Pas ndalimit për videon me “plumbin në ballë”, Patriot Ibrahimi rikthehet me një publikim të ri ndaj Vudi Xhymshitit; kërkojmë që Policia dhe Prokuroria ta trajtojnë kronologjinë si një tërësi.
LONDËR, 26 shtator 2026 — The Frontline Media Group kërkon nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë që publikimi më i fundit1 i llogarisë “Patriots H Brahimi”, së bashku me komentet që ai ka gjeneruar, të administrohen si material i ri në kuadër të vlerësimit penal të kërcënimeve dhe shënjestrimit të themeluesit dhe kryeredaktorit tonë, Vudi Xhymshiti.
Kjo kërkesë nuk mbështetet në hamendësime. Ajo mbështetet në një kronologji që tashmë e përmban një video2 me referenca eksplicite ndaj vdekjes dhe plumbit, ndërhyrjen e Policisë së Kosovës, ndalimin e një të dyshuari dhe tani një publikim të ri që e vendos përsëri Xhymshitin përpara një audience ku janë shfaqur komente që flasin për vrasje, hakmarrje, “spiunë”, “UDB-ashë” dhe armiq të UÇK-së.
Sipas raportimit publik të 19 shtatorit, një 32-vjeçar i identifikuar si Patriot Ibrahimi ishte intervistuar nga hetuesit e krimeve të rënda lidhur me një publikim në Facebook që kishte në shënjestër ministren Donika Gërvalla dhe Vudi Xhymshitin. Çështja iu referua prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe u raportua se i dyshuari ishte ndaluar për 48 orë nën dyshimin për veprën e kanosjes. (Insajderi)
Materiali që shkaktoi këtë ndërhyrje ishte i drejtpërdrejtë. Në videon e publikuar më 17 shtator, fotografitë e Vudi Xhymshitit dhe Donika Gërvallës shoqëroheshin me fjalët: “Këta shpiunat n’ballë e kanë t’shkrune shpiun, edhe qashtu kanë me dek, edhe pikë.”
Më pas dëgjohej një zë gruaje: “Po qaty ku ju shkrun shpiun n’ballë, e kanë edhe nifar pike, për me kallxu ku me rrok plumi.”
Në shqipen e Kosovës, kuptimi është i qartë: personat e paraqitur etiketohen “spiunë”, thuhet se “do të vdesin” dhe përshkruhet një pikë në ballë që tregon se ku duhet të godasë plumbi.
Pas këtij publikimi, Xhymshiti reagoi publikisht duke thënë se, nëse vritej, ai do t’i konsideronte përgjegjës për krijimin e kësaj atmosfere personat që kishte emërtuar dhe se, përballë një rreziku të tillë, ai nuk do të qëndronte i pambrojtur3. Ky reagim tani po shkëputet nga shkaku i tij dhe po paraqitet nga Ibrahimi si kërcënim ndaj tij dhe familjes së tij.
The Frontline Media Group e sqaron kategorikisht këtë pikë: Vudi Xhymshiti nuk ka bërë thirrje për vrasjen, sulmin apo lëndimin e Patriot Ibrahimit apo të familjes së tij. Deklarata e Xhymshitit ishte reagim ndaj publikimit të vetë Ibrahimit kua ai kishte bërë thirrje më parë për vrajsen Xhymshitit ku Ibrahimi kishte bërë shenjimin e tij dhe vendin ku duhet ta godiste plumbi Xhymshitin. Prandaj, referenca e Xhymshitit ndaj familjes, shtetit dhe strukturave përgjegjëse për sigurinë e tij ishte deklarim se ai do të mbrohej përballë një rreziku të perceptuar ndaj jetës së tij. Çdo vlerësim juridik për formulimin konkret, natyrisht, i takon autoriteteve.
Publikimi i ri dhe komentet që e pasuan
Në publikimin e tij të ri, “Patriots H Brahimi” shkruan, ndër të tjera: “Xhymsho a me marrë seriozisht këtë kërcënimin tëndin?”, pyet nëse duhet të frikësohen “10 anëtarët e ngushtë të familjes” dhe pretendon se Xhymshiti ia ka cenuar “të drejtat e protestës së UÇK-së”. Ai e përfundon postimin duke iu referuar Policisë së Kosovës.
