëheq. Ky shkrim është një thirrje për zgjim, një thirrje për kryengritje morale kundër hordhive banditeske që po e mbajnë peng konsolidimin e shtetit tonë. E vërteta është mbi të gjitha, ajo nuk mposhtet as nga plumbat, as nga ekranet e blera dhe as nga lotët e rremë televizivë. Kombi shqiptar do të ecë përpara vetëm atëherë kur ta ndajë përgjithmonë të shenjtën nga e pista.
Si u la në harresë dokumentimi i krimeve të luftës në Kosovë
I krijuar vetëm në vitin 2011, dymbëdhjetë vjet pas luftës, gjatë qeverisjes së Hashim Thaçit dhe nën Ministrinë e Drejtësisë së Hajredin Kuçit, Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës hyri në histori jo për fuqinë që pati, por për mënyrën si u la të dobësohej për shtatë vjet rresht. Në gusht të vitit 2018, vetëm pak javë pasi kryeministri




