Një komb në këmbë, çfarë fshihet pas revoltës që po sfidon regjimin e Ramës?
Një gardh në Zvërnec e ndezi një revoltë që askush nuk e parashikoi. Sot, Revolucioni Flamingo po e sfidon qeverinë, tranzicionin dhe vetë modelin e pushtetit në Shqipëri.
Revolucioni Flamingo nisi në Zvërnec, më 23 maj 2026, në një vend ku toka, uji dhe kujtesa duken sikur mbahen me njëra tjetrën nga një fijë e hollë. Fillimisht ishte një protestë lokale. Banorët dhe aktivistët mjedisorë e kundërshtuan rrethimin e një pjese të zonës dhe futjen e makinerive të rënda në një ekosistem të mbrojtur. Në pamje të parë dukej si një përplasje e njohur shqiptare mes qytetarit dhe kantierit, mes fshatit dhe vendimit të marrë diku larg tij. Por ajo që ndodhi në Zvërnec nuk mbeti aty. Më 30 maj, kur qytetarët u mblodhën sërish paqësisht, një protestues u sulmua dhe u tërhoq zvarrë nga një pjesëtar i sigurisë private, ndërsa policia, sipas dëshmive të sjella, nuk ndërhyri. Në atë çast, një çështje mjedisore u kthye në një pyetje shtetërore.
Kujt i shërben shteti shqiptar, qytetarit apo investitorit?
Në qendër të kësaj historie qëndron Sazani, ishulli më i madh i Shqipërisë, një masiv shkëmbor në Adriatik, rreth 18 kilometra larg bregut jugor. Ai ka pyje pisha, shpate të thepisura, ndërtesa të braktisura ushtarake, bunkerë të kohës së komunizmit dhe një histori që shkon deri te gjeografët grekë të shekullit të gjashtë para erës sonë. Për dekada ishte bazë ushtarake dhe vend i mbyllur. Më vonë u kthye në një hapësirë të vizituar nga turistë, por ende e egër, ende e pambrojtur nga lakmia e madhe. Ivanka Trump e kishte parë ishullin gjatë një udhëtimi me jaht dhe kishte folur më pas për një ngjitje zbathur drejt majës. Bashkë me Jared Kushner, ajo u lidh me plane zhvillimi turistik në Sazan dhe në gadishullin e Zvërnecit, aty ku Adriatiku e prek lagunën e Nartës dhe ku ndodhet një prej ekosistemeve më të rëndësishme të Mesdheut.
Në këtë zonë, Vjosa-Narta nuk është thjesht peizazh. Ajo është strehë për shpendët shtegtarë, për breshkat, për fokën mesdhetare, për florën dhe faunën që nuk mund të zhvendosen me një vendim qeverie. Aty, janë numëruar edhe deri në 10.000 flamingo në pjesë të vogla të lagunës. Pikërisht ky shpend, i brishtë dhe i dukshëm, i kthyer nga natyra në flamur të heshtur, ia dha emrin lëvizjes. Flamingoja u bë shenjë e një vendi që nuk pranonte më të shitej pa u pyetur. Nga 31 maji, protestuesit nisën të mblidheshin çdo ditë në orën 18.00 në sheshin Skënderbej dhe të marshonin drejt Kryeministrisë. Rruga e Dëshmorëve të Kombit u kthye në korridorin ku një brez i ri shqiptarësh nisi ta provojë zërin e vet.
Protesta u rrit brenda 24 orësh. U përhap në Durrës, Vlorë, Elbasan, Korçë, Shkodër dhe më pas në diasporë. Në Tiranë, në ditën e 20-të, mijëra qytetarë marshuan drejt zyrës së kryeministrit. Në fundjavë, sipas vlerësimeve të dhëna, numri arriti nga 100.000 deri në 200.000 pjesëmarrës. Thirrjet “Shqipëria nuk është në shitje” dhe “Rama ik” nuk mbetën vetëm sllogane kundër një projekti ndërtimi. Ato u kthyen në përmbledhje të një zemërimi më të thellë. Qytetarët flisnin për tokë të rrethuar pa njoftim, për mungesë transparence, për ligje që ndryshohen në favor të investitorëve, për një shtet që duket i shpejtë kur e hap rrugën për kapitalin dhe i ngadalshëm kur duhet ta mbrojë publikun.
