Sahit Jashari dhe Pyetjet që Nuk Vdesin
Kur njerëz me histori dhune dhe propagande shkruajnë nekrologji, publiku duhet të pyesë: kë po e vajtojnë ata, mikun apo dëshmitarin e heshtur?
Vdekja e Sahit Jasharit u prit me një ngutje të njohur. Ende pa u ftohur lajmi, mbi emrin e tij nisi të ndërtohej një monument verbal. Jo nga historianë. Jo nga gjykata. Jo nga familjet e viktimave. Por nga njerëz që vetë ecin prej vitesh nën hijen e akuzave, dënimeve, kërcënimeve dhe borxheve të pashlyera me të vërtetën.
Më 11 qershor 2026, Sami Lushtaku shkroi1 se Sahit Jashari ishte “një prej burrave më të mëdhenj të kësaj toke”, “një prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, dhe “bashkëluftëtari besnik i Komandantit Legjendar Adem Jashari”. Ai tha se Jashari “nuk njohu frikë, nuk njohu dorëzim dhe nuk kërkoi asgjë për vete”.
Në të njëjtën frymë, Berat Buzhala e përshkroi2 si njeri që dukej i frikshëm, me kallashnikov e mjekër të zezë, por me “zemër të butë e të bardhë”.
Kjo është fjalia ku nis pyetja.
Pse pikërisht këta njerëz ndihen kaq të detyruar ta shpallin Sahit Jasharin hero?
Pse Sami Lushtaku, një figurë e dënuar në një proces për krime lufte, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe i përmendur vazhdimisht në rrëfime për dhunën e pasluftës, kërkon ta vendosë Jasharin në altar?
Pse Berat Buzhala, i cili vetë e njeh historinë e burgut të Likocit jo si abstraksion, por përmes dhimbjes së babait të tij3, e zgjedh tani një gjuhë kaq të butë për një njeri që burime të shumta e vendosin në zemër të atij kampi?
Këto nuk janë pyetje për ta fyer të vdekurin. Janë pyetje për t’i mbrojtur të gjallët nga falsifikimi i së shkuarës.
Burime që këtë vit kanë folur me KRONIKAT E BARUTIT, me kusht anonimiteti për shkak të frikës nga hakmarrja, e përshkruajnë Sahit Jasharin ndryshe nga nekrologjia publike. Sipas tyre, ai nuk ishte vetëm bashkëluftëtar. Ai ishte pjesë e një strukture të policisë ushtarake dhe i lidhur me burgun e Likocit, vend ku, sipas këtyre rrëfimeve, u mbajtën, u rrahën dhe u çnjerëzuan shqiptarë të dyshuar, rivalë, të pabindur ose thjesht njerëz që ranë në duart e një pushteti pa gjykatë.
Njëri nga burimet thotë se babai i Berat Buzhalës ishte mbajtur në të njëjtin kamp për rreth 45 ditë. Sipas këtij rrëfimi, Sahit Jashari ishte ndër figurat që kishin autoritet mbi atë vend. Atëherë pyetja për Buzhalën nuk është letrare. Është personale. Zt Buzhala, kur shkruani se Sahiti kishte zemër të bardhë, a po flet si gazetar, si dëshmitar, apo si njeri që ka vendosur të mos e kujtojë më babain e vet?
A e ke parë Sahit Jasharin kur shkoje ta vizitoje babain?
A e dije kush komandonte aty?
A e dije kush e nxirrte ditën jashtë dhe kush e rrihte natën?
A janë ato tulla të kuqe, për të cilat flasin dëshmitarët, pjesë e kujtesës sate apo pjesë e heshtjes sate?
Në këtë histori ka edhe një emër tjetër, “Sokoli”. Sipas një burimi, ai kishte qenë i mbajtur në të njëjtin burg dhe më pas ishte bërë dëshmitar i EULEX-it për torturat në Likoc. Një burim tjetër pretendon se ai e tërhoqi deklaratën pas një pagese prej 200 mijë eurosh. Ky është pretendim i rëndë dhe kërkon verifikim të plotë. Por në një vend ku dëshmitarët janë frikësuar, blerë, thyer ose heshtur, pyetjet nuk mund të shmangen.
Kush kishte interes që dëshmitarët e Likocit të heshtnin?
Kush përfitoi kur rrëfimet për burgjet e luftës u kthyen në murmurima kafesh, në vend që të bëheshin dosje gjyqësore?
Kush e vrau kujtesën përpara se drejtësia të mund ta lexonte atë?
Në Skenderaj, sipas të njëjtave burime, rrëfimet për Sahit Jasharin nuk janë të reja. Ato qarkullojnë prej vitesh. Flitet për rrahje, për poshtërim, për dhunë ndaj të burgosurve, për gra të keqtrajtuara, për një pushtet lokal që pas luftës nuk kërkoi llogari, por ndërtoi frikë. Këto mbeten pretendime derisa të provohen. Por ato nuk janë më pak të rëndësishme vetëm sepse janë thënë me zë të ulët.
Në Kosovë, shpesh e vërteta nuk ka munguar. Ka munguar mbrojtja për ata që e thonë.
Kjo është arsyeja pse nekrologjitë politike janë të rrezikshme. Ato nuk vajtojnë. Ato pastrojnë. Ato marrin një emër të ndërlikuar, e lajnë në gjuhë patriotike, e vendosin pranë flamurit dhe pastaj kërkojnë nga publiku të heshtë. Sepse kush pyet, shpallet tradhtar. Kush kujton, shpallet armik. Kush kërkon drejtësi, akuzohet se po e prek luftën.
