Pse Prishtina Duhet ta Presë Edi Ramën me Ngjyrën e Gjakut
Sot, rrugët e Prishtinës duhet të skuqen brutalisht. Jo për dhunë, por si pasqyrë e gjakut që Rama tenton ta fshijë me gomën e tradhtisë.
Kur rrugët e Prishtinës të zgjohen sot nën hijen e vizitës së Edi Ramës, ato nuk duhet t’i binden asnjë ceremoniali të rremë, asnjë buzëqeshjeje protokollare apo asaj qetësie të rëndë që vjen si një dorezë e mëndafshtë mbi një dorë të njollosur nga tradhtia. Ky kryeqytet, i cili ende dëgjon nën asfalt rrahjet e fundit të zemrave të ndaluara nga gjenocidi serb, ka një detyrim moral që tejkalon çdo etikë diplomatike: ta presë këtë mysafir jo me tapetë të kuq, por me ngjyrën e kuqe të gjakut. Ky nuk është një akt dhune, por një pasqyrë brutale, një thirrje për zgjim ndaj një njeriu që ka tentuar ta fshijë gjakun e dëshmorëve me gomën cinike të “stabilitetit” rajonal, duke e shndërruar sakrificën tonë në monedhë këmbimi në tregun e “xhentëllmenëve” të Beogradit.
Historia e kësaj vizite nuk është asgjë tjetër veçse një kapitull i ri në kronikën e një tradhtie të vazhdueshme, një udhëtim i gjatë nëpër një histori moderne të thikave pas shpine. Gjithçka nisi në vitin 2018, në ato tavolina të errëta ku vizatoheshin kufijtë e rinj të Kosovës. Edi Rama nuk ishte një spektator i pafajshëm, ai ishte avokati i fshehtë i ndarjes territoriale. Ndërsa Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq mbanin stilolapsat gjeopolitikë, Rama mbante dritën që kjo tradhti të ndodhte në errësirë, larg syve të popullit. Ai e përqafoi këtë imagjinatë me një cinizëm të ftohtë, duke e maskuar si realizëm diplomatik, ndërkohë që pas shpine flitej për ndarjen e pasurive të Trepçës. Ai kurrë nuk kërkoi falje për këtë flirt me zhbërjen e shtetësisë sonë, por iu përgjigj denoncimeve me padi për shpifje, një akt që fliste më shumë për frikën e tij nga e vërteta sesa për ndonjë ndershmëri politike.
Më pas, bota shqiptare u helmua nga projekti i “Ballkanit të Hapur”. Me energjinë e një tregtari shëtitës që shet mallra të skaduara të paketuar në letër celofoni, Rama e shiti këtë projekt si një domosdoshmëri moderne. Ai buzëqeshte krah Vuçiqit nën hijen e një historie që ende pikon plagë të papastruara, ndërkohë që miku i tij i Beogradit e mohonte masakrën e Reçakut. Rama zgjodhi të promovonte një narrativë bashkëpunimi që në të vërtetë kërkonte forcimin e hegjemonisë së Beogradit dhe legjitimimin e mohimit të shtetësisë së Kosovës. Në vend që ta ftonte Kosovën si partner të barabartë, ai zgjodhi ta qortonte publikisht udhëheqjen e saj, duke i quajtur “të paditur” e “gënjeshtarë”. Ishte zgjedhja e një njeriu që kujdeset për reputacionin e tij në qarqet e huaja, duke shkelur mbi interesin kombëtar në oborrin tonë përball armikut shekullor Serbisë.
Arroganca e tij arriti një kulm të ri në vitin 2023 përmes uzurpimit diplomatik të Asociacionit. Pa asnjë konsultim me institucionet e zgjedhura të Kosovës, Rama hartoi një draft dhe e dorëzoi atë në zyrat e Berlinit dhe Parisit, duke folur në emër të një shteti që nuk e kishte mandatuar. Ky nuk ishte një akt vëllazëror, ishte një akt kolonial. Ai u soll si tutori i një kombi që ka derdhur dete me gjak pikërisht për të mos pasur më tutorë. Për shumëkënd në Prishtinë, ai nuk ishte aty për Kosovën, por për Serbinë, dhe historia do ta regjistrojë këtë moment si një nga më të errëtit në marrëdhëniet shqiptaro-shqiptare.