Më 3 qershor, policia bllokoi rrugë në Tiranë dhe përdori ujë kundër protestuesve paqësorë, përfshirë familje me fëmijë. Efekti ishte i kundërt. Më shumë qytetarë dolën të nesërmen. Në vend të frikës, u shfaq një disiplinë qytetare e rrallë. Pas dhunës, protestuesit u kthyen me trëndafila të bardhë për policët. Në bulevard u ngritën hapësira për fëmijët, të moshuarit u ndihmuan nga të rinjtë, rrugët u pastruan pas çdo tubimi. Një protestë kundër betonit u bë shkollë e përditshme e qytetarisë. Aty flisnin studentë, aktivistë, prindër, emigrantë të kthyer, njerëz të zakonshëm që nuk kishin pritur kurrë ta merrnin mikrofonin. Një pjesë e medias tradicionale heshti në ditët e para, ndaj organizimi kaloi në rrjete sociale, në grupe mes miqsh, në hartat digjitale ku vendi i protestës u shënua si “Flamingo Revolution”.
Në ditën e 23-të, ish-ushtaraku dhe ish-luftëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj, tha se ishte autorizuar nga grupi koordinues për ta lexuar një deklaratë në emër të organizatorëve dhe protestuesve. Ai tha se, pas 22 ditësh dëgjimi të propozimeve të qytetarëve, protesta mbarëpopullore dhe paqësore kërkonte dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe qeverisë, krijimin e një qeverie teknike tranzitore jopartiake me mandat 12 mujor, ndryshime kushtetuese të miratuara me referendum, ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate të plota ose të pjesshme gjatë gjithë jetës politike të një individi. Ai shtoi se lëvizja nuk hiqte dorë nga kërkesat fillestare, anulimi i ndryshimeve në ligjin e zonave të mbrojtura, anulimi i ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimi i Paktit të Maleve dhe shfuqizimi i kuadrit ligjor për investimet strategjike. Në fund, deklarata kërkonte një kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, të përpiluar pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga sheshi i protestës. “Shqipëria e shqiptarëve, jo e pushtetarëve”, ishte fjalia që e mbyllte atë.
Kuptimi i kësaj lëvizjeje për Shqipërinë nuk kufizohet te Sazani dhe Zvërneci. Ajo ka hapur një çarje në murin e vjetër të tranzicionit, ku pushteti ka ndryshuar emra, por shpesh e ka ruajtur të njëjtën logjikë pronësimi mbi shtetin. Pas rënies së regjimit të Enver Hoxhës, vendi hyri në një transformim të shpejtë, ku pasuritë publike kaluan në duar private, shpesh me hije dyshimi, ku partitë ndërtuan rrjete klienteliste, ku ekonomia e tregut u ngatërrua me pazarin politik dhe ku shumë qytetarë e panë demokracinë jo si dinjitet, por si radhë të re poshtërimi. Revolucioni Flamingo është kundërshtim i kësaj trashëgimie. Ai nuk e sulmon vetëm qeverinë, por edhe opozitën e vjetër që, sipas analizave tona, shihet nga shumë protestues si pjesë e të njëjtit model.
Për kombin shqiptar, kjo lëvizje ngre një pyetje edhe më të madhe. A mund të ketë interes kombëtar pa kontroll qytetar mbi pushtetin? Nëse toka, deti, laguna, trashëgimia, kujtesa e luftës, institucionet e sigurisë dhe politika e jashtme mund të negociohen pa transparencë, atëherë kombi mbetet fjalë ceremoniale. Interesi kombëtar nuk është flamur i valëvitur në festa. Është aftësia e shtetit për ta mbrojtur territorin, ligjin, kujtesën, qytetarin dhe dinjitetin publik nga privatizimi i heshtur. Në këtë kuptim, flamingoja nuk është vetëm shpend i lagunës. Ajo është prova nëse Shqipëria mund ta mbrojë atë që nuk flet me gjuhën e pushtetit, por që e mban vendin gjallë.
