Shpifje Digjitale: Vrasja e Dytë e Adem Jasharit
Të shpërndash imazhe tronditëse pa kontekst është shpërfillje e etikës profesionale dhe një tradhti ndaj sakrificës që ndërtoi Republikën e Kosovës.
Më 12 korrik 2025, rrjetet sociale në gjuhën shqipe u përfshinë nga një valë postimesh që shpërndanin një fotografi rrëqethëse të komandantit të njohur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, i fotografuar pas rënies së tij heroike në Prekaz, më 7 mars 1998. Kjo pamje, e publikuar në mënyrë të sinkronizuar nga disa faqe të ndryshme në Facebook, ngjalli reagime të përziera në opinionin publik dhe ngriti një debat të thellë mbi etikën, qëllimin dhe ndikimin e kësaj shpërndarjeje.






Fotografia në fjalë nuk është e panjohur për historianët, gazetarët dhe aktorët e përfshirë në dokumentimin e luftës, por përherë është parë si një material i ndjeshëm dhe kërkon trajtim me kujdes të veçantë. Ndaj, publikimi i saj në mënyrë masive e pa kontekst të qartë, përmes portaleve dhe faqeve që nuk janë transparente mbi identitetin e tyre, shkaktoi shqetësim të thellë për motivet pas këtij veprimi.
Redaksia e RevistaSpot.net ka kontaktuar secilën nga këto faqe për të kërkuar qartësi mbi qëllimin, legjitimitetin dhe etikën e këtij publikimi.
Pyetjet drejtuar redaksive përfshinin:
Përse u vendos të publikohet ky imazh kaq i ndjeshëm?
A përfaqëson kjo mënyrë një përkujtim dinjitoz apo rrezikon banalizimin e sakrificës së komandantit?
A janë të vetëdijshëm për ndikimin psikologjik dhe shoqëror që një imazh i tillë mund të ketë tek brezat e rinj?
Kush është përgjegjës për menaxhimin e këtyre faqeve dhe a janë të regjistruara si entitete mediatike apo veprojnë në mënyrë joformale?
Asnjë prej faqeve të kontaktuara nuk ka kthyer përgjigje.



Gjurmimet tona digjitale treguan se disa prej faqeve janë të operuara nga jashtë territorit të Kosovës. Konkretisht, faqja “Gazeta Flash24” rezulton të operohet nga një vend baltik, përkatësisht Letonia. Ndërkohë, “Informacioni i Ditës” është lokalizuar në Kosovë, por nuk rezulton të jetë entitet i regjistruar në asnjë regjistër mediatik formal, përkundër pretendimeve. Megjithatë ne e kemi pasur të vështirë t’i gjurmojmë faqet e tjera dhe asnjë prej tyre nuk i është përgjigjur kërkesave tona elektronike për sqarim.
Kjo qasje e paautorizuar ndaj materialeve historike me ndjeshmëri të lartë nuk është vetëm çështje etike, por në thelb është pjesë e një fushate të qëndrueshme për të dëmtuar kujtesën kolektive dhe lidhjen e brezit të pasluftës me simbolin më të madh të sakrificës çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës. Brezat e lindur pas luftës janë rritur në një realitet të fragmentuar politik dhe institucional, shpesh të dominuar nga figura që i përkasin periudhës së pasluftës, jo luftës. Në këtë kontekst, shpërndarja e këtij imazhi, në mënyrën si është kurorëzuar në platformat sociale, nuk shërben për të edukuar apo përkujtuar, por më shumë krijon një ndjenjë tronditjeje, neverie dhe ndarje emocionale nga figura e Adem Jasharit.
Për më tepër, shpërndarja masive e fotografive të tilla përmes faqeve që nuk mbajnë përgjegjësi institucionale krijon precedentin e rrezikshëm të manipulimit të narrativës historike përmes mjeteve digjitale anonime. Kjo është një mënyrë e re për të rishkruar perceptimet kolektive, pa debat publik, pa analizë dhe jashtë çdo kontrolli profesional mediatik.
Kjo fushatë, që duket të jetë e organizuar dhe e koordinuar, shfaq tipare të qarta të një lufte informacionale që përpiqet të zbehë figurën e Adem Jasharit si simbol unifikues dhe frymëzues i idealit për liri. Kur një shoqëri humb lidhjen emocionale dhe identitare me figurat që e kanë frymëzuar drejt çlirimit, ajo bëhet më e prekshme ndaj narrativave të reja, që shpesh janë të huaja dhe jo domosdoshmërisht të ndershme ndaj së kaluarës.
Ne besojmë se kjo nuk është vetëm një çështje e shpërndarjes së një fotografie të ndjeshme. Kjo është një thirrje për vetëdije shoqërore, për përgjegjësi institucionale dhe për rigjetjen e busullës së kujtesës kombëtare. Historia nuk duhet të banalizohet në klikime, dhe heronjtë nuk meritojnë të shpërfaqen në gjendje dehumanizuese pa qëllim edukues e pa kontekst të drejtë.
Në një kohë kur historia e Kosovës po bëhet gjithnjë e më shumë një fushëbetejë e narrativave konkurruese, kjo ngjarje është një kujtesë se ruajtja e dinjitetit të simboleve tona kombëtare është një betejë po aq e rëndësishme sa dhe ajo për lirinë e fituar dikur me gjak.
Qëndrim redaksional i Revistës SPOTLIGHT
Në një klimë gjithnjë e më të ngarkuar nga pasiguria institucionale dhe përpjekjet për të zhbërë të vërtetën historike të Kosovës1, ne në Revistën SPOTLIGHT qëndrojmë të palëkundur në mbrojtje të kujtesës sonë kolektive, të sakrificës sonë çlirimtare dhe të integritetit të të vërtetës2. Publikimi i imazheve të ndjeshme si ai i trupit të komandantit Adem Jashari, jashtë çdo konteksti historik e etik, nga faqe anonime dhe të paidentifikueshme, nuk është gazetari, nuk është as përkujtim. Është dhunim i kujtesës, është banalizim i sakrificës dhe, më shqetësuesja, është akt i qëllimshëm dezinformimi që ndihmon forcat që duan ta shkatërrojnë shtetin e Kosovës nga brenda dhe nga jashtë. Nëse nuk tregojmë vendosmëri për të ndalur këtë rishkrim të historisë përmes mjeteve digjitale anonime dhe pa përgjegjësi, atëherë e kemi dorëzuar Republikën në duart e atyre që s’e njohën asnjëherë dhe që vazhdojnë ta luftojnë.
Revista SPOTLIGHT nuk do të heshtë.
Ne jemi këtu për të ndriçuar të vërtetën, për të mbrojtur dinjitetin e së kaluarës dhe për të kërkuar llogaridhënie për të ardhmen. Kjo nuk është vetëm betejë për gazetari të përgjegjshme, kjo është betejë për shpirtin e Republikës.
I dashur lexues, nëse vlerësoni përpjekjet e mia për të mbrojtur të drejtën tuaj për informim dhe të ardhmen e vendit tonë, ju ftoj të më mbështesni me aq sa mundeni.
Mund të bëni një donacion ose të abonoheni me pagesë €5 në muaj. Çdo kontribut juaj është një gur-themeli për të vazhduar të raportoj ndershmërisht dhe të hedh dritë mbi çështjet që kanë rëndësi për të gjithë ne.
Gazetaria e pavarur ka nevojë për mbështetjen tuaj për të mbrojtur sigurinë kombëtare, etikën e gazetarit dhe cilësinë e të raportuarit dhe integritetin tonë si komb.
Faleminderit që besoni dhe përkrahni këtë kauzë!

