Strategjia e Hashim Thaçit për Asgjësimin Politik të Burimeve Alternative të Legjitimitetit
Para se të vritej, Xhemajl Mustafa mbrojti institucionet e Rugovës ndaj një fushate delegjitimimi që Prokuroria e cilëson si pjesë të ndërmarrjes kriminale të drejtuar nga Hashim Thaçi.
Në fillim të çdo konflikti politik, fjalët paraprijnë veprimet. Asnjë kundërshtar nuk shndërrohet menjëherë në armik. Fillimisht i hiqet besueshmëria, më pas autoriteti dhe, në fund, legjitimiteti. Vetëm pasi një individ ose një institucion bindet para opinionit publik se nuk e përfaqëson më interesin e përbashkët, bëhet më e lehtë që ai të izolohet, të përjashtohet, të zëvendësohet ose të vritet. Pikërisht këtë fazë përshkruan Prokuroria në dosjen e saj, kur i trajton marrëdhëniet ndërmjet udhëheqjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.
Sipas Prokurorisë1, gjatë vitit 1998 nisi një fushatë politike dhe propagandistike që e synonte delegjitimimin e institucioneve ekzistuese dhe të njerëzve që i përfaqësonin ato. Në qendër të saj nuk ishte debati mbi mënyrën më të mirë për ta çliruar Kosovën nga Serbia. Debati, sipas dosjes, ishte se kush e gëzonte të drejtën të fliste në emër të shqiptarëve të Kosovës dhe kush do ta udhëhiqte shtetin që pritej të lindte pas luftës.
Në atë klimë, gjuha politike ndryshoi rrënjësisht. Kundërshtari politik nuk paraqitej më thjesht si dikush me një vizion tjetër për të ardhmen e Kosovës. Ai filloi të etiketohej si pengesë, si njeri që e dëmtonte luftën, si përfaqësues i një politike të dështuar ose si figurë që nuk e meritonte më besimin e qytetarëve. Sipas Prokurorisë, kjo nuk ndodhi rastësisht. Ajo e paraqet këtë proces si pjesë të përpjekjes për ta zëvendësuar autoritetin institucional me një autoritet të ri politik.
gDosja nuk pretendon se çdo deklaratë politike çon domosdoshmërisht në dhunë. Megjithatë, ajo argumenton se fushata për delegjitimimin e institucioneve ishte pjesë përbërëse e ndërmarrjes së përbashkët kriminale që Prokuroria pretendon se ekzistonte. Sipas saj, dobësimi i autoritetit të Republikës së Kosovës ishte një hap i domosdoshëm për ta konsoliduar autoritetin e strukturës së re politike që po ndërtohej.
Në këtë pikë, figura e Xhemajl Mustafës fillon të marrë një peshë tjetër. Ai nuk ishte i rëndësishëm sepse e mbante një post. Ishte i rëndësishëm sepse e mishëronte një ide. Përderisa Ibrahim Rugova ishte simboli politik i Republikës së Kosovës, Xhemajl Mustafa ishte një nga mendjet që i jepte atij projekti kuptim, gjuhë dhe koherencë. Ai ishte ndër ata që besonin se edhe në kohën e luftës, legjitimiteti nuk fitohet vetëm në fushën e betejës, por edhe në besimin që qytetarët u japin institucioneve të tyre.
Kjo është arsyeja pse, për ta kuptuar historinë e Xhemajl Mustafës, nuk mjafton ta analizosh vetëm ditën kur ai u vra. Më parë duhet ta kuptosh atmosferën politike në të cilën ai jetoi dhe veproi. Sipas dosjes së Prokurorisë, kjo ishte një periudhë kur beteja për Kosovën zhvillohej në dy fronte. Njëri ishte kundër regjimit kriminal të Sllobodan Millosheviqit. Tjetri, sipas pretendimeve të Prokurorisë, ishte një betejë për ta përcaktuar se kush do ta trashëgonte legjitimitetin politik të shqiptarëve të Kosovës pas përfundimit të luftës. Pikërisht në këtë betejë të dytë, Xhemajl Mustafa ishte një nga figurat më të spikatura.
Pse Xhemajl Mustafa u bë i rrezikshëm
A mund të konsiderohet një vrasje politike si akt i izoluar, apo ajo vjen si pasojë e një fushate të organizuar për ndryshimin e perceptimit publik?
Dokumentet e Prokurorisë argumentojnë se dobësimi i Republikës së viteve të nëntëdhjeta ishte hapi i domosdoshëm për konsolidimin e një autoriteti të ri që e synonte monopolin mbi të ardhmen e Kosovës. Mustafa nuk udhëhiqte brigada, por mbrojtja e tij publike ndaj shtetit ligjor e sfidonte drejtpërdrejt projektin paralel të Shtabit të Përgjithshëm. Ndriçimi i këtyre ngjarjeve kërkon pavarësi absolute dhe guxim profesional, larg ndikimeve politike që dominojnë hapësirën tonë mediatike.
"Kronikat e Barutit" mbështetet tërësisht te lexuesit e saj për të mbajtur gjallë investigimin e lirë. Mos lejoni që zonat e errëta të historisë të mbeten të papreksitshme; mbështetni misionin tonë dhe abonohuni falas ose me pagesë tani.