Në raport me Bashkimin Evropian, përplasja është e drejtpërdrejtë. Shqipëria kërkon anëtarësim, por BE-ja kërkon shtet ligjor, mbrojtje të mjedisit, transparencë, institucione të pavarura, kontroll të korrupsionit dhe respekt të pronës publike. Vjosa-Narta është pjesë e një ekosistemi të rrallë, e lidhur me vlera ndërkombëtare të biodiversitetit dhe është në kundërshtim me detyrimet që Shqipëria ka marrë në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Ndryshimi i ligjit të zonave të mbrojtura në vitin 2024, statusi i investitorit strategjik, vendimmarrja jo transparente dhe përgatitjet për ndërtim në zona të ndjeshme janë të kundërta me frymën që Brukseli kërkon nga një vend kandidat. Nuk mund të ketë Evropë në fjalim dhe përjashtim të qytetarit në praktikë. Nuk mund të kërkosh kapituj negociatash duke hapur kapituj të rinj të arbitraritetit.
Kjo përplasje nuk është vetëm ekologjike. Është institucionale. Kur shteti akuzohet se po e përdor policinë për ta bllokuar protestën, kur media proqeveritare shpërndan narrativa për ndërhyrje të huaj, kur aktivistët përballen me fushata diskreditimi, kur kundërshtimi paraqitet si rrezik për turizmin, atëherë Shqipëria nuk po përballet vetëm me një rezort. Po përballet me pyetjen nëse mund të bëhet vend evropian duke i ruajtur reflekset e një shteti që i trembet qytetarit. BE-ja mund të tolerojë shpesh stabilitet të rremë në Ballkan, por standardet e saj formale janë të qarta. Një shtet që i dobëson zonat e mbrojtura, që e përqendron vendimmarrjen dhe që e sheh protestën si komplot, nuk po ecën drejt Evropës. Ai po e përdor Evropën si dekor.
Emri “Revolucioni Flamingo” lindi nga laguna e Nartës dhe nga kolonitë e shpendëve që aty gjejnë strehë. Por shpejt ai mori kuptim politik. Flamingoja është e brishtë, por jeton në bashkësi. Është e bukur, por nuk është zbukurim. Është shenjë e një ekosistemi që vdes pa zhurmë nëse preket me dhunë. Kështu edhe protesta. Ajo nuk nisi me parti, as me tribunë të gatshme, as me kryetar të vetëm. Ajo u ngrit nga njerëz të ndryshëm, nga të rinj që e kishin zëvendësuar kafenë e mbrëmjes me protestën, nga familje që sillnin fëmijë në shesh, nga diaspora që kthehej me bileta njëdrejtimëshe sepse, për herë të parë pas shumë kohësh, shihte shpresë. Flamingoja u bë flamur pa qenë flamur. U bë mënyrë për të thënë se natyra dhe demokracia nuk janë çështje të ndara.
Qeveria e Edi Ramës është në qendër të këtij zemërimi sepse, ajo shihet si kulmi i një modeli ku zhvillimi paraqitet si dritë, por shpesh lë pas hije. Skandali i inceneratorëve, me ish-ministra të dënuar ose të akuzuar, u bë simbol i kalbëzimit sistemik. Projekti i riciklimit që duhej të ishte emblemë e gjelbër u kthye në emblemë të dyshimit. Ndërtimet e mëdha, kullat, rezortet, investitorët e huaj, aeroportet dhe fjalimet për vitin 2030 nuk e kanë zhdukur pyetjen themelore, kush përfiton? Kur një e treta e banesave është bosh, kur gjysmë milioni shqiptarë kanë emigruar nga viti 2011, kur të rinjtë shprehin dëshirë masive për largim, shkëlqimi urban nuk e mbulon zbrazëtinë shoqërore. Ai vetëm e ndriçon më fort.