Aspekti më alarmant, i cili përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë kombëtare, është loja e tij me shërbimet inteligjente. Emërimi në krye të Shërbimit Informativ Shqiptar (SHISH) i një figure të përjashtuar nga inteligjenca e Kosovës, dhe dërgimi i saj në Beograd për të bashkëpunuar me një regjim që ende nuk e njeh pavarësinë tonë, është pika që e derdhi gotën1.
Si mundet një kryeministër shqiptar të lejojë që fijet e zbulimit të tij të kryqëzohen me ata që vetëm 26 vite më parë, e edhe sot pa ndalim, e kanë për moto “një shqiptar i mirë është një shqiptar i vdekur”?
Ky veprim jo vetëm që bie ndesh me standardet e NATO-s, por shfaq një afërsi të rrezikshme me axhendat e Kremlinit, duke e nxjerrë Shqipërinë jashtë rolit të partnerit të besueshëm dhe duke e futur në një zonë të mjegullt ku interesat e Prishtinës sakrifikohen për hir të lojërave të Beogradit.
Kur veriu i Kosovës lëshoi erën e luftës dhe policia jonë përballej me grupet terroriste në Bajë, Edi Rama nuk ishte krahu ynë i fortë. Përkundrazi, ai i mbështeti qëndrimet agresive të Beogradit, të bashkërenduara me Moskën. Në vend të solidaritetit, ai ofroi kritika për Albin Kurtin. Në vend të mbështetjes për sovranitetin, ai bëri thirrje për “konferenca paqeje” dhe kontroll ndërkombëtar të veriut, duke i dhënë zë dëshirës së Serbisë për ta kthyer atë pjesë të territorit tonë në një protektorat brenda shtetit. Ai nuk foli për agresion, por për “realitete të reja në terren”, një retorikë që përgatit opinionin për pranimin e ndarjes. Anulimi i mbledhjes së dy qeverive në atë kohë nuk ishte teknik, ishte simbolik. Rama tregoi se kur tensioni rritet, prioriteti i tij është largësia nga Prishtina dhe afërsia me Beogradin.
Fyerja më e rëndë, ajo që i ngul thikën drejt e në plagën e pambyllur të kombit, është mungesa e turpshme e Parlamentit të Tiranës2.
Nën urdhrat e tij të ftohtë, ky parlament ka refuzuar në mënyrë sistematike të kalojë rezolutën për njohjen e Gjenocidit Serb në Kosovë.
Ndërkohë që bota dëgjoi klithmat e fëmijëve tanë të masakruar, Rama zgjodhi heshtjen. Ky nuk është një ngatërrim procedurash, por një akt i dytë i vrasjes së viktimave. Duke refuzuar të emërtojë krimin me emrin e tij të vërtetë, ai po i ofron Serbisë një fshirje të historisë, një amnezi të paguar me gjakun tonë, vetëm për të mos ia prishur qetësinë mikut të tij në Beograd. Ai e ka shndërruar tempullin e demokracisë shqiptare në një bunker ku fshihet e vërteta e tmerrshme e Ballkanit, duke e lënë Kosovën jetime në kërkesën e saj për drejtësi.
Në prapaskenat e këtij teatri makabër, Rama luan rolin e dirigjentit të gardës së vjetër. Ai është instrumenti i rrëzimit të çdo fryme reformiste që guxon të sfidojë status quo-në e korrupsionit dhe mafies politike që ka mbërthyer rajonin. Sulmet e tij të orkestruara ndaj qeverisë së Kurtit nuk janë mospërputhje karakteresh, por një fushatë e pastër për të instaluar njerëz që mund t’i kontrollojë, njerëz që pranojnë të bëhen pjesë e pazareve territoriale. Ai përdor mediat e tij besnike në Tiranë si topa artilerie për ta helmuar opinionin publik, duke e paraqitur mbrojtjen e ligjshmërisë në Kosovë si një akt “dehumanizues” apo “të paditur”. Çdo deklaratë denigruese e tij është një gur më shumë në murin që po ndërton për të izoluar Kosovën, vetëm që t’i pëlqejë partnerit të tij strategjik në Serbi.
