Meliza Haradinaj si radiografia e sinqertë e karakterit të Vjosa Osmanit
Vjosa Osmani predikon kushtetutshmërinë ndërsa mban pranë Meliza Haradinajn, një figurë me dosje të pambyllura, duke e shndërruar moralin publik në një dekor të thjeshtë politik.
Më 13 maj, ne publikuam një hulumtim1 që nisi me një bllokim në Facebook dhe përfundoi te një pyetje shumë më e rëndë se sjellja digjitale e një këshilltareje presidenciale. Pyetja ishte kjo, çfarë tregon rrethi i Meliza Haradinajt për standardin moral dhe institucional të Vjosa Osmanit?
Më 18 maj, hulumtimi ynë i dytë do shkoi më thellë2, në Londër, te “IN MIDDLE LTD.”, kompania që figuron në regjistrat britanikë, por mungon në deklarimet e pasurisë në Kosovë për vitet 20173, 20184 dhe 20195. Dokumentet që i kemi shfletuar tregojnë një mospërputhje të qartë mes asaj që ekzistonte në “Companies House” dhe asaj që nuk u shfaq në formularët e Agjencisë Kundër Korrupsionit. Ky nuk është vetëm problem i Meliza Haradinajt. Është simptomë e një kulture politike ku njerëzit rreth pushtetit sillen sikur shteti është një korridor privat, ndërsa publiku një spektator i bezdisshëm.
Sot, pyetja kalon nga këshilltarja te figura që e mban pranë vetes.
Vjosa Osmani ka ndërtuar për vite një imazh publik mbi gjuhën e ligjit, kushtetutshmërisë dhe pastërtisë institucionale. Por krizat nuk e matin njeriun nga fjalët që i përdor. E matin nga vendimet që i merr dhe nga njerëzit që i zgjedh t’i mbajë pranë vetes.
Më 6 mars 2026, Osmani e shpërndau Kuvendin dhe thirri zgjedhje të parakohshme, pasi deputetët nuk arritën ta zgjedhin presidentin e ri brenda afatit kushtetues. Kjo pasi opozita kishte refuzuar të merrte pjesë në votim6, me ç’rast Kosova po shkonte drejt zgjedhjeve të treta në pak më shumë se një vit.
Pak ditë më vonë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ndërhyri, duke ia ndaluar përkohësisht Osmanit caktimin e datës së zgjedhjeve deri më 31 mars, pasi kryeministri Albin Kurti kërkoi vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimeve të saj. Kriza më pas vazhdoi deri në prill, kur dështimi për zgjedhjen e presidentit e çoi vendin drejt një cikli tjetër zgjedhor7. Kuvendi u shpërbë automatikisht pasi nuk arriti ta zgjedhë presidentin, ndërsa Kosova hyri sërish në pasiguri politike.
Këto fakte nuk e bëjnë të thjeshtë historinë. Përkundrazi, e bëjnë më të rëndë. Sepse edhe kur një veprim mbështetet në një interpretim procedural, përgjegjësia politike nuk zhduket. Një presidente nuk është notere e krizës. Ajo është kujdestare e ekuilibrit institucional. Kur vendi sapo kishte votuar më 28 dhjetor 2025, me Vetëvendosjen që mori mbi 51 për qind të votës, dhe kur elektorati kishte folur për herë të dytë brenda vitit, çdo vendim që e shtynte Kosovën drejt një zgjedhjeje të tretë kërkonte maturi të jashtëzakonshme, jo manovër të ftohtë procedurale.
Këtu fillon problemi politik i Vjosa Osmanit.
Ajo nuk mund të paraqitet si viktimë e krizës që vetë e menaxhoi nga maja e shtetit. Nuk mund të flasë për stabilitet, ndërsa vendi rrëshqet drejt përsëritjes zgjedhore. Nuk mund ta kërkojë besimin e qytetarëve duke u thënë se është garantuese e rendit, kur rendi politik nën presidencën e saj u shndërrua në një cikël lodhjeje kombëtare.
Një republikë nuk është tavolinë shahu ku figurat lëvizin për ambicie personale. Është kontratë morale mes qytetarit dhe shtetit. Kur qytetarët votojnë, ata nuk i dorëzojnë fletët e votimit që klasa politike t’i përdorë si material të përkohshëm për pazare, bllokada, kuorume dhe interpretime të zgjatura. Ata votojnë për qeverisje. Për stabilitet. Për një horizont politik më të gjatë se një javë deklaratash dhe një muaj kalkulimesh.
Dhe pastaj është rrethi.