Gjetjet tona hulumtuese e vendosin këtë krizë edhe në raport me Kosovën dhe kujtesën kombëtare. Në maj 2024, bashkëorganizimi i Kampionatit Evropian U-21 me Serbinë është shënimi i një plage morale për kombin tonë që ende e mban kujtimin e krimeve serbe në Kosovë. Në dhjetor 2024, ndalimi i këngës “Mora Fjalë” në stadium u lexua si heshtje ndaj një himni që e përkujton Adem Jasharin dhe sakrificën e familjes së tij. Në maj 2025, zgjedhjet ishin një garë pa zgjedhje reale, mes një qeverie të akuzuar për korrupsion sistemik dhe një opozite të lodhur nga e shkuara e saj. Vota për Ramën ishte provë morale mbi raportin e Shqipërisë me Kosovën, Serbinë dhe kujtesën e luftës.
Në maj 2025, emërimi i Vlora Hysenit në krye të SHISH-it u ngrit si çështje e sigurisë kombëtare1, me pyetje për verifikimin, shtetësinë, besnikërinë institucionale dhe raportin e Shqipërisë me standardet evropiane të inteligjencës. Në qershor 2025, heqja e flamurit të UÇK-së në stadium gjatë ndeshjes Shqipëri-Serbi ishte shenjë e një Tirane që i trembet simboleve të lirisë së Kosovës, por nuk i trembet afrimit me Beogradin. Në gusht 2025, qëndrimi i Ramës ndaj Dhomave të Specializuara tregoi një kthesë të Ramës nga mbështetës i drejtësisë në kritik të saj, në varësi të aleancave politike. Në tetor 2025, raportimet për naftë të sanksionuar ruse dhe libiane që dyshohet të ketë kaluar përmes porteve shqiptare, bashkë me refuzimin e rezolutës për njohjen e gjenocidit serb në Kosovë, e thelluan pamjen e një shteti që flet me gjuhën e NATO-s, por shpesh vepron me nënkuptime që i shërbejnë Beogradit dhe, përmes tij, Moskës.
Në dhjetor 2025, pretendimet për kalimin e armëve serbe drejt Kosovës përmes territorit shqiptar mbetën të paprovuara, por përgjigjja zyrtare me tallje ndaj pyetjeve të gazetarisë la pas një boshllëk më të rëndë se heshtja. Në shkurt 2026, vizita e Ramës në Prishtinë dhe deklarata e tij për një “sekret shtetëror” të Kosovës ishin një nga shumë skandalet e Ramës për shkelje sovraniteti dhe si dëshmi e një raporti ku informacioni i Kosovës trajtohet si mjet skenik. Në qershor 2026, raportimi ynë e vuri në pah fanellën e Vlade Divacit në zyrën e kryeministrit duke ngritur sërish pyetjen e simbolikës, sepse Divac kishte kundërshtuar ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë dhe e kishte quajtur Kosovën “zemra dhe shpirti i Serbisë”. Këto epizode, të vendosura në radhë, krijojnë një kronologji të një politike që, sipas raportimeve tona, e ka afruar Tiranën me Beogradin në momente kur duhej të ishte më pranë Prishtinës.
Për këtë arsye, shumë prej këtyre politikave duhet të anulohen dhe të çmontohen institucionalisht. Jo si akt hakmarrjeje, por si kthim te ligji dhe morali publik. Duhet të rrëzohen ndryshimet që i dobësojnë zonat e mbrojtura. Duhet të rishikohet kuadri i investitorëve strategjikë. Duhet të ndalet çdo projekt që e prek Sazanin, Zvërnecin dhe Vjosa-Nartën pa transparencë, pa konsultim dhe pa garanci mjedisore. Duhet të rikthehet në qendër njohja shtetërore e krimeve serbe në Kosovë dhe mbrojtja e dinjitetit të viktimave. Duhet të rishikohen emërimet e ndjeshme në siguri që nuk janë shoqëruar me qartësi publike. Duhet të ndërpritet çdo politikë që e trajton Kosovën si subjekt të negociueshëm dhe jo si republikë sovrane.