The Frontline Media Group nuk e kundërshton të drejtën e Ibrahimit për t’iu drejtuar Policisë. Përkundrazi, çdo person që pretendon se është kërcënuar duhet t’i drejtohet autoriteteve dhe t’ua dorëzojë atyre materialin e plotë. Por materiali i plotë në këtë rast duhet të përfshijë edhe videon që i parapriu reagimit të Xhymshitit, për të cilën vetë Ibrahimi raportohet se është ndaluar dhe intervistuar.
Problemi i ri është ajo që ka ndodhur nën publikimin e tij.
Në provat e ruajtura nga redaksia jonë, Ardi Sh Heta shkruan: “kush merr hak more për ket qen”, dhe vazhdon me një referencë se dikush mund t’ua “hjek qafe”. Ylber Thaçi e quan Xhymshitin “mut” dhe sulmon edhe familjen e tij. Ramis Ukaj, në një koment që në pamjen e ruajtur rezulton i shënuar me reagim nga autori i postimit, përdor një sharje homofobike dhe e quan Xhymshitin “UDB-ash”. Fatmir Brava i kërkon autorit të mos merret me “ket Vud UDB-ashin”. Nazmi Kelmendi e përshkruan Xhymshitin si “UDB-sh” dhe “spiun”. Këto janë formulime të dokumentuara në materialet që do t’u vihen në dispozicion autoriteteve.
Në një seri tjetër komentesh, Ilir Alija shkruan se Xhymshiti “e ka vendin te Fatmir Sheholli udbasha”. Valon Xh Balaj përdor gjuhë poshtëruese kundër atyre që, sipas tij, janë kundër UÇK-së. Kastriot Bala e quan Xhymshitin “bir qeni” dhe i referohet pranisë së tij në Hagë. Xhem Baruti Lamallari përdor sharje të rënda ndaj familjes së tij “Legen “burr” he daden n’qipk ia shkerdhefsha!”.
Më serioze janë komentet që kalojnë nga fyerja në referenca konkrete ndaj dhunës. Berisha Irfan shkruan se Xhymshiti dhe personat e tjerë që ai ka përmendur “veç b*llet mundet me jav hanger” dhe pyet se kush do të “marrë hak”. Besnik Hasanaj shkruan: “Perfekt. Tash shkjet e vrasin. Sikur me Dick (shit-muti) Marti qe deshen vet shkjet mene vra pas raportit te rrejshemnkunde UÇK-se!”
Analysis VN shkruan: “Ma para ka met myt Sarillaku se qiky Xhymsha…” — formulim që, në kuptimin e zakonshëm të shqipes së Kosovës, paraqet vrasjen e Xhymshitit si diçka që mund të ndodhë pas vrasjes së një personi tjetër.
The Frontline Media Group nuk pretendon se Patriot Ibrahimi i ka shkruar këto komente dhe as se ekzistenca e tyre, pa prova të tjera nuk e vërteton se ai i ka urdhëruar, koordinuar apo miratuar. Përgjegjësia penale është individuale dhe duhet të përcaktohet mbi prova.
Por ekziston një fakt që Prokuroria duhet ta marrë seriozisht: personi që raportohet se ishte ndaluar për një publikim me referenca ndaj plumbit dhe vdekjes së Xhymshitit e ka vendosur përsëri Xhymshitin në qendër të një publikimi publik, dhe nën atë publikim janë shfaqur përsëri komente që e përshkruajnë si “spiun”, “UDB-ash” dhe që flasin për vrasjen ose hakmarrjen ndaj tij.
Kjo është arsyeja pse publikimi i ri nuk duhet vlerësuar në vakum.
