Nga NZZ te titulli i rremë, anatomia e një manipulimi
Fotoja u bë aktakuzë, videoja u bë film, ndërsa faktet mbetën jashtë kornizës. Kështu ndërtohet skandali, kur saktësia trajtohet si pengesë.
E shkruaj këtë tekst jo për të fituar një debat ditor në rrjete sociale dhe as për të shtuar zhurmë mbi zhurmën, por sepse në një pikë të caktuar heshtja bëhet bashkëfajtore. Ka raste kur një gabim gazetaresk është thjesht gabim. Ka raste të tjera kur gabimi përsëritet me këmbëngulje, mbrohet me arrogancë dhe ushqehet me mjegull, dhe atëherë nuk kemi më të bëjmë me laps që rrëshqet, por me dorë që shtyn me qëllim. Rasti i raportimeve rreth Solothurnit, i riprodhuar nga disa media në Kosovë dhe i deformuar rëndë nga VOX Kosova, më detyron ta shoh gazetarinë jo si zanat, por si terren beteje, ku fjala përdoret si mjet goditjeje dhe jo si instrument ndriçimi.
Gjithçka nis me një tekst të vetëm, të ftohtë, të matur, tipik për një gazetë si Neue Zürcher Zeitung1. Teksti flet për rolin e Zvicrës si ndërmjetësuese diskrete, për një format dialogu joformal që ekziston prej vitesh, për takime të organizuara dy deri në tri herë në vit, për pjesëmarrje të përfaqësuesve nga spektri politik dhe shoqëria civile. Përmend dy emra, Besnik Bislimi dhe Marko Gjuriq, si pjesëmarrës në këtë format, dhe pastaj vendos një fjali që në çdo redaksi serioze do të ishte kufiri i interpretimit. Ata nuk janë takuar drejtpërdrejt mes vete. Kaq. Fjalia është e thjeshtë, e prerë, pa metafora. Është fjali që e mbyll shtegun e trillimit.
Ajo që ndodh më pas në Kosovë është një transformim pothuaj letrar, por jo në kuptimin fisnik të letërsisë. Diskrecioni kthehet në sekret. Pjesëmarrja shumëpalëshe kthehet në takim bilateral. Vëzhgimi anonim shndërrohet në skenë konkrete me emra e mbiemra. Fjalia që mohon takimin zhduket. Në vend të saj shfaqet titulli që flet për takim të fshehtë2. Kjo nuk është çështje interpretimi. Nuk është as çështje përkthimi. Është ndërtim i një narrative që nuk ekziston në burim dhe që i atribuohet atij burimi për të fituar peshë.
Kur e lexova artikullin origjinal të NZZ-së, e lexova dy herë, pastaj tri herë. E bëra këtë jo nga dyshimi, por nga nevoja profesionale për t’u siguruar se fjalia që po lexoja ishte vërtet aty. Dhe ishte.
Direkt getroffen haben sich die beiden jedoch nicht. — NZZ.
Një fjali që nuk lë hapësirë për fantazi. Pastaj hapa artikujt e VOX Kosova3 dhe pashë se si ajo fjali ishte zhdukur nga realiteti editorial. Në vend të saj ishte ngritur një skenë e re, më dramatike, më e errët, më e dobishme politikisht.
Gjatë së njëjtës ditë, kur dolën sqarime nga Ministria e Jashtme zvicerane, kur vetë gazetari i NZZ-së e ritheksoi se nuk kishte raportuar takim mes dy individëve, pritej një korrigjim. Korrigjimi është akti minimal i ndershmërisë profesionale. Nuk ndodhi. U publikuan artikuj të rinj, u shtuan nuanca semantike, diskrete por jo sekrete, por gënjeshtra bazë mbeti. Titulli nuk u tërhoq. Pretendimi nuk u rrëzua. Në këtë pikë, gabimi pushon së qeni gabim dhe bëhet zgjedhje.