Kërkesa që Edi Rama dhe aparati i tij qeverisës të largohen nga pushteti, në këtë kuptim, është kërkesë për përgjegjësi politike. Por Revolucioni Flamingo e ka bërë edhe më të gjerë këtë kërkesë. Ai nuk kërkon thjesht zëvendësimin e një kryeministri me një tjetër fytyrë të së njëjtës arkitekturë. Ai kërkon prishjen e një modeli që e ka sunduar që nga fundi i komunizmit, modelin ku partitë bëhen pronare të shtetit, ku oligarkët bëhen bashkautorë të ligjit, ku media bëhet zgjatim i pushtetit, ku qytetari kujtohet vetëm ditën e votës dhe ku natyra shihet si truall për shitje. Në këtë kuptim, “pastrimi” që kërkon sheshi duhet të jetë institucional, ligjor dhe moral. Ai duhet ta largojë nga pushteti çdo strukturë të korruptuar, çdo individ të kompromentuar, çdo rrjet që ka përfituar nga grabitja e pasurisë publike, por duhet ta bëjë këtë me drejtësi, me prova, me gjykata të pavarura dhe me garanci demokratike. Ndryshe, revolucioni rrezikon ta përsërisë atë që e kundërshton.
Shqipëria nuk mund të rindërtohet duke harruar. Nuk mund të bëhet evropiane duke e shitur lagunën. Nuk mund ta mbrojë kombin duke heshtur për Kosovën. Nuk mund të flasë për modernizim ndërsa të rinjtë e saj e shohin largimin si shpëtim. Në Zvërnec, një gardh i vendosur mbi tokë publike ndezi diçka që kishte kohë që digjej nën hi. Në Tiranë, çdo mbrëmje, ajo flakë mori formën e një marshimi. Në diasporë, ajo u bë kujtim i kthyer. Në lagunë, flamingot vazhduan të qëndrojnë mbi ujë, sikur të mos dinin asgjë për ligjet, tenderët dhe strategjitë. Por ndoshta pikërisht aty qëndron fuqia e tyre. Ato nuk flasin. Prania e tyre mjafton për t’u kujtuar se jo çdo gjë që ka vlerë ka zë në qeveri.
Revolucioni Flamingo është, mbi të gjitha, një provë e pjekurisë shqiptare. Ai pyet nëse qytetarët mund të qëndrojnë paqësisht, gjatë dhe me dinjitet përballë një pushteti që është mësuar ta lodhë çdo kundërshtim. Ai pyet nëse Shqipëria mund ta çlirojë veten nga dy trashëgimi njëherësh, nga frika e vjetër e shtetit dhe nga cinizmi i ri i tregut. Ai pyet nëse kombi shqiptar mund ta kuptojë më në fund se interesi kombëtar nuk është pronë e qeverive, por detyrë e qytetarëve. Dhe përgjigjja, nëse vjen, nuk do të vijë nga një pallat qeveritar. Do të vijë nga sheshi, nga laguna, nga të rinjtë që nuk pranojnë më të ikin në heshtje, nga ata që e kanë kuptuar se një vend nuk humbet vetëm kur pushtohet. Një vend humbet edhe kur shitet pjesë pjesë, me kontrata të pastra në letër dhe me ndërgjegje të pista në histori.
Pse Prishtina Duhet ta Presë Edi Ramën me Ngjyrën e Gjakut
Kur rrugët e Prishtinës të zgjohen sot nën hijen e vizitës së Edi Ramës, ato nuk duhet t’i binden asnjë ceremoniali të rremë, asnjë buzëqeshjeje protokollare apo asaj qetësie të rëndë që vjen si një …
Agjentja që nuk u verifikua kurrë
Agjentja e shkarkuar e Kosovës tani drejton SHiSH-in, duke ndezur frikë për besnikërinë dhe ndikimin e huaj. Derisa Edi Rama hyn në mandatin e tij të katërt, a e ka zëvendësuar shteti në hije atë realin?