Konteksti që i paraprin 17 shtatorit
Për Prokurorinë është relevante edhe kronologjia më e gjerë. Më 10 qershor 2026, figura e lartë e PDK-së Elmi Reçica njoftoi publikisht se kishte paraqitur padi civile dhe kallëzim penal kundër Xhymshitit, duke pretenduar rrejshëm kërcënime ndaj tij dhe familjes dhe shpifje të vazhdueshme. Këto ishin pretendime të Reçicës, jo konstatime gjyqësore4. (The GPC)
Nën atë publikim, redaksia jonë dokumentoi një model të ngjashëm. Bekim Mani sugjeronte që t’i dërgohej Xhymshitit “nji njeri t’mirë” për ta lënë invalid. Xhevdet Sokoli shkruante se persona të tillë “duhet me denu me denim me varje në mes të Prishtinës”. Rexhep Sadiku e quante Xhymshitin “VUDI UDBASHIN”; Labinot Baraliu e quante “mbeturinë e UDB-së serbe”; Granit Grana Pasjaqa shkruante “Vudi asht zagar”; ndërsa Petrit Gashi e quante “zagari i Serbisë” dhe “UDB-ash”. Një pjesë e këtij materiali është dokumentuar në raportimin e publikuar në qershor. (The GPC)
Edhe aty Frontline Media Group bëri dallimin që po bën sot: komentet e mbështetësve nuk provojnë se Reçica i ka urdhëruar ato. Por ato janë relevante për të kuptuar krijimin dhe përsëritjen e një fjalori ku gazetari nuk kundërshtohet për raportimin e tij, por etiketohet si “spiun”, “UDB-ash”, “serb” dhe person që meriton dhunë.
Më 16 shtator, një ditë përpara videos së “Patriots H Brahimi”, Xhymshiti dhe redaktori politik i The Frontline Media Group, Michael Sheppard, u përballën me një situatë të tensionuar gjatë raportimit jashtë Dhomave të Specializuara në Hagë. Raportime të asaj dite konfirmojnë se pati tensione rreth Xhymshitit dhe se ai deklaroi se autoritetet holandeze ndërhynë për sigurinë e tij5.
Në të njëjtën ditë, Hysni Gucati e identifikoi publikisht Xhymshitin përpara protestuesve, e quajti “spiun” dhe u kërkoi të pranishmëve të mos merreshin me të dhe të largoheshin prej tij. Për autoritetet hetimore është me rëndësi të përcaktohet nëse dhe si kjo retorikë publike lidhet me materialet që u shfaqën më pas. The Frontline Media Group nuk pretendon pa prova se Gucati e ka porositur videon e 17 shtatorit.
Pastaj, më 17 shtator, vjen videoja e Patriot Ibrahimit me Xhymshitin dhe Donika Gërvallën: “spiun”, “kanë me dek”, “ku me rrok plumi”.
Më 18 shtator, sipas raportimit publik, Ibrahimi intervistohet nga hetuesit e krimeve të rënda dhe, me urdhër të prokurorit, ndalohet për 48 orë. (Sinjali)
Dhe tani, pas lirimit të tij të raportuar, e kemi publikimin e ri dhe një valë të re komentesh që e rikthen të njëjtin fjalor dhe, në disa raste, referenca të reja ndaj vrasjes.
Ky është konteksti që duhet t’i dorëzohet Prokurorisë.
Çfarë duhet të shqyrtojë Prokuroria
The Frontline Media Group nuk e shpall askënd fajtor dhe nuk kërkon burgim jashtë procedurës ligjore. Por kërkojmë që prokurori ta vlerësojë materialin e ri në kuadër të procedurës ekzistuese, nëse ajo vazhdon, dhe ta shqyrtojë nëse faktet i plotësojnë elementet e kanosjes, ngacmimit apo ndonjë vepre tjetër penale.
Kodi Penal i Republikës së Kosovës është konsoliduar dhe publikuar në Gazetën Zyrtare më 6 shkurt 2026. (Gazeta Zyrtare) Dispozitat penale për kanosjen mbulojnë, në kushtet e përcaktuara nga ligji, kanosjen serioze me fjalë, vepra apo gjeste, përfshirë kanosjen për privim nga jeta. Zbatimi i dispozitës ndaj këtyre fakteve konkrete i takon prokurorit dhe gjykatës, jo redaksisë sonë.
Po aq e rëndësishme është çështja e masave procedurale. Neni 184 i Kodit të Procedurës Penale i përcakton kushtet në të cilat gjykata mund të caktojë paraburgimin, ndërsa vazhdimi i paraburgimit kërkon kërkesë të Prokurorit të Shtetit dhe vendim të gjyqtarit. (Gazeta Zyrtare)
Prandaj The Frontline Media Group nuk thotë se “Patriot Ibrahimi duhet të futet në burg” si një vendim të marrë nga ne. Ne kërkojmë që Prokuroria ta administrojë menjëherë materialin e ri dhe ta vlerësojë nëse sjellja e raportuar pas lirimit krijon bazë ligjore për kërkimin e masave të reja ose më të rrepta. Nëse kushtet ligjore plotësohen, është gjykata ajo që duhet të vendosë.