Sot, ky njeri guxon të kërkojë mikpritje në rrugët e Prishtinës. Një njeri që në emër të një stabiliteti të rremë, ka pranuar të bëhet alibia e një regjimi që kurrë nuk kërkoi falje për masakrat, që kurrë nuk i ktheu mbetjet e të pagjeturve dhe që vazhdon të minojë ekzistencën tonë çdo ditë. Prishtina nuk mund dhe nuk duhet të heshtë. Nëse nuk ka reagim, heshtja jonë do të konsiderohet si bashkëfajësi në këtë dorëzim moral. Toka jonë, e tharë nga dhimbja dhe e njomur nga sakrifica, kërkon që vizita e tij të shënjohet me të kuqen e gjakut.
Kjo ngjyrë e kuqe duhet të jetë kudo. Në trotuaret ku ai shkel, në muret që ai sheh, në ajrin që ai thith. Ajo duhet t’i kujtojë atij se liria jonë nuk është dhuratë e “Ballkanit të Hapur”, por fryt i gjakut të derdhur. Ajo duhet t’i kujtojë se ne nuk jemi provincë e imagjinatës së tij gjeopolitike, as pjesë e tregtisë e tugjarllëkut të tij me Beogradin dhe Moskën.
Çdo pikë e kuqe në muret e Prishtinës sot duhet të jetë një britmë: “Këtu nuk mund të shitet gjaku për stabilitet!”.
Edi Rama duhet ta dijë se në Kosovë, kujtesa është më e fortë se propaganda. Ai vjen si një “paqësor”, por nën petkun e tij fshihet cinizmi i një lideri që e sheh Kosovën si një pengesë për ambiciet e tij. Nëse ai ka zgjedhur të jetë jehona e Beogradit, Prishtina duhet të jetë muri ku kjo jehonë thyhet brutalisht. Ky është një referendum moral. A do të lejojmë që bashkimi të mbetet një sllogan për festa, ndërkohë që në realitet punohet për izolimin dhe ndarjen tonë?
Merrni ngjyrën e kuqe. Jo si akt urrejtjeje, por si akt dinjiteti. Lyeni rrugët që këmba e tij të njollet. Që kur të kthehet në Tiranë, ai ta mbajë në këpucët e tij shenjën e asaj që tenton ta harrojë çdo ditë: gjakun e pashlyeshëm të Kosovës.
Kjo tokë nuk harron dhe nuk fal ata që e shesin shpirtin kombëtar për një buzëqeshje të Vuçiqit apo për një mandat më shumë në pushtet. Historia po na shikon, dhe sot, historia ka ngjyrën e gjakut.
Mos e lini Edi Ramën të kalojë pa e parë veten në pasqyrën e kuqe të tradhtisë së tij. Prishtina duhet të jetë sot dëshmitarja e të vërtetës, jo skena e një teatri të rremë diplomatik. Kjo është toka jonë, ky është gjaku ynë, dhe kjo është përgjigja jonë për ata që tentojnë ta shesin atë në pazaret e errëta të Ballkanit.
Agjentja që nuk u verifikua kurrë
Agjentja e shkarkuar Kosovare tani drejton SHiSH-in, duke ndezur frikë për besnikërinë dhe ndikimin e huaj. Derisa Edi Rama hyn në mandatin e tij të katërt, a e ka zëvendësuar shteti në hije atë real? — Kronika B Hulumtim.
Rama nuk njeh gjenocidin serb në Kosovë
Një ditë para protestës, Rama rrëzoi rezolutën për njohjen e gjenocidit; të nesërmen thirri turmat pro “çlirimtarëve”, ndërsa sulmon Kosovën për t’i shërbyer oreksit Beogradit. — Kronika B Politikë.