Këtu fillon teatri. Kur kërkova sqarim4, nuk mora përgjigje faktike. Nuk mora citat. Nuk mora as pranim gabimi, as mbrojtje me prova. Mora kushte. Dërgo çertifikatën. Dërgo letërnjoftimin. Kjo është një teknikë e njohur për këdo që studion dezinformimin. Kur nuk mund ta mbrosh pretendimin, zhvendos debatin. Nuk flet për atë që ke shkruar, por për atë se kush je ti që po pyet. Është një korridor burokratik pa fund, i ndërtuar jo për verifikim, por për vonesë. Dhe vonesa është aleate e gënjeshtrës.
Në këtë proces, një pjesë e mediave të tjera, përfshirë Nacionale, zgjodhën një rrugë tjetër, por jo domosdoshmërisht më të mirë. Teksti i tyre fillestar5 përsërit narrativën e gabuar se NZZ-së kishte raportuar takim mes Bislimit dhe Gjuriqit. Pastaj vjen një përditësim, ku thuhet se ata nuk janë takuar direkt. Por edhe këtu, struktura mbetet e shtrembër. Titulli mbetet i njëjtë. Korniza e skandalit ruhet. Publiku lexon fillimin, jo fundin. Dhe kështu, edhe kur një fjali korrigjuese shtohet, ajo nuk e shpëton tekstin nga efekti i tij fillestar.
Një nga elementet më problematike të kësaj historie është përdorimi i imazhit. Një fotografi6 e shkrepur në një qytet zviceran, e shkëputur nga konteksti, shndërrohet në provë morale. Videoja e VOX Kosova është ndërtuar si film7. Ka datë, ka viktimë, ka gjak, ka ecje në rrugë, ka një gjuhë të huaj të dëgjuar rastësisht, ka dokumente të paqarta që përmenden, ka insinuata për amnisti dhe tërheqje të njësive. Gjithçka është montazh emocional. Nuk është raportim. Është narrativë që kërkon reagim visceral8, jo kuptim racional.
Në mes të kësaj, reagimet e znj. Mimoza Kusari-Lila tregojnë një tjetër problem të diskursit publik. Reagimi i 6 janarit9, ku ajo flet për lajm të rremë në NZZ, sugjeron një lexim të ndërmjetësuar, jo të drejtpërdrejtë. NZZ nuk kishte raportuar atë që mediat lokale po e shpërndanin. Pra lajmi i rremë nuk ishte i NZZ-së, por interpretimi i tij. Reagimi i 8 janarit10 është më i detajuar, më informues, flet për CIG-në11, për transparencë, për lista publike pjesëmarrësish. Ky reagim i dytë është ai që duhej të kishte qenë baza e debatit që në fillim. Por në politikë, si në teatër, hyrja e gabuar e aktorit nuk fshihet dot nga monologu i fundit.


Unë e kontaktova znj. Kusari për verifikim, jo për akuzë. Kërkova konfirmim ose mohim, kërkova dokumente, itinerar, çdo gjë që do të ndihmonte për të ndarë faktin nga insinuata. Përgjigjja erdhi më vonë dhe më referoi te reagimi publik. Kjo është e drejtë e saj. Por për mua, si gazetar, mbetet e dhimbshme të shoh se si heshtja fillestare dhe reagimi i përgjithshëm lënë hapësirë për narrativat që ndërtohen mbi boshllëk.