Rrethi i një politikani është shpesh radiografia më e sinqertë e karakterit të tij publik. Meliza Haradinaj nuk është figurë e panjohur. Ajo është ish ministre, ish kandidate për deputete nga rradhët e AAK-së, person i përmendur në raportime për mosdeklarim pasurie, për luks institucional, për skandal votash, për kompani të padeklaruar në Londër, dhe më pas për rikthim në afërsi të Presidencës. Hulumtimet tona nuk e dënojnë atë. Gjykatat e bëjnë ose nuk e bëjnë këtë. Por dokumentet që i kemi publikuar tregojnë se ajo mban mbi vete një barrë publike që çdo institucion serioz do ta trajtonte si alarm, e jo si dekor politik.
Në këtë pikë, përgjegjësia nuk është më vetëm e Haradinajt. Është e atyre që e afrojnë, e mbrojnë, e normalizojnë dhe e përdorin si pjesë të aparatit politik.
Nëse Vjosa Osmani kërkon të qëndrojë para qytetarëve si figurë e pastërtisë institucionale, atëherë duhet të përgjigjet për standardin e njerëzve që e rrethojnë. Nuk mjafton të flasësh për ligj. Duhet të jetosh me barrën e ligjit edhe kur ai i prek njerëzit e tu. Nuk mjafton ta përmendësh Kushtetutën në konferenca. Duhet ta respektosh frymën e saj kur vota e qytetarit është e freskët, kur vendi është i lodhur, kur ekonomia pret, kur institucionet janë bllokuar dhe kur një lëvizje e gabuar mund ta çojë republikën sërish në kutitë e votimit.
Problemi me politikën e ish-Presidentes Osmani nuk është vetëm një dekret. Është një mënyrë e të kuptuarit të pushtetit. Një mënyrë ku morali shpallet, por nuk provohet. Ku stabiliteti përmendet, por nuk ndërtohet. Ku transparenca kërkohet nga të tjerët, por pyetjet e pakëndshme zhduken nga muret e Facebookut të njerëzve pranë saj.
Ky është paradoksi i kësaj krize. Vjosa Osmani kërkon të shihet si zgjidhje për republikën, por vendi nën presidencën e saj u zhyt në një spirale zgjedhore që e ka konsumuar durimin qytetar. Ajo kërkon legjitimitet të ri, por nuk mund ta fshijë faktin se legjitimiteti nuk është vetëm produkt vote. Është edhe produkt sjelljeje. Është aftësia për të mos e kthyer shtetin në laborator ambiciesh. Është gatishmëria për të mos e përdorur krizën si shkallë drejt rikthimit politik.
Kosova nuk ka nevojë për figura që e veshin veten me solemnitet institucional ndërsa rreth tyre grumbullohen dosje të pambyllura. Nuk ka nevojë për një politikë ku përgjegjësia gjithmonë shtyhet te tjetri, te opozita, te shumica, te procedura, te gjykata, te afati. Një presidente ose një kandidate presidenciale që pretendon autoritet moral duhet të mbajë përgjegjësi edhe për atmosferën politike që e krijon, jo vetëm për aktet që i firmos.
Në fund, qytetari i Kosovës mbetet përballë një pyetjeje të thjeshtë dhe të pamëshirshme, çfarë vlere ka ligjërimi për shtet të drejtë, nëse njerëzit që e artikulojnë atë nuk arrijnë ta mbrojnë shtetin nga riciklimi i figurave të komprometuara, nga krizat e përsëritura dhe nga arroganca institucionale?
Ne nuk e kemi detyrë t’i tregojmë qytetarit si të votojë. Por kemi detyrë t’i tregojmë çfarë thonë dokumentet, çfarë zbulon kronologjia dhe çfarë përpiqet pushteti që ta kalojë në heshtje.
Dhe kronologjia, këtë herë, është e pamëshirshme.
Si Na Çoi Një Bllokim Te Dosja E Meliza Haradinajt
Gjithçka nisi me një koment të fshirë. Pastaj dolën dokumente, gjykata, akuza, manipulime votash dhe rikthimi i Meliza Haradinajt pranë pushtetit. — HULUMTIM.
Dokumentet Që E Rihapin Dosjen e Meliza Haradinajt
Regjistrat britanikë zbulojnë se Meliza Haradinaj zotëronte kontroll dominues mbi një kompani ndërtimi në Londër, të cilën e fshiu qëllimisht nga deklarimet zyrtare për tri vite. — HULUMTIM.
Deklarimi i Pasurisë së Meliza Haradinajt, 7 Dhjetor, 2017 — PDF Report.
Deklarimi i Pasurisë së Meliza Haradinajt, 26 Mars, 2018 — PDF Report 2018.
Deklarimi i Pasurisë së Meliza Haradinajt, 1 Prill, 2019 — PDF Report 2019.