Por lufta nuk mbrohet duke i fshehur krimet e kryera nën emrin e saj.
Liria nuk nderohet duke i shpallur të paprekshëm ata që dyshohen se e kthyen uniformën në leje për dhunë.
Dëshmorët nuk nderohen duke e përdorur emrin e tyre si mbulesë për burgje, tortura dhe poshtërime.
Sami Lushtaku e di këtë më mirë se shumica. Ai e di fuqinë e mitit. Ai e di se si funksionon Drenica kur kujtesa lidhet me frikën. Ai e di se një emër i vendosur pranë Adem Jasharit fiton një mbrojtje të veçantë. Prandaj pyetja për të është e drejtpërdrejtë.
Zoti Lushtaku, kur e quani Sahit Jasharin “një prej burrave më të mëdhenj të kësaj toke”, a po flisni për atë që e di publiku, apo për atë që juve ju duhet të mos flitet kurrë?
A është ky nderim për një bashkëluftëtar, apo përpjekje për ta mbyllur një dosje përpara se ajo të hapet?
A po e vajtoni një mik, apo po e mbroni një kapitull të përbashkët?
Edhe për Buzhalën pyetjet janë të pashmangshme.
Zt Buzhala, çfarë ndodhi me kujtesën tënde?
Si kalove nga djali që bartte ushqim e ujë për babanë e mbajtur në kamp, te njeriu që sot i jep fjalë të bardha njërit prej njerëzve që burimet e vendosin në atë botë të errët?
A është kjo falje, frikë, interes, apo thjesht dorëzim?
Një shoqëri që nuk di t’i bëjë këto pyetje pas vdekjes, nuk do ta dijë kurrë të bëjë drejtësi gjatë jetës. Sepse vdekja nuk e shlyen përgjegjësinë. Ajo vetëm e ndalon të vdekurin të përgjigjet. Por nuk i ndalon të gjallët të pyesin.
Në fakt, pikërisht atëherë duhet pyetur më fort.
Çfarë ishte burgu i Likocit?
Kush komandonte aty?
Kush u mbajt?
Kush u rrah?
Kush u kërcënua?
Kush dëshmoi?
Kush e tërhoqi dëshminë?
Kush pagoi?
Kush heshti?
Dhe kush sot po përpiqet ta mbulojë gjithë këtë me fjalën “hero”?
Nuk ka asgjë aksidentale në mënyrën se si figurat e komprometuara e ngrenë njëra tjetrën në piedestal. Ky është mekanizëm mbijetese. Njëri e quan tjetrin patriot. Tjetri ia kthen me heshtje. Media e afërt e boton nekrologjinë4. Rrjeti e shpërndan. Dhe brenda pak orësh, një jetë e mbushur me pyetje të rënda kthehet në ikonë të thjeshtë kombëtare.
Por Kosova nuk e ka më luksin e ikonave të paprekshme. Ajo ka nevojë për arkiva. Ka nevojë për dëshmitarë të mbrojtur. Ka nevojë për prokurorë që nuk tremben nga mbiemrat. Ka nevojë për gazetarë që nuk i ndërrojnë kujtimet familjare me interesa të ditës.
Sahit Jashari mund të ketë pasur kapituj që meritojnë respekt. Por asnjë kapitull nuk e fshin tjetrin. Nëse ka luftuar kundër Serbisë, kjo nuk i jep imunitet ndaj pyetjeve për shqiptarët që, sipas dëshmitarëve, u keqtrajtuan në struktura të kontrolluara nga njerëzit e luftës. Nëse ka qenë pranë familjes Jashari, kjo nuk e shndërron automatikisht në të pafajshëm. Afërsia me sakrificën nuk është çertifikatë për errësirë.
Kjo është ndarja që Kosova duhet ta bëjë më në fund. Ta nderojë çlirimin, por ta hetojë dhunën. T’i respektojë të rënët, por të mos i falë të gjallët që i manipulojnë emrat e tyre. Ta dallojë luftëtarin nga abuzuesi. Ta dallojë heroizmin nga propaganda. Ta dallojë kujtimin nga larja publike e biografive.
Sepse në fund, pyetja nuk është vetëm kush ishte Sahit Jashari. Pyetja është pse, në çastin e vdekjes së tij, njerëz si Sami Lushtaku dhe Berat Buzhala ndihen kaq të gatshëm ta shpallin atë të paprekshëm.
Çfarë dinë ata?
Çfarë duan të mos dimë ne?
Dhe çfarë do të ndodhë me Kosovën nëse çdo varr shndërrohet në bunker për të vërtetën?
Drejtësia mund të vonojë. Mund të pengohet. Mund të blihet për një kohë. Mund të frikësohet nga emrat, uniformat, mitet dhe klanet. Por ajo nuk vdes. Ajo mbetet aty, si borxh i ftohtë mbi tryezën e historisë.
Askush nuk mund t’i ikë përgjithmonë llogarisë.
As të gjallët. As ata që i lavdërojnë të vdekurit për të shpëtuar veten. As ata që mendojnë se flamuri mund të përdoret si perde për krimin.
Pse Drejtësia për Shqiptarët e Vrarë është Patriotizëm?
Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë, është dhe do të mbetet përgjigjja më sublime e një populli kundër gjenocidit serb, një projekt kombëtar i lindur nga nevoja ekzistenciale për liri e jo nga instinkti për krim. Ta thuash këtë nuk është vetëm mbrojtje e historisë, por detyrim ndaj të vërtetës, sepse politika e