Një tjetër element që nuk mund të injorohet është fasada e ndikimit. VOX Kosova paraqitet publikisht me mbi njëzet e një mijë ndjekës në Facebook, një shifër që në pamje të parë sugjeron peshë, shtrirje dhe ndikim të gjerë. Por kur kjo shifër vihet përballë realitetit të angazhimit, tabloja ndryshon rrënjësisht. Postime me tituj provokues, narrativa polarizuese dhe përmbajtje të dizajnuar për reagim emocional marrin rregullisht dhjetëra ose pak qindra pëlqime, komente minimale dhe shpërndarje të kufizuara. I vetmi përjashtim i dukshëm janë videot, të cilat arrijnë shikueshmëri të lartë, herë pas here mbi njëqind e pesëdhjetë mijë shikime. Por edhe ky numër nuk përfaqëson domosdoshmërisht besnikëri apo ndikim real editorial. Videot qarkullojnë gjerësisht për shkak të natyrës së tyre toksike, gjuhës nxitëse dhe impulseve viscerale që prodhojnë, si dhe sepse shpërndahen paralelisht në disa platforma, shpesh nga përdorues që reagojnë ndaj zemërimit, jo ndaj informacionit. Shikimi nuk është baraz me besimin dhe reagimi emocional nuk është baraz me angazhimin qytetar. Ky disproporcion i vazhdueshëm nuk është provë absolute për blerje ndjekësish, por është një sinjal serioz që kërkon shpjegim publik. Sepse ndikimi real nuk matet me shifra të izoluara, por me koherencë mes audiencës, përmbajtjes dhe besimit. Kur një media prodhon zhurmë të madhe, por ndërton marrëdhënie të cekëta me publikun, lind pyetja thelbësore se çfarë përfaqëson realisht ajo shifër dhe kujt i shërben kjo media. Transparenca mediatike nuk mbaron te citimi korrekt i burimeve, por shtrihet edhe te ndershmëria në mënyrën se si një media e paraqet veten si faktor ndikimi në hapësirën publike.
Kur fasada dhe realiteti nuk përputhen, besimi gërryhet po aq sa nga një titull i rremë.



E gjithë kjo histori më rikthen te një pyetje e thjeshtë, por themelore. Çfarë është gazetaria. Gazetaria është besnikëri ndaj burimit, gatishmëri për korrigjim, ndarje e qartë mes faktit dhe supozimit. Ajo që pashë këtu ishte e kundërta. Ishte përdorim selektiv i burimit, refuzim korrigjimi, sulm ndaj pyetësit dhe mbajtje gjallë e një narrative edhe pasi ajo ishte rrëzuar publikisht.
Nuk kam nevojë të spekuloj për motive të fshehta apo trajnime të huaja. Mjafton ta shoh sjelljen. Dhe sjellja është konsistente me modele të njohura të dezinformimit. Jo sepse e bind shumicën, por sepse ngatërron një numër të mjaftueshëm njerëzish. Dhe në një shoqëri të lodhur nga krizat, konfuzioni është armë e fuqishme.
Në fund, ajo që mbetet nuk është fotografia nga Solothurni dhe as videoja dramatike. Ajo që mbetet është mungesa e përgjigjeve. Nuk u dha citati që nuk ekziston. Nuk u bë korrigjimi që duhej bërë. Nuk u pranua gabimi. Në vend të kësaj, u ndërtua mjegull. Dhe mjegulla, nëse nuk shpërndahet me fakte, bëhet klimë. Për mua, si gazetar, ky është momenti kur duhet të shkruaj jo për të fituar, por për të mos u bërë pjesë e heshtjes.



Ky rast nuk është thjesht një konflikt mes mediash, por një provë e dështimit të mekanizmave të mbrojtjes së hapësirës informative në Kosovë. Ajo që u ekspozua këtu është një model operimi ku individë të pakualifikuar profesionalisht përdorin platforma mediatike për të ndërtuar narrativa destabilizuese, për të relativizuar agresionin serb, për të minuar institucionet shtetërore dhe për të delegjitimuar të drejtën e Kosovës për vetëmbrojtje si bënë gjatë gjithë pesë viteve të fundit.
Këto narrativa nuk lindin në vakuum. Ato përkojnë me intensifikimin e luftës hibride në rajon, veçanërisht pas nënshkrimit të marrëveshjeve të harmonizimit të politikës së jashtme mes Serbisë dhe aktorëve armiqësorë ndaj rendit euroatlantik. Historia ofron precedentë të qartë. Pas nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës në vitin 2022, Mbretëria e Bashkuar ndërmori masa të drejtpërdrejta për mbylljen e rrjeteve propagandistike dhe kufizimin e operacioneve të dezinformimit që vepronin nën petkun e medias. Kosova sot përballet me një formë të ngjashme lufte psikologjike, ku narrativat e prodhuara fillimisht nga zyrtarë serbë, përfshirë Marko Gjuriqin, riciklohen dhe “pastrohen” brenda hapësirës mediatike vendore nga zëra lokalë, duke përfshirë figura publike si Lirim Mehmetaj dhe Berat Buzhala, dhe satelitët e tyre editorialë. Kjo nuk është kritikë politike, është çështje sigurie kombëtare. Institucionet përgjegjëse duhet të veprojnë me urgjencë, të vendosin standarde, të aplikojnë sanksione dhe të ndalojnë keqpërdorimin e gazetarisë si armë kundër vetë shtetit. Sepse kur propaganda vishet si media, dëmi nuk është reputacional. Është strategjik. Dhe në një vend të vogël, në një rajon të brishtë, ky dëm nuk mund të tolerohet më.
