Si Reagon Manuali i Hashim Thaçit Kur Ekspozohet
Reagimet e Granit Gecit pas publikimit të gjetjeve tona aktivizuan manualin e atentateve politike të Hashim Thaçit, fyerje, dehumanizim, zhvendosje identiteti, presion publik, heshtje faktesh.
Më 4 shkurt publikuam një hulumtim njëvjeçar që dokumenton një metodologji pushteti1, jo një verdikt penal, por një mënyrë se si frika, etiketimi dhe dehumanizimi janë përdorur historikisht për ta mbytur llogaridhënien politike.
Brenda 24 orëve, mbi dyqind mijë lexime dhe dhjetëra mijëra ndërveprime na dhanë diçka po aq të rëndësishme sa vetë dokumentet, pasqyrën shoqërore të reagimit.
Më 5 shkurt publikuam analizën e ndikimit2. Aty u pa qartë se reagimi negativ ishte një pakicë e vogël, por zhurmuese, dhe se gjuha e saj përputhej fjalë për fjalë me modelin që e kishim përshkruar në gjetjet tona hulumtuese.
Fillimisht erdhi një koment banal që e reduktonte punën në “përrallë” dhe “abonime”.

Pastaj erdhi diçka tjetër. Reagimi i një përfaqësuesi publik, Granit Geci, asambleist i PDK-së në Prishtinë. Jo kundërshtim faktesh. Jo citime. Jo pyetje profesionale. Por etiketim familjar, një gjuhë që synon të zhvendosë debatin nga faktet te nderi, nga dokumenti te nëna.
Kjo nuk është rastësi.
Kjo është teknikë.



Le ta themi qartë. Kur një zyrtar zgjedh të quajë gazetarin “pjellë e shkines”, ai nuk po bën debat. Po aktivizon një kod të vjetër përjashtimi, një formë dehumanizimi që në traditën shqiptare ka qenë sinjal për përshkallëzim.
Sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, fyerja e nënës nuk është sharje e zakonshme, është cenim i nderit familjar. Në një shtet modern, është gjuhë urrejtjeje e dokumentueshme. Në analizën tonë, kjo gjuhë shfaqet para izolimit publik dhe para dhunës. Kjo është arsyeja pse reagimi i z. Geci nuk është episod personal, por rast studimi.
Profili publik i z. Geci nuk është i panjohur. Ai shfaqet duke votuar për PDK-në3. Ai shfaqet në fotografi me Kadri Veselin4, ish-kreu i SHIK-ut. Ai operon politikisht brenda një tradite ku lojaliteti është shpesh më i fortë se transparenca. Këto nuk janë akuza penale. Janë fakte publike.
Pyetja jonë është çfarë prodhon ky kombinim kur përballet me gazetari që kërkon llogari. Përgjigjja u pa në komente, jo në argumente, por në etiketa.
Në manualin e metodës që kemi dokumentuar, hapi i parë është diskreditimi moral, jo përgënjeshtrimi faktik. Hapi i dytë është zhvendosja e fajit te identiteti, jo te prova. Hapi i tretë është normalizimi i gjuhës së turpit që e bën dhunën të mendueshme.
Z. Geci, me fjalët e tij, e përmbushi hapin e parë dhe të dytë në një fjali. Kjo është arsyeja pse reagimi i tij ka rëndësi publike.
Këtu nuk ka nevojë për patetizëm. Ka nevojë për pyetje të thjeshta. Cila fjali e hulumtimit është e gabuar. Cili dokument është i rremë. Cila dëshmi bie poshtë. Në mungesë të këtyre, çdo fyerje është pranim i pafuqisë për të debatuar. Dhe kur kjo pafuqí vjen nga një përfaqësues publik, ajo kthehet në alarm institucional.
Le të mos e ngatërrojmë kritikën me tradhtinë. Lufta çlirimtare nuk dëmtohet nga pyetjet, dëmtohet nga heshtja. Shteti nuk mbrohet me sharje nënash, mbrohet me drejtësi. Nëse dikush mendon se etiketimi do ta mbyllë këtë histori, gabon. Çdo reagim i tillë e forcon argumentin se kjo shoqëri ende lufton me hijet e një pushteti që e ka mësuar frikën si gjuhë.
Ky shkrim nuk e “akuzon” z. Geci për krime. E ballafaqon me pasojat e fjalës së tij. Dhe i kujton lexuesit se kur përfaqësuesit publikë reagojnë me instinkt dhe jo me arsye, problemi nuk është gazetaria. Problemi është kultura politike që e sheh llogaridhënien si kërcënim.
E vërteta nuk ka nevojë për mbrojtje me fyerje. Ajo mjafton të citohet. Dhe deri tani, nga z. Geci, citime nuk ka.
Skema e vrasjeve politike të Hashim Thaçit
Strategjia e Thaçit e shndërroi Kosovën në një shtet vrasës, ku krijoheshin “atmosfera atentati” për ta arsyetuar neutralizimin e kundërshtarëve dhe për t’i futur besnikët në një cikël borxhi. — Kronika B Hulumtim.
Kur e vërteta kthehet në provë kundër pushtetit vrastar të Hashim Thaçit
Publiku e lexoi e shpërndau por një pakicë reagoi me frikë duke e dokumentuar vetë mekanizmin e vrasjeve politike që gjetjet tona hulumtuese e përshkruanjnë. — Kronika B Analizë.