Do të kërkojmë gjithashtu që të ruhen të dhënat elektronike përpara se të fshihen, të sigurohet videoja origjinale dhe metadata e saj, të identifikohen autorët e zërave, të dokumentohen publikimet dhe komentet pasuese, dhe të shqyrtohet nëse ekziston komunikim apo koordinim ndërmjet personave relevantë. Komentet që përmbajnë referenca ndaj vrasjes duhet të vlerësohen individualisht për përgjegjësinë e autorëve të tyre.
Përpjekja për ta përmbysur kronologjinë nuk e ndryshon provën
Kjo çështje nuk mund të fillojë me postimin mbrojtës të Vudi Xhymshitit. Ajo fillon me materialin që e shkaktoi atë.
Xhymshiti nuk e publikoi fotografinë e Patriot Ibrahimit duke treguar se ku duhet ta godasë plumbi. Fotografia e Xhymshitit dhe e Donika Gërvallës u përdor në videon që e përmbante atë gjuhë.
Xhymshiti nuk tha se Ibrahimi “ka me dek”. Në materialin e publikuar nga llogaria e Ibrahimit thuhej se personat e paraqitur “kanë me dek”.
Xhymshiti nuk kërkoi që dikush ta sulmonte familjen e Ibrahimit. Ai tha se, përballë një kërcënimi që e perceptonte si serioz ndaj jetës së tij, familja dhe institucionet përgjegjëse për sigurinë e tij nuk do ta linin të pambrojtur Xhymshitin.
Nëse Patriot Ibrahimi pretendon se edhe ai është kërcënuar, ka të drejtë absolute t’ia paraqesë këtë Policisë. Por ai nuk ka të drejtë ta fshijë nga kronologjia videon që i parapriu përgjigjes dhe pastaj ta paraqesë përgjigjen sikur të kishte lindur nga asgjëja.
The Frontline Media Group tani do ta plotësojë materialin që u është dorëzuar ose do t’u dorëzohet autoriteteve me publikimin e ri, komentet e Ardi Sh Hetës, Ylber Thaçit, Ramis Ukajt, Fatmir Bravës, Nazmi Kelmendit, Ilir Alijës, Kastriot Balës, Berisha Irfanit, Besnik Hasanajt, Analysis VN dhe materialet e tjera relevante të ruajtura nga redaksia. Emërtimi i këtyre personave këtu dokumenton autorësinë e dukshme të komenteve në pamjet e ruajtura nga ne nuk është konstatim i fajësisë penale të tyre.
Kërkesa jonë ndaj Policisë së Kosovës dhe Prokurorit të Shtetit është konkrete: mos e hetoni vetëm postimin e fundit. Hetojeni kronologjinë. Ruajeni provën. Vlerësojeni secilin autor individualisht. Shqyrtojeni përsëritjen e sjelljes pas ndërhyrjes së Policisë. Dhe, nëse standardet ligjore për masa të mëtejshme plotësohen, kërkojini gjykatës t’i vendosë ato.
Kjo është rruga e ligjit.
Dhe kjo është pikërisht rruga që Frontline Media Group do të ndjekë.
Reçica, Gucati dhe plumbi, Frontline Media Group kërkon përgjigje nga Prokuroria
Një burrë 32 vjeçar është ndaluar për 48 orë pasi një video në Facebook i quajti ministren Donika Gërvalla dhe gazetarin Vudi Xhymshiti "spiunë", tha se do të vdisnin dhe përshkroi pikën në ballë ku …
Publikimi i 25 Shtatorit në Facebook, i Patriots H Ibrahimi.
Komentet e nxitura nga Patriots H Ibrahimi



Video-ja e publikuar nga Patriots H Ibrahimi
Elmi Reçica dhe Aktivizimi i Manualit të Atentateve
Zhvillimi më i rëndësishëm i 10 qershorit nuk ishte se Elmi Reçica e dorëzoi nji padi dhe nji kallëzim penal kundër meje si gazetar hulumtues. Ishte se, për herë të parë që kur redaksitë tona në gjuh…
Frontline Media Group i Dënon Kërcënimet ndaj Xhymshitit dhe Sheppardit në Hagë
Policia holandeze përcolli gazetarët e Frontline Media Group nga Haga, pas kërcënimeve dhe frikësimit nga protestuesit gjatë raportimit për Dhomat e Specializuara.