SHËNIM NGA REDAKTORI: Ilustrimi editorial i përzgjedhur është një karikaturë satirike e ndërtuar qëllimisht me ekzagjerim vizual dhe simbolik për ta përmbledhur në një imazh të vetëm thelbin e asaj që teksti e shpjegon me fakte dokumente dhe kronologji. Karikatura nuk synon realizem literal dhe as rindertim fotografik të ngjarjeve por përdor gjuhën klasike të satirës politike deformimin ironine kontrastin dhe metaforën për ta nxjerrë në pah transformimin e gazetarisë në mjet narrativ dhe jo verifikues. Kjo formë është zgjedhur sepse satira historikisht ka qenë një nga mjetet më efektive për të ekspozuar abuzimin me pushtetin mediatik manipulimin e opinionit publik dhe mbrojtjen arrogante të pavërtetësisë. Kur faktet mohohen korrigjimi refuzohet dhe mjegulla përdoret si strategji redaksionale karikatura funksionon si pasqyrë e ashpër editoriale jo për të fyer por për të qartësuar. Në këtë kontekst satira nuk është zbukurim por akt editorial që flet aty ku propaganda përpiqet të hesht.
EPITAFI I ATYRE QË E URREJNË REPUBLIKËN
Tre postime në rrjetet sociale nga Berat Buzhala, Ilir Mirena dhe Lirim Mehmetaj u shfaqën si reagim ndaj verdiktit zgjedhor të qytetarëve të Republikës së Kosovës brenda vendit dhe në diasporë më 28 dhjetor 2025. Në pamje të parë ato duken si komente spontane politike. Në thelb ato përbëjnë një narrativë të njëjtë, të përsëritur prej vitesh, që synon t…
Kur VOX Kosova gënjeu në emër të NZZ-së
Më 6 janar 2026, VOX Kosova dhe pronari i saj Lirim Mehmetaj e gënjyen publikun, duke shpikur takim sekret Bislimi–Gjuriç që NZZ dhe Tobias Gafafer nuk e kishin raportuar. — Kronika B Vëzhgimi Mbi Median.
LARG KAMERAVE Bislimi u takua fshehtë me Gjuriçin në Zvicër — VOX Kosova.
Lirim Mehmetaj dhe Rënia e Maskës së Gazetarit
Rasti Mehmetaj tregon si dezinformimi funksionon, narrativë e rreme, shmangie, sulm personal dhe heshtje, pikërisht siç e përshkruajnë studiuesit e propagandës ruse moderne ndërkombëtare sot. — Kronika B Vëzhgimi Mbi Median.
Kusari-Lila pasi i dolën fotografitë në Zvicër: Unë edhe Fitore Pacolli kemi mbrojtur qëndrimet e Kosovës — Nacionale.
Politikanja serbe me të cilën shëtiste Mimoza Kusari-Lila e quante Adem Jasharin “terrorist” e UÇK-në e akuzonte për “transplantim organesh në Shtëpinë e Verdhë” — VOX Kosova.
Reagim visceral i referohet një reagimi të menjëhershëm, instinktiv dhe emocional, që buron nga ndjenja e brendshme dhe jo nga analiza racionale apo verifikimi i fakteve. Është një përgjigje e trupit dhe emocioneve përpara se mendja të ketë kohë të peshojë informacionin, shpesh e nxitur nga imazhe të forta, gjuhë dhe muzikë dramatike, frikë, zemërim apo ndjenjë tradhtie. Në kontekstin mediatik, reagimi visceral synohet qëllimisht për të anashkaluar arsyetimin kritik, duke e shtyrë publikun të reagojë menjëherë, të ndajë, të dënojë ose të mbështesë një narrativë pa e kaluar atë në filtrin e verifikimit dhe reflektimit.
“Lajm i rremë në NZZ, lajm i rremë në disa platforma kosovare. Zelli për shpërndarjen e lajmeve të rreme mbetet i njëjtë, përkundër fakteve të qarta që e demantojnë plotësisht këtë narrativë. Kjo nuk është gazetari është papërgjegjësi.” — Mimoza Kusari-Lila, Reagim në Facebook, 6 Janar, 2026.
“Të dashur qytetarë,
Takimet e organizuara nga CIG (Center for Inclusive Governance), me seli në SHBA dhe të mbështetura nga Ministria e Punëve të Jashtme të Zvicrës, zhvillohen që nga viti 2010. Në to kanë marrë pjesë në vazhdimësi përfaqësues të spektrit të gjerë politik nga Kosova dhe Serbia, si nga pozita ashtu edhe nga opozita, me prani të përfaqësuesve të vendeve të QUINT-it dhe të MPJ-së së Zvicrës.
Këto takime nuk janë të fshehta. Aty as nuk negociohet dhe as nuk merren vendime. Për transparencë të plotë, lista e pjesëmarrësve në këto takime që nga fillimi i tyre është publike, së bashku me përfundimet nga secili takim i mbajtur. Pra, agjendat e takimeve, listat e pjesëmarrësve dhe koha e organizimit janë informata që ndahen paraprakisht me institucionet relevante, ndërsa raportet përfundimtare publikohen bashkë me listën e pjesëmarrësve në faqen zyrtare të organizatës:
http://cigonline.net/publication/
Qytetarë të nderuar, ju siguroj se në diskutimet ku kemi marrë pjesë unë dhe kolegia ime, Fitore Pacolli, kemi përfaqësuar dhe mbrojtur qëndrimet zyrtare dhe publike të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Aludimet dhe pretendimet se në këto takime janë marrë vendime në fshehtësi apo se janë arritur marrëveshje jashtë syve të publikut janë të pavërteta. Duke qenë se këto pretendime paraqiten me një agjendë të qëllimshme njëllosëse, e cila vazhdon edhe në këtë vit të ri, ato përbëjnë dezinformim.
Për më tepër, tendenca për të veçuar përfaqësuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga të gjithë pjesëmarrësit e tjerë dëshmon qartë se qëllimi i raportimeve është ndërtimi i një narracioni të rremë, i cili tash e disa vite synohet t’i servohet publikut.
Ju falënderoj për besimin e madh që i keni dhënë koalicionit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në zgjedhjet e fundit, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme gjatë këtyre pesë viteve. Po ashtu, ju përgëzoj për vigjilencën dhe qartësinë në gjykim, pavarësisht fushatave të egra dezinformuese dhe njëllosëse.
Ju uroj një fillimvit të mbarë!” — Mimoza Kusari Lila, Reagim në Facebook, 8 Janar, 2026.
Center for Inclusive Governance (CIG) është një organizatë joqeveritare me seli në Shtetet e Bashkuara, e specializuar në ndërmjetësimin e dialogut joformal dhe ndërtimin e besimit në kontekste konflikti dhe pas konflikti. Që nga viti 2010, CIG ka organizuar dhe mbështetur takime shumëpalëshe mes përfaqësuesve politikë, shoqërisë civile dhe aktorëve institucionalë nga Kosova dhe Serbia, shpesh në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Zvicrës dhe me prani të përfaqësuesve ndërkombëtarë. Këto formate nuk kanë karakter negociues dhe nuk prodhojnë vendime politike apo marrëveshje detyruese, por synojnë krijimin e hapësirës për komunikim, uljen e tensioneve dhe shkëmbimin e pikëpamjeve jashtë presionit publik dhe mediatik. Dokumentet përfundimtare, listat e pjesëmarrësve dhe temat e diskutuara publikohen rregullisht, duke e bërë këtë proces diskret në formë, por transparent në përmbajtje.



